BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në konferencën për shtyp për vendimmarrjen e politikës monetare

Data e publikimit: 01.08.2018

 

Ekonomia shqiptare vijoi të ndjekë një trend pozitiv zhvillimi në gjashtëmujorin e parë të vitit 2018. Aktiviteti ekonomik ka ardhur në rritje, duke mundësuar zgjerimin e punësimit, rritjen e pagave, përmirësimin e gjendjes financiare të bizneseve dhe forcimin gradual të presioneve inflacioniste.

Këto zhvillime janë mbështetur nga përmirësimi i ambientit të huaj, nga përmirësimi i besimit në ekonomi, nga kushtet e favorshme financiare, të diktuara nga politika jonë monetare lehtësuese, si dhe nga goditje pozitive të ofertës.

 DSC8494-2 - 498

Pritjet tona për të ardhmen mbeten pozitive. Megjithatë, materializimi i tyre kërkon ruajtjen e kahut lehtësues të politikës monetare, ndërsa balanca e rreziqeve mbetet e zhvendosur në kahun e poshtëm.

Inflacioni mesatar i tremujorit të dytë regjistroi vlerën 2.2%, duke ardhur në rritje nga norma mesatare prej 1.9% e tremujorit të parë. Në veçanti, inflacioni shënoi vlerën 2.4% në muajin qershor. Balanca e presioneve inflacioniste vazhdon të formohet nga një trend gradual forcimi të presioneve të brendshme dhe nga luhatje afatshkurtra të çmimeve të artikujve specifikë të shportës së konsumit.

Rritja e inflacionit në tremujorin e dytë pasqyroi efektin rezultant të dy goditjeve të kahut të kundërt. Nga njëra anë, rritja e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare solli rritjen e kostove të prodhimit dhe ushtroi një ndikim rritës në inflacion. Nga ana tjetër, forcimi i kursit të këmbimit frenoi përcjelljen e presioneve të huaja inflacioniste në tregun vendas. Faktori i parë ka pasur një intensitet më të fortë veprimi në tremujorin e dytë, por efekti i tij vlerësohet të jetë më i shkurtër në kohë.

Projeksionet tona sugjerojnë se inflacioni do të kthehet në objektiv brenda vitit 2020. Ky parashikim faktorizon dinamikën pozitive të rritjes ekonomike dhe pritjet tona për kthimin e ekonomisë në ekuilibër në gjashtëmujorin e parë të vitit të ardhshëm. Gjithashtu, ai mbështetet në vlerësimin se presionet dezinflacioniste të ardhura nga mbiçmimi i kursit të këmbimit do të mbeten kalimtare.

Këto gjykime gjejnë mbështetje nga të dhënat ekonomike e monetare të gjashtëmujorit të parë.

Ekonomia shqiptare shënoi një rritje prej 4.45% në tremujorin e parë, dhe të dhënat e tërthorta flasin për ritme pozitive rritjeje edhe në tremujorin e dytë. Përshpejtimi i ritmit të rritjes ekonomike në tremujorin e parë të vitit pasqyroi rritjen e shpejtë të prodhimit të energjisë elektrike, në përgjigje të kushteve të mira hidrike. Në terma më afatgjatë, zgjerimi i aktivitetit ekonomik u bazua te rritja e konsumit dhe e investimeve private, ndërkohë që deficiti i shkëmbimeve tregtare me jashtë u rrit dhe politika fiskale vijoi të mbetet në kahun konsolidues. Të dhënat e tërthorta sugjerojnë se këto tendenca zhvillimi janë mbartur edhe në tremujorin e dytë.

Zgjerimi i aktivitetit ekonomik është shoqëruar me rritjen e punësimit dhe rënien në 12.5% të normës së papunësisë. Kjo normë përbën nivelin më të ulët historik të papunësisë të regjistruar në Shqipëri dhe sugjeron një përdorim gjithnjë e më të plotë të kapaciteteve prodhuese në vend. Në përgjigje të saj, Instat-i raporton se paga mesatare reale u rrit me 2.3% në tremujorin e parë, çka përbën një premisë pozitive për forcimin gradual të presioneve të brendshme inflacioniste.

Tregu i brendshëm financiar vazhdon të shfaqet i qetë dhe likuid, por presionet mbiçmuese të lekut vijojnë të jenë të pranishme në segmentin e tij valutor. Masat e fundit të politikës monetare – ulja në nivelin 1.0% e normës bazë të interesit dhe ndërhyrja në tregun e brendshëm valutor, me objektiv frenimin e mbiçmimit të shpejtë të kursit të këmbimit – kanë rezultuar efektive.

Normat e interesit të lekut kanë ardhur në rënie në tremujorin e dytë. Normat e interesit të kredive, depozitave dhe letrave me vlerë në lekë shfaqen në nivele minimale. Kredia për sektorin privat regjistroi një rritje mesatare me 5% në tremujorin e dytë të vitit, me një kontribut më të balancuar në rritje midis kredisë në lekë dhe kredisë në valutë.

Në përgjithësi, rritja e kredisë është në linjë me përmirësimin e moderuar të kërkesës për të. Megjithatë, vrojtimi i aktivitetit kreditues sugjeron se standardet dhe kushtet e kreditimit të aplikuara nga sektori bankar vijojnë të mbeten konservatore. Banka e Shqipërisë konstaton se rënia e rrezikut të kredisë dhe përmirësimi i vazhdueshëm i bilanceve, sikundër ilustrohet nga rënia në nivelin 13.27% e raportit të kredive me probleme, duhet të gjejnë një pasqyrim më të mirë në politikat e kreditimit të sektorit bankar.

Pas mbiçmimit të shpejtë të regjistruar në muajt prill-maj, ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë arriti të qetësojë funksionimin e tregut të brendshëm valutor dhe të frenojë mbiçmimin e kursit të këmbimit. Megjithatë, analizat tona sugjerojnë se raporti i kërkesës dhe ofertës në tregun valutor mbetet i zhbalancuar, pjesërisht dhe si pasojë e prurjeve të larta sezonale, dhe se mbiçmimi i shpejtë dhe i mëtejshëm i kursit të këmbimit do të dëmtonte kthimin e inflacionit në objektiv në afatin e mesëm.

Duke gjykuar mbi sa më sipër, Banka e Shqipërisë vlerëson se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm.

Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës vendosi:

  • të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 1.0%;
  • të mbajë të pandryshuara normat e interesit të depozitës dhe të kredisë njëditore, respektivisht në nivelin 0.1% dhe 1.9%;
  • të vijojë programin e blerjeve në tregun valutor, me synim frenimin e mbiçmimit të shpejtë të kursit të këmbimit.

Ruajtja e kahut stimulues të politikës monetare në afatin e mesëm do ti shërbejë nxitjes së kërkesës agregate, duke ndihmuar rritjen e punësimit, të pagave dhe të presioneve të brendshme inflacioniste. Stimuli monetar është konsistent me kahun konsolidues të politikës fiskale dhe mbetet një parakusht i nevojshëm për kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2020.

Në përputhje me parashikimet e skenarit bazë, si dhe në bazë të informacionit të disponuar, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se normalizimi i normave të interesit në tregun e brendshëm financiar nuk do të fillojë përpara tremujorit të dytë të vitit 2019.