BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani në Komisionin për Ekonominë dhe Financat për Prezantimin e Raportit Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2013, 23 prill 2014

Data e publikimit: 23.04.2014

 

I nderuar zoti Kryetar i Komisionit,

Të nderuar zonja dhe zotërinj anëtarë,

Dëshiroj ta filloj fjalimin duke ju falënderuar, në emër të institucionit, për mundësinë e përvitshme që më jepni për të prezantuar opinionin tonë mbi zhvillimet ekonomike e financiare të vitit të shkuar, si dhe për të raportuar mbi punën dhe rezultatet e Bankës së Shqipërisë në përmbushje të misionit dhe të objektivave të saj.

foto 6576 0

Sikurse e kemi theksuar disa herë, viti 2013 ishte një vit mjaft i vështirë për ekonominë shqiptare. Ai shtroi sfida serioze si për agjentët ekonomikë edhe për politikëbërësit. Banka e Shqipërisë, si një ndër institucionet kyçe në hartimin e politikave makroekonomike, si mbikëqyrëse dhe rregullatore e sistemit bankar, ka qenë tërësisht e angazhuar në adresimin e këtyre sfidave. Në përgjithësi, besoj se kemi qenë të suksesshëm në përmbushjen e objektivave tona, megjithëse problemet me të cilat përballemi nuk mund të konsiderohen të tejkaluar dhe meritojnë vëmendje edhe më të madhe në të ardhmen.

Në vijim të fjalës sime, dëshiroj të paraqes shkurtimisht zhvillimet kryesore të vitit 2013. Më tej, do të bëj një përmbledhje të punës së Bankës së Shqipërisë dhe në fund, do të ndaj me ju disa çështje që mendoj se duhen trajtuar me prioritet në të ardhmen.


***

1. Ecuria e ekonomisë gjatë vitit 2013

Viti 2013 shënoi një ngadalësim të ndjeshëm të aktivitetit ekonomik në vend. Sipas të dhënave paraprake të INSTAT-it, rritja ekonomike për vitin rezultoi 0.44%, nga 1.2% që shënonte në vitin 2012. Dinamika e aktivitetit ekonomik reflektoi tkurrjen në sektorin e shërbimeve, veçanërisht të turizmit, ndërkohë që sektori prodhues kontribuoi pozitivisht, i ndikuar nga investimet në infrastrukturë, rritja e mëtejshme e eksporteve dhe rritja e prodhimit bujqësor.

Kërkesa agregate rezultoi e dobët, duke pasqyruar kërkesën e dobët të sektorit privat për konsum dhe investime. Ky përbërës vazhdoi të ndikohet negativisht nga besimi i ulët i agjentëve ekonomikë, ngadalësimi i të ardhurave, si dhe kushtet relativisht të shtrënguara të financimit. Zgjedhjet e përgjithshme që u zhvilluan vitin e kaluar e rritën pasigurinë tek agjentët ekonomikë dhe tregjet financiare, duke frenuar konsumin e investimet në periudhën pas-zgjedhore. Kërkesa e huaj dhe shpenzimet publike dhanë kontribut pozitiv në rritjen ekonomike, por nuk arritën të kompensojnë tërësisht dobësinë e kërkesës private.

