BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Z. Ardian Fullani, në seminarin për Problemet e Politikës Monetare dhe Parashikimi i Inflacionit, Hotel Tirana 26 janar 2005

Data e publikimit: 26.01.2005

 

Të nderuar kolegë,

Është një kënaqësi e veçantë të shkëmbej me ju në këtë takim pune disa mendime mbi politikën monetare dhe procesin e parashikimt të inflacionit të bankave qendrore, dhe në veçanti të Bankës së Shqipërisë.

Mbajtja e inflacionit të ulët është padyshim objektivi kryesor i bankave qendrore në vendet e zhvilluara. Ato përpiqen të ruajnë stabilitetin e çmimeve nëpërmjet zbatimit të politikës monetare bazuar në regjime të ndryshme. Pavarësisht nga regjimi i zgjedhur, drejtimi i politikës monetare është një proces që duhet të shikojë përpara në kohë për shkak se, vendimet e politikës monetare ndikojnë mbi nivelin e çmimeve në ekonomi me vonesë. Për këtë arsye, parashikimi i inflacionit është kthyer në një detyrë parësore për bankat qendrore në drejtimin e politikës monetare.

Ndërkohë që në dekadën e fundit modelet teorike dhe ekonometrike kanë bërë progres të konsiderueshëm, parashikimi i inflacionit mbetet një detyre e vështirë që kërkon përpjekje të vazhdueshme. Jetojmë në një botë që ndryshon shpejt, zhvillime të cilat prekin pa dyshim edhe ekonominë tonë. Kjo e vështirëson edhe më tepër detyrën e parashikimit të inflacionit. Në anën tjetër, pasiguritë dhe ndryshimet sturkturore të ekonomive në zhvillim si Shqipëria e ndërlikojnë akoma më shumë këtë detyrë.

Metodat tona të parashikimit në Bankën e Shqipërisë aktualisht bazohen në modele relativisht jo shumë komplekse. Megjithëse nuk marrin parasysh të gjitha lidhjet e ekonomisë, kjo sidomos prej kufizimeve serioze dhe besueshmërisë së të dhënave, performanca e tyre ka qene relativisht e kënaqshme. Kjo është reflektuar pjesërisht edhe në rezultatet e mira të politikës monetare të arritura vitet e fundit.

Ndërkohë, për të mos ja lënë gjërat rastit, ka nisur një punë intensive për ndërtimin e modeleve më të pasura strukturore për parashikimin e inflacionit që do të mund t'i përshtaten më mirë zhvillimeve aktuale dhe të prithshme të ekonomisë. Për këtë qëllim, Banka e Shqipërisë po asistohet dhe nga ekspertët e FMN-së, të cilëve ju uroj mirseardhjen - Prof. David Mayes dhe Zj. Marga Peeters - së bashku me kolegët tanë nga Turqia, Mali i Zi dhe Kosova.

Siç e përmenda më sipër, Shqipëria ka patur rezultate të kënaqshme në lidhje me stabilitetin e çmimeve. Shqipëria është karakterizuar në përgjithësi nga norma të ulëta inflacioni në krahasim me vende të tjera në tranzicion, dhe jo shumë larg nivelit të inflacionit të vendeve të Eurozonës. Megjithatë, ka patur dhe raste të izoluara kur inflacioni ka devijuar nga objektivi ynë i dëshiruar, për shkak të goditjeve të papritura dhe faktorëve të tjerë që përgjithësisht kanë qenë jashtë kontrollit të bankës qendrore.

Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të synojë mbajtjen e inflacionit në nivele të ulëta. Arritja e këtij objektivi kërkon shumë përpjekje nga ana jonë për kapërcimin e pengesave që mund të hasen pa penalizuar rritjen ekonomike. Ndër problemet që kërkojnë vemendje të veçantë do të përmendja: nxehjen e ekonomisë si pasojë e progresit të reformave strukturore, ndryshueshmërinë e të ardhurave të emigrantëve dhe implikimet e tyre në luhatjet e kursit të këmbimit, zhvillimet e sistemit financiar etj.

Përsa i përket këtyre të fundit, vlen për tu theksuar se tashmë sistemi ynë bankar është transformuar i gjithi nën drejtimin privat. Kjo pritet të nxitë konkurrencën bankare, të përmirësojë cilësinë e shërbimeve dhe të thellojë kanalizimin e kredisë bankare në ekonomi. Të gjithë këta faktorë do të kontribuojnë në një sistem më të shendetshëm bankar. Ndërkohë, Banka e Shqipërisë po ndjek dhe po analizon me kujdes implikimet e këtyre zhvillimeve në reagimin e sistemit bankar ndaj vendimeve të politikës monetare. Vëmendje të veçantë këto zhvillime kërkojnë dhe në lidhje me përmirësimin e mëtejshëm të aftësive mbikëqyrëse dhe të kuadrit rregullator të Bankës së Shqipërisë.

Banka e Shqipërisë është e angazhuar të vazhdojë më tej reformat strukturore me qëllim zgjerimin e ndërmjetësimit të sektorit bankar dhe rritjen e përdorimit të shërbimeve financiare. Nga konsultimet e ngushta me bankat e nivelit të dytë, me institucionet qeveritare dhe me sektorin privat, Banka e Shqipërisë ka hartuar një strategji për rritjen e përdorimit të sistemit bankar në aktivitetin e përditshëm të biznesit në kuadrin e reduktimit të ekonomisë së cash-it.

Duke u kthyer temës kryesore të këtij seminari, dëshiroj të theksoj që parashikimi i inflacionit është kusht i rëndësishëm dhe për transparencën e politikës monetare e cila i shërben përmirësimit të efektivitetit të mekanizmit të transmisionit si dhe rritjes së përgjegjshmërisë së bankës qendrore të pavarur. Për rëndësinë e veçantë që kanë këto lloj aktivitetesh, unë do të vazhdoj të nxis organizimin e tyre dhe në të ardhmen. Tryezat të tilla të rrumbullakëta me pjesëmarrjen e ekspertëve nga bankat qendrore të vendeve fqinje dhe më gjerë, janë thelbësore për përmirësimin e aftësive tona profesionale dhe të drejtimit të politikës monetare.

Duke e mbyllur, dëshiroj t'ju falenderoj të gjithëve për pjesëmarrjen tuaj. Sinqerisht shpresoj që ky seminar do të jetë i suksesshëm, si në aspektin e bashkëpunimit rajonal ashtu edhe për një diskutim të frytshëm mbi politikat e shëndosha monetare.

Kam kënaqësinë të deklaroj këtë seminar të hapur.