BANKA E SHQIPËRISË
NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në konferencën për shtyp për vendimmarrjen e politikës monetare, 18 dhjetor 2024
Data e publikimit: 18.12.2024
Të nderuar përfaqësues të medias,
Sot, në datën 18 dhjetor 2024, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin e Ndërmjetëm të Politikës Monetare për tremujorin e katërt.
Ndonëse jo i plotë, informacioni i ri i marrë në analizë sugjeron se ekonomia shqiptare ka pasur një ecuri pozitive në gjysmën e dytë të vitit. Aktiviteti ekonomik ka vijuar të rritet, inflacioni mbetet i ulët dhe nën kontroll, tregjet financiare shfaqen relativisht të qeta, ndërsa ritmet e rritjes së kredisë janë të larta.
Këshilli Mbikëqyrës rikonfirmoi gjykimin e tij se politika monetare e Bankës së Shqipërisë ka pasur një rol të rëndësishëm në këtë ecuri, nëpërmjet kontrollit dhe reduktimit të inflacionit, pa dëmtuar trendin pozitiv të rritjes ekonomike dhe treguesit e shëndetit financiar të vendit.
Përditësimi i parashikimeve la të pandryshuara pritjet tona për të ardhmen. Në skenarin bazë, ekonomia shqiptare pritet të vijojë të rritet me ritme të qëndrueshme dhe pranë potencialit, inflacioni pritet të rritet gradualisht drejt objektivit gjatë vitit të ardhshëm, ndërsa balanca e rreziqeve shfaqet neutrale.
Në këtë kontekst, Këshilli Mbikëqyrës gjykoi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm.
***
Inflacioni i çmimeve të konsumit regjistroi një nivel mesatar prej 2% gjatë muajve tetor dhe nëntor, nivel ky i njëjtë me atë të tremujorit të tretë. Kjo ecuri ishte në linjë me parashikimet tona. Qëndrueshmëria e inflacionit total pasqyroi rritjen e inflacionit të artikujve ushqimorë dhe reduktimin e inflacionit të qerasë, të naftës dhe të artikujve të konsumit afatgjatë. Inflacioni i artikujve të tjerë të shportës nuk pati ndryshime të ndjeshme.
Në aspektin makroekonomik, ecuria e inflacionit gjatë vitit 2024 ka pasqyruar reduktimin e shpejtë të inflacionit të importuar, normalizimin gradual të pritjeve për rritjen e çmimeve nga agjentët ekonomikë, si dhe nivelet relativisht të qëndrueshme të inflacionit të brendshëm. Në një këndvështrim më të detajuar, rënia e inflacionit të importuar gjatë tremujorit të parë dhe nivelet e ulëta të tij gjatë pjesës së mbetur të vitit janë diktuar nga ecuria e ngjashme e këtij treguesi në partnerët tanë tregtarë, nga çmimet e ulëta të artikujve bazë në tregjet botërore, si dhe nga forcimi i mëtejshëm i kursit të këmbimit. Nga ana tjetër, nivelet relativisht të qëndrueshme të inflacionit të gjeneruar brenda ekonomisë sonë kanë pasqyruar kërkesën e lartë për mallra e shërbime dhe rritjen e shpejtë të pagave dhe të kostove të prodhimit.
Të dhënat zyrtare mbi nivelin e rritjes ekonomike dhe kontribuuesit e saj janë ende të padisponueshme.
Megjithatë, të dhënat indirekte monetare, fiskale dhe të sektorit të jashtëm, sugjerojnë se ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet në gjysmën e dytë të vitit, me ritme të ngjashme me ato të gjysmës së parë. Në tërësi, rritja ekonomike e gjysmës së dytë të vitit vlerësohet të ketë ruajtur tipare të ngjashme - si nga këndvështrimi sektorial dhe nga ai i kërkesës agregate - me ato të gjashtëmujorit të parë. Kjo rritje vlerësohet të jetë ushqyer nga zgjerimi i konsumit, i investimeve dhe i eksportit të shërbimeve, dhe të jetë pasqyruar në zgjerim të aktivitetit në sektorin e shërbimeve dhe të industrisë.
Zgjerimi i kërkesës për mallra e shërbime ka vijuar të pasqyrohet në rritje të pagave e të punësimit. Sipas të dhënave të INSTAT-it, pagat mesatare në sektorin privat u rritën me 5.4% gjatë tremujorit të tretë, duke shënuar një ngadalësim të lehtë krahasuar me tremujorin paraardhës. Ky ngadalësim tregon një lehtësim të presioneve në tregun e punës dhe është premisë për një ecuri më të qëndrueshme të çmimeve dhe të inflacionit në të ardhmen.
