BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave për Prezantimin e Raportit Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2010

Data e publikimit: 24.05.2011

 

I nderuar zoti Kryetar i Komisionit,

Të nderuar zonja dhe zotërinj anëtarë,

Është kënaqësi për mua të gjendem sot para jush, për të prezantuar konkluzionet kryesore të Raportit Vjetor të Bankës së Shqipërisë.

Në mbështetje të kërkesave ligjore, si dhe të angazhimeve tona institucionale për të forcuar pavarësinë, transparencën dhe përgjegjshmërinë e bankës qendrore, raporti vjetor përmban një analizë të plotë të zhvillimeve ekonomike e financiare në vend si dhe pasqyron me besnikëri aktivitetin e Bankës së Shqipërisë gjatë vitit 2010. Ky aktivitet, në të gjithë spektrin e tij, është orientuar nga përmbushja e misionit dhe e detyrave tona ligjore, duke pasqyruar në të njëjtën kohë edhe rekomandimet e lëna nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë në vitin 2010.

web 3946 0

Më lejoni që, në fillim, të bëj një përmbledhje të shkurtër të çështjeve kryesore të trajtuara në raport.

Ekonomia shqiptare ka patur  zhvillim përgjithësisht pozitiv gjatë vitit 2010. Nga ana tjetër, zhvillimet e këtij viti theksuan njëkohësisht nevojën për vazhdimin dhe thellimin e reformave strukturore, si parakusht për  rritje të qëndrueshme dhe afatgjatë ekonomike.

Aktiviteti ekonomik në vend shënoi rritje gjatë vitit të shkuar. Kjo rritje pasqyroi themelet e shëndosha të ekonomisë shqiptare; dinamizmin e sektorit privat; si dhe ruajtjen e konsolidimin e stabilitetit makroekonomik. Duke reflektuar zhvillimet në sektorin real e financiar të ekonomisë, si dhe politikën monetare të Bankës së Shqipërisë, inflacioni i çmimeve të konsumit qëndroi në linjë me objektivin tonë gjatë vitit 2010. Gjatë këtij viti:

  • inflacioni ishte brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë;
  • deficiti buxhetor dhe borxhi publik shënuan rënie në terma relativë;
  • stabiliteti financiar u konsolidua;
  • ndërmjetësimi financiar u zgjerua më tej.

Gjithashtu, pozicioni i jashtëm i ekonomisë u përmirësua dhe normat e interesit e primet e rrezikut në tregjet financiare shënuan rënie.

Sipas të dhënave të INSTAT-it, ekonomia shqiptare vlerësohet të jetë rritur me 3.9 % gjatë këtij viti. Në krahasim me vitin 2009, rritja ekonomike paraqitet më e balancuar në shpërndarjen e saj sektoriale dhe në komponentët e kërkesës.

Gjatë vitit që lamë pas, rritja ekonomike është mbështetur më së shumti në kërkesën e huaj, e cila është reflektuar në rritjen e shpejtë të eksporteve shqiptare dhe në reduktimin e deficitit tregtar. Ajo ka gjetur gjithashtu, mbështetje në rritje në kërkesën e brendshme. Reduktimi i ndjeshëm i stimulit fiskal, veçanërisht në gjysmën e dytë të vitit, është kompensuar nga tendencat pozitive të shfaqura nga konsumi dhe investimet private gjatë kësaj periudhe.

Megjithëse në rritje, ekonomia shqiptare është karakterizuar në mënyrë të dukshme nga ekzistenca e kapaciteteve të lira, si në tregun e punës ashtu edhe në atë të kapitalit.

Kapacitetet e lira në ekonomi, pritjet e ankoruara inflacioniste të agjentëve ekonomikë, si dhe zgjerimi i kontrolluar monetar në përgjigje të politikës së kujdesshme të Bankës së Shqipërisë, kanë ushtruar ndikim rënës në inflacion.

Këta faktorë kanë kompensuar efektet inflacioniste të ardhura nga rritja e çmimeve të administruara, nga kursi i nënçmuar i këmbimit dhe nga ecuria e çmimeve në tregjet botërore. Për rrjedhojë, inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi një vlerë mesatare prej 3.6 % gjatë vitit 2010, duke qenë tërësisht në përputhje me përcaktimin e Bankës së Shqipërisë për stabilitetin e çmimeve.

Zhvillimet e përmendura më sipër janë mbështetur nga kombinimi i kujdesshëm i politikave monetare, makroprudenciale e fiskale. Në prani të presioneve të kontrolluara aktuale e të pritura inflacioniste, të prodhimit nën-potencial të ekonomisë shqiptare, por edhe të rivendosjes së besimit të publikut në sistemin financiar, politikat makroekonomike, gjatë vitit 2010, ruajtën kah stimulues. Zhvendosja e mirëpritur e vëmendjes së politikës fiskale drejt ruajtjes së qëndrueshmërisë afatgjatë të treguesve të borxhit, u shoqërua me reduktimin e deficitit buxhetor dhe të stimulit fiskal.
Ky zhvillim mundësoi ndjekjen e një politike monetare më stimuluese nga Banka e Shqipërisë dhe i hapi rrugë uljes me 0.25 pikë përqindjeje të normës bazë të interesit në muajin korrik 2010.

