BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Z. Ardian Fullani, në takimin me bizneset dhe shoqëritë e shërbimeve utilitare, Hotel Sheraton 25 shkurt 2005

Data e publikimit: 25.02.2005

 

Mirëdita të gjithëve,

Duke ju falenderuar për praninë tuaj, më lejoni që takimin e sotëm ta konsideroj një tryezë pune të rradhës, në të cilën do t'ju ftoja të qëndronim larg konferencave dhe sloganeve standarde, duke i orientuar diskutimet tona në çështje dhe zgjidhje konkrete, që lidhen me produktet në fushën e pagesave bankare. Më konkretisht, do të doja që pjesë e kësaj tryeze të jetë debati rreth përparësive, përfitimeve që çdo grup interesi i pranishëm në këtë sallë do të ketë nga përdorimi i instrumenteve moderne të pagesave. Unë mendoj se objekti i takimit të sotëm është pjesë e Vizionit tonë të ri. Modernizimi i sistemit të pagesave i cili do të japë kontribute reale në uljen e ekonomisë cash dhe asaj informale.

Prania në sallë e anëtarëve të qeverisë, e disa prej drejtuesve të bizneseve, publike apo private qofshin këto, që ofrojnë shërbime periodike me vlerë të vogël dhe në numër të madh, e drejtuesve të sistemit bankar më bën që të jem provokativ që në fillim, duke ngacmuar si biznesin ashtu dhe sistemin bankar me një pyetje të thjeshtë: edhe sa kohë do të rrinë njerëzit nëpër rradha të pakuptimta për të paguar faturat e përmuajshme?

E theksoj se tashmë po hedhim hapin e parë në botën moderne të pagesave, i cili do të finalizohet nga mesi i këtij viti, me përfundimin e projektit të kryqëzimit të pagesave në vlerë të vogël. Në ambicien tonë për të siguruar një infrastrukturë bashkëkohore të pagesave, me kënaqësi konstatojmë se edhe përpjekjet e sistemit bankar kanë qenë të shumta dhe ka përparim të dukshëm në këtë drejtim.

Megjithatë, besoj se jemi ende larg disa standardeve bazë. Mendoj se arsyet duhen kërkuar në mungesën e traditës, në trashëgiminë e varfër, në praninë e ekonomisë informale si dhe në shkaqe të tjera të natyrës objektive dhe subjektive. Duke vlerësuar zhvillimet e kohëve të fundit, gjykoj se nga ana e sistemit bankar ka vend për një mirëkuptim më të madh të tij me biznesin e përfaqësuar sot në këtë sallë. Po kështu, mendoj se pavarësisht anëve të veçanta që ka çdo bankë anëtare e sistemit, nga këndvështrimi i disa problemeve infrastrukturore mendoj se ato duhet të bashkëpunojnë më shumë me njëra - tjetrën, duke krijuar një rrjet unik, të aftë për të përballuar dhe për të përdorur me sukses hyrjet në cash nëpër sportelet e tyre.

Roli proaktiv i bankave është parësor. Bankat nuk duhet të presin që individi të trokasë në dyert e bankave por duhet të jenë ato, bankat që të bombardojnë publikun me shumë produkte dhe shërbime. Bankat duhet të përsosin më tej teknologjinë, në mënyrë që t'i ofrojnë sa më shumë produkte dhe shërbime cilësore klientelës së tyre.

Nga ana tjetër, më lejoni të tërheq vëmendjen e biznesit utilitar rreth disa produkteve të pagesave bankare, tashmë të realizuara apo të pritshme për t'u kryer në një periudhë të shkurtër :

  • Krijimi i sistemit të kryqëzimit të pagesave në vlerë të vogël ose siç quhet ndryshe, sistemi i "kleringut". Përfundimi i këtij projekti të përbashkët të Bankës së Shqipërisë dhe të sistemit bankar, do të ketë ndikim të madh në rritjen e popullaritetit të pagesave bankare. Me realizimin e investimeve në teknologji moderne dhe bashkëkohore, koha e përgjithshme e realizimit të këtyre pagesave në të gjithë territorin e vendit dhe të gjitha sportelet bankare, planifikohet të jetë jo më shumë se dy ditë, ndërsa kostot e shërbimit mendohet të pësojnë ulje. Projekti do të mundësojë ofrimin e shërbimeve me cilësi dhe siguri të njëjtë me ato të nivelit evropian, ndërsa përfituesit kryesorë do të jenë shoqëritë e shërbimeve "utilitare" në vend dhe publiku.
  • Zgjerimi i shtrirjes gjeografike të sistemit dhe shërbimeve bankare, mendoj se është një tjetër zhvillim cilësor i sistemit bankar këto kohët e fundit. Gjatë viteve të ardhshme, bankat planifikojnë zgjerime të mëtejshme dhe kjo do të bëjë që shërbimet bankare të jenë një realitet i prekshëm, edhe në qendra më të vogla pse jo dhe periferike.
  • Krahas zgjerimit gjeografik, nëpërmjet investimeve në teknologji moderne dhe bashkëkohore si ATM-të dhe terminale të pagesave në pikat e shitjes POS, bankat po tentojnë të rrisin produktet e tyre në mënyrë virtuale. Nëpërmjet kësaj teknologjie, ato po përpiqen të jenë të pranishme në çdo qendër të banuar, qendër tregtare apo pikë shitjeje.
  • Një numër i madh bankash ofrojnë ose janë duke u përgatitur që brenda një kohe të shkurtër, nëpërmjet Internet Banking, të jenë të pranishme edhe në shtëpitë apo zyrat tuaja.
  • Bankat shqiptare tashmë janë pjesë e rrjeteve të mëdha ndërkombëtare të kartave dhe ofrojnë pagesa me kartë si brenda ashtu dhe jashtë vendit, si për qytetarët shqiptarë ashtu edhe për ata të huaj - dhe ky është tashmë një realitet i prekshëm.
  • Iniciativë tjetër për t'u përmendur në këtë drejtim, është fillimi i bashkëpunimit të bankave, në krijimin e rrjeteve të përbashkëta të përdorimit të kartave plastike. Krijimi i një rrjeti shlyerjeje të përbashkët për pagesat ndërbankare kombëtare me kartë, zgjerimi i shkallës së penetrimit të kartave si dhe i pranisë së terminaleve të pagesës në pikat e shitjes - e thënë ndryshe krijimi i një "karte unike" për të gjithë sistemin, mendoj se duhet të jetë sfida tjetër madhore e sistemit bankar pas përfundimit të sistemit të kleringut.


