BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në tryezën e diskutimit të Bankës së Shqipërisë dhe Qeverisë Shqiptare me sistemin bankar "Ekonomia dhe bankat, sfidat e tashme dhe të ardhme"

Data e publikimit: 16.09.2015

 

I nderuar zoti Kryeministër,

Të nderuar zotërinj Ministra dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve ndërkombëtare,

Të nderuar drejtues dhe përfaqësues të bankave,


Ky takim kërkon të tërheqë edhe një herë vëmendjen mbi një problem të trajtuar gjerësisht vitet e fundit, atë të kredive me probleme. Qëllimi është që të rrisim angazhimin e përbashkët dhe konkret, për uljen e nivelit të kredive me probleme, rritjen e ndërmjetësimit financiar të sektorit bankar dhe mbështetjen e rritjes ekonomike të vendit.

Në vijim, më lejoni të theksoj disa fakte.

Niveli i lartë i kredive me probleme, nuk ka cenuar qëndrueshmërinë e sektorit bankar. Treguesit e likuiditetit dhe të kapitalizimit mbeten në nivele të mira, ndërkohë që edhe performanca financiare ka qenë pozitive dhe në përmirësim.

Por, përqindja e lartë e kredive me probleme, ka ndikuar në perceptimin më të lartë të rrezikut nga ana e bankave dhe adoptimin prej tyre të një qasjeje më konservatore në kreditimin e ekonomisë.

Të dhënat e vrojtimeve tona tregojnë për një shtrëngim të kushteve të kreditimit, ndërkohë që vëllimet e kreditimit, ndonëse pozitive, ende konsiderohen të ulëta.

Cilësia e kredisë ka shënuar përmirësim gjatë këtij viti. Raporti i kredive me probleme, pas ngjitjes deri në nivelin 25%, ka zbritur në korrik 2015 rreth nivelit 21%. Besojmë se ky përmirësim reflekton masat e marra në 2-3 vitet e fundit, ku veçoj:

a)  ndryshimet në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat” në fund të vitit 2013, i cili lehtësoi procesin e fshirjes nga bilanci të kredive të humbura;

b)  ndryshimet në Kodin e Procedurës Civile të shtatorit 2013, të cilat synuan të përmirësojnë procesin e ekzekutimit të kolateralit; 

c)  hyrjen në fuqi të rregullores së Bankës së Shqipërisë, e cila e bën të detyrueshme fshirjen e kredive që klasifikohen nga bankat si “të humbura”, për një periudhë më të gjatë se 3 vjet;

d)  punën e bërë në bashkëpunim me bankat, për ristrukturimin e kredive ku huamarrësit janë ekspozuar në më shume se një bankë.

Megjithëse numri i kredive me probleme në proces ekzekutimi është rritur dukshëm, përmirësimi i cilësisë së kredisë reflekton kryesisht procesin e fshirjes së kredive të humbura nga bilanci i bankave.

Për 6-mujorin e parë të vitit 2015, kjo vlerë ishte rreth 11 miliardë lekë. Procesi i fshirjes së kredive të humbura nga bilanci i bankës, është i shëndetshëm për bankën dhe i dobishëm për ekonominë pasi:

- jep një pamje më reale të portofolit të kredisë së bankës, çliron kapitalin e saj dhe përmirëson bilancin financiar;

- përmirëson proceset në bankë, pasi shoqërohet me një përdorim më eficient të burimeve njerëzore, financiare, teknike, si dhe rifokuson vëmendjen e bankës drejt kreditimit të ri;

- përmirëson funksionimin e tregut financiar në përgjithësi, pasi ndikon në ”daljen” nga tregu të bizneseve jokonkurruese;

- ndikon pozitivisht në analizën që pjesëmarrësit e tregjeve i bëjnë sektorit bankar (ratings); rrjedhimisht edhe në vlerësimin për ekonominë e vendit;

- krijon kushtet që procesi i arkëtimit të detyrimit të administrohet më mirë, por gjithmonë e shoqëruar me mesazhin që kjo nuk nënkupton faljen e detyrimit të huamarrësit.


Në rastin tonë, procesi i fshirjes së kredive të humbura nga bilanci i bankave, nuk është një proces i shkëputur nga zhvillimet reale. Përkundrazi, ai reflekton përmirësimin, gradual që ka ndodhur në ecurinë e kredive me probleme.

