BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në konferencën për shtyp mbi veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë gjatë vitit 2018

Data e publikimit: 24.12.2018

 

Duke vazhduar traditën që kemi nisur, në interes të transparencës dhe llogaridhënies së institucionit, dëshiroj të ndaj me ju një pasqyrë të shkurtër të punës së Bankës së Shqipërisë gjatë vitit që po lemë pas.

 

Aktiviteti i Këshillit Mbikëqyrës

Në përputhje me dispozitat ligjore dhe rregullore, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë zhvilloi 15 mbledhje gjatë vitit 2018, gjatë të cilave u shqyrtuan dhe miratuan një sërë çështjesh të lidhura me politikën monetare, stabilitetin financiar, mbikëqyrjen bankare, e të tjera të natyrës operacionale.

DSC 0078 - Copy-2 498

Në zbatim të detyrave dhe kompetencave të tij, si dhe në ndjekje të planeve të punës dhe në funksion të prioriteteve të zhvillimit, Këshilli ka miratuar 69 vendime gjatë vitit 2018, 48 prej të cilëve ishin akte të reja dhe 21 ndryshime aktesh ekzistuese.

Disa nga ngjarjet kryesore në veprimtarinë e Këshillit për vitin 2018 janë: (i) miratimi i Politikës për Zgjerimin e Përdorimit të Monedhës Kombëtare në Veprimtarinë e Bankave dhe të Institucioneve Financiare Jobankare; (ii) miratimi i Politikës së Mbikëqyrjes së Sistemeve të Pagesave dhe të Shlyerjes; si dhe, (iii) miratimi i Politikave Kontabël sipas Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (SNRF).

Gjithashtu, Këshilli ka marrë informacion të rregullt mbi politikat e administrimit të institucionit, mbi mënyrat dhe procedurat e përdorimit të mjeteve financiare për realizimin e veprimtarisë operative, si dhe mbi gjetjet dhe rekomandimet e Auditimit të Brendshëm.

Tregjet financiare dhe operacionet monetare

Viti 2018 ka shënuar zhvillime të rëndësishme në drejtim të zgjerimit dhe thellimit të tregjeve financiare. Një zhvillim i spikatur i këtij viti ishte zbatimi i sistemit Primary Dealers, nëpërmjet projektit pilot të emetimit të titujve referencë 5-vjeçarë me banka tregtare të cilat kryejnë tashmë rolin e Krijuesve të Tregut. Banka e Shqipërisë ka mbështetur Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë në këtë projekt, si në aspektin operacional ashtu dhe në atë të hartimit të kuadrit rregullator.

Mbikëqyrja bankare dhe stabiliteti financiar

Banka e Shqipërisë vlerëson se sektori financiar është i qëndrueshëm. Në veçanti, sektori bankar vijon të zgjerojë veprimtarinë, duke mbetur njëherazi likuid dhe i mirëkapitalizuar. Ekspozimet e këtij sektori ndaj rreziqeve të tregut mbeten të kontrolluara, ndërkohë që rreziku i likuiditetit vlerësohet i ulët.

Cilësia e portofolit të kredisë pësoi një përmirësim gjatë vitit 2018: treguesi i raportit të kredive me probleme shënoi nivelin 12.43% në fund të tremujorit të tretë, kundrejt 13.23% në fund të vitit 2017. Përmirësimi i cilësisë së kredisë ka ardhur kryesisht nga shlyerjet e tyre, ndërkohë që kontribut shtesë në këtë drejtim kanë dhënë dhe rikuperimet. Po në këtë drejtim, Banka e Shqipërisë synoi trajtimin sistematik dhe të formalizuar të kredive me probleme, veçanërisht në rastin e kredimarrësve të mëdhenj, nëpërmjet hartimit të një rregulloreje të veçantë për këtë qëllim, sipas praktikave më të mira ndërkombëtare dhe specifikave të vendit.

Forcimi i mbikëqyrjes bankare dhe mbështetja e stabilitetit financiar mbeten objektiva themelore të Bankës së Shqipërisë. Këto objektiva ushtrohen nëpërmjet rolit tonë licencues, rregullator dhe mbikëqyrës. Më lejoni të jap disa detaje më tepër.