Ecuria e sektorit të huaj u karakterizua nga një qëndrueshmëri relative e deficitit të llogarisë korrente dhe nga rritja e rezervave valutore të vendit. Eksportet e mallrave u rritën me 13.5%, duke reflektuar përmirësimin e ekonomive në vendet fqinje si edhe përmirësime strukturore në disa sektorë të ekonomisë. Nga ana tjetër, importet e mallrave rezultuan 1.8% më të ulëta se një vit më parë, si rrjedhojë e dobësisë së kërkesës së brendshme. Këto zhvillime u materializuan në korrektimin e deficitit tregtar me 13.5% në terma vjetorë. Më tej, bilanci i shërbimeve u përkeqësua ndjeshëm, si rrjedhojë e rënies së eksporteve neto në turizëm. Flukset kryesore hyrëse të valutës gjatë vitit 2013 ishin investimet e huaja neto. Këto hyrje valute ishin të mjaftueshme për mbulimin e deficitit të llogarisë korrente dhe krijuan premisa për qëndrueshmëri të këmbimit. Gjatë vitit 2013, rezerva valutore bruto u rrit me rreth 42.5 milionë euro, duke arritur vlerën 2 miliardë euro, e mjaftueshme për të mbuluar 4.6 muaj importe dhe 170% të borxhit të huaj afatshkurtër. Pavarësisht nga përmirësimet e shënuara, ekuilibri i sektorit të huaj mbetet i brishtë. Për këtë arsye, gjej me vend të përsëris mesazhin tonë për marrjen e masave si për rritjen e konkurrueshmërisë së prodhimeve shqiptare, edhe për krijimin e një klime të përshtatshme për tërheqjen e investimeve të huaja.

Politika fiskale ka shfaqur një natyrë ekspansioniste gjatë vitit 2013, duke i dhënë një shtysë pozitive aktivitetit ekonomik. Shpenzimet buxhetore shënuan rritje vjetore prej 4.7%, ndërkohë që të ardhurat ranë me 0.5% kundrejt vitit të mëparshëm. Sjellja fiskale, gjatë vitit 2013, rezultoi në një deficit buxhetor prej 65.4 miliardë lekësh, 42.7% më i lartë se niveli i vitit të mëparshëm. Ekspansioni fiskal i vitit të kaluar i rriti më tej borxhin publik dhe brishtësinë e financave publike, duke shtuar shqetësimet për qëndrueshmërinë fiskale në afatin e  mesëm dhe të gjatë. Duke e konsideruar borxhin publik si një nga dobësitë më të mëdha strukturore të ekonomisë shqiptare, ne kemi kërkuar dhe përshëndetur marrjen e masave për ruajtjen e shëndetit afatgjatë të financave publike. Në këtë kontekst, mendojmë se ka ende punë për të bërë, sidomos në drejtim të zbatimit të një rregulli fiskal transparent dhe efecient.

Tregjet financiare janë karakterizuar nga kushte të mira të likuiditetit dhe prime të ulëta të rrezikut të inflacionit. Kjo situatë ka mundësuar një përcjellje të shpejtë të sinjaleve të politikës monetare në tregun ndërbankar dhe atë të depozitave. Gjithashtu, rritja e deficitit dhe e borxhit publik arriti të absorbohet nga likuiditeti i gjeneruar në tregun e brendshëm financiar; në prani edhe të një kërkese të lartë për investim në tituj të qeverisë, yield-et e tyre ranë ndjeshëm për të gjitha maturitetet. Të gjitha këto zhvillime krijuan premisa për rënien e normave të interesit të kredisë gjatë vitit 2013.

Ecuria e treguesve monetarë ka qenë gjerësisht në linjë me zhvillimet në ekonominë reale. Rritja vjetore e ofertës së parasë është ngadalësuar gjatë gjithë vitit. Ky ngadalësim ka reflektuar kërkesën e ulët për financim të sektorit privat, veçanërisht të bizneseve. Kredia për sektorin privat filloi të tkurret në gjysmën e dytë të vitit dhe në fund të tij portofoli i kredisë ishte 1.4% më i ulët se një vit më parë. Kjo ecuri, jo e ndryshme nga zhvillimet në vendet e tjera të rajonit, është ndikuar nga ngurrimi i agjentëve ekonomikë për të shpenzuar dhe investuar,si dhe nga zbatimi i politikave kredituese më konservatore nga sistemi bankar. Problemet e kredisë dhe masat që ka marrë Banka e Shqipërisë për nxitjen e saj do t’i trajtoj në vijim.