Në përgjigje edhe të injektimeve të vazhdueshme të likuiditetit nga autoriteti monetar, kahu lehtësues i politikës monetare u pasqyrua në reduktimin e normave të interesit të depozitave në lekë, të yield-eve të letrave me vlerë të qeverisë, dhe, në masë më të vogël, të normave të interesit të kredive në lekë. Tregjet financiare kanë patur një vit më të qetë, me likuiditet në rritje dhe norma interesi në rënie. Gjithashtu, treguesit e likuiditetit dhe të kapitalizimit të sistemit bankar janë përmirësuar.

Kushtet e kreditimit të zbatuara nga sistemi bankar shënuan lehtësim gradual gjatë vitit 2010. Ky lehtësim reflektoi jo vetëm politikën monetare të Bankës së Shqipërisë, por edhe përmirësimin e treguesve të likuiditetit, rënien e primeve të rrezikut, dhe reduktimin e huamarrjes publike në tregjet e brendshme monetare. Lehtësimi i kushteve të kreditimit dhe rritja e kërkesës për kredi u shoqëruan me  rritje më të shpejtë të kredisë gjate vitit 2010.

Në kontekstin rajonal, rritja e ndërmjetësimit financiar gjatë vitit të shkuar përbën një zhvillim të spikatur, në ndryshim nga eksperienca e shumë vendeve të tjera të karakterizuara nga rënia e këtij treguesi. Kjo kredi ka mbështetur kryesisht rritjen e investimeve në sektorët e shërbimeve dhe të industrisë, ndërkohë që rritja e kredisë për konsum ka qenë e ulët.

Duke mbyllur konkluzionet e Raportit Vjetor, dëshiroj të tërheq vëmendjen tuaj në një ndër temat kryesore të tij. Zhvillimet ekonomike të vitit 2010 ilustruan sfidat ekonomike me të cilat përballet ekonomia shqiptare.

Së pari, modeli i zhvillimit ekonomik i ndjekur deri më tani ka vend për përmirësim. Axhenda e re e reformave strukturore duhet të synojë krijimin e kushteve për një rritje më të balancuar dhe më të qëndrueshme në periudhën afatgjatë.

Orientimi më i madh i ekonomisë shqiptare drejt eksportit, si dhe rritja në përgjithësi e konkurrueshmërisë së produkteve tona në tregjet e huaja e të brendshme, diktojnë nevojën për vazhdimin e reformave strukturore, në nivel makro dhe mikroekonomik.

Së dyti, konsolidimi i stabilitetit makroekonomik kërkon punë më të madhe në të ardhmen.

Ruajtja e ekuilibrave të brendshëm e të jashtëm të vendit kërkon zhvillimin e mëtejshëm të arkitekturës së vendimmarrjes e të koordinimit makroekonomik, si dhe të mekanizmave mbikëqyrëse e rregullatore të ekonomisë dhe të tregjeve. Aftësitë analizuese, parashikuese e vendimmarrëse të agjentëve publikë e privatë duhet gjithashtu të përmirësohen më tej. Mësimet e krizës së fundit globale duhet të analizohen e të zbatohen me vendosmëri nga të gjithë ne.

Së treti, garantimi i stabilitetit financiar të vendit kërkon koordinimin e  veprimeve të të gjithë institucioneve mbikëqyrëse dhe rregullatore, si dhe të agjentëve privatë të tregut. Stabiliteti financiar i shërben kanalizimit të kursimeve në sektorët më konkurrues të ekonomisë gjatë periudhës afatgjatë.

***

Në vijim të fjalës time do të bëj një trajtim më të detajuar të çështjeve të mësipërme, duke u fokusuar në drejtimet kryesore të punës së Bankës së Shqipërisë.

1. Zhvillimet ekonomike dhe financiare gjatë vitit 2010

Ecuria e ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2010 është karakterizuar nga përmirësimi gradual i kërkesës agregate dhe nga konsolidimi i mëtejshëm i stabilitetit makroekonomik. Zhvillimi ekonomik është shoqëruar nga stabiliteti i çmimeve, ndërkohë që borxhi publik, deficiti buxhetor dhe deficiti i llogarisë korente janë reduktuar.

Rritja ekonomike është mbështetur kryesisht nga kërkesa e huaj dhe rritja e eksporteve shqiptare, ndërsa kërkesa e brendshme ka patur ecuri më të ngadaltë. Kjo e fundit është frenuar nga konsolidimi i financave publike dhe ulja e deficitit buxhetor gjatë vitit 2010, ndërkohë që shpenzimet konsumatore dhe investimet private janë ndikuar nga pasiguria për të ardhmen dhe nga prania e kapaciteteve të pashfrytëzuara.

Konsumi privat ka patur ecuri të ngadaltë gjatë vitit 2010, si pasojë e pasigurisë mbi situatën ekonomike e financiare në tërësi, dhe pritjet për punësimin në të ardhmen. Kjo ecuri është pasqyruar në rritjen e preferencës së konsumatorëve për kursim, ndërkohë që të dhënat agregate flasin për rritje të të ardhurave të disponueshme.
Ashtu si dhe në shumë ekonomi të tjera, nxitja e konsumit privat do të jetë një nga përcaktuesit kryesorë të rritjes ekonomike dhe një ndër sfidat me të cilët do të përballemi gjatë periudhës në vijim.

