BANKA E SHQIPËRISË
NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në workshopin “Rrugëtimi i Shqipërisë drejt integrimit në SEPA, përfshirjes dhe edukimit financiar”
Data e publikimit: 14.06.2024
Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Kam kënaqësinë t’ju uroj një mirëseardhje të përzemërt në këtë Workshop, ku do të diskutojmë dy tema të rëndësishme, dorëzimin e aplikimit për integrimin në Tregun Unik të Pagesave në Euro (SEPA), dhe rëndësinë e përfshirjes dhe edukimit financiar, si çështje kyçe për zhvillimin e Shqipërisë. Këto mund të duken si dy tema të ndara, por në fakt ato ndajnë të njëjtin objektiv, përmirësimin e mirëqenies dhe qëndrueshmërisë financiare të familjeve dhe bizneseve shqiptare. Nëse ushtrohen me përgjegjësi, të dyja mund të kontribuojnë në stabilitetin financiar dhe makroekonomik të vendit.
Sot më shumë se kurrë rritja dhe stabiliteti ekonomik varen nga fuqizimi financiar i të gjithë qytetarëve. Si rrjedhojë e zhvillimeve të shpejta në fushën e financës, inteligjencës artificiale, digjitalizimit të ekonomisë dhe parasë, angazhimi ynë ndaj këtyre objektivave është kthyer në një domosdoshmëri. Më lejoni të ndalem së pari te zhvillimet në sistemet e pagesave.
Gjatë vitit të fundit, Banka e Shqipërisë ka intensifikuar ndjeshëm përpjekjet për anëtarësimin e përshpejtuar të Shqipërisë në Tregun Unik të Pagesave në Euro – SEPA, të materializuara në masa të prekshme dhe mjaft optimiste.
Dy ditë më parë, Banka e Shqipërisë dorëzoi zyrtarisht aplikimin pranë Këshillit Evropian të Pagesave për anëtarësimin e Shqipërisë në SEPA, duke u renditur vendi i parë në Rajon që ka përmbyllur me sukses këtë fazë të rëndësishme të integrimit në tregun evropian të pagesave. Vlen të theksohet se hartimi i aplikimit ka qenë një punë voluminoze dhe sfiduese e drejtuar nga Banka e Shqipërisë, por falë parapërgatitjeve të mëparshme dhe bashkëpunimit të ngushtë të një sërë institucionesh shtetërore, ky projekt po realizohet me sukses.
Anëtarësimi i përshpejtuar në SEPA është iniciuar si një nga masat e parashikuara në Projektin Rajonal “Për modernizimin e sistemeve të pagesave në vendet e Ballkanit Perëndimor”, dhe është transformuar tashmë në një nga prioritetet kombëtare në kuadër të përmbushjes së Planit të Ri të rritjes së Bashkimit Evropian. Ai ka mbështetjen e Komisionit Evropian, të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal dhe të Bankës Botërore. Realizimi i anëtarësimit në SEPA ka përfitime shumëdimensionale për Shqipërinë nga pikëpamja e procesit të integrimit në familjen e madhe evropiane, por dhe për ekonominë shqiptare dhe tregun vendas të pagesave.
Thjeshtësia, komoditeti dhe efikasiteti janë tre nga përfitimet kryesore të këtij anëtarësimi për konsumatorët dhe bizneset. Përmes SEPA-s, qytetarët dhe bizneset shqiptare do të kryejnë pagesa dhe transferta sikur të ishin qytetarë të Bashkimit Evropian dhe anasjelltas. Përfitimet kryesore të ekonomisë shqiptare dhe familjeve do të jenë në fushat e tregtisë, turizmit, remitancave, investimeve direkte etj. Projeksionet janë që në afatmesëm ekonomia shqiptare do të përfitojë disa qindra milionë euro nga aderimi në SEPA.
Nga pikëpamja integruese e vendit, anëtarësimi i përshpejtuar në SEPA garanton trajtimin e shtetasve shqiptarë në mënyrë të njëtrajtshme me ata evropianë në fushën e pagesave. Gjithashtu, ai garanton përputhshmërinë e tregut shqiptar të pagesave me legjislacionin dhe praktikat e Bashkimit Evropian për sa i përket Kapitullit 4 “Lëvizja e lirë të kapitalit”, duke kurorëzuar me sukses përpjekjet e vazhdueshme disavjeçare të Bankës së Shqipërisë si institucion përgjegjës për këtë kapitull.
