BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Z. Ardian Fullani, mbajtur në Takimin Vjetor 2005 dhe Forumin e Biznesit të BERZH-it, Beograd, me 22 maj 2005

Data e publikimit: 25.05.2005

 

Zonja dhe zotërinj,

Është një kënaqësi e veçantë pjesëmarrja ime në këtë eveniment prestigjioz të Takimit Vjetor 2005 dhe Forumit të Biznesit të BERZH-it. Për këtë, do të doja të falënderoja organizatorët e këtij takimi që na krijuan këtë mundësi për të paraqitur arritjet si dhe ambiciet tona për të ardhmen.

Më lejoni që së pari të prek një çështje të rëndësishme, që në kontekstin e këtij takimi vlerësoj se merr një rëndësi të veçantë. E kam fjalën për bashkëpunimin rajonal, një inciativë që ka gjetur mbështetjen e plotë të Bankës Qendrore Evropiane. Ne kemi hedhur hapat e parë në këtë drejtim nëpërmjet lidhjes së marrëveshjeve në fushën e mbikëqyrjes bankare me Bankën Kombëtare të Maqedonisë, Bankën Qendrore të Malit të Zi dhe Autoritetin e Bankave dhe Pagesave të Kosovës. Ndërkohë, jemi në proces negocimi me Bankën Kombëtare të Bosnjës dhe Hercegovinës, atë të Serbisë etj. Vlerësoj se bashkëpunimi rajonal është një pararendës i rëndësishëm i procesit të integrimit të rajonit me pjesën tjetër të Europës, prandaj nuk do të resht së punuari për të nxitur krijimin e standardeve të larta në bashkëpunimin rajonal midis sistemeve financiare të vendeve të Ballkanit.

Besoj se edhe ju ndani të njëjtin qëndrim me mua, se vetëm kështu, rajoni ynë do të jetë më i besueshëm dhe më efiçent në realizimin e ëndrrës së tij europiane. Nga ana tjetër, një rajon i zhvilluar dhe i integruar financiarisht do të jetë më atraktiv për investitorët e huaj strategjikë, duke iu hapur rrugën projekteve rajonale të zhvillimit, veçanërisht atyre infrastrukturore ku bankat e rajonit mund të jenë edhe financuese ose bashkëfinancuese.

Në vazhdim të fjalës sime do të dëshiroja të përshkruaja shkurtimisht disa çështje që kanë të bëjnë me arritjet e kohëve të fundit të sistemit bankar në Shqipëri. Pas shumë vitesh tranzicioni të vështirë, në këtë pranverë të 2005 sistemi ynë bankar është duke u zhvilluar mbi baza të shëndosha.

Të nderuar pjesëmarrës,

Do të doja t'ju siguroja se këto kohët e fundit ka patur mjaft zhvillime cilësore të sistemit bankar në Shqipëri. Përfitoj nga ky eveniment që të shpreh se vlerësime pozitive rreth sistemit bankar janë dhënë edhe në raportin e përgatitur nga Banka Botërore dhe FMN, në përfundim të vlerësimit që ata bënë për sektorin financiar në Shqipëri (FSAP). Sigurisht që ky është një lajm i mirë.

Konkluzionet e FSAP, të kësaj pasaporte të rëndësishme ndërkombëtare, janë një tregues i konkluzioneve tona se sistemi financiar në Shqipëri është i karakterizuar nga një sistem bankar i mbikëqyrur dhe efektiv. Pavarësisht sa thashë më sipër, sinqerisht duke e ndjerë veten pjesë të sistemit bankar do të vlerësoja se ai ka nevojë të motivohet akoma më mirë, në mënyrë që të arrijmë më shpejt standarde më të larta bashkëkohore në të gjitha aspektet e akvitetit bankar.

Sistemi bankar ka njohur zhvillime të spikatura kohët e fundit. Pas licencimit të Bankës Popullore, me kapital shqiptar, numri i bankave u rrit nga 15 në 16, si dhe është dhënë një licencë paraprake për Union Bank me kapital tërësisht shqiptar, çka mendohet ta rrisë në 17 numrin e bankave gjatë vitit 2005. Aktivet e sistemit u rritën më tej me 14 për qind, ndërkohë që pati shtim të produkteve bankare dhe zgjerim të rrjetit të tyre pas privatizimit të suksesshëm të Bankës së Kursimeve nga Reiffeisen Bank, Austri. Gjatë këtij viti do të shiten aksionet shtetërore në Bankën Italo-Shqiptare dhe në Bankën e Bashkuar të Shqipërisë, gjë do të bëjë të mundur rritjen e efektivitetit dhe të konkurencës bankare, duke hapur rrugën e proceseve të shitblerjereve, të bashkimeve apo të shkrirjeve drejt një konsolidimi të ri të sistemit bankar.

