BANKA E SHQIPËRISË
NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në konferencën e përbashkët për shtyp me Shefen e Misionit të FMN-së dhe Ministrin e Financave
Data e publikimit: 21.11.2024
I nderuar zoti Ministër i Financave,
E nderuar zonja kryetare e Misionit të FMN-së,
Të nderuar përfaqësues të medias,
Më lejoni, në radhë të parë, të falënderoj Misionin e FMN-së për diskutimet e frytshme që kemi pasur gjatë ditëve të fundit në kuadër të konsultimeve periodike mbi Artikullin IV.
Këto diskutime intensive janë fokusuar në analizën e zhvillimeve aktuale e të pritura ekonomike, monetare e financiare të vendit, në identifikimin e sfidave të zhvillimit, si dhe në ndërtimin e një kuadri politikash ekonomike dhe reformash strukturore, të cilat nxitin një zhvillim sa më të shpejtë e sa më të qëndrueshëm të vendit.
Në përfundim të tyre, konstatoj me kënaqësi se pikëpamjet tona konvergojnë në secilën prej temave të mësipërme. Në vijim, dëshiroj të prezantoj shkurtimisht opinionin e Bankës së Shqipërisë.
Ekonomia shqiptare ndodhet në një moment pozitiv zhvillimi. Kjo ecuri ilustrohet si nga treguesit e rritjes ekonomike, ashtu edhe nga përmirësimi i thuajse të gjithë parametrave të stabilitetit ekonomik dhe financiar të vendit. Më konkretisht:
- Vëllimi i aktivitetit ekonomik, punësimi dhe pagat, kanë shënuar një rritje të shpejtë gjatë gjysmës së parë të vitit.
- Inflacioni ka ardhur në rënie, duke qëndruar pranë nivelit 2% gjatë dy tremujorëve të fundit. Pas niveleve relativisht të larta të shënuara gjatë dy viteve paraardhëse, ky tregues, i cili përbën edhe objektivin primar të punës sonë, qëndron në nivele të ulëta, nën kontroll dhe pranë – ndonëse poshtë – objektivit tonë të stabilitetit të çmimeve.
- Bilanci i shkëmbimeve tregtare me jashtë qëndron në një trend përmirësimi, i nxitur nga rritja e të ardhurave nga turizmi dhe i pasqyruar në një trend forcimi të kursit të këmbimit.
- Paralelisht me të, borxhi publik dhe ai i huaj i vendit janë në rënie, duke qëndruar pranë niveleve më të ulëta të më shumë se një dekade.
- Së fundi, sektori bankar shfaqet i shëndetshëm, me tregues të mirë likuiditeti, kapitalizimi dhe rentabiliteti, ndërsa analizat tona të provës së rezistencës sugjerojnë se ky sektor është i aftë t’iu bëjë ballë goditjeve të papritura në të ardhmen.
Kjo tablo pozitive zhvillimesh pasqyron si rezistencën dhe fleksibilitetin e sektorit tonë privat, ashtu edhe kahun e duhur të politikave ekonomike që kemi ndjekur dhe frytet e reformave strukturore që kemi ndërmarrë.
Duke u ndalur në këtë aspekt, dëshiroj të nënvizoj se Banka e Shqipërisë ka dhënë një kontribut pozitiv dhe të qenësishëm në ruajtjen e stabilitetit ekonomik të vendit dhe në nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm dhe afatgjatë të tij.
- Politika jonë monetare, e ankoruar në një regjim fleksibël të inflacionit të shënjestruar dhe një regjim të lirë të kursit të këmbimit, ka mundësuar ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe përballimin e goditjeve të huaja me kosto minimale mbi aktivitetin ekonomik dhe stabilitetin financiar të vendit. Normalizimi gradual dhe i kujdesshëm i qëndrimit të politikës monetare gjatë viteve 2022-2023, si dhe reagimi fleksibël e konsistent i saj ndaj ecurisë së inflacionit gjatë vitit aktual, i kanë mundësuar Shqipërisë të ketë – njëkohësisht – një ndër normat më të ulëta të inflacionit, një ndër normat më të larta të rritjes ekonomike, si dhe një ambient financiar stimulues dhe një rritje të shpejtë të kreditimit.
- Gjithashtu, përmirësimi i vazhdueshëm i kuadrit tonë rregullator, mbikëqyrja e kujdesshme e sektorit bankar, si dhe masat tona makroprudenciale, kanë kontribuar pozitivisht në stabilitetin financiar të vendit, kanë rritur besimin e publikut në sektorin bankar, si dhe kanë mundësuar një rritje të shpejtë e të qëndrueshme të kreditimit.
