BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z.Ardian Fullani, mbajtur në Konferencën e Pestë Ndërkombëtare të Bankës së Shqipërisë 'Banka Qendrore në kohën e integrimit. Rritja e besimit ndaj tregjeve financiare'

Data e publikimit: 24.03.2005

 

Zonja dhe Zotërinj,

Është një kënaqësi e madhe që të ndaj me ju disa opinione dhe ide në lidhje me gjendjen aktuale të tregut financiar dhe perspektivat e tij në Shqipëri. Veshur me petkun e Guvernatorit të ri, mund të ndalesha në çështje më të përgjithshme. Megjithatë, vendosa që ta titulloj fjalimin tim "Rritja e besimit ndaj tregjeve financiare", nisur nga vizioni im se krijimi i një tregu financiar të zhvilluar nuk bën gjë tjetër veçse i shërben më mirë objektivave tona themelore, veçanërisht ambicieve tona në fushën e politikës monetare si dhe të politikave të tjera ekonomike.

Banka e Shqipërisë është e kënaqur me rezultatet e politikës monetare që ka hartuar dhe zbatuar gjatë 13 viteve të fundit. Gjithësesi, për të qenë të sinqertë, shpesh inflacioni ka patur edhe devijime për shkak të periudhave të rënies dhe të ngadalësimit të zhvillimit ekonomik. Megjithatë, kthimi i tij në nivele të pranueshme ka qenë i shpejtë dhe, në ndonjë rast, edhe këndshëm jemi surprizuar nga normat e ulëta.

Ne mendojmë se ka ende hapësira në rritjen e saktësisë në matjen e çmimeve dhe të peshave, që zënë grupet e ndryshme në shportën e mallrave dhe të shërbimeve të konsumatorit. Disa mallra ende nuk janë të përfshira në shportë, ndërkohë që disa lëvizje çmimesh janë të vështira të justifikohen. Sidoqoftë, indeksi i çmimeve të konsumit është marrë i mirëqenë, i painfluencuar nga banka qendrore, duke shërbyer si tregues me të cilin matet objektivi final i politikës monetare.

Nisur nga supozimi që normat e inflacionit kanë qenë të sakta, çdokush mund të mendojë se ekonomia shqiptare është një ekonomi mjaft fleksibël, përderisa arrin të sjellë inflacionin në nivele normale brenda një kohe të shkurtër. Ky është një argument që dua ta besoj dhe unë. Mungesa e fleksibilitetit, e vërejtur në disa ekonomi të tjera, duket nuk përbën rast për Shqipërinë. Kam parasysh procedurat e gjata të marrjes apo të largimit nga puna apo shumëllojshmërinë e rregullave që lidhen me tregjet e mallrave dhe të shërbimeve. Mbi të gjitha, vendosja e regjimit të kursit fleksibël të këmbimit ka qenë dhe është një nga kontribuesit kryesorë, i cili ndikon drejtpërdrejt në këtë shkallë të lartë mobiliteti të ekonomisë shqiptare.

Duke iu rikthyer performancës së mirë të politikës monetare, Banka e Shqipërisë deri diku bashkohet me idenë se ndërmjet të tjerash nganjëherë kemi pasur edhe pak fat. Ekonomisë shqiptare vazhdojnë t'i mungojnë disa tipare të rëndësishme dhe kësisoj kanalet e transmisionit të politikës monetare akoma nuk janë plotësisht funksionale.

Nga ana tjetër, sektori financiar është akoma i brishtë dhe ka nevojë për reforma të mëtejshme dhe vigjilencë të madhe. Vetë zhvillimi dhe hapja e tregut do të sjellë më shumë ekspozim e për rrjedhim, mbajtja e stabilitetit financiar bëhet më e vështirë. Është kjo arsyeja që më shtyn të konsideroj rritjen e konfidencës së tregut financiar, si një nga ambiciet e mia si Guvernator i Bankës së Shqipërisë.

Ndryshe nga shumë vende të tjera, historia e Shqipërisë është e varfër në drejtim të trashëgimisë në institucione financiare dhe në instrumente financiare. Tradita jonë nuk është ajo e vendeve të zhvilluara.

