BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë në Samitin Rajonal të Guvernatorëve dhe Bankierëve, Mali i Zi, 20 qershor 2009

Data e publikimit: 24.06.2009

 

Të nderuar Guvernatorë,

Të nderuar pjesëmarrës,

Më lejoni të filloj duke falenderuar organizatorët e këtij takimi, që synon promovimin e një diskutimi të përbashkët lidhur me statusin e sektorëve tanë financiarë dhe me masat e nevojshme për t’u ndërmarrë, me qëllim mbështetjen dhe ruajtjen e rezistencës së tyre ndaj efekteve negative të kësaj krize globale të papërjetuar më parë. Në fakt, ajo çfarë nisi si një krizë financiare në SHBA është shndërruar në një krizë ekonomike, me pasoja të thella mbi sektorët realë të ekonomisë botërore. Do ta nis diskutimin tim duke përshkruar së pari, zhvillimet kryesore makroekonomike në Shqipëri dhe karakteristikat e sistemit tonë financiar, i cili gëzon tipare të njëjta me ato të vendeve të tjera në rajon. Më pas, do të vijoj me disa masa të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë, me qëllim zbutjen e ndikimit të krizës financiare ndërkombëtare mbi sektorin tonë bankar dhe mbi ekonominë shqiptare. Në fund, do ta mbyll duke përmendur disa opinione lidhur me politikat e ardhshme, të cilat i konsideroj të rëndësishme për konsolidimin e mjedisit ekonomik dhe të stabilitetit financiar në Shqipëri dhe në rajon.

Ekonomia shqiptare është rritur me ritme të qëndrueshme gjatë dekadës së fundit.

Ekonomia shqiptare ka shënuar ritme të qëndrueshme rritjeje gjatë dekadës së fundit, duke regjistruar një normë mesatare rritjeje prej rreth 6 për qind, në terma vjetorë. Ajo ka përfituar mjaft nga reformat ekonomike, të cilat kanë ofruar mundësi zhvillimi për sektorin privat shqiptar, kanë mbështetur zhvillimin e tregjeve, kanë nxitur konkurrencën si dhe kanë krijuar fleksibilitet në tregun e punës, duke rritur kështu të ardhurat e individëve. Të mbështetura nga një program asistence i FMN-së, si politika fiskale ashtu dhe ajo monetare kanë qenë të kujdesshme në dhënien e stimujve të nevojshëm për rritjen ekonomike, duke qenë konsistente dhe të disiplinuara në arritjen e objektivave të tyre të konsolidimit fiskal dhe të krijimit të një mjedisi me inflacion të ulët. Kjo ecuri pozitive dhe e qëndrueshme ekonomike është mbështetur nga një kurs këmbimi fleksibël, i cili ka kontribuar në mbështetjen dhe ruajtjen e një rritjeje të ekuilibruar, duke ruajtur në të njëjtën kohë, stimujt e duhur për ndërveprim ndërmjet palëve vendase dhe të huaja.

Ashtu si dhe në vendet e tjera të rajonit, sektori bankar mbizotëron sistemin financiar në Shqipëri.

Aktivet e sektorit bankar llogariten në rreth 95 për qind të totalit të aktiveve të sektorit financiar në Shqipëri ose rreth 80 për qind të PBB-së. Sektori bankar numëron 16 banka me rreth 500 degë, të gjitha private dhe ku mbizotëron kapitali i huaj. Me kalimin e kohës, ky sektor ka rritur numrin e degëve, ka përmirësuar produktet e tij për publikun dhe ka rritur rolin e tij ndërmjetësues. Njëkohësisht, hyrja në Shqipëri e grupeve të mirënjohura bankare evropiane nga Greqia, Austria, Italia dhe Franca është shoqëruar me konsolidimin e industrisë bankare. Treguesit e performancës financiare kanë qenë mjaft të kënaqshëm. Veçanërisht në tre vitet e fundit, sektori bankar ka prezantuar një infrastrukturë moderne për kryerjen e pagesave si dhe produkte, të cilat mundësojnë rritjen e përdorimit të mjeteve elektronike të pagesave dhe të internet banking. Sektori bankar ka qenë një kontribues i rëndësishëm në rritjen ekonomike, duke ruajtur në të njëjtën kohë zhvillimin e qëndrueshëm të biznesit dhe treguesit e shëndetit financiar.

Pavarësisht ecurisë së qëndrueshme gjatë viteve të fundit, Banka e Shqipërisë, në rolin e saj si autoritet monetar dhe si mbikëqyrësi ekskluziv i sektorit bankar, ka qenë vigjilente në identifikimin e fushave të veprimtarisë bankare, që kërkojnë më tepër vëmendje nga kjo industri.

