BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, me rastin e çeljes së Ekspozitës “100 vjet pavarësi: Pasqyrimi i historisë në monedhën tonë kombëtare” në qytetin e Prishtinës, 23 nëntor 2012

Data e publikimit: 26.11.2012

 

Përshëndetje,

Së pari, si shqiptar ndihem tejet i emocionuar që ndodhem sot, në vigjilje të 100- vjetorit të shtetit tonë këtu në Kosovë, vendin e Ymer Prizrenit,  Hasan Prishtinës, Isa Boletinit dhe shumë patriotëve të tjerë që bënë Shqipërinë. Si Guvernator i Bankës së Shqipërisë, jam krenar të çel ekspozitën e organizuar për të kremtuar datëlindjen e njëqindtë të Shqipërisë:  “100 vjet Pavarësi: Pasqyrimi i historisë në monedhën kombëtare”. Udhëtimi i saj në disa qytete të Shqipërisë, si Berati, Gjirokastra, Korça, Elbasani, Shkodra, Tirana, Vlora, nuk do të kishte kuptim të mungonte në Prishtinë, pasi historia që paraja shqiptare shpalos është e jona, e përbashkët; historia e shqiptarëve kudo që ata jetojnë. 

Kjo ekspozitë kërkon të vendosë në vëmendje të publikut të gjerë se procesi shtetformues dhe historia e shteteve moderne nuk lidhen vetëm me ngjarjet politike, ushtarake apo ekonominë reale, por lidhen ngushtë dhe me historinë e monedhës së tyre kombëtare. Vlera e parasë shkon përtej çmimit të saj! Ndër shekuj, perandori, mbretëri, fuqi ndërkombëtare kanë dokumentuar përmes konfigurimit të monedhave dhe kartëmonedhave lavdinë, historinë, traditën, vlerat kulturore dhe heronjtë kombëtarë. Në të do të shihni qartësisht se si historia e monedhës shqiptare, e cila megjithëse nuk mundi të instituohej si e tillë me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, pasqyron historinë e Shtetit Shqiptar por edhe atë të kombit. Ajo na kujton për sakrificat e atyre shqiptarëve, vlerat, trimëritë, të cilat  mbështetën formimin e shtetit 100 vjet më parë.  

Këto sakrifica të historisë tonë të përbashkët i mëshiron më së miri Lidhja Shqiptare e Prizrenit, një prej ngjarjeve më të ndritura të historisë së re të kombit shqiptar, e cila qëndron si themel i Shtetit Shqiptar; si e para lëvizje masive, e cila synoi të përmbushte programin madhor të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, njohjen e kombit shqiptar si një bashkësi e pandarë, mbrojtjen e tërësisë territoriale të atdheut dhe formimin e një Shteti Shqiptar autonom e demokratik.

Vitet 1912-24 kanë qenë vite të rëndësishme në shekullin e kaluar. Këto ishin vite të rotacioneve politike, vite revolucionesh, vite luftërash botërore, vite ku civilizime të tëra shkuan drejt shuarjesh.  Në këto vite u duk qartë fuqia e politikës dhe dominimi i saj, prandaj dhe politika dhe gjeografia ishin kryefjala e ditës.

Por, për shqiptarët nëntori i 1912-ës ishte fatprurës.  Ai do tu sillte shqiptarëve Pavarësinë, historia e të cilëve kishte lëvizur më ngadalë gjatë shekujve, e do të ndryshonte shpejtësinë pikërisht në këtë vit. Por, jo vetëm kaq. Viti 1912 dhe nëntori i tij do t”i sillte shqiptarëve simbolet kombëtare: flamurin dhe himnin, të cilët do të lidheshin pazgjidhshmërisht me njëri-tjetrin, pasi ky i fundit do të bashkonte gjithë shqiptarët duke kënduar  rreth flamurit të përbashkuar. Flamuri do të sillte dhe shqiponjën dykrenare, e cila më vonë u bë simbol i shqiptarëve kudo në botë; dhe natyrshëm simbol i përdorur në monedhën tonë kombëtare.        

