BANKA E SHQIPËRISË
NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në mbledhjen VIII të Komitetit Kombëtar të Sistemeve të Pagesave
Data e publikimit: 09.11.2022
E nderuar zj. Ministre,
Të nderuar pjesëmarrës,
Është një kënaqësi e veçantë të hap këtë mbledhje të 8-të të Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave, që fatmirësisht zhvillohet me pjesëmarrje fizike, çka tregon se tashmë disa sfida janë tejkaluar. Njëkohësisht të tjera sfida janë gjeneruar, duke ushtruar një presion të shtuar të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë në punën e përbashkët disavjeçare për nxitjen e përfshirjes financiare dhe përdorimin e pagesave elektronike në ekonominë shqiptare.
Megjithatë, pavarësisht problematikave të krijuara nga pandemia, Banka e Shqipërisë ka intensifikuar përpjekjet në këtë drejtim. Në rolin e autoritetit monetar, rregullator e mbikëqyrës, Banka i vlerëson përfshirjen financiare dhe edukimin financiar si dy objektiva strategjikë mjaft të rëndësishëm për stabilitetin monetar e financiar, formalizmin e ekonomisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të saj.
Në këtë kuadër, duket se masat e marra deri më tani kanë reflektuar zhvillime mjaft pozitive në treg, duke bërë të mundur përmbushjen e objektivave sasiorë të synuar pothuajse në gjysmën e rrugëtimit të Planit të Veprimit të Strategjisë Kombëtare të Pagesave me Vlerë të Vogël. Konkretisht, në vitin 2021 është arritur një nivel i përdorimit të pagesave elektronike prej 12.5 pagesash për frymë, duke tejkaluar edhe objektivin e synuar të Strategjisë prej 10 pagesash deri në fund të vitit 2023, ndërkohë që, në vitin 2022, vlerësohet se kjo shifër do të arrij nivelin 16 pagesa për frymë.
Tashmë mund të themi që pagesat me kartë dhe ato homebanking gjithnjë e më shumë po bëhen pjesë e përditshmërisë së shqiptarëve, ndërkohë që dhe nga pikëpamja e përfshirjes financiare zhvillimet duken mjaft inkurajuese. Konkretisht: volumet e pagesave me kartë janë rritur ndjeshëm, sidomos gjatë pesëvjeçarit të fundit (2018-2022), duke shënuar një trend mesatar rritës prej rreth 40% në vit; si dhe është shënuar një rritjen e konsiderueshme me 78% e numrit të terminaleve POS gjatë së njëjtës periudhe. Këta tregues janë dëshmi e rritjes së përdorimit të instrumenteve elektronike nga konsumatorët, gjë që ndikon pozitivisht edhe në formalizimin e ekonomisë. Gjithashtu, nga të dhënat e disponuara sa i takon volumit të transaksioneve homebanking për këtë 9-mujor, rezulton se është shënuar një rritje prej 22%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke vijuar trendin rritës të shfaqur ndër vite.
Falë të dhënave nga Regjistri Kombëtar i Llogarive, Banka e Shqipërisë disponon një pamje më të saktë dhe lehtësisht të përditësueshme mbi përfshirjen financiare të popullsisë. Këto të dhëna diktojnë se shqiptarët kanë një nivel relativisht të kënaqshëm të përfshirjes financiare, ku pothuajse 69% e popullsisë zotëron një llogari. Objektivi ynë fillimisht ishte arritja e një niveli të përfshirjes financiare të popullsisë në masën 70%, por vlerësojmë se në periudhën afatshkurtër ky nivel do të tejkalohet, duke shënuar përafrim të ndjeshëm me vendet e Ballkanit dhe ato të Bashkimit Evropian.
Ky optimizëm bazohet në një sërë faktorësh dhe analizash. Më konkretisht, pavarësisht se në komunikimet tona publike ne kemi përmendur arritjen e objektivave të shumicës së masave të parashikuara në strategji, ato janë ende duke u materializuar në treg dhe efektet e tyre të pritura do të reflektohen në tregues të matshëm në vitin 2023 dhe në vijim. E thënë më thjeshtë, arritjet e deritanishme në terma të përfshirjes financiare dhe të përdorimit të pagesave elektronike janë deri diku reagim ndaj mesazheve tona, ndërkohë që efektet reale dhe domethënëse të strategjisë do të paraqiten të plota në periudhën afatshkurtër e afatmesme.
Më konkretisht, ne vlerësojmë se ligji “Për shërbimet e pagesave” vërtet përbën shtyllën kryesore të nxitjes së inovacionit dhe të konkurrencës, gjë që mund të vihet re edhe në interesin e shtuar të subjekteve që kërkojnë të hynë në këtë segment të tregut, por materializimi i plotë i tij do të ndodhë me operacionalizimin e open-banking. Në këtë drejtim, e vlerësoj të nevojshme të theksoj se angazhimi i bankave dhe jobankave duhet të jetë maksimal, në mënyrë që këto infrastruktura dhe shërbimet përkatëse të realizohen brenda afateve të përcaktuara nga Banka e Shqipërisë, gjithmonë duke ofruar siguri maksimale. Siguria në komunikim dhe në ndërveprim është jo vetëm e nevojshme, por edhe e domosdoshme, në kushtet e komunikimit të hapur që imponon open-banking, si dhe në kuadër të rreziqeve të shtuara në sferën e sigurisë kibernetike, me të cilat po përballemi së fundmi. Kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore për të cilën Banka e Shqipërisë ka qenë e kujdesshme si në vendosjen e standardeve të rregullimit të mirëpërcaktuara dhe gjerësisht të provuara nga vendet e Bashkimit Evropian, ashtu edhe në krijimin e hapësirave të nevojshme kohore që do të mundësonin një zbatim sa më efikas dhe të sigurt për të gjithë aktorët e tregut.