Ne vazhdimisht, kemi shprehur shqetësimin tonë lidhur me rritjen e shpejtë të kredidhënies, rritja vjetore e së cilës ka arritur deri në 8-9 pikë përqindjeje të PBB-së. Ne ishim të vetëdijshëm për rrezikun që një zgjerim i tillë mund t’i sillte cilësisë së kredisë, ndonëse rritja e kësaj të fundit nuk pritej të kishte ndikim mbi cilësinë. Përbërja e portofolit të kredisë, i cili dominohet nga kreditë në monedhën euro, ka përbërë gjithmonë një aspekt shqetësues. Pavarësisht nga fakti se ky pozicion mbështetet nga një prezencë e fuqishme në bilancet e bankave të detyrimeve në monedhë të huaj, nga një mjedis përgjithësisht mbështetës i kursit të këmbimit dhe i normave të interesit dhe nga lidhje mjaft të ngushta ekonomike me vendet e Eurozonës - si për shembull, Italia dhe Greqia -, Banka e Shqipërisë ka qenë konsistente në qëndrimin e saj për paraqitjen graduale të disa masave rregullative, të cilat do të zbusnin rritjen e shpejtë të kredidhënies, do t’i nxisnin bankat të kreditonin më tepër në monedhën vendase, si dhe do të rrisnin transparencën ndaj klientit lidhur me produktet dhe shërbimet bankare.

Ndikimi i krizës mbi ekonominë dhe sektorin financiar shqiptar është rritur dhe…

Ndikimi i krizës financiare ndërkombëtare filloi të ndihet mbi sektorin financiar në Shqipëri në tremujorin e fundit të vitit 2008. Zhvillimi kryesor lidhej me rritjen e ndjeshmërisë së publikut ndaj kursimeve të tyre, të vendosura në sektorin bankar. Njerëzit filluan t’i tërhiqnin depozitat, pavarësisht nga monedha e këtyre kursimeve. Në fillim, nuk ushtrohej asnjë presion mbi kursin e këmbimit, por ai erdhi në rritje në momentin kur u vu re një kontraktim i fluksit hyrës në valutë, për shkak të rënies së eksporteve dhe të remitancave. Cilësia e portofolit të kredisë filloi të përkeqësohet dhe në fund të muajit prill 2009, kreditë me probleme arritën në 8 për qind të totalit të tepricës së kredisë. Ne presim, që kjo shifër të rritet edhe më tej, duke qenë se të dhëna nga ekonomia dhe nga vrojtimet lidhur me pritshmëritë e bizneseve, si dhe një ngadalësim i theksuar i kredidhënies, të çojnë në përfundimin se rritja ekonomike në vitin 2009 do të jetë shumë më e ulët, sesa në vitin paraardhës. Për shkak të rënies së marzhit të të ardhurave nga interesi dhe rritjes së provigjoneve, disa banka kanë filluar të akumulojnë rezultate financiare negative.

Në një këndvështrim më pozitiv, pothuajse të gjitha bankat kanë mbështetur kredidhënien në monedhën vendase. Në të njëjtën kohë, sektori bankar mbetet i mirëkapitalizuar dhe likuid. Në muajin mars 2009, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit ishte 17.1 për qind, krahasuar me nivelin minimal të kërkuar prej 12 për qind. Raporti i aktiveve likuide ndaj totalit të aktiveve përllogaritet në rreth 42 për qind.

Mjaftueshmëria e kapitalit të sektorit bankar është e mjaftueshme për të mbuluar aktivitetin bankar në rast të një skenari tejet negativ, i cili kombinon mungesën e një rritjeje ekonomike, një zhvlerësim më të lartë të kursit të këmbimit dhe një përqindje më të lartë të kredive me probleme. Do të doja të përmendja gjithashtu, se aksionerët e bankave u janë përgjigjur thirrjeve tona për injektim kapitali në mënyrë të shpejtë dhe të mjaftueshme. Ne gjithashtu, jemi në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësuesit e bankave, me qëllim identifikimin e nevojave të tjera në këtë drejtim.

…janë ndërmarrë masa, me qëllim përballimin e këtij mjedisi në ndryshim.