Ndonëse nga të dhënat arkivore, përpjekjet e para për të ngritur një bankë kombëtare datojnë me fillimin e shekullit të kaluar, institucionet e ngritura kanë qenë kryesisht në funksion të lehtësimit të transfertave reciproke me vendet e tjera. Edhe pas krijimit të Bankës Kombëtare, përsëri duhet thënë se në Shqipëri institucionet financiare nuk kanë pasur ndonjë rol parësor në jetën ekonomiko - financiare të vendit, megjithë progresin e admirueshëm në konsolidimin e ambientit ekonomik në përgjithësi. Po kështu, edhe gjatë viteve të gjata të ekonomisë së centralizuar, sistemi bankar ishte tipik si ai i vendeve të Evropës Lindore. Një bankë e vetme kryente funksionet e bankës qendrore dhe asaj tregtare, ndërkohë që depozitat e popullatës grumbulloheshin nga arkat e kursimeve dhe paralelisht, një bankë e vogël ishte e specializuar në kreditimin e fermave dhe të kooperativave bujqësore. Jam i bindur se edhe gjatë kësaj periudhe të gjatë për shkaqe nga më të ndryshmet, sektori financiar në Shqipëri për nga shkalla e ndërmjetësimit dhe e fleksibilitetit nuk mund të krahasohet me modelet standarde të Lindjes, përfshirë dhe vendet e rajonit.

Nga ana tjetër, nuk më mbetet të bëj komente në lidhje me segmentet e tjera të sektorit financiar, pasi të gjithë jemi dëshmitarë se faktet historike janë shumë të rralla në këtë kontekst, ndërkohë që i vetmi zhvillim institucional i përket pranisë së një shoqërie shtetërore sigurimesh, e cila kishte një rol të kufizuar në fushën e sigurimeve pa asnjë rol tjetër në ndërmjetësim.

Pa dyshim, që reformat e vërteta për herë të parë u prezantuan në fillim të viteve '90, të cilat kulmuan në mesin e vitit '92, me miratimin e të parit ligj për bankën qendrore dhe për sistemin bankar në Shqipëri.

Që nga viti 1992 e në vazhdim, sistemi bankar ka ardhur në rritje, për të ardhur në ditët e sotme, kur numërohen 16 banka aktive, ndërkohë që një bankë tjetër ka marrë licencën paraprake.

Duke u ndalur pak më gjatë në sektorin financiar, do të doja të shtoja se kohët e fundit ka zhvillime edhe në segmente të tjera të tij. Ka rritje të numrit të operatorëve në fushën e sigurimeve. Po kështu, janë shfaqur operatorët e parë në fushën e pensioneve, ashtu sikurse ekziston dhe një numër modest operatorësh të vegjël financiarë në fushën e kreditimit, kryesisht në formën e shoqërive të kursim-kredive dhe të institucioneve financiare jobanka.

Nga një vështrim i shpejtë, duket se kemi një sektor financiar që po gjallërohet nga njëri vit në tjetrin. Megjithatë, është e dukshme se zhvillimet cilësore i takojnë sistemit bankar. Aktualisht, besoj se kemi një sistem bankar, konfidenca publike ndaj të cilit sa vjen e rritet. Veçanërisht këto kohët e fundit po punohet shumë në drejtim të mbulimit gjeografik të vendit me shërbime bankare, ashtu sikurse zhvillime pozitive ka edhe në infrastrukturën e pagesave. Konstatoj me kënaqësi se marrëdhëniet biznes - bankë janë në nivel më dinjitoz.

Një tjetër shtysë do të jetë edhe prezantimi i sistemit të kryqëzimit të pagesave në vlerë të vogël. Ky sistem do të lehtësojë pagesat e vogla ndërmjet individëve, pavarësisht distancave gjeografike, ndërkohë që do të krijojë shtratin e sigurtë për zhvillime më të sofistikuara në fushën e pagesave elektronike.

Gjatë kësaj periudhe, në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Financave, kemi pasur hapa konkrete edhe në drejtim të reduktimit të ekonomisë cash, gjë që pasqyrohet qartë në ecurinë e raporteve përkatëse monetare.