Investimet private kanë patur gjithashtu ndikim të ulët në rritjen ekonomike të vitit 2010. Bizneset shqiptare kanë hezituar në kryerjen e investimeve të reja, të ndikuara nga nivele të ulëta të shfrytëzimit të kapaciteteve prodhuese, por edhe nga kujdesi më i madh i bankave në procesin e kreditimit.

Politika fiskale u orientua drejt konsolidimit fiskal gjatë vitit 2010, pas natyrës kundërciklike të shfaqur në vitin 2009. Konsolidimi fiskal u përshpejtua, sidomos në gjashtëmujorin e dytë të vitit, me miratimin e buxhetit të rishikuar. Ky konsolidim ishte i pranishëm si në kahun e të ardhurave ashtu edhe në atë të shpenzimeve. Të ardhurat buxhetore u rritën me 8.4 % në terma vjetorë, duke reflektuar rritjen ekonomike, zgjerimin e bazës së tatimpaguesve, dhe të ardhurat nga privatizimet. Nga ana tjetër, shpenzimet buxhetore u tkurrën me 4.5 %, duke pasyruar tkurrjen e shpenzimeve kapitale të qeverisë.

Deficiti buxhetor për vitin 2010 zbriti rreth nivelit 3.0 % të PBB-së, duke u reduktuar me 52% krahasuar me një vit më parë. Ky deficit u financua kryesisht nëpërmjet emetimit të instrumenteve të zakonshme të borxhit të brendshëm. Megjithatë, financimi i deficitit solli një risi në vitin 2010, nëpërmjet emetimit të Eurobondit të parë shqiptar. Ky emetim, në vlerën prej 300 milionë eurosh, plotësoi një pjesë të nevojave në valutë të sektorit publik dhe u shoqërua me reduktimin e huamarrjes së brendshme. Ai zbehu presionet mbi monedhën vendase, rriti hapësirat për huamarrje të sektorit privat dhe ndikoi në përmirësimin e kushteve të financimit të tij.

Deficiti i llogarisë korente u ngushtua me rreth 21.5 % gjatë vitit 2010, duke qëndruar në nivelin 11.9 % të PBB-së. Ky reduktim reflektoi rritjen e kursimeve të sektorit privat dhe publik. Ai u ndihmua gjithashtu nga rritja e eksporteve si pasojë e gjallërimit të kërkesës së huaj, kursit të nënçmuar të këmbimit dhe përmirësimit të termave të tregtisë në këtë periudhë. Megjithë përmirësimin e shënuar gjatë vitit 2010, deficiti i llogarisë korente mbetet i lartë. Siç e kemi theksuar në vazhdimësi, Banka e Shqipërisë gjykon se hartimi i politikave strukturore për zbutjen e zhbalancimeve të ekonomisë së jashtme duhet trajtuar me përparësi.

Tkurrja e ndjeshme e deficitit tregtar në mallra dhe shërbime, erdhi si pasojë e rritjes së përshpejtuar të eksporteve të mallrave dhe shërbimeve, me rreth 16.4 % në nivel vjetor. Nga ana tjetër, importet e mallrave dhe shërbimeve pasqyruan një ritëm të moderuar rritjeje prej 2.6 % në terma mesatarë, por me prirje rritëse në muajt e fundit të vitit. Situata e vështirë ekonomike në vendet fqinjë është reflektuar në rënien vjetore të dërgesave neto prej emigrantëve me 11.7 %, ndërkohë që raporti i tyre ndaj PBB-së u vlerësua në nivelin 7.8 %.

Flukset neto në llogarinë kapitale dhe financiare regjistruan një rënie me rreth 11.2 % gjatë vitit 2010, duke mundësuar financimin e deficitit të llogarisë korente në masën 87.5 %. Duke përjashtuar privatizimet, investimet e huaja direkte u vlerësuan në 9.3 % të PBB-së dhe ishin burimi kryesor i financimit të huaj të ekonomisë shqiptare. Rezerva valutore e vendit u rrit me rreth 178.8 milionë euro dhe stoku i saj prej 1.9 miliardë eurosh është i mjaftueshëm për mbulimin e 4.8 muajve importe mallrash dhe shërbimesh.

Zhvillimet pozitive në sektorin e jashtëm të ekonomisë, kryesisht si rrjedhojë e zgjerimit të eksporteve, si dhe të hyrat valutore nga Eurobondi, kanë ndihmuar në gjenerimin e presioneve të përmbajtura në tregun e shkëmbimeve valutore këtë vit. Në këndvështrimin makroekonomik, qëndrueshmëria relative e kursit të këmbimit gjatë vitit ka pasqyruar një ekuilibër të ri të arritur në kërkesën dhe ofertën për valutë të huaj.

Në terma sektorialë, zhvillimi i ekonomisë shqiptare është mbështetur kryesisht nga rritja e sektorit të industrisë dhe e atij të shërbimeve. Këta sektorë kanë përfituar në masë të madhe përkatësisht nga kërkesa e huaj dhe nga zhvendosja strukturore e kërkesës së brendshme drejt mallrave të konsumit afatshkurtër.

