BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani mbajtur në Konferencën V Rajonale mbi Financat dhe Investimet për Evropën Juglindore, organizuar nga Euromoney, Dubrovnik, 25 - 26 tetor 2005

Data e publikimit: 27.10.2005

 

Të nderuar pjesëmarrës,

Ndihem i lumtur që më jepet mundësia të mbaj këtë fjalim mbi një temë kaq të rëndësishme, siç është ajo e mbikëqyrjes së ndërmjetësuesve financiarë. Do të doja të filloja me disa komente të përgjithshme mbi konkurrencën, infrastrukturën e tregut dhe drejtimin e përgjegjshëm, dhe rolin që ata luajnë në mbikëqyrjen efektive të këtyre institucioneve si edhe do të përmend përvojën që ne kemi në Shqipëri lidhur me këtë çështje.

Euromoney Conf 991 0

Bankat janë institucionet tipike që sillen ndër mend kur hasemi me konceptin e "ndërmjetësimit financiar". Kjo nuk vjen vetëm si pasojë e shfaqjes në publik dhe bashkëveprimit të këtyre institucioneve, por sepse ndikohet nga pesha që sistemi bankar ka në tregun financiar në tërësi, veçanërisht në vendet në zhvillim. Për këtë arsye, ndërgjegjësimi i publikut mbi funksionin që bankat luajnë në zhvillimin e ekonomisë, duke kanalizuar fondet nga kursimtarët deri tek huamarrësit e veçantë, është relativisht i lehtë për t'u vënë re dhe për t'u kuptuar. Duke kuptuar rolin e bankave, segmentet publike përkatëse e kanë më të lehtë që të rrisin njohuritë financiare mbi ndërmjetësuesit e tjerë financiarë, të cilët operojnë në treg. Këto institucione, të cilat kanë aftësinë për të ndërmjetësuar ata që sigurojnë paratë dhe ata që mund t'i përdorin më mirë ato, në ditët e sotme pothuajse përbëjnë mozaikun e plotë të një tregu të zhvilluar financiar. Këtu mund të përmenden institucionet financiare jobanka, shoqëritë e kursim-kreditit, lloje të ndryshme të fondeve etj., operacionet e ndërlikuara të të cilave ndonjëherë mbështeten në një koncept tepër tradicional të ndërmjetësimit.

Me zhvillimin e tregut financiar shumë çështje dalin si sfida për aktorët e tregut, rregullatorët e tregut dhe autoritetet në vend. Këto çështje përfshijnë aftësinë e aktorëve të tregut për të strukturuar vetveten në brendësi dhe kapacitetin që ata shfaqin në përshtatjen e biznesit të tyre drejt bashkëveprimit në rritje me tregjet dhe institucionet më të zhvilluara. Më fjalë më të thjeshta, kjo nuk është asgjë më tepër sesa gjetja e një ekuilibri për forcimin e mjedisit konkurrues. Konkurrenca është e dëshirueshme dhe e synueshme, sepse ajo i detyron aktorët e tregut që t'i kryejnë operacionet e tyre në një mënyrë të atillë, që të jenë sa më të dobishme dhe të frytshme, me ndikime përgjithësisht shumë pozitive në cilësinë dhe kostot e shërbimeve dhe produkteve të cilat i ofrohen publikut. Por, duhet të jemi të vetëdijshëm për disa rreziqe të caktuara të cilat shoqërojnë konkurrencën, shkalla dhe mundësia e materializimit të së cilës lidhet me gjendjen aktuale të tregut. Ndikimet pozitive të konkurrencës bëhen tërësisht reale në periudhat afatmesme dhe afatgjata. Kjo ndodh pikërisht në kohën kur tregu ka identifikuar institucionet e tij të qëndrueshme, të cilat kanë mundur të përshtaten me kushtet e një tregu të ri dhe kur shkalla e zgjerimit të produkteve dhe shërbimeve të reja konkurruese ofruar publikut, rritet. Në disa raste, në periudha afatshkurtra, ndikimet e një konkurrence të menjëhershme dhe të ashpër mund të kenë ndikime tërësisht të ndryshme. Institucionet financiare mund të mbyllin një pjesë apo të gjithë biznesin e tyre, komunitetet e mëdha publike mund të privohen nga shërbimet financiare në ato zona të cilat konsiderohen si të "largëta" në aspektin e zhvillimit ekonomik, çmimet e produkteve mund të rriten në vend që të ulen, duke qenë se institucionet financiare do të përdorin përparësinë e infomacioneve asimetrike në gjendjen e tregut të ndryshueshëm. Për këtë arsye, është e rëndësishme që konkurrenca t'i gjejë tregun dhe autoritetet mjaft të përgatitura dhe që procesi në tërësi, të jetë aq i shpejtë sa të mbajë "trenin e konkurrencës" në binarin e duhur, i njohur dhe i vlerësuar nga autoritetet dhe rregullatorët.

