BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në konferencën për shtyp për vendimmarrjen e politikës monetare, 05 tetor 2022

Data e publikimit: 05.10.2022

 

Të nderuar përfaqësues të medias,

Sot, në datën 5 tetor 2022, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin e Ndërmjetëm të Politikës Monetare.

Informacioni i ri i marrë në analizë sugjeron se goditjet e ofertës dhe rritja e pasigurisë në tregjet botërore, po transmetohen në rritje të inflacionit dhe ngadalësim të ritmit të rritjes ekonomike në vend. Në veçanti, presionet e huaja inflacioniste vlerësohen të jenë më të forta e më të qëndrueshme se vlerësimet tona të mëparshme. Po ashtu, kërkesa në rritje për mallra e shërbime në vend, tregu dinamik i punës dhe pritjet për norma të larta inflacioni, po lehtësojnë përhapjen e tyre në ekonominë shqiptare.

 DSC4235 498

Bazuar në sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se rritja e shpejtë e çmimeve mbetet rreziku kryesor për stabilitetin monetar e financiar të vendit dhe për rritjen e qëndrueshme e afatgjatë të tij.

Në këto rrethana, Këshilli vendosi të vijojë normalizimin e qëndrimit të politikës monetare. Ky normalizim synon të krijojë kushtet e nevojshme për kthimin gradual të inflacionit në objektiv, brenda një horizonti kohor të arsyeshëm dhe me kosto sa më të ulëta për aktivitetin e brendshëm ekonomik.

Në vijim, do t'ju njoh me vendimin e politikës monetare dhe do t’ju shpjegoj më në detaje arsyet e tij.

 DSC4180 498

Inflacioni u rrit më tej në muajt korrik e gusht, duke shënuar vlerat respektive prej 7.5% dhe 8.0%. Kontributi kryesor në inflacion vijon të vijë nga rritja e shpejtë e çmimeve të ushqimeve dhe të naftës. Megjithatë, tendenca e rritjes së çmimeve po bëhet prezente në një gamë gjithnjë e më të gjerë mallrash dhe shërbimesh.

Forcimi dhe zgjerimi i presioneve inflacioniste pasqyron si rritjen e përshpejtuar të çmimeve në tregun global ashtu edhe intensifikimin e presioneve të brendshme. Lufta në Ukrainë përkeqësoi problemet ekzistuese të ofertës globale dhe shkaktoi probleme të reja, kryesisht në tregjet e ushqimeve bazë, të lëndëve energjetike dhe të lëndëve bazë. Si rezultat, çmimet e këtyre produkteve u rritën shpejt në tregjet globale dhe në vendin tonë. Paralelisht me to, rritja e kërkesës agregate në vend ka mbështetur zgjerimin e punësimit dhe të pagave dhe ka shtuar presionet e brendshme inflacioniste.

Ekonomia shqiptare vijoi rritjen në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022, ndonëse ritmet e saj u ngadalësuan ndjeshëm në tremujorin e dytë. Sipas të dhënave të Instat-it, rritja ekonomike zbriti në nivelin 2.2%, nga 6.5% në tremujorin e parë. Reduktimi i rritjes pasqyroi, në masën më të madhe, ngadalësimin e shpejtë të aktivitetit në sektorin e ndërtimit dhe të industrisë. Megjithatë, shenja të ngadalësimit ishin të pranishme edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë.

Në këndvështrimin makroekonomik, ky ngadalësim pasqyroi si veprimin e efektit bazë, ashtu dhe efektin negativ të kostove të larta dhe të rritjes së pasigurisë. Këta faktorë sollën frenimin e ritmit të rritjes së eksporteve dhe të investimeve të sektorit privat, tkurrjen e shpenzimeve të sektorit publik, si dhe rritjen e shpejtë të importit të mallrave e shërbimeve. Përkundrejt tyre, konsumi familjar vijoi të shënojë norma të qëndrueshme rritjeje.

Në një këndvështrim më afatgjatë, trendi rritës i kërkesës për mallra e shërbime ka sjellë një shfrytëzim gjithnjë e më të plotë të kapaciteteve prodhuese në vend. Kjo tendencë është veçanërisht prezente në tregun e punës, ku shkalla e papunësisë zbriti në minimumin historik prej 11.1% në tremujorin e dytë. Rritja e kërkesës për punë dhe mungesa e fuqisë punëtore po ushtrojnë presione rritëse mbi pagat në sektorin privat. Kjo ecuri siguron mbështetje për të ardhurat e familjeve shqiptare në periudhën në vazhdim, por është edhe premisë për një qëndrueshmëri më të gjatë në kohë të presioneve inflacioniste.