Në horizontin afatshkurtër dhe afatmesëm, sektori i industrisë dhe ai i shërbimeve pritet të mbeten mbështetësit kryesorë të ekonomisë shqiptare. Sektori i ndërtimit vijoi të kontraktohet gjatë vitit 2010, duke reflektuar tkurrjen e investimeve publike, kushtet më të shtrënguara të kredisë, një sjellje më të kujdesshme konsumatore drejt investimit në pasuri të paluajtshme, dhe problemet e shkaktuara nga stoku relativisht i lartë i inventarëve të trashëguar.

Tejkalimi i këtyre problemeve, si dhe tendencat korrektuese të çmimeve në disa segmente të tregjeve rezidenciale, do t’i hapin rrugë zhvillimit më të qëndrueshëm të këtij sektori. Nga ana tjetër, sektori bujqësor vlerësohet të ketë shënuar rritje, si pasojë e kushteve më të mira klimaterike dhe e konjukturës së favorshme të çmimeve që karakterizon, dhe do të karakterizojë këtë sektor.

Zhvillimet monetare dhe tregjet financiare

Paraja e gjerë u rrit me mesatarisht 10.6 % gjatë vitit 2010. Rritja e saj pasqyron ecurinë e aktivitetit ekonomik dhe rikthimin e besimit të agjentëve ekonomikë në sistemin bankar. Zgjerimi i masës monetare ka qenë në përputhje me kërkesën e ekonomisë për para, duke mos nxitur tendenca inflacioniste në ekonomi. Raporti i depozitave ndaj PBB-së shënoi 64.2 % në fund të vitit, duke qëndruar më lart se niveli i regjistruar para tërheqjes së depozitave. Profili i strukturës kohore të depozitave ka reflektuar gjithashtu preferencën e rritur për kursim, duke u karakterizuar nga zhvendosja e depozitave në maturitete më afatgjata.

Lehtësimi i kushteve të kreditimit gjatë gjysmës së dytë të vitit, masat stimuluese të marra nga Banka e Shqipërisë, interesi në rritje i sistemit bankar për të mbështetur konsumin dhe investimet në vend, si dhe ulja e pasigurisë dhe e primeve të rrezikut, u shoqëruan me një rritje graduale të kredisë gjatë vitit. Portofoli i kredisë për sektorin privat u zgjerua me 10 % gjatë vitit 2010, i ndikuar kryesisht nga rritja e kreditimit në valutë. Megjithatë, aktiviteti kreditues vijon të vuajë nga mungesa e kërkesës dhe e planeve të biznesit realiste, cilësore e të vlefshme për kreditim.

Rikthimi i besimit në sistemin financiar, situata e stabilizuar makroekonomike dhe masat rregullative e mbikëqyrëse të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë, ndikuan në stabilizimin dhe përmirësimin e treguesve të kapitalizimit, të likuiditetit dhe të përfitueshmërisë së sistemit bankar.


2 Ecuria e inflacionit dhe politika monetare

Inflacioni vjetor i çmimeve të konsumit rezultoi mesatarisht 3.6 % gjatë vitit 2010, duke qëndruar brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë për të. Presionet inflacioniste ishin më të përqendruara në gjysmën e parë të vitit, të shkaktuara më së shumti prej rritjes së disa çmimeve të administruara. Inflacioni mesatar vjetor në gjashtë muajt e parë të vitit rezultoi 3.9 %. Në dy tremujorët pasues, stabilizimi relativ i kursit të këmbimit dhe presionet e ulëta inflacioniste prej kërkesës së brendshme ndihmuan në konvergjimin e normës mesatare të inflacionit përreth objektivit të Bankës së Shqipërisë. Hendeku negativ i prodhimit ka prodhuar presione të përmbajtura inflacioniste gjatë gjithë vitit 2010, duke balancuar efektin e nënçmimit të monedhës vendase dhe të rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Gjatë vitit 2010, politika monetare e Bankës së Shqipërisë u zhvillua në një mjedis makroekonomik të karakterizuar nga norma pozitive të rritjes ekonomike, nga pritje inflacioniste të ankoruara dhe nga presione të përmbajtura inflacioniste. Siç e theksova dhe më parë, ky mjedis mundësoi ruajtjen e natyrës ekspansioniste të politikës monetare, të shfaqur që gjatë vitit 2009.

Kjo politikë ka nxitur prirjen rënëse të normave të interesit, dhe ka plotësuar më tej efektet stimuluese të ardhura nga nënçmimi i kursit të këmbimit. Normat e ulëta të interesit kanë favorizuar rritjen e konsumit dhe të investimeve në vend, ndërsa kursi i nënçmuar i këmbimit ka mbështetur rritjen e eksporteve shqiptare gjatë vitit.

Reduktimi i stimulit fiskal zgjeroi më tej hapësirat për ndjekjen e një politike monetare stimuluese. Në muajin korrik 2010, Banka e Shqipërisë uli me 0.25 pikë përqindjeje normën bazë të interesit, duke e zbritur atë në nivelin më të ulët historik prej 5.0%. Përmirësimi i kushteve të likuiditetit në sistemin bankar dhe kërkesa e dobët e sektorit shtetëror për mjete monetare kanë mbështetur përcjelljen e politikës lehtësuese në të gjitha segmentet e tregjeve financiare, në muajt e fundit të vitit 2010.