U ndala në këto zhvillime kryesore të sistemit bankar dhe të atij financiar, veç të tjerave, për të bërë edhe më të qartë përparësitë që ato kanë në drejtim të ofrimit të shërbimeve të pagesave. Institucionet brenda këtij sistemi, të licencuara në vend për realizimin e pagesave janë të vetmet që mund të kryejnë shërbimin e pagesave në mënyrë eficiente dhe të sigurtë. Kjo përparësi mbështetet në njohjen e mirë të legjislacionit, në nivelin e zhvilluar të infrastruktrurës, në burimet e përgatitura njerëzore dhe në teknologjinë moderne. Çdo organizim tjetër, jashtë sistemit, nuk duhet të konsiderohet afatgjatë.

Megjithatë, përfitoj nga rasti të theksoj se edhe Qeveria duhet të japë kontributin e saj në këtë drejtim. Një sistem pagesash do të mbetet gjithnjë steril, nëse autoritetet nuk do të arrijnë të imponojnë përdorimin e kasave fiskale në faturimin e shitjeve. Për të qenë të hapur dhe të sinqertë, asnjë biznesmen nuk do të inkurajonte klientët e tij të vegjël të përdorin forma moderne të pagesave, në rast se ai nuk është i detyruar të përdorë regjistruesin fiskal të aktivitetit të tij. Në të kundërt, për të njëjtët biznesmenë do të ishte shumë më e leverdisshme që të ardhurat nga shitja të xhiroheshin drejtpërdrejt në llogarinë e tij bankare, thjesht për të minimizuar rrezikun e mbajtjes së sasive të mëdha në cash. Për këtë qëllim, mendoj se duhet të jemi më aktivë jo vetëm nëpërmjet efekteve propagandistike, por duke gjetur formula të zbatueshme dhe duke vënë në përdorim leva efikase për të imponuar zbatimin e legjislacionit fiskal. Kalimi i pagave të administratës publike nëpërmjet llogarive të hapura në sistemin bankar është një hap i parë i suksesshëm i cili duhet përshëndetur dhe ndiqet nga lëvizje të tjera në këtë drejtim.

Duke iu kthyer edhe një herë idesë time të fillimit, mendoj se tashmë sporteleve të mbledhjes së faturave, kioskave të marrjes së pensioneve, kryerjes së pagesave në zarf apo atyre me çantë - u ka kaluar koha. Këto praktika duhet të vlerësohen si shprehje të një mendësie që duhet kapërcyer dhe i cili rrezikon të na mbajë larg standardeve evropiane. Në një kohë të shkurtër, jam i mendimit se, ne mund të bëjmë plotësisht realitet shkëputjen e publikut prej "rradhëve për të paguar".

Në përfundim, për t'i lënë vendin diskutimeve tuaja, do të dëshiroja që në mënyrë shumë telegrafike të paraqes, gjithashtu, edhe disa nga përfitimet që do të kenë ekonomia në përgjithësi, bizneset e pranishme në sallë si dhe përfituesit apo klientët e tyre.

Përfitimet që do të ketë ekonomia shqiptare

  • reduktimi i cash dhe i ekonomisë informale;
  • rritja e depozitave si dhe rritja e vëllimit të kredisë në ekonomi;
  • forcimi dhe konsolidimi i mëtejshëm i sistemit bankar vendas;
  • arritja e standardeve dhe e praktikave ndërkombëtare duke përmirësuar imazhin e Shqipërisë dhe të ekonomisë vendase.

Përfitimet që do të ketë biznesi

  • rritja e planifikimit të procesit të mbledhjes së pagesave;
  • ulja e kostos dhe përmirësimi i kontrollit të procesit të mbledhjes së faturave;
  • përmirësimi i shërbimit ndaj klienteles;
  • zgjerimi dhe forcimi i marrëdhënieve të tij me bankën.

Përfitimet që do të ketë publiku

  • rritja e mudësive të pagesave, evitimi i radhëve dhe i kamatëvonesave;
  • ulja e nevojës për cash si mjet pagese dhe rritja e sigurisë personale;
  • administrimi më i mirë i ekonomisë familjare.

Megjithatë, shpresoj se sot do të arrihet mirëkuptimi i duhur dhe qëllimi ynë që në ditët e ardhshme të jemi dëshmitarë të një akti juridik bashkëpunimi ndërmjet sistemit bankar dhe enteve publike apo biznesve private, të pranishëm në këtë sallë.

Kjo nuk është një fushatë kundër obskurantizmit por është një përpjekje për të imponuar një kulturë, një edukatë dhe një traditë të re. Kartat elektronike do të jenë çelsi për të hyrë në botën moderne të pagesave, që është bota e shërbimeve.

Unë sinqerisht e dëshiroj dhe jam konfident se kjo do të ndodhë.

Faleminderit.