Në drejtim të licencimit, gjatë vitit 2018 u materializuan ndryshime të rëndësishme të pronësisë për disa banka. Me vendim të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, u miratuan riorganizimi juridik nëpërmjet bashkimit me përthithje i disa bankave, si dhe ndryshimi apo zgjerimi i objektit të veprimtarisë të disa institucioneve të tjera financiare. Ndryshimet e mësipërme strukturore pritet të ndikojnë në përmirësimin e eficiencës së veprimtarisë bankare dhe të ndërmjetësimit financiar.

Në drejtim të mbikëqyrjes bankare, në përputhje me objektivat e vendosur, Banka e Shqipërisë realizoi përgjatë gjithë vitit ekzaminime të plota e të pjesshme në subjekte banka dhe jobanka, si dhe zyra të këmbimit valutor. Po në këtë drejtim, vijoi koordinimi edhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPPP), me të cilën u kryen inspektime të përbashkëta në kuadrin e parandalimit të pastrimit të parave dhe parandalimit të financimit të terrorizmit (PPP/PFT).

Po ashtu, në muajin nëntor 2018, u nënshkrua Memorandumi i Bashkëpunimit në fushën e mbikëqyrjes bankare mes Bankës se Shqipërisë dhe Bankës Qendrore Evropiane (BQE). Nënshkrimi i këtij Memorandumi formalizon mekanizmat e bashkëpunimit dhe ndarjes së informacionit ndërmjet BQE-së dhe Bankës së Shqipërisë dhe është themelor për të siguruar një mbikëqyrje efektive dhe gjithëpërfshirëse të subjekteve nën juridiksionin e secilit prej autoriteteve rregullatore.

Njëkohësisht, me ftesë të BQE-së, është siguruar pjesëmarrja në kolegjet e mbikëqyrësve për dy nga bankat që i përkasin grupeve bankare evropiane. Shkëmbimi i eksperiencave dhe informimi mbi planet në nivel grupi japin një kontribut të vlefshëm në orientimin e procesit mbikëqyrës për bankat në fjalë.

Në drejtim të rregullimit bankar, Banka e Shqipërisë ka vijuar punën për plotësimin e kuadrit të politikës makroprudenciale të bankës qendrore. Gjatë vitit 2018 janë përmirësuar sistemet e paralajmërimit të hershëm lidhur me rreziqet sistemike, duke përcaktuar listën e treguesve të përdorur për evidentimin e tyre.

Në funksion të përafrimit të kuadrit rregullator me direktivat dhe rregulloret evropiane për veprimtarinë e institucioneve të kreditit, si dhe me standardet e Komitetit të Bazelit për mbikëqyrjen efektive, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë një sërë ndryshimesh në disa prej rregulloreve ekzistuese që lidhen me kapitalin rregullator dhe transparencën bankare, si dhe ka përfunduar me sukses hartimin e projektrregullores së re “Për raportin e mbulimit me likuiditet”.

Edhe gjatë vitit 2018, një vëmendje të veçantë vijoi të marrë monitorimi i rrezikut të kredisë në nivel sistemi dhe për banka të veçanta, me fokus treguesin e cilësisë së portofolit të kredisë.

Së fundi, Banka e Shqipërisë mori pjesë aktive në plotësimin e komenteve të Moneyval mbi raundin e pestë të vlerësimit të Shqipërisë për PPP/PFT, në lidhje me pyetësorin teknik dhe atë të efektivitetit. Në përfundim të këtij procesi u konkludua në një dokument përfundimtar për Shqipërinë, ku u qartësuan edhe një numër rekomandimesh, për një pjesë të të cilave BSH-ja ka rol dhe për të cilat hartoi planin e saj të veprimit afat shkurtër, me qëllim përmbushjen e tyre.

Paralelisht me drejtimet e mësipërme të punës, Banka e Shqipërisë i ka kushtuar rëndësi dhe aspektit strategjik të arkitekturës mbikëqyrëse dhe rregullatore të sistemit financiar.