Në përmbledhje të ecurisë së ekonomisë gjatë 2013, kërkesa agregate mbeti e dobët dhe rritja ekonomike rezultoi e ulët dhe nën potencial. Ky ngadalësim pati ndërlikime serioze për shëndetin dhe ekuilibrat e ekonomisë. Ngadalësimi ekonomik preku edhe financat publike, të cilat u karakterizuan nga rritja e deficitit buxhetor dhe e borxhit publik. Rritja e ngadaltë ekonomike krijoi, gjithashtu, vështirësi për gjendjen financiare të bizneseve dhe ndikoi në përkeqësimin e kredive me probleme në bilancet e sistemit bankar. Së fundi, ajo u shoqërua me rritje të normës së papunësisë, dhe rritje të ulët të pagave dhe të çmimeve.

Më lejoni t’ju informoj më tej mbi politikën monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë.

2. Politika monetare e Bankës së Shqipërisë

Objektivi kryesor ligjor i Bankës së Shqipërisë është arritja dhe ruajtja e stabilitetit të çmimeve. Në terma sasiorë, Banka e Shqipërisë synon kontrollin e inflacionit të çmimeve të konsumit rreth nivelit 3.0%. Objektivi i inflacionit synohet të realizohet në terma afatmesëm, ndërkohë që inflacioni aktual mund të jetë subjekt i shmangieve afatshkurtra nga niveli i synuar, si pasojë e goditjeve, të cilat janë të paparashikuara apo të pavarura nga politika monetare. Vendimet e politikës monetare janë të orientuara nga e ardhmja dhe veprojnë në përputhje me parimet e tregut.

Viti 2013 është karakterizuar nga mbizotërimi i presioneve të ulëta inflacioniste, të cilat janë reflektuar në rënie të inflacionit vjetor. Inflacioni vjetor u luhat pranë kufirit të poshtëm të intervalit të tolerancës të Bankës së Shqipërisë, duke rezultuar mesatarisht 1.9%. Ai shfaqi një rënie graduale gjatë vitit, e cila u përforcua në gjysmën e dytë të tij. Inflacioni i çmimeve të ushqimeve të papërpunuara ka formuar rreth 90% të vlerës totale të inflacionit, duke përcaktuar drejtimin dhe luhatshmërinë e inflacionit të çmimeve të konsumit.

Nga këndvështrimi i faktorëve makroekonomikë, çmimet e konsumit kanë reflektuar, më së pari, kërkesën e dobët për mallra dhe shërbime në vend, faktor që ka ndikuar në vlera të ulëta të inflacionit në dy vitet e fundit. Rritja e kërkesës, e cila ishte  ndjeshëm nën kapacitetet prodhuese të vendit, krijoi presione të dobëta për rritjen e kostove të punës, të kostove të prodhimit dhe të marzheve të fitimit. Po në kahun rënës të inflacionit kanë vepruar edhe faktorët e ofertës. Presionet nga inflacioni i importuar kanë ardhur në rënie, si pasojë e reduktimit të inflacionit në vendet partnere, rritjes së ulët, apo rënies së çmimeve të mallrave bazë, si dhe në prani të qëndrueshmërisë së kursit të këmbimit. Nga ana tjetër, pritjet e agjentëve ekonomikë për inflacionin kanë qenë të mirë ankoruara, duke kufizuar shmangien e fortë të inflacionit nga objektivi i Bankës së Shqipërisë.