Jam i lumtur që me anë të kësaj ekspozite të sjellim në vëmendjen e publikut ngjarje të tilla historike, siç janë edhe meritat e Ismail Qemalit, të cilat e vendosin atë në  piedestalin e merituar për shkak të aktivitetit dhe vizionit të tij si shtetar dhe jo idealizmave romantike. Një ndër këto merita është përpjekja e tij për ngritjen e bankës së parë qendrore shqiptare, duke shprehur vizionin e tij  të qartë për rolin e saj në sistemin ekonomik, si një qelizë bazë për rimëkëmbjen e kombit dhe prosperitetin e tij.  Kjo përpjekje e tij është aktuale edhe në ditët e sotme.

Menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë, një ndër çështjet kryesore të Qeverisë ishte formimi i një banke qendrore, e cila duhet ta zhvillonte veprimtarinë e saj në përputhje me normat e bankave kombëtare të shteteve evropiane. Ismail Qemal bej Vlora e konceptoi krijimin e bankës së parë qendrore shqiptare si një institucion financiar, i cili duhej t’i jepte jetë zhvillimit ekonomik dhe stabilizimit të shtetit të pavarur shqiptar. Për fat të keq, Shteti Shqiptar lindi në vigjilje të Luftës së Parë Botërore dhe zhvillimet historike e lanë projektin e bankës vetëm në letër. Megjithatë,  krijimin e Bankës Kombëtare, Ismail Qemal bej Vlora do ta quante si të dytën fitore pas shpalljes së Pavarësisë. Në një ndër fjalimet e tij ai do të shprehej: “Shqipëria, që atë ditë kur pati fatin e bardhë të bëhet një shtet në mes të shteteve të Ballkanit e të Evropës, ka të drejtë të ketë një edhe më tepër banka për të siguruar kreditin e botshëm (publik) si popull, edhe kreditin e veçantë për secilin shqiptar, si njeri. Këtë na e donte shpirti, por nuk guxonim ta prisnim të bëhej kaq shpejt nga shkaku që punët e Shqipërisë, qoftë nga kufijtë, qoftë nga organizimi i vendit që kemi, nuk kanë marrë fund..... Pas shumë marrëveshjeve dhe pasi këmbyen shumë mendime, kabineti e pranoi projektin e fundit, i cili u nënshkrua. E themi me lavdërim se puna e bankës, për Shqipërinë është një i dyti fitim pas lirisë dhe nga pikëpamja ekonomike dhe politike”.

Fjalët e tij vizionare qëndrojnë po aq të vlefshme edhe sot. Kriza ekonomike dhe financiare, rishtazi na dëshmoi se roli i bankave qendrore është themeltar për stabilitetin dhe mirëqenien e një vendi. Ai është gjithashtu, mjaft i lidhur edhe me aspekte të tjera, me rolin e monedhës si një dëshmi historike dhe artistike e kombeve ndër shekuj. Nëse e kthejmë vëmendjen tek leximi i parasë, duhet të kuptojmë se çdo monedhë dhe kartëmonedhë është një tregim, i shtypur në metal apo në letër, një rebus apo një pazëll piktoresk. Rrjedhimisht, pas besueshmërisë monetare qëndron një mesazh. Sidoqoftë, ky mesazh apo tregim do të marrë rëndësi më të madhe nëse “emetohet” edhe një tjetër tregim, përmes emetimit të serive të reja të monedhës. Prandaj “tregimi i parasë” është gjithmonë në shkruajtje e sipër.

Mesazhi që na jep “tregimi i parasë shqiptare”, përmes Ismail Qemalit, portreti i të cilit qëndron në kartëmonedhën 500 lekëshe të qarkullimit,  na thotë se ai, Ismail Qemal Vlora, së bashku me patriotët e kombit tonë, ditën të rreshtin të gjitha kundërshtitë dhe mosmarrëveshjet dhe të na jepnin rezultate të jashtëzakonshme.

Mendoj se vizioni  i tyre si shtetar shqiptar duhet të jetë në qendër të një tregimi të përbashkët në të ardhmen. Ne shqiptarët duhet të punojmë të bashkuar për të jetuar nën të njëjtin qiell dhe nën të njëjtin flamur: Atë të Bashkimit Evropian!