Konkretisht, në dy vitet e fundit, ritmi i rritjes së kredive me probleme është ngadalësuar jashtëzakonisht, shpenzimet vjetore të bankave për rrezikun e kreditit (provigjionet) kanë rënë dhe kredia e re, veçanërisht ajo në lekë, ka qenë e qëndrueshme.

Nga ana tjetër, edhe interesi nga bankat për t’u angazhuar më shumë në këtë proces ka ardhur në rritje. Zakonisht kjo ndodh kur efektiviteti i procesit përmirësohet dhe/ose kur pritjet e bankave për veprimtarinë kredituese përmirësohen.

Të nderuar pjesëmarrës,

Më lejoni të theksoj se pavarësisht përmirësimit të cilësisë së kredisë, niveli i raportit të kredive me probleme konsiderohet ende i lartë, dhe ulja e tij nevojitet të realizohet me ritme më të shpejta. Ky proces është kompleks, duke vënë në provë përshtatshmërinë e bazës ligjore, si edhe koordinimin dhe konsistencën e politikave institucionale.

Këto sfida, u evidentuan në Forumin Vjetor që zhvilluam për këtë çështje në muajin qershor të këtij viti. Disa prej tyre kanë shtruar nevojën për përmirësime të kuadrit ligjor. Disa lidhen me nevojën për të unifikuar në një ligj të vetëm, përcaktime të rëndësishme për procesin e ekzekutimit të titullit ekzekutiv, që gjenden në disa ligje.

Duhet të jemi të vetëdijshëm që një pjese e vështirësive vijnë si pasojë e përmasave të këtij problemi, në një sistem drejtësie të cilit deri pak vite më parë i mungonte eksperienca dhe ekspertiza për këto çështje, dhe që ende ndeshet me pamjaftueshmëri të kapaciteteve për trajtimin e këtyre praktikave. Por, përcaktimet jo të plota ligjore dhe implementimi i tyre jokonsistent në praktikë, e bëjnë procesin e ekzekutimit të kolateralit të ngadaltë, të pasigurt dhe të kushtueshëm për palët.

Koordinimi i politikave institucionale, është gjithashtu një proces i rëndësishëm për t’iu përgjigjur problematikave të ndryshme në kohën dhe në mënyrën e duhur. Për shembull, Plani i fundit i Veprimit për zgjidhjen e kredive me probleme, përfaqëson një nivel të ri komunikimi dhe angazhimi të institucioneve shtetërore dhe të Bankës së Shqipërisë, për t’i dhënë problemit një zgjidhje të qëndrueshme.

Mjaft nga çështjet që shqetësojnë industrinë bankare dhe që Banka e Shqipërisë i konsideron të rëndësishme për t’u adresuar janë bërë pjesë e këtij plani. E tillë është përgatitja e projektligjit “Për Falimentin”, një punë e lavdërueshme e Ministrisë së Drejtësisë, i cili përfaqëson një zhvillim të rëndësishëm dhe një mundësi unikale për ta bërë procesin e zgjidhjes së detyrimit financiar sa më të zbatueshëm, të parashikueshëm dhe eficient.  

Duke e mbyllur, dëshiroj të theksoj se ulja e nivelit të kredive me probleme është e lidhur ngushtë me shkallën e ndërmjetësimit financiar nga ana e sektorit bankar.

Nevoja për të riorientuar investimet private drejt sektorëve të rinj në ekonomi, madhësia e vogël e tregut, problemet me cilësinë e ulët të raportimit financiar të subjekteve private dhe ulja e ritmit të rritjes ekonomike në vend, ka bërë që kërkesa private për kredi të jetë e paqëndrueshme.

Për këtë arsye, është e rëndësishme që krahas politikave makroekonomike, të gjenden edhe forma të tjera alternative për të mbështetur kërkesën e brendshme, për të nxitur optimizmin në ekonomi dhe për të ndikuar pozitivisht pritjet e biznesit dhe të konsumatorëve. Përshpejtimi i rritjes ekonomike, do të krijonte kushtet që përmirësimi i synuar në nivelin e kredive me probleme të ishte më i shpejtë dhe më i qëndrueshëm.

Faleminderit!