Në prani të presioneve të ulëta inflacioniste, Banka e Shqipërisë ka forcuar natyrën stimuluese të politikës së saj monetare gjatë vitit 2013. Ne ndërmorëm katër ulje të normës bazë të interesit gjatë këtij viti, duke e zbritur atë nga 4.00%, në nivelin e ulët historik prej 3.0%. Paralelisht me uljen e normës bazë, Banka e Shqipërisë ka vijuar furnizimin e tregut financiar me likuiditetin e nevojshëm. Kështu, krahas instrumentit standard – marrëveshjes të anasjelltë7-ditore të riblerjes – janë përdorur edhe instrumente më afatgjatë, duke iu përshtatur më mirë nevojave të sistemit bankar për likuiditet. Natyra lehtësuese e politikës monetare u përforcua edhe më shumë nëpërmjet përdorimit të masave jo tradicionale. Reduktimi agresiv i normës bazë të interesit është shoqëruar dhe me publikimin e drejtimit të politikës monetare në të ardhmen. Ky lloj komunikimi konsiderohet nga bankat qendrore si instrument i politikës monetare, në një ambient me norma interesi pranë niveleve minimale. Ai synoi dhe rezultoi i suksesshëm në orientimin e pritjeve të tregut financiar dhe ndihmoi në reduktimin e mëtejshëm të interesave në tregun financiar. Sinjalet e politikës monetare u transmetuan shpejt  dhe normat e interesit shënuan rënie në të gjitha segmentet e tij.

Në përgjithësi, politika monetare e ndjekur nga Banka e Shqipërisë rezultoi e suksesshme në kontrollin e prirjes rënëse të inflacionit dhe në ankorimin e pritjeve inflacioniste, duke kontribuar në ruajtjen e stabilitetit monetar. Stabiliteti monetar i ekonomisë është një parakusht për stabilitetin ekonomik dhe financiar të vendit dhe Banka e Shqipërisë e ka përmbushur misionin e saj në këtë drejtim.

Megjithatë, tejçimi i stimulit tonë monetar në ekonominë reale nuk u materializua i plotë. Sikurse e kemi thënë edhe më parë, mekanizmi i transmetimit të politikës monetare ka probleme, si pasojë e pasigurive të sektorit privat dhe të sistemit bankar për të ardhmen. Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë ndërmori në muajin mars një paketë masash nxitëse për kreditimin. Në vija të përgjithshme, këto masa synonin (i) nxitjen e kredisë nëpërmjet reduktimit të kërkesave rregullative për kapital e likuiditet; (ii) nxitjen e aktivitetit ndërmjetësues në valutë nëpërmjet dekurajimit të aktivitetit valutor jashtë vendit; dhe, (iii) nxitjen e procesit të ristrukturimit të kredisë në interes të mbështetjes së bizneseve në vështirësi të përkohshme. Ashtu si dhe në vendet e tjera ku janë ndërmarrë masa të ngjashme, suksesi i tyre ishte i pjesshëm. Ky fakt tregon  se problemet e kreditimit janë mjaft komplekse dhe shpesh strukturore. Për t’u ndalur më gjatë në problemet e kreditit, dëshiroj të theksoj se ecuria e tije dobët është një dukurie pranishme në gjitha ekonomitë evropiane, përfshirë edhe ato të rajonit. Kjo dukuri reflekton më së shumti kujdesin e shtuar të grupeve të mëdha bankare evropiane ndaj rrezikut të kreditit dhe ndaj aktivitetit të dobët ekonomik. Në këtë drejtim, procesi i vlerësimit të cilësisë së aktiveve nga Banka Qendrore Evropiane, në muajin qershor, do të shërbejë për qartësimin e shëndetit financiar të grupeve bankare dhe mund të shndërrohet në premisë për një qëndrim më pozitiv të tyre kundrejt kreditimit. Në kontekstin e brendshëm, aktiviteti kreditues do të përfitonte nga reduktimi i rrezikut të pranishëm në ekonominë shqiptare. Për këtë arsye, të gjithë politikëbërësit duhet të punojnë më shumë për përmirësimin e klimës së biznesit, për zhvillimin e një modeli të ri të rritjes ekonomike,të bazuar në aktivitetet prodhuese e eksportuese, si dhe për zgjidhjen e problemeve ligjore ende të pranishme në fushën e ekzekutimit të kolateralit.

