BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në takimin me gazetarë, analistë dhe drejtues të medias

Data e publikimit: 20.12.2018

 

Të nderuar pjesëmarrës,

Duke ju uruar mirëseardhjen dëshiroj t’ju falënderoj për gjithë gatishmërinë, objektivitetin, dhe seriozitetin e treguar në mbulimin dhe transmetimin në publik të veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë përgjatë gjithë vitit 2018. Falë jush, analiza dhe vendimmarrja jonë është përcjellë në mënyrë më të plotë anembanë vendit, e përshtatur dhe e stilizuar për çdo moshë dhe profesion.

DSC 9356-2 498

Me kënaqësi konstatoj se përveç shkallës së lartë të mbulimit gjeografik, komentet dhe analizat që ju i bëni zhvillimeve ekonomiko financiare në vend janë mjaft profesionale. Si unë ashtu dhe kolegët e mi në Bankën e Shqipërisë kemi arritur në konkluzionin se sot realiteti mediatik, është pjesë e rëndësishme e veprimtarisë sonë. Vendimmarrja jonë nuk mund të konsiderohet e plotë, pa kontributin tuaj. Komunikimi për një bankë qendrore konsiderohet një proces sa jetik aq dhe delikat, ndaj më duhet të theksoj se materializimi i vendimmarrjes së Bankës së Shqipërisë në fushën e politikës monetare dhe në atë të stabilitetit financiar, pa ndihmën dhe objektivitetin tuaj do të ishte një mision i pamundur.

Në mënyrë figurative, do të theksoja se jeni pikërisht ju që mundësoni përkthimin në një format të përshtatshëm, të kuptueshëm nga publiku i gjerë, të analizave dhe konkluzioneve tona. Ju keni përcjellë në publik aksionet dhe ndërhyrjet tona në fushën e politikës monetare, apo edhe vendime të tjera në lëmin e stabilitetit financiar, eficiencës së tregjeve, rregullimeve bankare apo elementeve të tjera më specifike.

E gjithë kjo më çon në konkluzionin se niveli i gazetarisë është rritur ndjeshëm fakt ky që nga ana tjetër na imponon neve të jemi më kërkues ndaj vetes në gjithë argumentet dhe analizat me të cilat mbështesim vendimmarrjen tonë.

Për gjithë sa thashë më sipër më lejoni t’ju falënderoj për rolin tuaj konstruktiv në përcjelljen e lajmeve mbi ekonominë, mbi financat, mbi paranë, mbi sistemin bankar, mbi inflacionin, mbi qëndrueshmërinë financiare të vendit dhe mbi rreziqet ndaj të cilave është e ekspozuar ekonomia jonë.

Më lejoni t’ju garantoj se Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të jetë një institucion i hapur dhe shumë luajal në marrëdhëniet me ju. Tek Banka e Shqipërisë do të gjeni në vazhdimësi një dritare të hapur komunikimi për gjithë spektrin e lajmit ekonomik dhe financiar, bashkëkohor, profesional dhe të paanshëm.

Të nderuar pjesëmarrës,

Është bërë traditë që në këtë takim fund viti me përfaqësuesit e mediave dhe gazetarët të organizojmë dhe një ceremoni modeste por shumë kuptimplotë, atë të shpërndarjes së çmimeve për diplomën më të mirë. Nevoja për kërkim të vërtetë shkencor vlerësohet tepër e dobishme, duke shpresuar se nga një perspektivë afatgjatë do të jemi të aftë të ndërtojmë modele studimi dhe kërkimi shkencor jo vetëm bashkëkohore por dhe të qëndrueshme.

Nga kjo perspektivë, Banka e Shqipërisë është munduar të ndërtojë kapacitetet e veta në fushën e kërkimit shkencor. Ndërtimi i tyre në kohët moderne vlerësohet i domosdoshëm, pasi në analizë të fundit ai ndihmon në përsosjen e gjithë procesit vendimmarrës të Bankës së Shqipërisë në fushën e politikës monetare dhe në atë të stabilitetit financiar. Pikërisht për këtë arsye, edhe ceremonia e shpërndarjes së çmimeve për diplomën më të mirë, përbën një aktivitet të konsoliduar të Bankës së Shqipërisë në drejtim të mbështetjes së studentëve premtues në fushën e kërkimit shkencor, që lidhet me sferën e veprimtarisë së bankingut qendror.

Edhe këtë vit, interesimi i studentëve për të konkurruar për këtë çmim, ishte i konsiderueshëm. Më konkretisht, u paraqitën 27 punime me një spektër mjaft të gjerë tematikash ekonomike, financiare e të së drejtës (juridike), të fokusuara kryesisht mbi ekonominë shqiptare. Këto punime përdorin me zgjuarsi metodologjitë bashkëkohore të studimit dhe informacionin e vlefshëm për të analizuar, përmes argumentesh teorike dhe praktike, fenomenet ekonomike. Ky fakt na gëzon dhe përtej vështirësisë objektive që hasim në përzgjedhjen e punimeve më interesante, tashmë ne e kemi verdiktin tonë për "Çmimin e Guvernatorit për Diplomën më të Mirë" për vitin 2018. Përzgjedhja nuk ka qenë e lehtë. Nga viti në vit konstatojmë punime më cilësore, si për sa i takon metodologjisë kërkimore, origjinalitetit të temës ashtu dhe për sa i takon metodave të kërkimit shkencor të përdorura.

Përfitoj nga rasti të përgëzoj të gjithë pjesëmarrësit në garë për nivelin e pëlqyeshëm të punimeve të prezantuara. Shpresoj dhe ju inkurajoj që këtë formim ideor teorik dhe praktik ta pasuroni më tej gjatë karrierës tuaj, ku do që të jeni, si akademikë apo dhe si ekspertë të fushës. Raporti tuaj me kërkimin shkencor uroj të jetë një marrëdhënie e pandërprerë të cilës i dihet vetëm data e fillimit.

Ftoj organizatorët të vijojmë me prezantimin e tyre.

Ju faleminderit dhe gëzuar festat!