Paralelisht me këtë lëvizje, Banka e Shqipërisë ka furnizuar tregun financiar me likuiditetin e nevojshëm për mbështetjen e ndërmjetësimit financiar. Duke synuar gjithnjë adoptimin e modeleve më të përparuara të bankingut qendror, dhe në veçanti konvergjencën me praktikat e Eurosistemit, Banka e Shqipërisë ndryshoi edhe formën e objektivit të saj operacional.

Duke filluar nga muaji qershor 2010, operacionet tona të administrimit të likuiditetit orientohen nga shënjestrimi i normave afatshkurtra të interesit në tregun ndërbankar dhe nga minimizimi i luhatjeve të tyre. Ky ri-modelim i ndërhyrjeve tona në tregun e parasë rrit efektivitetin e politikës monetare dhe nxit zhvillimin e tregut ndërbankar. Paralelisht me të, ai shënon edhe një hap tjetër në përfundimin e përgatitjeve tona teknike për adoptimin e regjimit të inflacionit të shënjestruar.

***

Një tjetër aspekt i rëndësishëm i detyrave të bankës qendrore është edhe funksioni mbikëqyrës i sistemit bankar.


3. Mbikëqyrja bankare dhe stabiliteti financiar

Përmirësimi i aktivitetit ekonomik në vend është pasqyruar edhe në ecurinë e aktivitetit bankar. Viti 2010 u karakterizua nga rritja e aktiveve të bankave, përmirësimi i treguesve të shëndetit dhe të përfitueshmërisë bankare, si dhe nga - kapitalizimi i mirë i sistemit. Nga ana tjetër, sistemi bankar u karakterizua nga rritja e portofolit të kredive me probleme, duke reflektuar edhe politikën aktive të Bankës së Shqipërisë në drejtim të rritjes së transparencës së bilanceve të bankave. Ndryshimi organizativ i mbikëqyrjes bankare, në përshtatje me sfidat që parashtron koha, ka dhënë një ndihmesë në përmirësimin e mëtejshëm të kuadrit rregullativ dhe mbikëqyrës dhe, për rrjedhojë, në forcimin e stabilitetit financiar në vend.

Ecuria e sistemit bankar

Sektori bankar vijon të mbetet aktori kryesor i ndërmjetësimit financiar në Shqipëri. Aktualisht ky sektor përbehet nga 16 banka, ku dy prej tyre janë degë të bankave të huaja. Në fund të vitit 2010, aktivet e sistemit bankar janë rritur me ritme dy herë më të larta se një vit më parë, duke përfaqësuar rreth 81% të PBB-së. Në tërësi ky raport është zgjeruar me rreth 3.5 pikë përqindjeje krahasuar me një vit më parë.

Struktura e aktivit të sistemit bankar vijon të financohet kryesisht nga depozitat e publikut dhe të jetë e përqendruar në aktivitetin e kredidhënies, i cili është i orientuar kryesisht drejt financimit të sektorit privat. Investimet e sistemit bankar, në aktivitetin kreditues janë rritur gjatë vitit 2010, por ritmet e rritjes vazhdojnë të jenë në nivele të moderuara. Kjo ecuri reflekton politikat e kujdesshme të bankave për cilësinë e portofolit të kredisë si dhe të kërkesës së moderuar për kredi që kanë shfaqur agjentët ekonomikë në vend. Rritja e ngadaltë e aktivitetit kreditues dhe ecuria nën potencial e ekonomisë kanë ndikuar në rritjen e treguesit të kredisë me probleme, në nivelin 14%. Megjithatë, ritmet e rritjes tij kanë ardhur në rënie përgjatë vitit 2010.

Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit mbetet në nivele të kënaqshme. Kapitali aksioner i sistemit është rritur me 10% në vitin 2010. Sektori bankar shqiptar vlerësohet i mirë-kapitalizuar, gjë që konfirmohet nga norma e lartë e mjaftueshmërisë së kapitalit në nivelin 15.4%, dukshëm më e lartë se niveli prej 12% i përcaktuar në kuadrin rregullator.

Treguesi i levës financiare në vitin 2010, rezultoi 10.6%, duke mbetur në nivel pothuaj të njëjtë me atë të vitit 2009.  Kjo ecuri dëshmon për një mbështetje të qëndrueshme të aktivitetit ndërmjetësues të sistemit bankar, në nivele të njëjta borxhi për dy vitet e lartpërmendur. Rreziku i kreditit, mbetet rreziku kryesor për sektorin tonë bankar. Në përgjigje të këtij rreziku, sektori bankar ka krijuar fondet e veta rezervë për përballimin e humbjeve të mundshme. Në fund të vitit 2010, fondet rezervë për përballimin e rrezikut të kreditit (provigjonet) nga huadhënia për rezidentët, janë rreth 33% më shumë se niveli i tyre në fund të vitit 2009.