Me përforcimin e natyrës lehtësuese të politikës monetare, përmirësimin e mjedisit të jashtëm dhe rritjen e optimizmit në ekonomi, ne presim një tejçim më të plotë të stimujve monetarë në ekonominë reale gjatë vitit në vazhdim. Megjithatë, sikurse ka provuar praktika botërore, nxitja e kreditimit nuk mund dhe nuk duhet të jetë shqetësim dhe objekt pune vetëm i bankës qendrore.

Më lejoni të ndalem më tej në çështjet e mbikëqyrjes bankare dhe të stabilitetit financiar.

3. Mbikëqyrja bankare dhe stabiliteti financiar

Ligji për Bankën e Shqipërisë përcakton një sërë të drejtash e detyrash, të cilat i shërbejnë mbështetjes së stabilitetit financiar të vendit. Banka e Shqipërisë është përgjegjëse për licencimin, rregullimin dhe mbikëqyrjen e veprimtarisë së sektorit bankar, i cili dominon sistemin financiar në vend. Nëpërmjet politikave makroprudenciale, rregullimit dhe mbikëqyrjes së kujdesshme të sektorit bankar, rolit të saj si “huadhënësi i fundit në radhë”, dhe rregullimit e mbikëqyrjes së infrastrukturës së pagesave, ajo synon të mbështesë një sistem bankar efektiv dhe të qëndrueshëm, duke dhënë një kontribut të drejtpërdrejtë në ruajtjen e stabilitetit financiar të vendit. Kuadri ligjor përcakton, gjithashtu, përgjegjësinë e Bankës së Shqipërisë për të komunikuar vlerësimin e saj mbi qëndrueshmërinë e sistemit financiar.

Pavarësisht nga sfidat që prodhojnë realitetet ekonomike brenda dhe jashtë vendit, sistemi bankar shqiptar rezulton të jetë solid, likuid dhe i mirëkapitalizuar. Rezultati i tij financiar ishte pozitiv në fund të vitit 2013 dhe me rritje në krahasim vitin 2012. Norma e mjaftueshmërisë së kapitalit dhe treguesit e likuiditetit rezultuan ndjeshëm mbi nivelet minimale rregullatore të mbikëqyrjes. Aktivet e sektorit bankar shënuan rritje, por në ritme më të ulëta se një vit më parë, si pasojë e rritjes më të ulët të depozitave dhe rënies së kreditimit.

Në përgjithësi, stabiliteti i sistemit bankar vlerësohet i qëndrueshëm. Sistemi bankar është pak i ekspozuar ndaj rreziqeve të drejtpërdrejta të tregut, por rreziku i kreditit ka ardhur në rritje dhe ka qenë në qendër të vëmendjes së Bankës së Shqipërisë gjatë dy viteve të fundit. Me qëllim që të ulen ndikimet  negative që mund të ketë ky rrezik në sistemin financiar dhe në ekonominë reale, Banka e Shqipërisë e ka rritur intensitetin e mbikëqyrjes së bankave. Po ashtu, në muajin mars, miratuam disa ndryshime rregullatore të cilat trajtojnë problematikën e rritjes së kredisë me probleme. Gjithashtu, në komunikim të vazhdueshëm me sektorin bankar, Ministrinë e Financave dhe Autoritetin Ligjvënës, Banka e Shqipërisë ishte nismëtare e ndryshimeve në Kodin e Procedurës Civile dhe në Kodin Civil. Këto ndryshime synojnë të lehtësojnë bilancet e bankave nëpërmjet përmirësimit të procesit të ekzekutimit të kolateraleve. Ato kanë filluar të japin fryt në drejtim të frenimit të rritjes së kredive të këqija dhe zvogëlimit të kostos së kredisë. Në fund të vitit 2013, kreditë me probleme zunë 23.5% të portofolit të kredisë, një ritëm rritjeje shumë më i  ulët në krahasim me vitet e fundit.