Duke filluar nga tremujori i fundit i vitit 2008, Banka e Shqipërisë ka intensifikuar punën e saj në drejtime të ndryshme, me qëllim monitorimin e kujdesshëm të zhvillimeve dhe parandalimin e situatave negative, në rast se një gjë e tillë është e mundur. Për këtë arsye ne:

- kemi forcuar kontaktet dypalëshe dhe shumëpalëshe me përfaqësuesit e bankave, duke iu kërkuar atyre më tepër vigjilencë për shkak të situatës aktuale në tregun botëror;

- kemi rritur kontaktet me institucionet e tjera vendore, të cilat rregullojnë dhe monitorojnë tregjet financiare, në veçanti me Autoritetin Mbikëqyrës Financiar, i cili mbikëqyr sektorin e sigurimeve;

- kemi rritur numrin e publikimeve, duke përfshirë Raportin e Stabilitetit Financiar për vitin 2007 (shtator 2008) dhe Deklaratën mbi Stabilitetin Financiar (tetor 2008, prill 2009), të cilat përpiqen që të analizojnë elementet e krizës dhe efektet e saj të mundshme mbi sektorin bankar dhe ekonominë shqiptare;

- kemi rritur prezencën tonë në media, duke dhënë shpjegime mbi krizën, duke qartësuar pozicionin e sektorit tonë bankar kundrejt efekteve të mundshme të krizës, si dhe duke ruajtur besimin e publikut në sektorin bankar;

- kemi ndryshuar dhe përmirësuar kuadrin e raportimit të bankave, në drejtim të kohës dhe cilësisë së të dhënave, në veçanti lidhur me ekspozimin e tyre ndaj tregjeve financiare (dhe bankave mëmë), detyrimet e tyre (depozitat dhe ekspozimin ndaj linjave të kredisë) ndaj bankave mëmë, si dhe lidhur me zhvillimet në portofolin e tyre të kredisë. Këto të dhëna po monitorohen nga afër;

- kemi intensifikuar mbikëqyrjen në vend të bankave, me qëllim monitorimin nga afër të procesit të administrimit të rrezikut dhe të mënyrës se si bankat reagojnë ndaj zhvillimeve të reja;

- kemi përmirësuar analizat tona stress-test, në drejtim të paraqitjes së supozimeve më konservatore dhe teknike, të cilat mundësojnë kombinimin e skenarëve negativë të mundshëm;

- kemi filluar të përdorim transaksionet e repove të anasjellta me maturim njëjavor me çmim fiks (shumë të papërcaktuar) dhe transaksionet e repove të anasjellta me maturim më të gjatë, si dhe kemi zgjeruar listën e instrumenteve që mund të përdoren si kolateral në këto transaksione, për t’iu përshtatur sa më mirë nevojave të bankave për likuiditet;

- kemi dyfishuar hapësirën e përdorimit të rezervës së detyruar, me qëllim që bankat të përdorin më shumë nga rezerva e tyre në bankën qendrore, në rast se kanë nevojë për të brenda periudhës të mbajtjes;

- kemi përgatitur dhe dërguar për miratim në Parlament ndryshime për legjislacionin mbi sigurimin e depozitave. Miratimi i këtyre ndryshimeve iu ka mundësuar depozitorëve tanë një rritje të konsiderueshme dhe të përhershme të shumës maksimale të depozitave të tyre, e cila sigurohet plotësisht;

- kemi ulur normën e interesit në janar të vitit 2009 me 50 pikë bazë, duke e çuar atë në 5.75 për qind, me qëllim uljen e presioneve inflacioniste. Që atëherë, diskutimet janë përqendruar rreth zhvillimeve të kursit të këmbimit dhe ndikimit potencial në presionet inflacioniste dhe stabilitetin financiar.

Ndërkohë, në drejtim të përmirësimit të diskutimeve të brendshme dhe vendimmarrjes, ne jemi duke rishikuar planet tona të mbështetjes, për të vlerësuar mundësinë për veprime të reja, në rast se përballemi me skenarë të përkeqësuar.

Tashmë është koha të prezantojmë politika që do të përmirësojnë mjedisin ekonomik dhe stabilitetin financiar në rajonin tonë …