Analizat tona të stress test-it, ose provës së rezistencës, konfirmojnë se kapitali në sistemin bankar shqiptar është i mjaftueshëm për të përballuar goditje të mëdha, të cilat  shkaktojnë uljen e aftësisë paguese të kredimarrësve apo prishjen e ekuilibrave të tregut. Banka e Shqipërisë ka përmirësuar dukshëm analizën e saj nëpërmjet analizave stres-test mbështetur edhe nga një bashkëpunim në rritje me FMN-në, Bankën Botërore, Bankën Qendrore Evropiane dhe bashkëpunimit me bankat qendrore të huaja. Në kuadër të forcimit të procesit të mbikëqyrjes së subjekteve bankare, Banka e Shqipërisë ka nënshkruar një sërë marrëveshjesh bashkëpunimi me bankat qendrore të rajonit dhe ato evropiane ku bankat mëma kanë selitë  qendrore.

Procesi i shkëmbimit të informacionit si gjatë procesit të licencimit të institucioneve bankare, ashtu edhe në lidhje me rreziqe të mundshme ndaj stabilitetit financiar të institucioneve bankare që ato mbikëqyrin dhe bashkëpunimi në kryerjen e kontrolleve të subjekteve financiare që operojnë si brenda dhe jashtë vendit do të ndihmojë Bankën e Shqipërisë në ushtrimin e rolit të saj në garantimin e stabilitetit të sistemit bankar në vend.

Krahas sektorit bankar, viti 2010 ka qenë pozitiv edhe për institucionet financiare jobanka, duke dëshmuar për rritje të shumëllojshmërisë dhe plotësimit të infrastrukturës financiare në vend. Në fund të vitit, numri i institucioneve jobanka në sistemin financiar arriti në 17 nga 12 institucione që ishin një vit më parë. Në tërësi aktiviteti i tyre financiar dhe ai kredidhënës kanë pasqyruar ecuri të mirë dhe kryesisht në përputhje me kuadrin rregullativ të vendosur nga Banka e Shqipërisë.

Mbikëqyrja e sistemit bankar

Sikurse e përmenda pak më parë, në fillim të vitit 2010, Banka e Shqipërisë ndryshoi kuadrin organizativ të mbikëqyrjes bankare, duke e orientuar dhe e lidhur drejtpërdrejt atë me rreziqet që shoqërojnë aktivitetin financiar.
Paralelisht me këtë, Banka e Shqipërisë bëri edhe një rikonceptim të fokusit dhe strategjisë së punës për qëllime mbikëqyrëse, sipas rreziqeve me të cilat përballet sistemi bankar dhe financiar në vend.

Në fokus të procesit mbikëqyrës përgjatë vitit 2010 kanë qenë dhe transparenca dhe publikimi i informacionit, për produktet dhe shërbimet bankare dhe financiare. Së pari, Banka e Shqipërisë nëpërmjet publikimit të analizave të detajuara të shëndetit financiar në nivel sistemi që prej vitit 2010, në çdo gjashtë muaj, ofron një kuadër orientues për ndërtimin e plan-bizneseve si për publikun ashtu dhe për agjentët financiarë. Nga ana tjetër nxitja për rritjen e transparencës së agjentëve financiarë privatë është pasqyruar dhe në ndryshimet e kuadrit rregullativ gjatë vitit. Një çështje sensitive e ndjekur gjatë vitit të kaluar dhe që do të ketë përparësi në periudhat në vijim është dhe niveli i lartë i komisioneve të aplikuara për produktet dhe shërbimet bankare. Banka e Shqipërisë, nëpërmjet analizave të saj ka qenë pjesë e rëndësishme e diskutimeve mbi këtë fenomen, duke synuar adresimin në kohë dhe me eficencë të problematikës.

Pjesë e rëndësishme e procesit mbikëqyrës përgjatë vitit 2010, kanë qenë edhe çështjet që lidhen me parandalimin e pastrimit të parave, me transparencën si dhe me ndjekjen e normave mbikëqyrëse. Për këto qëllime janë kryer inspektime tё plota nё vend nё dy banka dhe katër subjekte financiare jobanka si dhe dy inspektime të targetuara. Në përgjigje të këtyre inspektimeve, këto subjekte kanë hartuar rregullore tё brendshme dhe kanë zhvilluar më tej sistemet e pagesave, tё cilat çdo ditë mundёsojnё identifikimin e tё gjitha transaksioneve nё para fizike.

Forcimi i kuadrit rregullator e mbikëqyrës

Gjatë vitit 2010, Banka e Shqipërisë finalizoi hartimin e disa rregulloreve të reja dhe bëri ndryshime në disa rregullore të tjera të mbikëqyrjes bankare. Ky proces ka synuar që në vazhdimësi të përshtat me standardet e Komitetit të Bazelit dhe direktivat e Bashkimit Evropian, duke konsideruar praktikat më të mira në fushën e rregullimit dhe zhvillimet në sistemin bankar shqiptar.

Akte të reja rregullative dhe ndryshime me rëndësi në aktet në fuqi për mbikëqyrjen bankare të miratuara gjatë këtij viti janë:

  • Rregullorja “Për administrimin e rrezikut nga pozicionet e hapura valutore” e cila specifikon rregullat dhe kriteret për llogaritjen, raportimin dhe mbikëqyrjen e pozicioneve të hapura valutore të bankave, me qëllim administrimin e rrezikut të kursit të këmbimit.
  • Rregullorja “Për administrimin e rrezikut në veprimtarinë e subjekteve financiare jobanka”, objekti i së cilës është përcaktimi i rregullave për administrimin e rrezikut në veprimtarinë e subjekteve financiare jobanka duke dalluar në veçanti rregullat për administrimin e rrezikut në veprimtarinë e institucioneve financiare të mikrokredisë  dhe të atyre që zhvillojnë veprimtarinë e qirasë financiare në vend.
  • Manuali “Për kujdestarinë dhe likuidimin e bankave”, i cili përcakton procedurat dhe veprimet për realizimin e procesit të kujdestarisë dhe likuidimit, duke plotësuar kuadrin e veprimit të autoritetit në rastet e vendosjes në kujdestari/likuidim të bankës ose degës së bankës së huaj. 