Gjatë vitit të shkuar, sistemi financiar shqiptar dhe kuadri mbikëqyrës i tij iu nënshtruan procesit të vlerësimit nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore (programi FSAP). Ky proces konsistonte në vlerësimin e ecurisë së të gjitha segmenteve të sistemit financiar, të mënyrës së mbikëqyrjes së tyre dhe të përafrimit me standardet ndërkombëtare. Ndër të tjera, ai evidentoi dhe aftësinë e autoriteteve publike për të identifikuar dhe administruar rreziqet e ndryshme si dhe bashkëpunimin ndërinstitucional në funksion të ruajtjes së stabilitetit të vendit. Nga kjo pikëpamje, u vu dhe një herë në pah rëndësia e ndërlidhjes së segmenteve të sistemit financiar që mbikëqyren nga institucione të ndryshme, dhe u theksua se përgjegjësia për ruajtjen e stabilitetit financiar varet nga bashkërendimi i politikave të të gjitha autoriteteve të përfshira.

Në përfundim të procesit, u vlerësua se sistemi financiar është i aftë t’i bëjë ballë ndikimit të krizës financiare ndërkombëtare dhe se veprimet e autoriteteve për evidentimin dhe administrimin e rreziqeve kanë qenë në drejtimin dhe në masën e duhur. Gjithashtu, u vlerësua se procesi mbikëqyrës në Bankën e Shqipërisë ka një përputhshmëri të lartë me parimet bazë të Bazelit për një mbikëqyrje bankare efektive.

Viti 2013 ka qenë një vit sfidues për procesin mbikëqyrës të sistemit bankar. Krahas përfshirjes së drejtpërdrejt në proceset e vlerësimit të stabilitetit financiar, Banka e Shqipërisë është përfshirë në projekte të tjera kryesore, të cilat  lidhen me: adresimin e kredive me probleme rast pas rasti; udhëzimet për ristrukturimin e kredisë dhe vlerësimin e pasurive të paluajtshme, udhëzimet për planet e rimëkëmbjes dhe të zgjidhjes; zhvillimin e instrumentit të kredisë për politikat e zhvillimit; dhe përmirësimin e standardeve të raportimit. Paralelisht, është riparë baza rregullatore për mbikëqyrjen me qëllim që t’i  përshtatet  kushteve të reja financiare dhe të përafrohet  me standardet e reja ndërkombëtare. Lidhur me këtë të fundit, është punuar për zhvendosjen graduale të praktikave mbikëqyrëse nga sistemi Bazel I në sistemin Bazel II.

Në prizmin e integrimit të sistemit bankar shqiptar në atë evropian, është intensifikuar bashkëpunimi me homologët tanë në vende të tjera. Me rëndësi të veçantë në këtë drejtim ishte anëtarësimi i Bankës së Shqipërisë në Komitetin Drejtues të nismës Vjena II. Kjo nismë është një platformë bashkëpunimi që përfshin Komisionin Evropian dhe institucione të tjera të Bashkimit Evropian , grupet bankare ndërkombëtare kryesore që operojnë në vendet e Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore, si dhe autoritetet e vendeve të origjinës dhe atyre pritëse. Synimi kryesor i saj është nxitja e koordinimit midis autoriteteve të vendeve të origjinës dhe atyre pritëse, për t’u mbrojtur nga një proces i çrregullt i uljes së levës financiare. Duke qenë se sistemi bankar shqiptar dominohet nga grupe të huaja bankare, vendimet që dalin nga nisma Vjena II kanë ndikim të rëndësishëm për të. Ndaj pjesëmarrja jonë në procesin vendimmarrës është tepër domethënëse. Shqipëria është vendi i vetëm pjesëmarrës në Vjena II që nuk është anëtare e Bashkimit Evropian dhe, si e tillë, ajo përfaqëson edhe interesat e vendeve të tjera jo-anëtare të Bashkimit Evropian që nuk kanë zë në Këshillin Drejtues. Për të gjitha këto arsye, gjykoj se përfshirja e Bankës së Shqipërisë në nismën Vjena II është një arritje e rëndësishme institucionale.

