BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, mbajtur në Workshopin e 6të të Kërkimeve Ekonomike në Evropën Juglindore, 19 nëntor 2012

Data e publikimit: 19.11.2012

 

Të nderuar pjesëmarrës,

Të nderuar kolegë nga banka të tjera qendrore,

Kam kënaqësinë e madhe të jem sot këtu, në Seminarin e 6të të Kërkimeve Ekonomike në Evropën Juglindore. Ky seminar organizohet çdo vit nga Banka e Shqipërisë, për të sjellë së bashku kërkues nga rajoni ynë dhe më tej. Ne jemi shumë të gëzuar për kontributin tuaj personal si dhe për angazhimin e institucionit tuaj për këtë aktivitet. Harta e pjesëmarrjes zgjerohet nga viti në vit dhe ne e marrim këtë zhvillim si shenjë vlerësimi. Këtë vit, seminari zhvillohet ndërsa Shqipëria kremton përvjetorin e 100të të pavarësisë së saj, e cila u shpall më 28 nëntor 1912. Ndaj, jemi shumë të lumtur t'ju mirëpresim në vigjilje të kësaj ngjarjeje  të shënuar për ne.

Seminari i Kërkimeve Ekonomike në Evropën Juglindore përbën një platformë për forcimin e bashkëpunimit rajonal në fushën e kërkimeve. Kjo traditë e konsoliduar tashmë është pjesë e kooperimit të gjithanshëm mes bankave qendrore të rajonit. 

Banka e Shqipërisë beson fort në bashkëpunimin rajonal dhe për këtë arsye është kthyer në promotore të tij. 

Vendet e Evropës Juglindore ngjasojnë në shumë aspekte, përfshirë problematikën ekonomike ashtu dhe kërkimin ekonomik. Aktualisht ne po punojmë për identifikimin e problemeve që kanë modelet ekzistuese.  Sfida me e madhe e të gjitha sfidave është adoptimi i një filozofie dhe mënyre të re të të menduarit për hartimin dhe zbatimin e politikës.

Bankat qendrore janë mjedise të përsosura për gjenerimin dhe zhvillimin e këtyre ideve të reja. Ato sjellin bashkë një komunitet të nderuar analistësh dhe kërkuesish, si dhe një sërë problemesh që presin zgjidhje. Ky rrjet bashkëpunimi, ka mundësinë të ndikojë drejtpërdrejt mbi hartimin dhe zbatimin e politikave. Kjo karakteristikë e veçantë u jep kërkuesve në bankat qendrore mundësinë të zbatojnë gjetjet dhe të testojnë në praktikë përfundimet përkatëse.

Në këtë drejtim, përfundimet tuaja ndikojnë në mirëqenien e njerëzve dhe në rezultatet ekonomike. Për këtë arsye, është e domosdoshme që puna juaj kërkimore – shkencore  të jetë e hapur ndaj gjithë faktorëve me peshë në qeverisjen e vendit. Një partner i rëndësishëm duhet të jetë dhe bota akademike vendase dhe e huaj, për të përvetësuar praktikat më të mira të metodave dhe shkrimeve akademike.

Nga një vështrim i shpejtë i programit, shoh se fokusi i punës kërkimore nga miqtë tanë është i ngjashëm me fokusin e punës kërkimore në Bankën e Shqipërisë.

Gjatë vitit të kaluar, jemi përqendruar te stabiliteti financiar dhe politika monetare, integrimi i tregtisë dhe marrëdhënieve tregtare si dhe modelimi i procesit ekonomik stokastik. Mbi të gjitha, kriza, ndërlikimet që ajo sjell, kanalet e transmetimit, dhe reagimi i politikës janë bërë qendra e kërkimit empirik dhe teorik në bankat qendrore dhe botën akademike gjatë katër vjetëve të fundit.

Rezultatet e këtij kërkimi dhe të analizave i kanë çuar bankat qendrore dhe politikat e tyre rregullatore dhe monetare përtej atyre që janë quajtur kufij të shenjtë të politikës monetare. Megjithatë, koha ka provuar se kjo nuk e ka ndihmuar shumë ekonominë.

Tashmë, kanë kaluar afro pesë vjet që nga fillimi i krizës dhe sa më shumë që autoritetet merren me probleme afatshkurtra të rritjes ekonomike dhe papunësisë, aq më shumë ato nxjerrin në pah mungesë balancash dhe probleme strukturore në shkallë vendi dhe botërore.  Ndërkohë, ende nuk jemi në gjendje të përkufizojmë, kuptojmë dhe modelojmë ekonominë në trajtën e saj të vërtetë stokastike.