Në aspektin makroekonomik, rritja ekonomike vijon të mbështetet nga rritja e të ardhurave të disponueshme, bilancet e shëndetshme financiare të bizneseve dhe familjeve, kushtet e favorshme financiare, si dhe optimizmi për të ardhmen. Kjo bazë e gjerë faktorësh sugjeron vijimin e trendeve pozitive edhe në të ardhmen.
Tregu financiar ka pasqyruar sinjalet e politikës monetare, duke shfaqur prime të ulëta rreziku dhe norma të favorshme interesi. Lehtësimi i politikës monetare ka ndikuar të gjitha segmentet e tregut, duke ulur kostot e financimit për qeverinë, familjet dhe bizneset shqiptare. Përveç politikës monetare, kushtet e favorshme të financimit tregojnë gjithashtu edhe përqasjen pozitive të sektorit bankar ndaj kreditimit. Kjo qasje është nxitur nga likuiditeti i bollshëm, rreziku i ulët i kredisë, dhe klima pozitive e besimit në ekonomi.
Ndërkohë, tregu valutor ka vijuar të karakterizohet nga presione mbiçmuese të Lekut ndaj monedhave të tjera. Analiza e të dhënave të bilancit të pagesave të tremujorit të tretë konfirmon se këto presione vazhdojnë të nxiten nga rritja e flukseve hyrëse valutore të ardhura nga turizmi, remitancat, si dhe investimet e huaja direkte. Megjithatë, krahasuar me vitin e kaluar, ritmi i mbiçmimit të kursit të këmbimit është zbutur, falë, ndër të tjera, edhe ndërhyrjeve të shtuara të Bankës së Shqipërisë për blerje valute.
Mjedisi akomodues financiar dhe kërkesa e qëndrueshme nga familjet dhe bizneset kanë gjeneruar një rritje dinamike të kredisë gjatë vitit 2024. Në muajin tetor, kredia për sektorin privat shënoi një rritje prej 15.4%. Zhvillimet në kreditim vijojnë të shfaqin disa tipare pozitive. Së pari, rritja e kredisë është me bazë të gjerë, duke mbuluar nevojat për financim si të familjeve dhe të bizneseve. Së dyti, kredia në Lekë po rritet me ritëm më të shpejtë se kredia në valutë, duke zgjeruar peshën e portofolit të Lekut në totalin e kredisë. Kjo tendencë rrit efektivitetin e politikës monetare dhe zbut rreziqet për stabilitetin financiar. Së treti, cilësia e kredisë mbetet e mirë, sikurse ilustrohet nga raporti i kredisë me probleme ndaj totalit, i cili qëndron në nivelet më të ulëta që nga viti 2008.
Pritjet tona për të ardhmen nuk kanë pësuar ndryshime të ndjeshme nga raporti i kaluar. Në skenarin bazë, ne presim një rritje të mëtejshme, të qëndrueshme e të vazhdueshme të aktivitetit ekonomik, të shoqëruar me rritje të punësimit e të pagave. Ritmi i rritjes ekonomike pritet të luhatet pranë potencialit në horizontin afatmesëm, duke mundësuar një shfrytëzim të plotë të kapaciteteve prodhuese dhe një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Paralelisht me të, inflacioni pritet të rritet gradualisht drejt objektivit gjatë vitit të ardhshëm.
Balanca e rreziqeve rreth këtyre parashikimeve është përgjithësisht neutrale.
***
Bazuar në sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi:
- të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.75%;
- të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 1.75%;
- të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 3.75%.
Këshilli Mbikëqyrës gjykon se kushtet monetare aktuale janë të përshtatshme për kthimin e inflacionit në objektiv gjatë viti të ardhshëm, dhe ofrojnë një premisë të mirë për respektimin e inflacionit në horizontin afatmesëm.
Këshilli Mbikëqyrës vëren se balanca e përgjithshme e presioneve afatmesme po afrohet gradualisht drejt objektivit tonë të inflacionit në afatin e mesëm. Në këtë kontest, ai thekson se vendimet e ardhshme të politikës monetare do të vijojnë të kushtëzohen nga informacioni i ri, dhe në veçanti nga analizat dhe vlerësimet mbi ecurinë e presioneve të brendshme inflacioniste. Këto vendime do të jenë gjithnjë në përputhje me objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve, si dhe konsistente me kahun e politikës fiskale dhe ecurinë e kursit të këmbimit.
***
Të nderuar përfaqësues të medias,
Siç është bërë tashmë traditë, në këtë takim tonë të fundit për këtë vit kalendarik, dëshiroj të përfitoj nga rasti dhe të bëj një pasqyrë të shkurtër të punës dhe të rezultateve të Bankës së Shqipërisë për vitin që po lemë pas.