Gjithësesi, mendoj se sfidat që qëndrojnë para nesh janë akoma të shumta dhe të mëdha. Besoj se ende shkalla e ndërmjetësimit financiar është e ulët. Nga ana tjetër, ende sektori me potencial të madh ekonomik, bujqësia, vazhdon të mos e jetë i mbuluar me biznes bankar, ndërkohë që shkalla e penetrimit të kartave elektronike të pagesës në jetën e përditshme është në nivele modeste.

Ne si Bankë e Shqipërisë kemi arritur në përfundimin se sistemi bankar ka nevojë për më shumë fleksibilitet, sidomos nga ana rregullative. Për këtë qëllim, jemi duke menduar për një rivlerësim të kornizës rregullatore të lidhur me funksionimin e tregut të parasë, të politikave të kreditimit dhe të tregut valutor. Unë do të shpresoja që bankat të kishin një rol proaktiv. Sigurisht që rregullimet do të jenë pjesë e një vlerësimi më të gjerë, jo vetëm brenda vendit por edhe nga ana e institucioneve dhe organizmave të specializuara ndërkombëtare.

Po pjesa tjetër e sektorit financiar?

Siç e përmenda më sipër, vërehet se ka një shtim të operatorëve në treg. Megjithatë, konstatoj se aktiviteti operacional i tyre është akoma larg standardeve dhe praktikave më të mira. Për më tepër, edhe kuadri i tyre legjislativ, rregullator dhe mbikëqyrës nuk është i plotë. Për këtë qëllim mendoj se sfidat janë të shumta dhe masat korrigjuese duhet të jenë të menjëhershme. Gjykoj se është në vetë interesin e kompanive të sigurimit, që të jenë më të mbikëqyrura, sepse vetëm kështu do të arrijnë standarde të ngjashme me ato të sistemit bankar. Duke i mbajtur të pandryshuara praktikat aktuale nuk bëhet gjë tjetër veçse vështirësohet rruga e tyre drejt procesit të pakthyeshëm të krijimit të një tregu financiar eficient. Në të kundërt, ato do të vazhdojnë të mbeten pjesë periferike të sistemit financiar. Ka ardhur koha që të mos kënaqemi vetëm me shtimin numerik të operatorëve në treg, por duhet të synojmë ndërtimin e një sektori financiar të rregulluar, me vlera, fleksibël dhe transparent.

Po kështu, edhe insitucionet e tjera financiare, përfshi edhe ndërmjetësit dhe ndihmësit e specializuar, gjykoj se kanë hapësira për më shumë rol në ndërmjetësim, ashtu sikurse edhe për to, do të apeloja që aktiviteti i tyre paraprakisht të mbulohet me korniza ligjore dhe mbikëqyrjeje të plota dhe bashkëkohore.

Konfidenca në një treg as nuk mund të dekretohet nga autoriteti monetar, por as nuk mund të imponohet. Ajo është një proces i vështirë që kërkon punë të vazhdueshme. Ajo kërkon rregulla loje dhe njohje të saktë të tyre nga të gjithë aktorët. Ajo kërkon zhdërvjelltësi, transparencë, luajalitet dhe mbikëqyrje të kujdesshme. Vetëm kështu aktorët e saj do të rrisin besimin reciprok ndaj njëri-tjetrit, si dhe ndaj organizatorëve dhe mbikëqyrësve të tregut.

Një bankë qendrore është aq e besueshme sa i besueshëm është vetë sistemi bankar. Është e vështirë të kuptohet se një treg flegmatik, me inventar të pakët instrumentesh financiare, me konkurrencë ende të ulët, të fitojë kredo, të zgjojë interesimin e investitorëve dhe t'i japë shtytje të forta formalizimit të ekonomisë, veprime këto, që në fund të fundit do të rrisnin besimin e publikut ndaj tregut financiar. Pra, konfidenca monetare është një aksiomë e cila vërtetohet çdo ditë, vetëm në qoftë se do të kemi një treg financiar likuid, të hapur dhe transparent.

