BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, gjatë prezantimit të Raportit Vjetor 2005 në Kuvendin e Shqipërisë, 25 maj 2006

Data e publikimit: 25.05.2006

 

E nderuar zonja Kryetare,

Zonja dhe Zotërinj deputetë!

Viti 2005, në përgjithësi, u karakterizua nga zhvillime pozitive, të cilat përmirësuan më tej ambientin ekonomiko-financiar të vendit, duke kontribuar në ruajtjen dhe konsolidimin e mëtejshëm të stabilitetit makroekonomik.

Duke bërë një sintezë të të gjitha zhvillimeve të verifikuara në ekonomi, vlerësohet se gjatë vitit 2005 aktiviteti ekonomik i vendit u zgjerua më tej, në kushtet e një inflacioni nën kontroll dhe të një zvogëlimi të mëtejshëm të deficitit buxhetor. Zhvillime intensive janë regjistruar dhe në financimin e ekonomisë me kredi bankare, e cila pothuajse u dyfishua në krahasim me vitin 2004.

Banka e Shqipërisë ka arritur të përmbushë me sukses misionin e saj ligjor, duke administruar me efikasitet presionet inflacioniste në ekonomi. Edhe pse në kushtet e një tregu bankar tashmë privat dhe më dinamik, ne jemi munduar të administrojmë më së miri situatën e likuiditetit në ekonomi, duke siguruar një furnizim konstant të ekonomisë me para, në përputhje me nevojat për zhvillimin ekonomik të vendit. Politika monetare e zbatuar nga Banka e Shqipërisë ka qenë vigjilente, duke ndjekur hap pas hapi zhvillimet e brendshme dhe ato ndërkombëtare.

Kujdes i veçantë i është kushtuar edhe ruajtjes së stabilitetit të sistemit bankar, në një kohë kur bankat tregtare përbëjnë segmentin më aktiv të sektorit financiar. Për ne mbetet një përparësi absolute forcimi i kapaciteteve mbikëqyrëse dhe i kuadrit rregullator, në përgjithësi. Ky angazhim konstant i Bankës së Shqipërisë, merr një rëndësi të veçantë në kushtet e shtimit të aktivitetit kreditues, që nënkupton sisteme raportimi më efikase, kontrolle më të kujdesshme, shtim të masave dhe të veprimeve korrigjuese.

Në fokusin e punës sonë ka qenë edhe zgjerimi dhe thellimi i mëtejshëm i tregut financiar në vend. Në veprimtarinë tonë të përditshme rëndësi i është kushtuar reduktimit të ekonomisë në cash duke e konsideruar atë si një faktor që lidhet drejtpërdrejt me uljen e informalitetit në ekonomi. Për këtë qëllim, kemi ndërmarrë projekte të ndryshme me grupet përkatëse të interesit, duke synuar jo vetëm sensibilizimin e tyre por edhe ndërtimin e infrastrukturave dhe krijimin e lehtësive të tjera, që ndikojnë pozitivisht në këtë drejtim.

Në vijim të fjalës time, do të ndalem më gjerësisht në disa prej zhvillimeve kryesore që karakterizuan ecurinë ekonomiko - financiare të vendit gjatë vitit 2005, duke i kushtuar një vëmendje të veçantë rolit dhe vendimeve të marra prej nesh, në përmbushje të detyrimeve ligjore, që rregullojnë aktivitetin e Bankës së Shqipërisë.