Në nivel global, tashmë është bërë e qartë se kriza e kohëve të fundit ishte pasojë e stimujve të gabuar që mbështetën zhvillimin e çekuilibruar të aktivitetit financiar dhe perceptimin e gabuar të vlerësimit, kuotimit dhe administrimit të rrezikut. Institucionet mbikëqyrëse, ndonjëherë të zëna në grackë në situata strukturash të ndërlikuara, në pamjaftueshmëri burimesh e pamundësi për të ndjekur dhe kuptuar novatorët financiarë të tregut dhe vendndodhjen e rrezikut, nuk ishin në gjendje ta rregullonin situatën në kohën e duhur. Nevoja për të rikthyer dhe ruajtur stabilitetin financiar gjatë kësaj krize të paprecedentë, kërkon marrjen e masave të jashtëzakonshme, të koordinuara dhe të menjëhershme nga autoritetet publike, në fushën monetare dhe atë fiskale. Bankat qendrore kanë hequr çdo kufizim dhe kanë ndërmarrë masa jokonvencionale për të pajisur tregjet financiare me likuiditet. Qeveritë kanë treguar një angazhim shumë të madh për të ulur rrezikun sistemik, duke mbrojtur institucionet e rëndësishme financiare, duke dhënë garanci për kredidhënien ndërbankare dhe duke rritur nivelin e garancive të depozitave për publikun etj...

Kriza po iu jep autoriteteve publike dhe tregjeve kudo në botë mundësinë më të mirë për të identifikuar mangësitë dhe për t’i korrigjuar ato, me qëllim shmangien e një krize të tillë në të ardhmen. Kjo detyrë kërkon masa të fuqishme dhe vizionare, të cilat në periudhë afatmesme do të mundësojnë forcimin e arkitekturës mbikëqyrëse në nivele të ndryshme, por do të krijojnë gjithashtu kushtet fiskale dhe financiare për të shmangur çrregullimet në aktivitetin financiar, jo vetëm në industrinë financiare por edhe në bilancin e individëve dhe të bizneseve. Këto masa do të kërkojnë një bashkërendim dhe përgjegjësi të lartë të autoriteteve publike në nivel kombëtar, si dhe angazhimin për të ndërmarrë hapa të nevojshëm, për reformimin dhe përmirësimin e superstrukturës mbikëqyrëse në nivel rajonal, evropian dhe global. Në nivel evropian, masa të tilla do të mbështeten nga gjetjet dhe rekomandimet e “De Larosiere Report”, por sigurisht zbatimi i tyre nuk do të jetë i lehtë. Meqenëse pritet të jetë një model më i centralizuar për banka sistemike në nivel global dhe deri - diku një model më i decentralizuar për institucione financiare më të vogla, shpresojmë që autoritetet mbikëqyrëse në vendet e vogla të kenë një pozicion më të përcaktuar, që do t’iu lejonte përgjegjësi më të qarta dhe një zë më të fuqishëm në komunikim me mbikëqyrësit e vendeve-mëmë.

Pak a shumë, të gjitha vendet e rajonit tonë i kanë rezistuar ndikimit fillestar të drejtpërdrejtë të krizës ndërkombëtare, duke gëzuar një mbrojtje natyrale nga tregjet financiare më pak të zhvilluara dhe të integruara dhe një nivel shumë më të ulët borxhi nga individë dhe biznese, krahasuar me vendet e zhvilluara. Megjithatë, tashmë është e qartë se në kohën e integrimit të vazhdueshëm financiar dhe globalizimit ekonomik, kjo nuk mund të mjaftojë për të kompensuar rreziqet potenciale, që rrjedhin nga rritja ekonomike më pak e diversifikuar, mbështetja e tepërt mbi remitancat, kultura e pamjaftueshme në drejtim të menaxhimit të rrezikut në institucione financiare dhe agjentë të tjerë ekonomikë – në veçanti për rrezikun e kursit të këmbimit dhe të likuiditetit, si dhe hapësira shumë e kufizuar e autoriteteve publike për të prezantuar masa financiare të njëjta me ato të vendeve të zhvilluara. Kështu, masat e politikave duhet të marrin parasysh këto apo të tjera mangësi, me qëllim që të gjejnë zgjidhjen e duhur brenda një periudhe afatmesme. Këto masa duhet të pasqyrojnë preferencën për metoda parandaluese.

…dhe në Shqipëri

Banka e Shqipërisë ka shprehur shqetësimin e saj mbi ndikimin e krizës financiare ndërkombëtare, veçanërisht në lidhje me ecurinë e ekonomisë shqiptare.

Rreziqet ndaj rritjes ekonomike janë rritur dhe lidhen veçanërisht me një rënie të mëtejshme të kredisë të sektorit bankar, rritjen e deficitit tregtar (për shkak të perceptimit në rënie të pasurisë dhe rritjes së papunësisë në vendet e zhvilluara). Besojmë se, aktualisht ka më shumë nevojë për një politikë monetare të matur dhe politikë fiskale të përgjegjshme.