Ambienti i brendshëm monetar vijon të mbetet stimulues, ndërsa tregjet financiare shqiptare vijojnë të jenë të qeta. Rritja e normës bazë të interesit po transmetohet në tregun financiar, por normat e interesit janë ende stimuluese dhe pranë niveleve të ulëta historike. Nga ana tjetër, kursi i këmbimit të lekut mbetet në pozita të forta ndaj monedhës evropiane, duke ndihmuar absorbimin e një pjese të goditjes së ofertës që vjen nga tregu i huaj.

Kredia bankare ka vijuar të financojë konsumin dhe investimet, në reflektim të kërkesës së lartë, të kushteve ende të favorshme të financimit, si dhe të shëndetit të mirë të sektorit bankar. Kredia për sektorin privat u rrit me 13.7% në muajin gusht, duke vijuar trendin e viteve të fundit. Rritja e saj ka vijuar të jetë e pranishme si tek bizneset dhe tek individët, për qëllime investime dhe shpenzimi, si në monedhën lek ashtu edhe në valutë. Krahas trendit rritës të kredisë dhe diversifikimit të saj, cilësia e portofolit mbetet e mirë sikurse ilustrohet nga treguesi i kredive me probleme, i cili mbetet në nivele të ulëta.

Përditësimi i parashikimeve rikonfirmon vlerësimet tona të mëparshme se inflacioni do të kthehet në objektiv në gjysmën e parë të vitit 2024. Në terma të dinamikës kohore, inflacioni pritet të mbetet i lartë në dy tremujorët në vazhdim dhe të nisë rënien në periudhën pasuese.

Ky parashikim faktorizon pritjet për zbutjen progresive të presioneve inflacioniste në ambientin e huaj. Gjithashtu, ai kërkon normalizimin e qëndrimit të politikës monetare, për të siguruar kontrollin e efekteve të raundit të dytë në ekonominë vendase.

Nga ana tjetër, përditësimi i parashikimeve sugjeron se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet në horizontin afatmesëm, ndonëse ritmi i rritjes do të jetë disi më i ulët. Përkeqësimi i perspektivës ekonomike në Evropë, ndikimi negativ që çmimet e larta kanë në fuqinë blerëse të familjeve, si dhe reduktimi i stimulit fiskal, pritet të ngadalësojnë konsumin familjar dhe investimet e bizneseve në vijim. Nga ana tjetër, niveli i lartë i depozitave, rritja e punësimit dhe e pagave, rritja e kredisë bankare dhe paketat e rezistencës sociale pritet të sigurojnë mbështetje për bilancet e sektorit privat.

Informacioni i disponuar sugjeron se balanca e rreziqeve mbi inflacionin qëndron në kahun e sipërm, ndërsa balanca e rreziqeve mbi rritjen ekonomike qëndron në kahun e poshtëm. Në veçanti, lufta në Ukrainë është burim kryesor i pasigurisë dhe përshkallëzimi i konfliktit mund të çojë në çmime më të larta të mallrave, ndërprerje të zinxhirëve të furnizimit dhe rritje më të ulët ose edhe negative ekonomike rajonale dhe evropiane.

***

Duke gjykuar mbi sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës vendosi:

  • të rrisë me 0.5 pikë përqindje normën bazë të interesit, duke e çuar atë në nivelin 2.25%;
  • të rrisë me 0.5 pikë përqindje normën e interesit të depozitës njëditore, duke e çuar atë në nivelin 1.25%;
  • të rrisë me 0.5 pikë përqindje normën e interesit të kredisë njëditore, duke e çuar atë në nivelin 3.25.

Në gjykimin e Këshillit, normalizimi gradual i qëndrimit të politikës monetare, nga pozicioni tejet stimulues i saj në trajtat aktuale në një pozicion më neutral, është një masë e domosdoshme për respektimin e objektivit tonë të inflacionit të çmimeve. Në këtë këndvështrim, ky normalizim i shërben stabilitetit të përgjithshëm ekonomik dhe financiar të vendit, rritjes së qëndrueshme dhe afatgjatë dhe përmirësimit të mirëqenies sociale.

Në konsistencë me komunikimet e kaluara dhe me parashikimet tona afatmesme, Këshilli Mbikëqyrës thekson se cikli normalizues i politikës monetare do të vijojë edhe në tremujorët në vazhdim. Në çdo rast, shpejtësia e normalizimit do të jetë në përputhje me të dhënat e reja dhe e mjaftueshme për të respektuar objektivin tonë afatmesëm të inflacionit.

Këshilli Mbikëqyrës do të monitorojë me kujdes situatën për të vlerësuar në kohë implikimet për ecurinë e inflacionit dhe për të identifikuar në kohë masat e nevojshme për administrimin efektiv të saj.