BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në konferencën e përbashkët për shtyp me misionin e FMN-së, MF-në dhe MZHETTS-në

Data e publikimit: 10.11.2015

 

Mbi përfundimin e Rishikimit të Pestë dhe të Gjashtë të Marrëveshjes me FMN-në

Të nderuar përfaqësues të medias,

Sikurse jeni në dijeni, gjatë dy javëve të fundit kemi qenë të angazhuar në bisedime intensive me përfaqësuesit e Misionit të FMN-së. Si gjithnjë, diskutimet kanë qenë të përqendruara në shkëmbimin e opinioneve mbi zhvillimet ekonomike dhe financiare, duke u përpjekur natyrisht të identifikojmë politikat dhe instrumentet e duhura për të ecur përpara, në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm të vendit.

.foto e guvern.

Në përgjithësi, konstatoj se ndajmë me Misionin pikëpamje konvergjente në lidhje me problemet me të cilat përballemi, me politikat dhe reformat të cilat duhet të ndërmarrim, si dhe me koordinimin e sekuencimin e duhur të tyre. Më lejoni të përmbledh shkurtimisht opinionin e Bankës së Shqipërisë.

Ekonomia shqiptare ka shënuar norma pozitive rritjeje gjatë gjysmës së parë të vitit. Të dhënat paraprake sugjerojnë se këto ritme do të ruhen edhe gjatë gjysmës së dytë. Sistemi bankar i vendit mbetet solid, i karakterizuar nga nivele të mira likuiditeti dhe kapitali. Zhvillimet në Greqi nuk lanë pasojë në treguesit e shëndetit financiar, duke reflektuar besimin e publikut në këtë sistem dhe masat e marra nga Banka e Shqipërisë.

Megjithatë, ekonomia shqiptare vazhdon të mbetet nën potencial dhe inflacioni vazhdon të qëndrojë poshtë objektivit prej 3% të synuar prej nesh. Ritmi i rritjes është ende i pamjaftueshëm për të siguruar punëzënie të plotë dhe burimet e saj nuk janë ende të konsoliduara. Në veçanti, ambienti i jashtëm mbetet sfidues, pasiguria e lartë vazhdon të frenojë konsumin dhe investimet, ndërsa rritja e kredisë është poshtë nivelit të dëshiruar.

Në përgjigje të kësaj situate, në mbledhjen e fundit të Këshillit Mbikëqyrës, Banka e Shqipërisë vendosi të rritë më tej stimulin monetar, duke ulur normën bazë të interesit në nivelin 1.75%. Kjo lëvizje synon të ulë koston e financimit si dhe nxitjen e konsumit dhe  investimeve. Duke marrë parasysh edhe lëvrimin e pritur të Eurobondit, sistemi financiar shqiptar pritet të operojë në kushtet e likuiditetit të bollshëm dhe me kosto të ulët, gjatë vitit 2016 e më tej.

Ndërkohë, edhe aktiviteti ekonomik pritet të kthehet në potencial dhe inflacioni në objektiv, brenda horizontit afatmesëm.

Megjithatë, realizimi i këtij skenari kërkon marrjen e masave në drejtimet e mëposhtme:

- Ruajtjen e kahut aktual të politikave makroekonomike. Banka e Shqipërisë gjykon se kompozimi aktual i politikave makroekonomike, i bazuar në kahun stimulues të politikës monetare dhe atë konsolidues të politikës fiskale, është ai i duhuri për ekonominë shqiptare. Njëkohësisht, ky kompozim do të sigurojë rritjen e ekonomisë dhe reduktimin e rrezikut që buron nga nivelet e borxhit publik. Nga ana e saj, Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të ruajë një kurs stimulues të politikës monetare, për sa kohë që inflacioni nuk është kthyer në mënyrë të qëndrueshme në objektivin e synuar.

- Reduktimin e pasigurisë dhe përmirësimin e klimës së biznesit, në të gjitha segmentet e ekonomisë shqiptare. Në analizat tona, pasiguria rezulton si një nga arsyet që vazhdon të frenojë konsumin dhe investimet në vend. Zbutja e saj, nëpërmjet rritjes së transparencës dhe forcimit të konsensusit politik, do të ndihmonte në krijimin e një ambienti më favorizues për rritjen ekonomike.

- Nxitjen e kreditimit, nëpërmjet reduktimit të rrezikut të kredisë. Sikurse e kemi thënë dhe më parë, zbatimi pa vonesa i platformës kombëtare për adresimin e çështjeve që rrethojnë kreditë me probleme, është një hap i domosdoshëm për kthimin e kredisë në një burim të qëndrueshëm dhe eficient financimi për ekonominë shqiptare.

- Perspektiva e zhvillimit të vendit mbetet pozitive, por rritja e qëndrueshme kërkon kombinimin e stimulit afatshkurtër ekonomik me reforma strukturore afatgjata. Në drejtim të reformave strukturore, dëshiroj të nënvizoj disa nga angazhimet konkrete që ne, si autoritet monetar, kemi marrë në kuadrin e marrëveshjes me FMN-në:

  • Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të shkëmbejë informacion dhe të bashkëpunojë me Autoritetin Bankar Evropian e institucionet e tjera homologe, në drejtim të bashkërendimit të masave mbikëqyrëse dhe të praktikave rregullatore;
  • Banka e Shqipërisë do të rishikojë disa kërkesa rregullatore, me synim nxitjen e ristrukturimit, pastrimin apo shitjen e kredive me probleme nga bilancet e bankave;
  • Banka e Shqipërisë do të marrë masa të mëtejshme për përmirësimin e funksionimit të Regjistrit të Kredive.


Në mbyllje, dëshiroj të falënderoj Misionin e FMN-së për diskutimet e sinqerta dhe qasjen bashkëpunuese që kanë shfaqur.

Ju faleminderit!