Së fundi, por jo më pak e rëndësishme, përmbushja e këtij objektivi shënon dhe një nga hapat e parë drejt realizimit të angazhimeve në kuadër të Planit të ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, çka do të mundësojë përthithjen nga ana e Shqipërisë të fondeve të disponueshme dhe krijimin e një rruge më të qëndrueshme drejt anëtarësimit të vendit brenda vitit 2030, i cili është dhe objektivi jonë.
Siç e thashë më lart, përfitimet nga përdorimi i instrumenteve financiare mundësohen vetëm përmes njohjes dhe edukimit financiar. Prandaj, pjesën e dytë të këtij aktiviteti ia kushtojmë pikërisht edukimit financiar, i cili pajis individët me njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për të marrë vendime të informuara për menaxhimin e financave personale. Në një ekonomi në zhvillim si Shqipëria, ku nivelet e kulturës financiare kanë qenë tradicionalisht të ulëta, puna në këtë drejtim mund të sjellë fryte të rëndësishme.
Në sajë të iniciativave të saj, Banka e Shqipërisë vëren me kënaqësi një rritje të ndjeshme të përfshirjes financiare. Kështu, bazuar në të dhënat zyrtare të regjistrit kombëtar të llogarive rezulton se në vitin 2023, rreth 78% e popullsisë adulte zotëron një llogari bankare dhe kjo shifër mund të arrijë deri në masën 85% nëse përfshihen dhe llogaritë e pagesave të ofruara nga institucionet e parasë elektronike. Rritja e përfshirjes financiare është shoqëruar edhe me rritjen e numrit të pagesave elektronike. Më konkretisht, në vitin 2023, numri i pagesave elektronike për frymë arriti në 21, nga rreth 4 pagesa për frymë në vitin 2017. Rritje të konsiderueshme kanë paraqitur pagesat me kartë duke arritur në 11 pagesa për frymë në vitin 2023, nga 5 pagesa për frymë që ishte ky tregues në vitin 2020.
Prej vitesh, Banka e Shqipërisë i ka kushtuar një rëndësi të veçantë edukimit dhe kulturës financiare. Për ta bërë këtë me përgjegjësinë e duhur, Banka e Shqipërisë ka miratuar Strategjinë për Edukimin dhe Përfshirjen Financiare (SBSHEPF). I hartuar në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare, ky dokument zyrtarizon përpjekjet e Bankës së Shqipërisë për të promovuar edukimin financiar si një e mirë publike për të gjithë, për të nxitur më tej përfshirjen financiare, mbrojtjen e konsumatorëve dhe rritjen e mirëqenies financiare të individëve dhe të qëndrueshmërisë së sistemit financiar në tërësi.
Për fatin tonë të mirë, këtë objektiv e ndajmë me shumë institucione dhe organizata publike dhe private të angazhuara në financë, arsim apo zhvillim, të cilat kanë në fokus të punës së tyre rritjen e kulturës financiare. Puna e përbashkët mund ta kthejë strategjinë e BSH-së për përfshirje dhe edukim financiar në një strategji kombëtare që do të bashkërendonte në nivel kombëtar iniciativat e të gjithë aktorëve, duke dhënë rezultate më të prekshme. Jam optimist se ky është një objektiv që mund ta arrijmë shumë shpejt. Aktiviteti i sotëm është pjesë e planit të veprimit të SBSHEPF –së dhe i jep hapësirë bashkëpunëtorëve tanë të tregojnë dhe të shpalosin punën, projektet dhe të koordinojnë vizionin dhe objektivat e tyre.
Ndërsa punojmë për t’i arritur këto qëllime të përbashkëta, një falënderim i veçantë shkon për partnerët tanë: institucionet publike që hartojnë dhe zbatojnë politika për promovimin e edukimit dhe përfshirjes financiare; institucionet financiare që zhvillojnë dhe ofrojnë produkte dhe shërbime financiare gjithëpërfshirëse; institucionet arsimore që integrojnë edukimin financiar në kurrikulat dhe programet e tyre; organizatat joqeveritare që punojnë në terren për të edukuar dhe fuqizuar komunitetet; si dhe kompanitë e teknologjisë së informacionit dhe inovatorët FinTech që punojnë për transformimin digjital në sektorin financiar.
Para se ta mbyll, gjej mundësinë të shpreh sërish mirënjohjen tonën për Bankën Botërore, SECO dhe Ambasadën Zvicerane në Tiranë, dhe natyrisht Qeverinë Shqiptare, si partnerë të rëndësishëm në hartimin dhe zbatimin e këtyre projekteve sfiduese. Së bashku, ne mund të ndërtojmë një shoqëri financiarisht gjithëpërfshirëse, ku çdo individ të ketë mundësinë të zhvillohet dhe të realizojë potencialin e tij.
Faleminderit!