Në këtë funksion. Banka e Shqipërisë është angazhuar në drejtimet e mëposhtme:

  • Për të nxitur rritjen e përdorimit të monedhës kombëtare, në fillim të vitit 2018, u miratuan një sërë ndryshimesh rregullative që prekin aktivet dhe pasivet e sektorit bankar dhe vendosjen e kërkesave për një ndërgjegjësim më të mirë të huamarrësve, lidhur me kreditimin e pambrojtur në valutë;
  • Në përmbushje të rolit të saj ligjor si Autoritet i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme në vend, Banka e Shqipërisë krijoi "Fondin për ndërhyrjen e jashtëzakonshme", përmes kontributit të bankave. Ky fond do të mbështesë zbatimin e instrumenteve të Bankës së Shqipërisë në drejtim të ndërhyrjes së jashtëzakonshme. Po në kuadrin e administrimit të krizave financiare, në tetor u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet Bankës së Shqipërisë dhe Bordit të Përbashkët të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme (Autoriteti i Ndërhyrjes për BE-në), e cila mbështet shkëmbimin e informacionit për hartimin e planeve, koordinimin e veprimeve nga të dy autoritetet në rast të aktivizimit të këtyre planeve, si dhe organizimin e aktiviteteve të përbashkëta për ngritjen e ekspertizës në fushën e ndërhyrjes së jashtëzakonshme.

Krahas drejtimeve kryesore të punës së Bankës së Shqipërisë të përshkruara më lart, në vijim do të doja të ndalesha edhe në disa aspekte të tjera të punës sonë. Këto aktivitete, përmbushin detyrimet tona ligjore dhe i shërbejnë njëkohësisht zhvillimit të sistemit financiar dhe të ekonomisë së tregut në Shqipëri.

Më lejoni të ndalem vetëm në disa prej tyre.

  • Në rolin e zhvilluesit dhe mbikëqyrësit të sistemeve të pagesave, u miratua Strategjia Kombëtare për Reformimin e Sistemeve të Pagesave me Vlerë të Vogël. Kjo strategji synon zgjerimin e përfshirjes financiare të popullsisë dhe zgjerimin e përdorimit të instrumenteve elektronike të pagesave. Në zbatim të saj, ka përfunduar hartimi i projektligjit “Për shërbimet e pagesave”, i cili synon nxitjen e konkurrencës në treg, promovimin e shërbimeve inovative, krijimin e një regjimi të mirërregulluar për mbrojtjen e konsumatorit, e që u përgjigjet kërkesave të Direktivës së Bashkimit Evropian për shërbimet e pagesave.
  • Në kuadër të përmirësimit të administrimit financiar dhe material të institucionit, Banka e Shqipërisë ka përfunduar punën për zbatimin e standardit të ri të kontabilitetit, i emërtuar si SNRF-9. Me hartimin dhe auditimin e pasqyrave financiare për vitin 2018, proces i cili pritet të kryhet deri në mars 2019, zbatimi i këtij standardi merr formë përfundimtare edhe nëpërmjet publikimit.
  • Në kuadër të rritjes së cilësisë së emisionit të monedhës shqiptare, janë zbatuar një sërë masash që synojnë minimizimin e rrezikut operacional, përmirësimin e procesit të përpunimit të monedhës, dhe mbrojtjen e saj nga falsifikimi. Gjithashtu, këtë vit ka vijuar puna për realizimin e kartëmonedhës me prerje 10,000 lekë, e cila i shtohet serisë së kartëmonedhave në qarkullim dhe pasqyrojë simbolet e flamurit kombëtar.
  • Në fushën e statistikave, ka vijuar puna për plotësimin e standardeve sasiore të metodologjive ndërkombëtare dhe legjislacionit të Bashkimit Evropian, lidhur me zhvillimin, përpilimin dhe raportimin e statistikave pranë organizmave evropiane dhe ndërkombëtare. Për herë të parë u publikua një bllok i ri statistikor, ai i Llogarive Financiare, i zhvilluar sipas standardit më të fundit të kompilimit të llogarive financiare, ESA 2010, si dhe u përpiluan statistikat e normave të interesit sipas rregullores së BQE-së.
  • Në fushën e teknologjisë së informacionit, Banka e Shqipërisë ka përfunduar një sërë projektesh të rëndësishme në funksion të objektivave strategjike për automatizimin e mëtejshëm të proceseve, si dhe për përmirësimin e rritjen e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së sistemeve informatike.
  • Aktiviteti dhe puna kërkimore ka qenë dhe mbetet një drejtim i rëndësishëm për Bankën e Shqipërisë. Gjatë vitit 2018, studimet janë fokusuar në interpretimin e fenomeneve ekonomike dhe monetare që kanë dominuar ambientin e brendshëm dhe të jashtëm, duke i kushtuar një vëmendje të veçantë zhvillimeve të kursit të këmbimit dhe çmimeve, mekanizmit të transmetimit të politikes monetare, sjelljes konsumatore e financiare të familjeve, si dhe stabilitetit financiar të sistemit bankar. Rezultatet e këtyre studimeve janë vënë në funksion të vendimmarrjes brenda Bankës së Shqipërisë, por dhe më gjerë.