Forcat e tregut janë më të efektshme, kur numri i pjesëmarrësve është i madh dhe kur principet e tregut njihen dhe përdoren në mënyrën e duhur prej të gjithë pjesëmarrësve. Ndërkaq, sentimentet e tregut janë si valët e detit. Ato vijnë e ikin. Sa më shumë të zhvillohet tregu, aq më të forta do të bëhen ato. Ne mund t'i shikojmë këto valë në ekonomitë ku tregjet financiare të zhvilluara janë forca drejtuese në ekonomi. E rëndësishme është që të ideojmë dhe të zbatojmë politika monetare, fiskale dhe politika të tjera ekonomike të mençura, me qëllim që t'i akomodojmë këto valë në mënyrë të përshtatshme.

Nuk do të doja që në fjalimin tim të ndalesha në detaje në segmentet e veçanta të tregut financiar, ku ne si sistem bankar jemi organizatorë dhe aktorë kryesorë. As nuk do të doja të bëja analiza për mundësimin e përfshirjes aktive të institucioneve të tjera financiare në to.

Ajo që do të doja të ndalesha në vijim, ka të bëjë me një debat të hapur të kohëve të fundit në Bankën e Shqipërisë. Tashmë është pranuar në shkallë të gjerë, se tregu i bonove të thesarit ka hapësira të mëdha për t'u zgjeruar dhe thelluar më shumë. Nga ana tjetër, të gjithë jeni dëshmitarë se, prej një periudhe disavjeçare, Banka e Shqipërisë ka hapur sportelet e saj për t'i shitur drejtpërdrejt bono thesari individëve.

Në gjithë debatin e ditëve të fundit, në asnjë rast, Banka e Shqipërisë nuk ka menduar se individët duhen të përjashtohen nga tregu primar dhe t'u jepet mundësia për të blerë bono vetëm nëpërmjet tregut sekondar.

Kështu, kam bindjen që rritja nga njëri vit në tjetrin e interesimit të popullatës për bonot e thesarit, ka qenë një proces i natyrshëm, i cili mbi të gjitha pasqyron rritjen e kuptimit publik mbi investimin dhe forcimin e besimit publik mbi ekonominë e vendit në përgjithësi.

Mendoj se aktualisht ka ardhur koha që ky biznes të drejtohet drejt sistemit bankar. Nga bashkëbisedimet e kohëve të fundit, bankat janë të interesuara për këtë biznes dhe janë të gatshme që të përfshihen në të. Sigurisht që jam dakord me idenë se ka nevojë për një zhvendosje graduale dhe të studiuar mirë, në mënyrë që pjesa e individëve në stokun e bonove të mos rrudhet. Unë i mirëkuptoj bankat për kostot që kanë, ashtu sikurse e kuptoj edhe parimin që çdo shërbim e ka një çmim. Gjykoj se në momentet që flasim, investitorët e vegjël e kanë kuptuar që nuk mund të fitosh for free.

Nga ana tjetër, mendoj se eksperienca e viteve të kaluara ishte e mjaftueshme në familjarizimin e individëve me përfitimet nga investimi në bonot e thesarit. Për rrjedhim, mendoj se ritmet e rritjes së kohëve të fundit do të ruhen duke e bërë të qëndrueshëm kontributin e publikut të gjerë në financimin e borxhit publik.

Gjithësesi, dëshiroj të sqaroj auditorin se, me çfarë thashë më sipër, nuk kam parasysh vetëm tregun primar të bonove të thesarit. Përkundrazi, do të inkurajoja bankat që të jenë më agresive në drejtim të tregut sekondar të bonove. Bëjani të qartë publikut se kushdo që është i interesuar, mund të skontojë bonot e tij në çdo moment, ashtu sikurse çdo individ që ka pak para mënjanë, në çdo kohë mund t'i drejtohet sistemit bankar jo vetëm për të depozituar, por edhe për të blerë bono thesari.

