BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në prezantimin e dy kartëmonedhave 1000 Lekë dhe 10000 Lekë të serisë së re të kartëmonedhave

Data e publikimit: 15.06.2021

 

Të nderuar,

Ju uroj mirëseardhjen në këtë ditë të veçantë, në të cilën do të prezantojmë për publikun dy prerjet e radhës së serisë së re të kartëmonedhës shqiptare.

Një nga përgjegjësitë kryesore dhe detyrimet ligjore për Bankën e Shqipërisë është të garantojë furnizimin e ekonomisë me para të gatshme, si në vlerë ashtu edhe në strukturë, si dhe të sigurojë besimin e publikut tek monedha kombëtare. Pas një periudhe mbi 20 vjeçare, Banka e Shqipërisë, në vitin 2016, mori iniciativën për të filluar projektin e prodhimit të një serie të re të kartëmonedhës me kurs ligjor, duke e përmirësuar dhe sjellë atë në një formë dhe stil krejt të ri.

 DSC3915 498

 

Në këtë kuadër, në muajin shtator 2019, Banka e Shqipërisë prezantoi serinë e re të kartëmonedhave, e cila përbëhet nga 6 prerje: 200, 500, 1000, 2000, 5000 dhe 10000 Lekë.

Tematika e serisë së re të kartëmonedhave shqiptare mishëron figurat më të ndritura kombëtare dhe evokon momentet më të rëndësishme të historisë së kombit tonë, në përpjekjet e tij për liri dhe prosperitet. Ajo përmban të gjitha etapat historike, duke filluar nga antikiteti, mesjeta, rilindja kombëtare, pavarësia e vendit, dhe përmbyllet me simbolet e flamurit kombëtar dhe himnit të flamurit në prerjen më të re, atë me vlerë nominale më të lartë, 10000 Lekë. Kështu, kartëmonedhat tona promovojnë trashëgiminë historike e kulturore të vendit tonë dhe theksojnë arritjet më të mëdha të shumë personaliteteve të shquar të saj ndër shekuj.

Me kënaqësi konstatoj se dy prerjet e para të serisë, 200 dhe 5000 Lekë, në qarkullim prej muajit shtator 2019, janë mirëpritur nga publiku, kanë përmbushur pritshmërinë e bankës dhe tashmë gradualisht janë pjesë e qëndrueshme e parasë në qarkullim, duke mbështetur rritjen në vijimësi të cilësisë së kartëmonedhave në qarkullim, me qëllim ruajtjen e integritetit të kartëmonedhës në raport me publikun, si dhe ruajtjen e një imazhi dinjitoz të Bankës së Shqipërisë dhe të vetë Shtetit Shqiptar.

 DSC3955 498

Dhe sot, afërsisht 2 vjet pas prezantimit dhe hedhjes në qarkullim me sukses të dy prerjeve të para, Banka e Shqipërisë prezanton 2 kartëmonedha të tjera, pjesë e serisë së re të kartëmonedhave shqiptare, prerjet 1000 Lekë dhe atë 10000 Lekë, ku kjo e fundit është një prerje tërësisht e re në serinë e kartëmonedhave shqiptare.

Shtypja dhe hedhja në qarkullim për herë të parë e kartëmonedhës së re të prerjes më të lartë, me vlerë 10000 Lekë, përfaqëson në vetvete përshtatjen e strukturës së kartëmonedhave me evoluimin e strukturës së çmimeve dhe pagave, shkallën e zhvillimit të sistemit elektronik të pagesave, si dhe treguesve të tjerë që lidhen me trajtimin e parasë.

 DSC3485 498

Kjo kartëmonedhë e prerjes më të lartë shoqëron zhvillimin ekonomik të vendit dhe, sipas të gjitha analizave, plotëson kërkesat e tregut për ta pasur në strukturën e serisë sonë të kartëmonedhave me kurs ligjor. Prezantimi dhe hedhja e saj në qarkullim do të mundësojë një qarkullim më të mirë dhe më efikas të parasë së gatshme, duke ndihmuar strukturën e monedhës në qarkullim, duke ulur kostot e prodhimit, magazinimit dhe shpërndarjes, dhe në këtë mënyrë, duke rritur efikasitetin e Bankës së Shqipërisë në administrimin e parasë fizike dhe emisionit. Gjithashtu, prezenca e kësaj prerjeje të re më të lartë në strukturën e kartëmonedhave shqiptare rrit efikasitetin e Bankës së Shqipërisë edhe për të administruar një stok strategjik sa më të përshtatshëm, për të përballuar raste të rritjeve të paparashikuara të kërkesës së tregut për para fizike.

 DSC3611 498

Pavarësisht zhvillimit të mjeteve të tjera të pagesës, si p.sh. ato elektronike, paraja në qarkullim vijon të ketë ndër vite një trend rritës, i cili pasqyron kërkesën e vazhdueshme të ekonomisë për para fizike si mjet pagese. Banka e Shqipërisë planifikon me kujdes për të garantuar plotësimin e kësaj kërkese të tregut, si në situata normale ashtu edhe në ato jotipike. Edhe situata më e fundit e pandemisë COVID-19, është një shembull konkret në këtë drejtim. Gjatë kësaj periudhe, ka rezultuar një rritje shtesë e kërkesës së ekonomisë për para fizike. Kështu gjatë vitit 2020, paraja në qarkullim është rritur me rreth 52 miliardë lekë ose rreth 3 herë më shumë se rritja e shënuar gjatë vitit 2019. Gjithashtu, edhe në 5 muajt e parë të vitit 2021 është shënuar një rritje prej rreth 10 miliardë lekësh. Plotësimi i kërkesës së tregut për para fizike është mbështetur nëpërmjet sigurimit dhe planifikimit të stokut të mjaftueshëm të parasë në Bankën e Shqipërisë, e cili jep siguri jo vetëm për të tashmen, por edhe për të ardhmen.

