BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në konferencën për shtyp për vendimmarrjen e politikës monetare, 3 shkurt 2021

Data e publikimit: 03.02.2021

 

Të nderuar përfaqësues të medias,

Sot, në datën 3 shkurt 2021, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Tremujor të Politikës Monetare.

Informacioni i ri i marrë në analizë tregon se aktiviteti ekonomik ka ardhur në përmirësim gjatë gjysmës së dytë të vitit të shkuar. Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se ky përmirësim ka qenë më i shpejtë se pritjet e Bankës së Shqipërisë. Megjithatë, ai vëren se inflacioni vijon të mbetet poshtë objektivit, ndërsa aktiviteti ekonomik dhe punësimi vijojnë të mbeten nën nivelet e regjistruara përpara pandemisë.

DSC 4187 498

Përditësimi i parashikimeve tona sugjeron se kërkesa agregate do të vijë në rritje dhe se aktiviteti ekonomik do të vijë gradualisht drejt normalizimit gjatë dy viteve në vazhdim. Ky normalizim do të shoqërohet me rritje të punësimit, të pagave të punonjësve dhe të marzheve të fitimit të biznesit, çka do të krijojë premisa për kthimin e inflacionit në objektivin tonë prej 3% brenda vitit 2022.

Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se përmbushja e këtyre projeksioneve kërkon ruajtjen e kushteve të favorshme financiare gjatë gjithë horizontit afatmesëm. Në këtë kontekst, ai gjykoi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm.

***

Aktiviteti ekonomik në vend shfaqi tendenca rikuperimi në gjysmën e dytë të vitit 2020, pas recesionit të thellë të shënuar në tremujorin e dytë. Megjithatë, ndikimi negativ i pandemisë vazhdon të jetë i pranishëm, si në treguesit makroekonomikë ashtu edhe në treguesit e shëndetit financiar të bizneseve dhe familjeve.

DSC 4150 498

Inflacioni shënoi një vlerë mesatare prej 1.6% në tremujorin e katërt, duke ardhur në rritje të lehtë nga tremujori i mëparshëm. Luhatjet e tij pasqyruan, në masën më të madhe, luhatjet e çmimeve të artikujve ushqimorë. Nga ana tjetër, inflacioni bazë, një tregues ky i cili pasqyron më qartë trendet afatmesme të rritjes së çmimeve, vijoi të jetë i qëndrueshëm, por nën nivelet e synuara nga Banka e Shqipërisë. Kjo ecuri pasqyron shuarjen e goditjeve të ofertës gjatë gjysmës së dytë të vitit dhe presionet e dobëta të gjeneruara nga kërkesa agregate.

Sipas të dhënave të Instat-it, aktiviteti ekonomik shënoi një rënie vjetore prej 3.5% gjatë tremujorit të tretë, duke shënuar një përmirësim relativ të ndjeshëm krahasuar me thellësinë e recesionit të tremujorit të dytë. Ky përmirësim pasqyroi hapjen e ekonomisë, rritjen e investimeve dhe një rënie më të ngadaltë të konsumit privat dhe të eksporteve. Zgjerimi i kërkesës agregate u pasqyrua në rritje të aktivitetit në sektorin e ndërtimit dhe në një kontraktim më të ulët të sektorëve të industrisë dhe të shërbimeve.

Përmirësimi i aktivitetit ekonomik u pasqyrua dhe në treguesit e punësimit. Punësimi u rrit me rreth 34 mijë persona gjatë tremujorit të tretë, duke rikuperuar rreth 2/3 e humbjeve të regjistruara në tremujorin paraardhës, ndërsa norma e papunësisë zbriti në 11.6%.

DSC 4117 498

Të dhënat e disponuara për aktivitetin ekonomik të tremujorit të katërt janë vetëm indirekte dhe ende jo të plota. Megjithatë, Banka e Shqipërisë vlerëson se aktiviteti ekonomik në vend ka vijuar të rikuperohet më tej, pavarësisht vështirësive të shkaktuara nga pandemia dhe nga ambienti i pafavorshëm i huaj.

Përtej lehtësimit të masave kufizuese të marra për kontrollin e pandemisë, ky rikuperim është ndihmuar dhe nga stimuli fiskal i transmetuar gjatë vitit 2020 dhe nga politikat stimuluese monetare dhe financiare të ndjekura nga Banka e Shqipërisë.