Megjithatë, krahas këtyre zhvillimeve ligjore e rregullative, Banka ka ndërmarrë edhe një sërë masash të tjera, si krijimi dhe operimi i sistemit AIPS-EURO për pagesat ndërbankare në Euro brenda vendit. Tashmë shqiptarët, në përditshmërinë e tyre, po ndjejnë efektet e këtij sistemi, i cili i ka bërë të mundur shmangien e radhëve të gjata nëpër sportelet e bankave për kryerjen e pagesave në euro nga njëra bankë në tjetrën, dhe uljen e komisioneve të larta të aplikuara nga transferimi nëpërmjet bankave korrespondente.
Krijimi i këtij sistemi, së bashku me diferencimin e komisioneve për pagesat elektronike të procesuara në të, duket se ka qenë mjaft efektiv. Më në detaje, nga janari deri në fund të muajit tetor të këtij viti, nëpërmjet sistemit AIPS EURO, janë procesuar rreth 120 mijë pagesa dhe rezulton se, për këtë periudhë, konsumatorëve dhe bizneseve shqiptare t’u jenë kursyer përafërsisht 10 milionë euro. Në këtë këndvështrim, mund të thuhet se projekti ka efekte të drejtpërdrejta dhe të tërthorta në mirëqenien individuale të klientit, të bankës, si dhe të ekonomisë në tërësi.
Banka e Shqipërisë vlerëson gjithashtu se rregullimi i debitimit direkt ndërbankar nxit më tej krijimin e një tregu sa më efikas, duke ofruar një larmishmëri shërbimesh dhe instrumentesh pagese, të cilat plotësojnë nevojat e përditshme të qytetarëve.
Në këtë drejtim, vlen të theksohet se që prej muajit maj, Banka e Shqipërisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, AKSH-i dhe sistemi bankar po bashkëpunojnë ngushtë, me qëllim krijimin e të gjitha alternativave të mundshme për kryerjen e pagesave në distancë, nëpërmjet mjeteve elektronike.
Ne vlerësojmë se arritja e një qëllimi të tillë është shumë domethënëse në nxitjen e përfshirjes financiare, edukimit dhe familjarizimit të publikut me përdorimin e pagesave elektronike. Në këtë drejtim, ne kemi besimin e plotë se, bazuar edhe në eksperiencat e vendeve të tjera, dixhitalizimi i pagesave të qeverisë përbën një nga levat më të fuqishme për arritjen e synimeve të Strategjisë Kombëtare të Pagesave me Vlerë të Vogël. Po ashtu, edhe bashkërendimi i përpjekjeve në këtë drejtim mund të konsiderohet si hapi i parë drejt një game të gjerë masash, të cilat mund të merren në të ardhmen.
Një masë tjetër e rëndësishme që po ndërmerret është edhe hartimi dhe zbatimi i projektligjit “Për llogarinë e pagesave me shërbime bazike”, i cili do të transpozojë direktivën përkatëse të Bashkimit Evropian. Ky projektligj synon të krijojë lehtësira nga pikëpamja e kostove të mbartura në hapjen e llogarive bankare dhe përdorimit të saj për pagesa nga ana e atij segmenti të popullsisë që nuk është i përfshirë financiarisht ose ka akses të limituar. Projektligji parashikon njëkohësisht edhe ofrimin e llogarisë bazike, pa komisione, për kategori të caktuara të popullsisë si pensionistët, studentët dhe personat që përfitojnë ndihma ekonomike.
Me qëllim mbështetjen e zhvillimeve të tregut, Banka e Shqipërisë po punon gjithashtu edhe në drejtim të përmirësimit të sistemeve të pagesave për prezantimin e standardeve të reja të komunikimit dhe shërbimeve, të cilat ndihmojnë në adresimin e nevojave infrastrukturore për zbatimin e strategjisë. Gjithashtu, së bashku me aktorët e tregut, ne do të intensifikojmë përpjekjet për realizimin e projektit Instant Payment.
Së fundi, por jo më pak e rëndësishme, në kuadër të materializimit sa më efikas të masave të analizuara në këtë strategji dhe më gjerë, po punohet për krijimin dhe zbatimin e një Strategjie Kombëtare për Edukimin Financiar. Në vlerësimin tonë, përfshirja dhe edukimi financiar janë dy komponentë tërësisht të ndërlidhur me arritje të ndërsjella, dhe, siç e përmenda dhe më parë, ata përbëjnë objektiva strategjikë për Bankën e Shqipërisë.
Dëshiroj të përfundoj fjalën time duke falënderuar veçanërisht Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, sistemin bankar, si dhe të gjithë aktorët e tregut për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe bashkërendimin e përpjekjeve, çka bëri të mundur realizimin e deritanishëm të kësaj reforme. Gjithashtu, dëshiroj të theksoj se është e nevojshme të vijojmë me të njëjtin intensitet dhe seriozitet përmbushjen e masave të mbetura të kësaj strategjie.
Ju uroj një aktivitet sa më të frytshëm e konstruktiv!