Më lejoni tani të ndalem shkurtimisht në disa veçori të këtyre dy prerjeve të reja.

Kartëmonedha 1000 Lekë pjesë e serisë së re, vjen me një dizajn të rifreskuar, por ruan të njëjtat motive të paraqitura në prerjen ekzistuese, duke pësuar ndryshime, të cilat lidhen me konfigurimin në tërësi të të gjitha elementeve të shtuara dhe përmirësuara.

ALB 1000 R CMJN 300 300x200
ALB 1000 V CMJN 300 300x200

 

Kartëmonedha 10000 Lekë mbart si tematikë simbolet e flamurit dhe himnit kombëtar - simbole kryesore këto të identitetit tonë kombëtar - të shoqëruara me portretin e poetit të  shquar të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, njëkohësisht autor i “Himnit Kombëtar”, Aleksandër Stavre Drenova - njohur me pseudonimin letrar "Asdreni".

 

ALB 10000 R CMJN 3002
ALB 10000 V CMJN 3002

 

Prezantimi i një serie të re kartëmonedhash do të thotë më shumë se sa një ndryshim i thjeshtë i pamjes së saj. Banka e Shqipërisë përmirëson vazhdimisht cilësinë e kartëmonedhës në qarkullim, me qëllim ruajtjen e integritetit të saj. Dy kartëmonedhat e reja, si të gjitha prerjet e serisë së re, përmbajnë elemente sigurie të përparuara, të prodhuara me teknologjitë më të fundit të fushës dhe të personalizuara sipas prerjeve.

Kartëmonedha 1000 Lekë ka të integruar shtypin e ngritur te portreti i Pjetër Bogdanit, numrat dhe shkronjat, si dhe elementin e njohjes nga të verbrit, fillin e sigurisë që duket si vijë e errët e pandërprerë kundrejt dritës dhe që ndryshon ngjyrë nga e gjelbër në të purpurt në kënde të ndryshme shikimi, figurën e diellit me ngjyrë të ndryshueshme sipas këndit të lëvizjes dhe shiritin e shndritshëm në pjesën e pasme që shfaq vlerën 1000 Lekë.

Kartëmonedha 10000 Lekë ka të integruar shtypin e ngritur te portreti i Asdrenit, numrat, shkronjat dhe pjesë të tjera të kartëmonedhës, si dhe elementin e njohjes nga të verbrit, figurën ujore, hologramën të shoqëruar me efekte të ndryshme optike, fillin e sigurisë që duket si vijë e errët e pandërprerë kundrejt dritës dhe që ndryshon ngjyrë nga e gjelbër në të purpurt në kënde të ndryshme shikimi, figurën e librit me pendë me ngjyrë të ndryshueshme sipas këndit të lëvizjes dhe shiritin e shndritshëm në pjesën e pasme që shfaq vlerën 10000 Lekë.

Një kartëmonedhë e sigurt do të thotë që ne mund të përdorim paranë fizike me besim dhe lehtësi për identifikimin e saj si një kartëmonedhë e vërtetë origjinale. Ky përbën themelin e një sistemi të shëndoshë financiar: besimi te veprimet bazë financiare ku paraja ka rolin e saj të pazëvendësueshëm si ndërmjetësuese.

Nga 30 qershori 2021, kartëmonedhat e serisë së re 1000 Lekë dhe 10000 Lekë do të kenë kurs ligjor në Republikën e Shqipërisë dhe do të përdoren si mjet pagese, së bashku me kartëmonedhat ekzistuese.

Duke parë bukurinë dhe cilësinë e këtyre kartëmonedhave, mund të them me besim të plotë se puna e bërë për realizimin e tyre ka qenë mjaft e vlefshme. Prandaj, në emër të Bankës së Shqipërisë, dëshiroj të falënderoj të gjithë ata që kanë ndihmuar dhe janë angazhuar në mënyrë aktive për realizimin me sukses të tyre. Përveç punës së palodhur të stafit të bankës, këtu dëshiroj të theksoj edhe kontributin tepër të çmuar të shumë akademikëve, historianëve, albanologëve, numizmatëve dhe ekspertëve të kompanive më të njohura në botë në fushën e prodhimit të kartëmonedhave.

Ndërkohë, Banka e Shqipërisë po vijon punën për plotësimin e serisë së re edhe me dy kartëmonedhat e tjera, atë 500 Lekë dhe 2000 Lekë, të cilat janë në proces prodhimi.

 DSC3543 498

Në mbyllje, dëshiroj të inkurajoj gjithë përdoruesit të jenë shumë të përgjegjshëm në trajtimin e çdo kartëmonedhe që mbajnë në dorë, për të ruajtur jetëgjatësinë, cilësinë dhe integritetin e tyre në qarkullim. Kartëmonedhat janë më shumë se një letër me vlerë. Ato nxisin dhe mbështesin aktivitetin ekonomik të vendit tonë dhe njëkohësisht lidhin me fije të padukshme identitetin tonë kombëtar.

Uroj që edhe dy kartëmonedhat e reja që po prezantojmë sot të mirëpriten nga publiku ashtu si pararendëset e tyre.