Procesi i përshtatjes i aktorëve të tregut ndaj mjedisit të ndryshueshëm do të ndikohet nga përbërja aktuale e tregut. Nën kushtet e një përbërjeje asimetrike, procesi i përshtatjes mund të bëhet edhe më i vështirë. Ndryshimet në pjesën e tregut, në shkallën e zgjerimit të produkteve dhe shërbimeve ofruar publikut dhe në ecurinë financiare të institucioneve, më shumë mund të keqësohet sesa të shuhet gradualisht. Në këtë rast, ne do të jemi në një rreth vicioz vetëpërmbushës, i cili do të rrisë mangësitë në treg. Varësia e zhvillimeve në treguesit financiarë dhe në kapacitetin e ndërmjetësimit të tregut financiar, do të jetë në një institucion të vetëm ose më shumë sesa një. Nga ana tjetër, do të ishte shumë e favorshme që institucioni (institucionet) mbizotërues të ishte mjaft aktiv në ngulmimin e një sjelljeje konkurruese në treg, por edhe e kundërta mund të ishte e vërtetë, gjithashtu. Institucionet e mëdha mund të përfitojnë nga madhësia e tyre për të mbajtur një qëndrim pasiv ndaj nevojave të tregut për zhvillim ose në rastin më të keq, të abuzojnë me pozicionin e tyre. Prandaj, për rregullatorin është shumë e rëndësishme që të krijojë një kornizë rregullatore, e cila do të mbështeste një praktikë mbikëqyrëse që synon identifikimin e faktorëve pengues një mjedis konkurrues të sigurtë në treg. Përbërja asimetrike e tregut bën të domosdoshme nevojën për komunikim dhe bashkëpunim me entitetet e tjera mbikëqyrëse. Në të njëjtën kohë, duhet të zhvillohet një proces dialogu i qëndrueshëm dhe i frytshëm me të gjithë aktorët e duhur të tregut, në mënyrë që të merren edhe pikëpamjet e tyre lidhur me zhvillimet aktuale dhe të pritshme të tregut me ndikim në kushtet e konkurrencës.

Detyra e gjithësecilit bëhet edhe më e lehtë nëse do të ketë një administrim të përgjegjshëm të ndërmjetësuesve financiarë. Kjo është e rëndësishme, pavarësisht nga korniza rregullatore që ekziston për segmente të ndryshme të tregut. Në fakt, edhe e kundërta është e vërtetë; një administrim i përgjegjshëm ndihmon në mbulimin e mangësive, të cilat ekzistojnë në kornizat rregullatore përkatëse. Sigurimi dhe mbrojtja e një mjedisi të hapur për investime, krijimi i kërkesave lidhur me administrimin e ndërmjetësuesve financiarë, por edhe dhënia e përgjegjësisë së duhur në drejtimin e institucionit, kërkimi i sistemeve të kontrollit në këto institucione, vendosja e rregullave dhe e procedurave për transparencë dhe përgjegjshmëri të administrimit të institucionit, si edhe ndërtimi i një marrëdhënieje të dobishme komunikimi janë parakushtet, të cilat ndihmojnë drejtimin e duhur në nivelin e ndërmjetësuesve financiarë.

Në Shqipëri, karakteristikat e zhvillimit të tregut të ndërmjetësuesve financiarë janë ato të një vendi tipik në zhvillim. Gjatë viteve të fundit ka patur zhvillime pozitive lidhur me llojin, me cilësinë e shërbimeve, me gjendjen e treguesve financiarë dhe konkurrencën e ndërmjetësuesve financiarë. Ne besojmë që këto zhvillime janë frut i një kornize të duhur mbikëqyrëse, e cila është zhvilluar paralelisht me tregun. Banka e Shqipërisë ka përgjegjësinë e mbikëqyrjes së sektorit bankar, të disa llojeve të institucioneve financiare jobanka, shoqërive të kursim-kreditit dhe zyrave të këmbimit valutor. Tregu i sigurimeve dhe tregu i letrave me vlerë mbikëqyren nga dy autoritetete të tjera të ndryshme mbikëqyrëse. Niveli i bashkëveprimit ndërmjet segmenteve të ndryshme të aktorëve të tregut është duke u rritur me ritme të shpejta dhe po kështu, edhe bashkëpunimi ndërmjet autoriteteve të shumta mbikëqyrëse. Ndërkohë që po diskutohet lidhur me mundësinë e integrimit të autoriteteve mbikëqyrëse të tregut të sigurimeve dhe atij të letrave me vlerë. Arsyet për këtë lidhen me nevojën e integrimit në një treg, i cili nuk ka aktivitet të mjaftueshëm për të përforcuar punën mbikëqyrëse. Më pas, kur standardi i mbikëqyrjes të arrijë atë të Bankës së Shqipërisë në sektorin bankar, do të jepen më shumë mendime mbi krijimin e një autoriteti të vetëm mbikëqyrës për të gjithë tregun financiar.