****

Krahas drejtimeve kryesore të punës së Bankës së Shqipërisë, sikurse janë politika monetare dhe mbikëqyrja e rregullimi i sektorit bankar, në fjalën time do të doja të ndalesha edhe në disa aspekte të tjera të punës sonë. Këto aktivitete përmbushin detyrimet tona ligjore, dhe i shërbejnë zhvillimit të sistemit financiar dhe të ekonomisë së tregut në Shqipëri.

4. Aktivitete të tjera të Bankës së Shqipërisë

Në këtë kuadër, në mënyrë të përmbledhur do t’ ju paraqes rolin e Bankës së Shqipërisë në zhvillimin e sistemit të pagesave; në mbështetjen e procesit të integrimit evropian; në edukimin dhe komunikimin me publikun; në zhvillimet e statistikave në vend; si dhe në përfundim do të doja të përmendja dhe rritjen e kapaciteteve studimore e kërkimore të stafit që unë drejtoj.

Sistemet e pagesave

Gjatë vitit 2010, infrastruktura e sistemeve të pagesave është përmirësuar më tej, siguria dhe eficienca e tyre është rritur, duke procesuar në të njëjtën kohë një numër dhe vëllim më të madh pagesash. Sistemi i pagesave për vlerat e mëdha në kohë reale (AIPS) ka shfaqur rritje të volumit të transaksioneve me 44 % krahasuar me vitin 2009.

Ky vit ka shënuar zgjerim të mëtejshëm të përdorimit të instrumenteve të pagesave, duke reflektuar ndër të tjera edhe rritjen e besimit të publikut në sistemin bankar.

Mirëfunksionimi i tregjeve financiare dhe forcimi i stabilitetit financiar në vend nuk mund të realizohen pa një sistem efektiv dhe të zhvilluar pagesash. Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë po punon për të adoptuar praktikat më të mira të bankave të tjera qendrore. Projekti i binjakëzimit me Bankën e Italisë dhe me Bankën e Francës i realizuar këtë vit përbën një nga këto aktivitete, ku përveç të tjerave synohet ngritja e kapaciteteve dhe përafrimi i kuadrit rregullativ dhe operacional të funksionimit të Sistemeve të Pagesave në Shqipëri me ato të vendeve të Bashkimit Evropian.

Puna gjatë vitit 2010 është fokusuar në dy aspekte kryesore: forcimi i kuadrit ligjor në funksion të rolit mbikëqyrës për sistemet e pagesave; dhe, përmirësimi e nxitja e ndryshimeve në sistemin kombëtar të pagesave në funksion të rolit reformator të Bankës së Shqipërisë. Në drejtim të përmirësimit të kuadrit ligjor, në vitin që sapo mbyllëm u finalizua draftimi i projektligjit “Për sistemet e pagesave”.

Ky projektligj përbën një hap të mëtejshëm, tepër të rëndësishëm në procesin për përafrimin e vazhdueshëm të legjislacionit shqiptar me atë të BE-së në fushën bankare dhe financiare, parashikuar gjithashtu edhe në nenet 70 dhe 89 të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asocim (MSA).

Në përmbushje të rolit reformator, Banka e Shqipërisë në muajin Mars 2010 realizoi komunikimin live nëpërmjet ndërfaqes elektronike të Sistemit të Thesarit pranë Ministrisë së Financave dhe sistemeve të pagesave pranë Bankës së Shqipërisë. Kjo skemë e re i mundëson Ministrisë së Financave monitorimin në kohë reale të aktivitetit në llogaritë e saj pranë Bankës së Shqipërisë, duke i shërbyer kështu një administrimi sa më efiçent të fondeve nga ana e saj. Gjithashtu, gjatë këtij viti puna është fokusuar edhe në përmirësimin dhe zgjerimin e infrastrukturave të nevojshme për shlyerjen e instrumenteve elektronike të pagesave në lekë për kartat e ndryshme ndërkombëtare (MasterCard, Visa) si dhe në projekte të cilat synojnë reduktimin e përdorimit të cash-it në ekonomi.

Mbështetja e proceseve integruese

Në përputhje me procesin e zbatimit të MSA-së, Banka e Shqipërisë ka kontribuar në rishikimin e Planit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së (PKZMSA) për vitet 2010 – 2014, duke identifikuar dhe përditësuar përparësitë dhe masat e marra në fushat e stabilitetit makroekonomik, të lëvizjes së lirë të kapitalit, lirisë së vendosjes, si dhe lirisë për të ofruar shërbime.

Banka e Shqipërisë u angazhua në procesin e plotësimit të përgjigjeve të pyetjeve të pyetësorit dërguar nga Komisioni Evropian, duke patur edhe rol koordinues për kapituj të veçantë të tij, si edhe ka marrë pjesë aktive në takimet e mëtejshme faktmbledhëse të organizuara nga ky organ.