Funksionimi normal i sistemit bankar është mbështetur nga një infrastrukturë e sigurt dhe efikase pagesash, e cila, në Shqipëri, operohet nga banka qendrore. Përgjatë vitit 2013 Banka e Shqipërisë ka përqendruar përpjekjet për përmirësimin e sistemit AIPS dhe AECH. Gjithashtu, në kuadër të plotësimit të infrastrukturës së tregjeve financiare, po punojmë për krijimin e Sistemit Qendror të Shlyerjes dhe Regjistrimit të Titujve. Ky sistem do të krijojë mundësinë për zhvillimin e mëtejshëm të tregut sekondar dhe do të garantojë shlyerjet e transaksioneve në këtë treg, në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Viti 2013 shënoi finalizimin e procesit për miratimin e ligjit “Për Sistemin e Pagesave”. Ky ligj krijon një kuadër të posaçëm ligjor për rregullimin, licencimin dhe mbikëqyrjen e sistemeve të pagesave nga Banka e Shqipërisë. Ai synon të minimizojë rrezikun sistemik, i cili lidhet me pjesëmarrjen në sistemet e pagesave dhe të shlyerjes së titujve, dhe me rreziqet që lidhen me paaftësinë paguese të një pjesëmarrësi në sistem. Miratimi i ligjit nënkupton liberalizimin e tregut të sistemeve të pagesave nëpërmjet krijimit të sistemeve private të pagesave. Gjithashtu, në kuadër të nxitjes së përdorimit të instrumenteve të pagesave elektronike dhe reduktimit të përdorimit të parasë fizike në ekonomi, Banka e Shqipërisë ka adoptuar kuadrin rregullator për përdorimin e këtyre instrumenteve, duke reflektuar parimet e direktivës përkatëse të Bashkimit Evropian.

Përmbushja me sukses e objektivit kryesor për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe të objektivit për ruajtjen e stabilitetit të sistemit financiar, ka kërkuar përmirësimin e të gjitha proceseve të punës brenda institucionit, si ato të lidhura drejtpërdrejt me kryerjen e detyrave ligjore të Bankës, edhe ato të lidhura me aspekte mbështetëse të tyre. Gjatë vitit 2013, burimet njerëzore dhe financiare të Bankës së Shqipërisë janë orientuar drejt zhvillimit dhe përmirësimit cilësor të këtyre proceseve dhe përafrimit të tyre me praktikat evropiane.

Më lejoni t’i përmend shkurtimisht.

4. Aktivitete të tjera të Bankës së Shqipërisë

Banka e Shqipërisë ka nisur projektin për rishikimin e mbledhjes dhe përpunimit të statistikave në përputhje me kërkesat e Eurostat-it, si dhe ka përfunduar infrastrukturën teknologjike për automatizimin dhe përpunimin e raportimeve. Ky proces është në fazë testimi dhe pritet të vihet në funksionim brenda këtij viti. Banka e Shqipërisë ka vijuar bashkëpunimin me Bankën Botërore për përmirësimin e sistemit të administrimit të portofolit të rezervës. Nisur nga përvoja e vendeve të tjera për administrimin e krizës në Eurozonë, gjatë vitit, u rishikua rregullorja përkatëse me qëllim ngritjen e mekanizmave mbrojtës dhe monitorues ndaj materializimit të rreziqeve të investimit. Ka ndryshuar kuadri rregullator për emetimin dhe kontrollin e monedhave dhe kartëmonedhave, duke përcaktuar standardet për kartëmonedhat e përshtatshme për qarkullim, dhe duke forcuar monitorimin për mbrojtjen e tyre nga falsifikimi. Vitin e kaluar,u vu në funksionim laboratori i analizës së kartëmonedhave të dyshuara si të falsifikuara, i pajisur me instrumente të teknologjisë bashkëkohore,duke përmbushur, kështu,një nga detyrimet e shtetit shqiptar në kuadër të MSA-së.