Lidhur me sektorin financiar, besojmë se edhe ai ka nevojë për vendosjen e rregullave të caktuar, që në të ardhmen do të mbështesin një zhvillim më të sigurt dhe më të ekuilibruar të industrisë financiare në përgjithësi dhe të sektorit bankar në veçanti. Së pari, lidhur me masat e përgjithshme, do të mbështesja çdo masë të tillë që do të kontribuonte në: krijimin e një kuadri të fortë ligjor për titujt dhe të drejtat e pronësisë në Shqipëri, të cilat nga ana e tyre do të ndihmonin në zhvillimin e tregut të mjeteve jofinanciare dhe në rritjen e transparencës për çmimet dhe së fundi, do të forconin procesin e vlerësimit të rrezikut. Së dyti, duhet të bëhen përpjekje për të zhvilluar tregun financiar jobankar dhe tregun e kapitalit në përgjithësi.

Kjo do të ndihmojë për mbështetjen e zhvillimit ekonomik të vendit dhe të agjentëve të ndryshëm në ekonomi, rritjen e mundësive për të financuar nevojat në mënyrë më konkurruese e më të diversifikuar (duke përmirësuar kështu aftësitë e tyre për administrimin e rreziqeve) dhe zbutjen e presioneve që vijnë nga sektori bankar. Së treti, autoritetet publike në vend (autoritetet mbikëqyrëse dhe qeveria) duhet të kenë plane të shëndosha për ngjarjet e paparashikuara për menaxhimin e ndonjë krize të mundshme financiare. Ngjarjet e kohëve të fundit në vendet e tjera kanë dëshmuar rëndësinë e ekzistencës të një plani veprimesh të koordinuar mirë, të diskutuar, të pranuar dhe të testuar paraprakisht. Së katërti, kur bëhet fjalë për kuadrin mbikëqyrës dhe rregullator të sektorit bankar, jam në favor të ndryshimeve të nevojshme, për ta bërë atë më pak prociklik. Në rastin e Shqipërisë – ku nivelet minimale të kapitalit të kërkuar janë tashmë të larta, unë do të isha në favor të futjes së një modeli provigjonimi dinamik, të përshtatur me strukturën e biznesit dhe me nivelin e sofistikimit teknik të sektorit bankar. Madje, në një pozicion më të përgjithshëm, do të mbështesja rishikimin e kuadrit rregullator drejt qartësisë dhe thjeshtësisë, ndonëse kjo mund të interpretohet sikur po mbështes më shumë një metodë të mbikëqyrjes të bazuar në rregulla.

Mendoj se një kuadër rregullator është vërtet i efektshëm dhe i suksesshëm, kur ndërthur thjeshtësinë dhe transparencën e metodës së bazuar në rregulla me karakteristikat elastike dhe vizionare të një metode të bazuar në parime. Në çdo rast, besoj se kjo gjë është e domosdoshme, për t’i bërë bankat të përgjegjshme, për të bindur mbikëqyrësin për karakteristikat e rrezikut dhe të kthimit të produkteve të ndryshme të reja, para se ato të kapërcejnë një kufi të caktuar në madhësi dhe ekspozim. Kjo arrihet nëse kuadri mbikëqyrës është gjithmonë i ndërtuar me fokus kryesor në vlerësimin dhe menaxhimin e rrezikut në drejtime të ndryshme të veprimtarisë bankare. Së pesti, kur bëhet fjalë për të zgjedhur ndërmjet huadhënies në monedhën vendase apo në atë të huaj, duhet të mbahen parasysh shumë gjykime lidhur me natyrën e rrjedhjes së monedhës në vend, problemet në mekanizmin e transmetimit të politikës monetare, natyrën e regjimit të kursit të këmbimit, përbërjen e monedhës së mjeteve dhe detyrimeve të sektorit bankar etj.. Në këtë drejtim, ne duhet të mbështesim një rol më të fuqishëm të monedhës vendase në kredidhënien bankare, duke e bërë kredidhënien në valutë më të kushtueshme për bankat, nëse ajo nuk mbështetet nga kursimet me pakicë në valutë. Kështu, mbështetja e tepërt e bankave në burime financiare me shumicë në valutë për të mbështetur kredidhënien e shpejtë, duhet të trajtohet dhe menaxhohet në kohën e duhur.

E gjej këtë takim shumë të dobishëm për të diskutuar rreth këtyre çështjeve dhe rreth çështjeve të tjera që ju keni përcaktuar. Besoj se qëllimi përfundimtar duhet të jetë krijimi i një bashkëpunimi real dhe të efektshëm, që do të mbështesë një metodë të koordinuar, atje ku është e mundshme.

Faleminderit për vëmendjen!