Puna jonë është fokusuar në garantimin e stabilitetit monetar dhe mbështetjen e stabilitetit financiar të vendit, në zhvillimin e tregjeve financiare dhe të instrumenteve të pagesave, në mbështetjen e procesit të integrimit evropian, në adresimin e sfidave afatgjata të zhvillimit të vendit, si dhe në përsosjen e strategjive, politikave dhe procedurave tona të brendshme të punës.
Më lejoni të ndalem shkurtimisht në disa prej tyre.
Së pari, politika jonë monetare ka rezultuar e suksesshme në kontrollin e presioneve inflacioniste. Inflacioni mesatar i vitit 2024 ka rezultuar pranë nivelit 2.2%, duke rënë me më shumë se 50% nga viti paraardhës dhe duke qenë pranë objektivit tonë të stabilitetit të çmimeve.
Së dyti, sektori bankar mbetet i shëndetshëm, me tregues mjaft të mirë likuiditeti, kapitalizimi e rentabiliteti. Ky sektor garanton ruajtjen e kursimeve të familjeve shqiptare dhe ka ndihmuar ekonominë me fondet e nevojshme për zgjerimin e konsumit dhe të investimeve. Në këtë kontekst, gjej me vend të theksoj se kreditimi ka shënuar një hap pozitiv cilësor gjatë vitit 2024, duke shënuar normën më të shpejtë të ekspansionit të dekadës së fundit.
Gjatë vitit 2024, Banka e Shqipërisë ka punuar për përsosjen e mëtejshëm të kuadrit të saj mbikëqyrës e rregullator. Disa nga arritjet kryesore kanë qenë:
- aplikimi për certifikimin formal të ekuivalencës me standardet e Bashkimit Evropian, për të cilin mbetemi në pritje të testimit;
- përfundimi i punës për “open banking” dhe çeljen e licencimit për këtë aktivitet;
- zbatimi i strategjisë për financat e gjelbra; si dhe,
- vijimi i punës për parandalimin e pastrimit të parave, nëpërmjet përsosjes së kuadrit rregullator dhe monitorimit të vazhdueshëm të shkallës së përputhshmërisë me të.
Së treti, Banka e Shqipërisë ka garantuar funksionimin me efikasitet të sistemeve të pagesave dhe ka arritur një sërë zhvillimesh pozitive në zhvillimin dhe sofistikimin e mëtejshëm të tyre. Përtej zhvillimit të tregut vendas, anëtarësimi në SEPA në 21 nëntor të këtij viti kurorëzoi një nga arritjet më të mëdha dhe të qenësishme në këtë drejtim. Ky vendim shënon një arritje politike në nivel kombëtar, si një hap konkret drejt integrimit të vendit në tregun evropian.
Së katërti, Banka e Shqipërisë ka vijuar të jetë pararojë institucionale në procesin e integrimit evropian. Në vijim po punohet në kuadër të hapjes së dy grup-kapitujve të tjerë, ku përfshihen kapituj që trajtojnë çështje si politika monetare, shërbimet bankare dhe sistemet e pagesave.
Së pesti, Strategjia për Edukimin dhe Përfshirjen Financiare dhe Strategjia e Gjelbër Afatmesme 2023-2025 shënojnë dy arritje të tjera madhore të Bankës së Shqipërisë gjatë dy viteve të fundit. Falë tyre, ne synojmë, nga njëra anë, të krijojmë një mjedis financiar më të sigurt dhe të drejtë, duke promovuar aksesin dhe përfshirjen e plotë të qytetarëve në sistem, dhe nga ana tjetër, të vendosim themelet për një sistem financiar të qëndrueshëm, duke kontribuuar në një të ardhme më të mirë për të gjithë.
Së fundi, dëshiroj të theksoj se Banka e Shqipërisë ka shënuar progres në të gjitha sferat e tjera të aktivitetit të saj, p.sh. në: përmirësimin e proceseve e praktikave të administrimit të brendshëm, emetimin dhe administrimin e monedhave dhe kartëmonedhave, administrimin e rezervave valutore, statistikat financiare, komunikimin me publikun dhe aktorët ekonomikë e shoqërore, edukimin financiar, kërkimin shkencor etj.
Në mbyllje, më lejoni t’ju siguroj edhe njëherë se Banka e Shqipërisë ka qenë dhe do të mbetet e angazhuar të përmbushë, në kohë e me cilësi, misionin e saj: krijimin e një sistemi monetar e financiar sa më të shëndoshë dhe efikas, në mbështetje të zhvillimit të qëndrueshëm dhe afatgjatë të vendit.
Ju uroj të gjithëve një vit të mbarë!