Për këtë qëllim, Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Institutin e Studimeve Globale të Shkollës Ekonomike të Londrës (LSE) organizoi konferencën e saj vjetore me temë "Politika Monetare, Integrimi Ekonomik dhe “Normaliteti i Ri". Gjithashtu, studimet e përgatitura nga Banka e Shqipërisë u prezantuan dhe diskutuan në Workshop-in e 12-të të Kërkimeve Ekonomike për Evropën Juglindore ku u paraqitën 37 punime shkencore nga studiues të Bankës së Shqipërisë dhe të institucioneve akademike dhe financiare nga Evropa, SHBA e rajoni.

  • fushën e komunikimit, gjatë vitit 2018 Banka e Shqipërisë prezantoi faqen e re të internetit, e cila përbën mjetin kryesor të komunikimit të saj me publikun. Përmirësimi në imazh, dizajn dhe përmbajtje, i kësaj faqeje, i mundëson Bankës përcjelljen e informacionit në publik në mënyrë më të lehtë dhe më të shpejtë. Në të janë pasqyruar me transparencë të plotë fjalime, njoftime dhe intervista, raporte, analiza e buletine, një shumëllojshmëri e lartë statistikash e të dhënash, përmbledhje të punimeve të konferencave ndërkombëtare dhe një sërë aktivitetesh të tjera me karakter të veçantë. Si pjesë e ndërveprimit me publikun për të përfshirë të gjitha grupet e interesit, ka vijuar rregullisht edhe komunikimi nëpërmjet mediave vizive e atyre të shkruara, si dhe ai dixhital nëpërmjet rrjeteve sociale.
  • Banka e Shqipërisë ka luajtur një rol të veçantë në edukimin dhe përfshirjen financiare të publikut. Botimet, vizitat e shumta në Muzeun e Bankës së Shqipërisë, ekspozitat e përkohshme dhe aktivitetet e tjera me karakter informues, historik dhe numizmatik, i kanë shërbyer këtij funksioni të rëndësishëm. Ndër aktivitetet më të spikatura të vitit mund të përmendim organizimin e Javës së Parasë 2018, Konferencën II të Muzeut të BSH-së, si dhe leksionet e ciklit “Netët e Muzeut”. Gjithashtu, në kuadër të “Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastrioti Skënderbeut” u çelën dy ekspozita të përkohshme në Tiranë dhe Prizren, me temë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në monedhën dhe kartëmonedhën shqiptare”.

***

Të nderuar përfaqësues të medias,

Meqenëse kjo është dalja e fundit mediatike për këtë vit, përfitoj nga rasti që t’ju uroj ju, dhe nëpërmjet jush dhe publikut të gjerë, festa të gëzuara të fundvitit, si dhe dëshiroj t’ju ftoj të ndiqni me vëmendje punën dhe aktivitetin e Bankës së Shqipërisë dhe gjatë vitit 2019.

Jam i bindur se në institucionin tonë do të gjeni një partner serioz, të besueshëm, dhe në lartësinë e sfidave të kohës.

Ju faleminderit për vëmendjen!