Deficiti buxhetor arriti rreth nivelit 5.1% të PBB-së gjatë njëmbëdhjetë muajve të parë të vitit. Ky deficit pasqyroi si rënien e të ardhurave gjatë vitit kalendarik, ashtu dhe rritjen e shpenzimeve korrente dhe kapitale gjatë vitit.

Sipas vlerësimeve tona, politika jonë stimuluese monetare dhe lehtësimi i përkohshëm i rregulloreve të funksionimit të sektorit bankar, mundësuan funksionimin normal të tregjeve financiare dhe krijuan një ambient të përshtatshëm për rritjen e kredisë gjatë vitit të shkuar.

Tregjet financiare vijuan të funksionojnë normalisht edhe gjatë tremujorit të katërt. Kursi i këmbimit u paraqit i qëndrueshëm, normat e interesit mbetën pranë minimumeve të tyre historike, ndërsa kreditimi vijoi të rritet më tej. Në veçanti, kredia për sektorin privat regjistroi një rritje vjetore prej 7.7% gjatë vitit 2020, duke ndihmuar bizneset dhe familjet shqiptare në përballimin e nevojave për likuiditet dhe duke ofruar mjetet e nevojshme financiare për rritjen e konsumit dhe të investimeve.

Banka e Shqipërisë gjykon se sektori bankar ka ndihmuar në zbutjen e pasojave të goditjes së pandemisë. Ky sektor ka marrë përsipër një pjesë të barrës financiare të goditjes, duke ruajtur në të njëjtën kohë tregues të shëndetshëm likuiditeti, rentabiliteti dhe kapitalizimi. Në veçanti, raporti i kredive me probleme zbriti në nivelin 8.1% në fund të muajit dhjetor, një nivel ky pranë minimumeve historike të dekadës së fundit. Vijimi i këtij roli aktiv të sektorit bankar edhe gjatë periudhës së ardhshme do të jetë një element kyç në qëndrueshmërinë e rimëkëmbjes ekonomike.

Skenari ynë bazë i zhvillimeve të pritura është ndërtuar mbi supozimin e zbutjes graduale të masave të marra për kontrollin e pandemisë dhe reduktimin progresiv të pasojave të saj. Në këtë skenar, ekonomia shqiptare pritet të shënojë norma relativisht të shpejta dhe të qëndrueshme rritjeje gjatë dy viteve në vijim. Inflacioni pritet të qëndrojë pranë niveleve aktuale në vitin në vazhdim. Më tej, rikthimi i aktivitetit ekonomik pranë potencialit do të krijojë kushtet për kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2022.

***

Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se normalizimi i situatës ekonomike duhet të vijojë të mbështetet nëpërmjet ruajtjes së një profili stimulues të politikave ekonomike. Po ashtu, ai konstatoi se balanca e rreziqeve vijon të mbetet në kahun e poshtëm. Në veçanti, këto rreziqe burojnë nga:

  • një përkeqësim i mundshëm i situatës epidemiologjike, në vend dhe në botë;
  • vështirësi të mundshme në mekanizmin e transmetimit të politikës monetare, në formën e rritjes së normave të interesit dhe kostove të financimit të sektorit privat, në formën e rritjes së ngadaltë të kredisë bankare; si dhe nga,
  • një reagim më i ngadaltë i biznesit dhe i familjeve ndaj kushteve të përmirësuara financiare.

Në mbyllje të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm për nxitjen e rritjes ekonomike dhe për kthimin e qëndrueshëm të inflacionit në objektivin tonë prej 3%.

Për këtë arsye, ai vendosi:

  • të lerë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 0.5%;
  • të lerë të pandryshuara normat e interesit të depozitave dhe të kredive njëditore, respektivisht në nivelin 0.1% dhe 0.9%.

Po ashtu, Këshilli Mbikëqyrës thekson se politika monetare do të vijojë të mbetet lehtësuese gjatë gjithë horizontit kohor afatmesëm, duke synuar të sigurojë kushte financimi të favorshme për rritjen e ekonomisë dhe për kthimin e inflacionit në objektiv. Ndër të tjera, stimuli monetar do të përfitojë nga ruajtja e formës aktuale të injektimit të likuiditetit me çmim fiks dhe sasi të pakufizuara në sektorin bankar, të paktën dhe gjatë tremujorit të dytë të këtij viti.

Së fundi, Këshilli Mbikëqyrës vëren se materializimi i këtyre rreziqeve do të kërkonte lehtësimin e mëtejshëm të qëndrimit të politikës monetare.