Përgjithësisht, krizat e gjata e të thella ekonomike dhe sociale kanë ushqyer filozofit e reja të mendimit ekonomik, duke çuar në ndryshime të rëndësishme politike dhe duke hapur rrugën drejt mirëqenies ekonomike. Mendimi ekonomik i Adam Smith, John Keynes dhe Milton Friedmane është shfaqur në muzgun e krizave të mëdha.

Për fat të keq, jemi ende duke pritur një filozofi të re. Pra, ku ndodhet ky filozof? Është e qartë se na duhet një mënyrë e re e të menduarit, një qasje e re për politikën ekonomike e shumë ide të reja.

Idetë e reja nuk zbulohen lehtë, nuk shfaqen vetvetiu; ato fshihen në shtresat e të dhënave ekonomike dhe financiare, në historinë e zhvillimeve ekonomike dhe të mendimit ekonomik, në filozofinë e ndërveprimit social në nivel makro dhe mikro. Për shembull, nuk është e çuditshme që ekonomistët dhe politikanët kanë filluar të vënë në pikëpyetje disa besime që konsiderohen si të vërteta ekonomike universale.

Vihet në diskutim vërtetësia e rritjes si matës i lumturisë dhe i begatisë. Globalizimi kundërshtohet për eksternalitetet e tij në tregun e punës dhe pabarazinë. Vetë pabarazia po shqyrtohet si një keqbërës potencial i ngadalësimit ekonomik, e kështu me radhë. Kërkimi ekonomik duhet të zgjerojë gamën e vet dhe t’i përfshijë të gjitha këto fusha në punën e tij.

Puna kërkimore duhet të projektohet si një spirale në rritje, ku njohuritë e fituara rishtazi nga filozofia, historia ekonomike, kërkimi empirik dhe zbatimi i modeleve matematikore dhe statistikore, të kthehen në pikën fillestare për të përballur të gjitha problemet e reja dhe të vjetra, për të testuar përgjithësinë e tyre, si dhe për të vlerësuar eksternalitetet potenciale.

Siç e përmenda në fillim, jemi në një vit jubilar,  në 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Ndaj, konferenca jonë vjetore e këtij viti u përqendrua në ecurinë e politikës monetare gjatë 100 viteve të fundit. Vëmendje e veçantë iu kushtua ndikimit të zhvillimeve politike dhe ekonomike vendase dhe të huaja në natyrën e Bankës Qendrore dhe në politikën e saj monetare.

Ndërthurja e zhvillimeve historike dhe ekonomike, larmia e regjimeve monetare, luhatshmëritë e papritura në regjimin ekonomik, politik dhe filozofik, dhe në ekonomiksin modern ishin mjaft vitalizuese, interesante dhe nxitëse të mendimit. Sigurisht që kjo meriton më shumë vëmendje.

Qasja jonë tradicionale ndaj kërkimit ka kontribuar ndjeshëm në mënyrën se si i kuptojmë çështjen e stabilitetit monetar dhe financiar, modelet me shumë parametra, parashikimet dhe analizat e goditjeve. Ajo ka pasuruar strukturën e modeleve dhe të metodologjive të disponueshme për hartimin dhe zbatimin e politikës monetare, si dhe ka rritur besimin tonë. Megjithatë, është koha të thellojmë njohuritë mbi bazat e sjelljes ekonomike, si një fenomen social dhe individual. Ky kuptim kërkon, ndër të tjera, një punë kërkimore kompetente mbi historinë ekonomike, sjelljen dhe mirëqenien ekonomike. E ritheksoj, s’ka pse ta bëni këtë gjë të vetëm dhe të izoluar.

Bashkëpunimi shkencor ndërkombëtar rrit mundësinë për të shfrytëzuar infrastrukturën dhe burimet kërkimore.

Ngritja e grupeve të punës me profesionistë të aftë, përfitimi nga njohuritë e krijuara përtej kufijve është diçka eficiente dhe moderne. Ne shpresojmë të kontribuojmë në këtë drejtim, nëpërmjet këtij seminari, si dhe nëpërmjet konferencave dhe aktiviteteve të tjera që organizojmë gjatë vitit.

Ju uroj suksese për seminarin dhe punën tuaj të përditshme, dhe shpresoj se njohja e punës së njëri-tjetrit të hedh themelet për bashkëpunim të mëtejshëm në të ardhmen.

Faleminderit!