Banka e Shqipërisë gjatë vitit 2010 vazhdoi të mbajë kontakte të vazhdueshme dhe të frytshme me institucionet kryesore financiare ndërkombëtare si FMN, Banka Botërore, Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD) Bankën për Rregullime Ndërkombëtare (BIS) si dhe ka rritur marrëdhëniet dypalëshe me bankat e tjera qendrore.

Gjatë vitit 2010, Banka e Shqipërisë vijoi punën për rishikimin e kuadrit ligjor dhe rregullativ në përputhje me legjislacionin e BE-së dhe në përshtatje me dinamikën më të fundit të zhvillimeve në vend, duke hartuar akte të rëndësishme ligjore, nënligjore dhe rregullative në fushën bankare.

Komunikimi me publikun dhe transparenca institucionale

Komunikimi me publikun e gjerë dhe me institucione të veçanta konsiderohet si një ndër elementet më të rëndësishëm të punës së Bankës së Shqipërisë, të cilës i dedikon edhe një pjesë të konsiderueshme të burimeve të saj. Gjatë vitit 2010, puna e Bankës së Shqipërisë në këtë kuadër është fokusuar kryesisht në ristrukturimin e mjeteve ekzistuese dhe ndërtimin e mënyrave të reja të komunikimit, të cilat ndihmojnë në krijimin e një mjedisi me aktorë të mirëinformuar dhe të aftë për të kuptuar vendimmarrjen e bankës qendrore, dhe për të marrë vendime racionale mbi çështjet ekonomike e financiare. Nën këtë këndvështrim, gjatë vitit të kaluar janë shtuar kontaktet me shtresat e ndryshme të publikut, duke u drejtuar veçanërisht tek ato që kanë ndikim në proceset edukative të tij.

Aktivitetet e kryera kanë konsistuar në komunikime të drejtpërdrejta, botime periodike dhe joperiodike, prezantime dhe takime të cilat kanë vënë në dispozicion të publikut informacione mbi punën e Bankës dhe procesin vendimmarrës të saj. Në të njëjtën kohë, faqja zyrtare e internetit ofron në kohë reale dhe të thjeshtë çdo informacion mbi aktivitetin dhe vendimet e marra nga institucioni, si dhe mbi statistikat e prodhuara prej tij.

Përmirësimi i statistikave në Bankën e Shqipërisë

Në kryerjen e funksionit të prodhimit të statistikave, Banka e Shqipërisë ka synuar që, jo vetëm të realizojë me sukses hartimin dhe publikimin e treguesve statistikorë, por edhe të përmirësojë në vazhdimësi shërbimin ndaj publikut, duke zgjeruar gamën e treguesve, duke përafruar metodologjinë me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare dhe duke ofruar informacion në  mënyrë sa më të përshtatshme. Zhvillimi kryesor gjatë vitit 2010 në drejtim të prodhimit statistikor ishte publikimi për herë të parë i statistikave të borxhit të jashtëm bruto, statistikave të pozicionit të investimeve ndërkombëtare dhe statistikave të detajuara të kredisë për ekonominë, duke plotësuar kështu kategorinë e statistikave të sektorit të jashtëm.
Në fushën e statistikave monetare e financiare, është punuar në drejtim të përmirësimit metodologjik, të informatizimit të proceseve të kontrollit, si dhe të rritjes së numrit të treguesve të publikuar.

Forcimi i kapaciteteve studimore e kërkimore

Banka e Shqipërisë prej kohësh e ka konsideruar kërkimin shkencor në fushat ekonomike, financiare dhe sociale si një element të rëndësishëm në vlerësimin dhe analizën e kryer prej saj, në funksion të mbështetjes së procesit të vendimmarrjes.

Rritja e kapaciteteve kërkimore është zhvilluar nëpërmjet trajnimit të vazhdueshëm të burimeve njerëzore, modernizimit të infrastrukturës kërkimore dhe krijimit të urave për shkëmbimin e përvojës dhe njohurive me institucione në fushën kërkimore. Disa nga aspektet kryesore ku është përqendruar kërkimi gjatë vitit 2010 kanë qenë: politika monetare dhe ajo fiskale, çështje të stabilitetit financiar, modeli i ri i rritjes ekonomike, si dhe sektori i jashtëm i ekonomisë. Mbështetja dhe aplikimi i modeleve ekonometrike në studimin e fenomeneve të ndryshme ekonomike ka mundësuar nxjerrjen e konkluzioneve dhe parashikimeve të besueshme.
Sfida jonë e brendshme për të ardhmen do të jetë përmirësimi i mëtejshëm i këtyre modeleve dhe  rritja e përdorimit të tyre në vendimmarrjen e Bankës së Shqipërisë.

****

Në mbyllje të fjalës sime, më lejoni t’ju rikujtoj se, së bashku me Raportin Vjetor, pranë jush janë depozituar dhe pasqyrat financiare të Bankës Shqipërisë për vitin 2010, të certifikuara nga auditorët.

Duke iu falenderuar për vëmendjen, mbetem i hapur ndaj pyetjeve apo diskutimeve që mund të keni