Aktiviteti kreditues u rrit me 38 për qind, ku ndër të tjera spikat dhe rritja e ndjeshme e peshës së kredive afatmesme dhe afatgjata kundrejt kredive afatshkurtra.

Harta e mbulimit të vendit me biznes bankar u zgjerua më tej, duke përfshirë rajone të reja të pambuluara më parë. Në fund të vitit 2004, numri total i degëve arriti në 88, ose 11 degë më shumë se fundi i vitit paraardhës, ndërkohë që numri i agjencive për herë të parë regjistroi një numër të plotë treshifror, 100 dhe numri i të punësuarve u rrit me rreth 26 për qind.

Rritja e madhe e numrit të degëve krahasimisht me atë të agjensive, tregon se tashmë bankat nuk janë të interesuara vetëm për ofrimin e shërbimit të mbledhjes së depozitave, por edhe për ofrimin e produkteve të tjera si kreditimi i ekonomisë. Këto zhvillime përveç kontributit pozitiv në rritjen e ndërmjetësimit financiar, tregojnë për një perceptim më të mirë nga ana e bankave të potencialit investues në Shqipëri.

Një zhvillim i spikatur i takon shërbimit të klientelës, i cili nëpërmjet terminaleve elektronike natyrshëm është shoqëruar edhe me rritjen e numrit të kartave elektronike në qarkullim. Tashmë bankat ofrojnë karta debiti dhe krediti në bashkëpunim me kompanitë ndërkombëtare Visa dhe MasterCard. Gjashtë banka ofrojnë shërbimin e ATM dhe numri i këtyre të fundit, në fund të muajit shkurt 2005, arriti në 108.

Sistemi bankar shfaqet me një nivel fitimi që ka ardhur në rritje në masën 5.1 miliardë lekë. Kthimi mbi kapitalin (ROE) rezultoi në nivelin 21 për qind, ndërkohë që cilësia e kreditit është vetëm në nivelin 4.2 për qind nga 4.6 për qind një vit më parë.

Këto zhvillime pozitive të sistemit bankar janë shoqëruar nga një mjedis të shëndoshë makroekonomik. Për disa vite rritja ekonomike ka qenë në nivelin 6 për qind, ndërsa inflacioni është mbajtur nën kontroll brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë në intervalin 2-4 për qind. Konsolidimi fiskal ka qenë në rrugë të mbarë, ndërsa deficiti tregtar aktual është financuar kryesisht nga remitancat dhe hyrjet e investimeve të huaja direkte. Banka e Shqipërisë ka luajtur një rol kryesor për të siguruar këtë mjedis makroekonomik. Që nga fillimi i vitit 2003, ne kemi ulur disa herë normën bazë të interesit duke e sjellë atë në minimumin e saj historik, në nivelin 5 për qind. Në marrjen e çdo vendimi të politikës monetare, ne kemi patur parasysh gjallërimin e mëtejshëm të aktivitetit ekonomik, duke u kujdesur gjithmonë për zhvillimet inflacioniste dhe stabilitetin financiar.

Siç do të doja ta përmendja shpesh, në kancelaritë e FMN-së Shqipëria konsiderohet si një histori e suksesshme. Bordi i drejtorëve ka deklaruar kohët e fundit se Shqipëria është e maturuar sa duhet për të nënshkruar një marrëveshje trevjeçare nga fundi i këtij viti. Marrëveshja e re do të jetë më fleksibël duke i krijuar Shqipërisë mundësinë për një akses më të mirë në tregun financiar ndërkombëtar.

Sigurisht, ajo që përmenda më lart është thjesht një përmbledhje e shkurtër e situatës së tanishme të sistemit bankar dhe të zhvillimit ekonomik në tërësi. Nuk ka dyshim që atraktiviteti i Shqipërisë është shtuar më tej, dhe kjo pjesërisht pasqyron edhe rritjen e besimit në sistemin bankar në Shqipëri.

Duke përfituar nga rasti i mbajtjes së këtij forumi prestigjioz, do të doja të bashkoja zërin tim me zërin e përfaqësuesve shqiptarë të pranishëm në këtë panel, duke shprehur që vendi im është më i hapur, më i konsoliduar, i gatshëm për të absorbuar projekte edhe më ambicioze dhe, sigurisht, projekte globale.

Ju uroj punime të mbara dhe të frytshme të këtij takimi.

Faleminderit.