E shoh të arsyeshme që edhe roli i ndërmjetësave financiarë duhet rritur në përgjithësi. Sasia e parasë në qarkullim është e madhe. Kjo tregon se arkëtimet e biznesit vazhdojnë të flenë ose të konvertohen në mënyrë jo shumë inteligjente, kryesisht në pasuri të paluajtshme. Vetë Ministria e Financave mund të hapë sportelet e saj për t'i shitur drejtpërdrejt publikut bonot e thesarit. Qeveria duhet të ketë portofolin e saj të bonove të thesarit për të korrektuar pasaktësitë e ndryshme në planifikim, të cilat e kanë imponuar atë t'i drejtohet si alternativë marrjes hua nga ana e Bankës së Shqipërisë.

Nuk mund të rri pa i kujtuar sistemit bankar se tregu ndërbankar mund dhe duhet të përmirësohet. Në ditët e sotme, bankat tregtare shkëmbejnë një sasi të madhe likuiditeti me bankën qendrore. Por, duhet të intensifikohet edhe shkëmbimi i këtij likuditeti ndërmjet bankave tregtare. Kjo do të siguronte më shumë mundësi financuese dhe investuese për individët dhe firmat, përfshirë dhe bankat.

Bankat kanë gjithashtu mundësi t'i kushtojnë më shumë vëmendje tregjeve të valutës dhe të bonove të thesarit, në drejtim të thellimit dhe të zgjerimit të mëtejshëm të tyre. Kështu, përveç paraqitjes së instrumenteve financiare të reja, do të ishte gjithashtu e nevojshme të avancohej në përdorimin e instrumenteve ekzistuese. Këto përmirësime do të ishin në përfitim të ekonomisë në përgjithësi, pra, të individëve, kompanive dhe vetë bankave, por edhe të bankës qendrore dhe qeverisë. Kështu, individët do të kishin më tepër mundësi për të investuar kursimet e tyre, kompanitë do të mund të shfrytëzonin më mirë aktivitetet e reja të biznesit, bankat do të kishin përfitime më të larta dhe banka qendrore bashkë me qeverinë do të bëheshin më eficiente në zbatimin e politikave të tyre.

Fitimi i besimit të publikut, përmirësimet në sistemin bankar dhe thellimi i tregjeve financiare do ta bënte politikën monetare më efektive. Kjo politikë monetare më efektive do ta bënte më të qëndrueshëm stabilitetin e çmimeve. Çmimet e stabilizuara do të garantonin norma më të ulëta të interesit dhe rritje të lartë ekonomike.

Ritmet e larta të rritjes ekonomike janë një dukuri e kënaqshme, pasi janë kontribueset kryesore që ngushtojnë dallimet tona me pjesën tjetër të Evropës. Aktualisht, Shqipëria është një vend pak a shumë i hapur, që vazhdimisht tenton t'i afrohet Evropës dhe për më shumë, të integrohet në të.

Megjithatë, ka shumë gjëra për t'u bërë, ndonëse unë shoh dhe konstatoj shenja pozitive në ekonominë shqiptare. Sistemi i pagesave do të bëhet edhe më eficient. Ndërsa, besimi i publikut në sistemin bankar do të konsolidohet më tej. Njëkohësisht, politika monetare do të bëhet më efektive dhe më e përshtatshme për absorbimin e fenomeneve shock. Gjithashtu, ajo do ta përgatisë Shqipërinë më mirë për të gjitha llojet e bashkëpunimeve me vendet evropiane dhe ato joevropiane.

Me përmirësimin e sistemit financiar, rreziqet dhe kërcënimet ndaj sistemit mund të bëhen më të dukshme. Lëvizjet më të shpejta dhe më të mëdha të parasë në Shqipëri, midis individëve, bankave, kompanive, tregut financiar, bankës qendrore dhe qeverisë mbartin me vete edhe rritjen e ekspozimit më të madh të palëve ndaj njëri-tjetrit. Kjo është një çështje që i përket konceptit "stabilitet financiar".

Së fundmi, unë mendoj se kemi shumë çështje mbi të cilat duhet të thellohemi gjatë punimeve të kësaj konference. Edhe njëherë, unë shpresoj se në vazhdimësi do të kemi prezantime me vlerë dhe interesante, jo vetëm për ekonominë e vendit tonë, por edhe për ekonomitë e vendeve të tjera.

Jam i bindur, siç edhe ju e dini, se shumë sfida të tjera na presin përpara.

Faleminderit.