Korniza jonë mbikëqyrëse e sistemit bankar siguron një mjedis konkurrues në treg. Në sektorin bankar nuk ka kufizime të investimeve lidhur me kombësinë e kapitalit, llojin e institucionit (filial apo degë), numrin e institucioneve në treg etj.. Në të njëjtën kohë, ne ende i trajtojmë filialet dhe degët e bankave të huaja në mënyrë të njëjtë, që do të thotë se treguesit mbikëqyrës financiarë bartin të njëjtin kuptim për të dy. Si pjesë e procedurave tona të licencimit, ne kërkojmë të dhëna mbi burimin e kapitalit, mbi aktivitetin e aksionerëve dhe qëndrueshmërinë e atij aktiviteti etj.. Ne japim dhe kërkojmë bashkëpunim me autoritetet e tjera mbikëqyrëse, vendore apo të huaja, si pjesë e procesit tonë të licencimit dhe mbikëqyrjes, duke qenë plotësisht në përputhje me kërkesat e përdorimit të informacionit konfidencial. Ne gjithashtu kemi kërkesa lidhur me kapitalin rregullator dhe mjaftueshmërinë e kapitalit, ekspozimet ndaj entiteteve të veçanta dhe operacioneve të bankës me personat e lidhur me të, kërkesa kundër pastrimit të parave, mbi administrimin e bankave (dhe institucioneve të tjera të licencuara) etj.. Përqasja jonë e praktikës mbikëqyrëse përfshin inspektimet në vend dhe kontrollet përmes analizave. Gjithashtu, ndryshime ka patur në infrastrukturën teknologjike e cila përdoret nga banka në fushën e pagesave. Tashmë, është në funksion një sistem modern për pagesat me vlerë të madhe (RTGS), si edhe një sistem tjetër për pagesat me vlerë të vogël. Të dyja këto sisteme janë të integruara me njëri-tjetrin dhe me rrjetet e punës së bankave. Si rrjedhojë e një mjedisi të tillë, ne sot kemi 16 banka operuese, të cilat janë në kushte të mira financiare dhe me aksionerë mbështetës. Roli dhe pesha e sektorit bankar në tregun e vendit po rriten dhe cilësia e produkteve dhe shërbimeve është duke patur progrese të shpejta. Kemi një kornizë mbikëqyrëse për institucionet e tjera të licencuara gjithashtu, e cila është nën procesin e ndryshimit dhe të modernizimit.

Në fillim të këtij viti, tregu financiar shqiptar iu nënshtrua një procesi vlerësimi të kryer nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, proces i cili njihet ndryshe si FSAP, rezultatet e të cilit ishin realiste dhe përgjithësisht pozitive. Në sektorin bankar, përfundimet ishin shumë të mira, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me kornizën mbikëqyrëse dhe me përforcimin financiar të tregut. Gjithashtu, u dhanë disa rekomandime të caktuara, të cilat ne i konsideruam si të drejta dhe për të cilat ne do të punojmë deri në realizimin e tyre. Një përmbledhje e këtij raporti mund të gjendet në faqen e internetit të këtyre institucioneve.

Në fund, dëshiroj të shpreh se përpjekjet që ne bëjmë në një nivel vendi individual duhet të harmonizohen dhe të kombinohen përmes një procesi të dialogut dhe komunikimit rajonal. Ne jemi përpjekur që të jemi aktivë në këtë drejtim, gjithashtu. Në fillim të muajit prill, së bashku me Fondin Monetar Ndërkombëtar ne organizuam një seminar ndërkombëtar mbi "Stress-Testing", pjesëmarrësit e të cilit ishin nga pothuajse të gjitha vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore. Ne do të vazhdojmë në këtë rrugë, pasi ne mendojmë që kjo është e rëndësishme për të arritur një ndërgjegjësim lidhur me çështjet e mbikëqyrjes, për të arritur harmonizimin e standardeve mbikëqyrëse në gjithë rajonin me ato të BE-së, për të siguruar kushte të qëndrueshme tregu për entitetet tona dhe për t'i bërë tregjet dhe institucionet tona më pak të prirura ndaj rrezikut.

Faleminderit!