BANKA E SHQIPËRISË

Fjala e Guvernatorit në takimin me Komunitetin e Biznesit, 13 shtator 2002

Data e publikimit: 13.09.2002

 

Ideja e këtij takimi, merr shkas nga dëshira e mirë e këtij institucioni për të krijuar ura të reja komunikimi me publikun, sidomos me atë pjesë të tij e cila me vendimet që merr dhe me rolin e tij aktiv, ndikon në shkallën e zhvillimit ekonomik të vendit. Shtysa e dytë për këtë takim lidhet me sqarimin në mënyrë reciproke të pozicionit të këtyre dy shtyllave vitale për zhvillimin e ekonomisë kombëtare. Unë do të përqendrohem në shpjegimin e pozicionit të Bankës së Shqipërisë, të rolit të saj dhe të sistemit bankar në tërësi, të rregullave të lojës që duhet të vendosen midis komunitetit tuaj dhe sistemit bankar, etj.

Banka e Shqipërisë, është një institucion financiar, roli dhe rëndësia i të cilit ka përmasa jetike për ecurinë ekonomiko - financiare të vendit. Shkurtimisht, rolin e Bankës së Shqipërisë do ta klasifikoja si themelor në:

  • Hartimin dhe zbatimin e politikës monetare të vendit;
  • Hartimin dhe zbatimin e politikës valutore të vendit;
  • Hartimin e rregullave për lëvizjen e fondeve valutore, si brenda vendit ashtu dhe jashtë kufijve të tij;
  • Krijimin dhe mbikëqyrjen e sistemit bankar;
  • Emetimin e monedhës dhe kartëmonedhës;
  • Këshillimin e qeverisë dhe sigurimin e një niveli të kualifikuar ekspertize në hartimin dhe zbatimin e të gjitha politikave të tjera ekonomike dhe financiare të vendit.

Siç ndokush mund ta marrë me mend, Banka e Shqipërisë me rolin dhe funksionet e saj, jo vetëm që harton dhe zbaton politika globale që i shërbejnë ekonomisë, por ajo në një mënyrë ose në një tjetër, drejtpërsëdrejti apo në
mënyrë të tërthortë, ashtu si pa e kuptuar ndikon dhe vendimarrjen dhe ecurinë e biznesit në përgjithësi.
Kështu, për shembull në një mjedis global inflacionist, i cili nuk është gjë tjetër veçse produkt i zbatimit të një politike ekspansioniste monetare, biznesi do ta kishte shumë të vështirë të merte frymë lirshëm si dhe nuk do të ishte i aftë të parashikonte drejt për horizonte kohore të gjata, ndërkohë që portofoli i tij i kursimeve dhe i investimit do të orientohej drejt monedhave të huaja, duke bërë që dhe preferenca e agjenteve ekonomike në përgjithësi të bëhet gjithnjë e më fortë në drejtim të dollarizimit (euroizimit). Në një situatë tjetër kur banka qendrore vendos që të përshtasë një politikë monetare konservatore (politikë e cila zakonisht merr jetë nëpërmjet rritjes së përqindjes së interesit), nuk bën gjë tjetër veçse rrit çmimin e parasë e për rrjedhim rrit dhe kostot e biznesit.

Në një mënyrë pak më teknike, gjithmonë banka qendrore duke shfrytëzuar kanale të caktuara transmetimi (teorikisht njihet si mekanizimi i transmetimit të politikës monetare), ndikon të gjithë procesin e formimit të çmimit të parasë nëpër të gjithë hallkat e ekonomisë ku ajo lëviz, duke bërë në këtë mënyrë që vlera përfundimtare e produktit të prodhuar si ekonomi të pasqyrojë këtë vendim të politikës monetare.

Megjithatë, për t'u kthyer në një ambient më real, në vazhdim do të përqendrohem në disa çështje të cilat mendoj se për auditorin shfaqin më shumë interes.

Lexo fjalën e plotë të Guvernatorit.