- Së fundi, Banka e Shqipërisë ka punuar për zhvillimin e tregjeve financiare dhe të instrumenteve të pagesave, duke synuar si zgjerimin e gamës dhe uljen e kostove të tyre. Në veçanti, investimi i vazhdueshëm që kemi bërë për përmirësimin e platformave teknologjike të sistemit të pagesave, të bazës së tyre ligjore e rregullatore, si dhe të edukimit financiar të publikut, kanë sjellë një rritje të përdorimit të pagesave elektronike, shkurtim të kohës dhe uljes së kostove të tyre, duke i shërbyer si rritjes së eficiencës ashtu edhe rritjes së formalizimit të ekonomisë.
Ndikim mjaft pozitiv në këtë drejtim vlerësohet se do të ketë edhe anëtarësimi i përshpejtuar i Shqipërisë në SEPA. Pas aplikimit me sukses në muajin qershor të këtij viti, Shqipëria pritet shumë shpejt të jetë pjesë e këtij tregu të rëndësishëm që do të mbështesë në mënyrë domethënëse shkëmbimet ekonomike me vendet e Bashkimit Evropian dhe ato të përfshira në zonën SEPA.
Projeksionet për të ardhmen mbeten pozitive. Banka e Shqipërisë pret një rritje të mëtejshme të aktivitetit ekonomik, si në horizontin afatshkurtër dhe në atë afatmesëm e afatgjatë. Rritja ekonomike pritet të rezultojë në intervalin 3.5 - 4% gjatë vitit aktual dhe të qëndrojë në linjë me potencialin gjatë viteve të ardhshme. Paralelisht me të, inflacioni pritet të mbetet i ulët dhe nën kontroll, duke u kthyer pranë objektivit tonë prej 3% gjatë vitit 2025.
Bazuar në këto projeksione, ne gjykojmë se politikat ekonomike duhet të vijojnë të orientohen drejt forcimit të mëtejshëm të stabilitetit ekonomik. Në këtë kontekst, gjej me vend të theksoj se vijimi i procesit të konsolidimit fiskal gjatë viteve të ardhshme, na mundëson të ndjekim një politikë monetare fleksibile dhe të orientuar drejt stabilitetit të çmimeve.
Megjithatë, sfidat me të cilat përballet zhvillimi i vendit në të ardhmen nuk janë të pakta. Nga njëra anë, zhvillimi i qëndrueshëm afatgjatë i vendit kërkon një fokus më të madh në rritjen e produktivitetit, nëpërmjet rritjes së inovacionit, eficiencës dhe konkurrueshmërisë së bizneseve shqiptare, si dhe në zgjerimin dhe diversifikimin e mëtejshëm të bazës sektoriale të rritjes. Nga ana tjetër, tensionet gjeopolitike, problemet demografike, ndryshimi klimatik, si dhe inovacioni financiar, e ekspozojnë vendin ndaj sfidave afatgjata dhe goditjeve potenciale në të ardhmen. Kjo kërkon ruajtjen e fokusit në garantimin e stabilitetit makroekonomik, si dhe vijimin e punës për përmirësimin e shëndetit monetar, financiar e fiskal të ekonomisë.
Banka e Shqipërisë gjykon se reformat e gjithanshme rregullatore, ligjore e institucionale të ndërmarra në kuadrin e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, ofrojnë një platformë të plotë dhe konsistente për adresimin e sfidave.
Banka e Shqipërisë do të vijojë të punojë me përgjegjësi, profesionalizëm e transparencë, për përmbushjen e misionit dhe detyrave të saj ligjore. Politika jonë monetare do të vijojë të mbetet e fokusuar ekskluzivisht në stabilitetin e çmimeve. Në përmbushjen e këtij misioni, ne do të vijojmë të bazohemi në kuadrin aktual të politikës monetare, i cili është provuar të jetë eficient dhe i suksesshëm, duke u përpjekur ta përshtatim atë në vazhdimësi me sfidat e kohës. Gjithashtu, ne do të vijojmë të punojmë për fuqizimin e mëtejshëm të stabilitetit financiar të vendit, për ruajtjen e besimit të publikut në sektorin bankar, për krijimin e një ambienti të përshtatshëm krediti, si dhe për zhvillimin e mëtejshëm të tregjeve financiare dhe të instrumenteve të pagesës.
Ju faleminderit!