Gjithashtu, gjatë vitit 2013 ka vijuar përafrimi i kuadrit rregullator dhe i praktikave të punës me direktivat e BE-së dhe standardet e BQE-së në kuadrin e integrimit evropian. Raporti i fundit vjetor i Komisionit Evropian konfirmon progresin e realizuar nga Banka e Shqipërisë në drejtim të përmbushjes së standardeve evropiane në të gjitha fushat e veprimtarisë së vet. Gjithashtu, ai vlerëson kontributin e Bankës së Shqipërisë në drejtim të ruajtjes së stabilitetit makroekonomik në vend.

Në fund, por jo si më pak të rëndësishme, dua të theksoj përqasjen e Bankës së Shqipërisë kundrejt publikut. Në strategjinë  afatmesme,  midis të tjerave, i kemi vënë rëndësi si edukimit të publikut, duke marrë rolin e edukuesit financiar, edhe rritjes së besueshmërisë institucionale, si faktorë të cilët ndihmojnë arritjen e objektivit tonë kryesor. Në kuadër të edukimit financiar të publikut,pas futjes së edukimit financiar në kurrikulën e lëndëve me zgjedhje të lirë për gjimnazet, këtë vit kemi targetuar arsimin fillor përmes një pakete mësimore dedikuar nxënësve dhe mësueseve.

Gjithashtu, kemi konsoliduar pozitat tona si një qendër shkencore. Banka e Shqipërisë mbledh çdo vit ekonomistë dhe akademikë nga vende dhe institucione të ndryshme. Edhe gjatë vitit 2013, një pjesë e burimeve janë investuar në përmirësimin e procesit kërkimor dhe në organizimin e aktiviteteve shkencore.

***

Në përfundim, më lejoni të nënvizoj dhe njëherë angazhimin tonë afatgjatë për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, si objektivi parësor ligjor i Bankës së Shqipërisë. Politika monetare ka qenë e përshtatshme dhe ka ndihmuar në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik. Ajo do të vijojë të jetë stimuluese për ekonominë edhe në periudhën në vazhdim, sikurse është shprehur edhe në komunikimet tona me publikun. Megjithatë, duhet të theksoj se jo çdo gjë mund të zgjidhet nga politika monetare, dhe se jo çdo gjë mund të realizohet nga banka qendrore. Shumë ekonomi ndodhen në situatën e vështirë të një rritjeje të ngadaltë ekonomike dhe të një niveli të ulët inflacioni. Këto kushte kërkojnë koordinimin e politikave aktive nga të gjitha autoritetet vendase dhe përqasjen e një mendimi të ri ekonomik. Kjo përqasje duhet të synojë krijimin e një klime favorizuese për investime dhe për rritjen e kërkesës, rritjen e produktivitetit në sektorë konkurrues, mbështetjen e zhvillimit teknologjik, përmirësimin e nivelit të edukimit dhe zbatimin e reformave në tregun e punës. Në veçanti, dëshiroj të tërheq vëmendjen në lidhje me zbatimin e rekomandimeve të programit FSAP, për zhvillimin e mëtejshëm të sistemit financiar shqiptar dhe rritjen e qëndrueshmërisë së tij. Personalisht, mendoj se viti 2014 shtron sfida të reja e të vështira për të mundësuar një rritje të qëndrueshme dhe gjithë-përfshirëse ekonomike. Këto sfida kërkojnë zgjidhje afatgjata dhe puna për përballimin e tyre duhet vazhdojë pa humbur kohë.

Ju faleminderit,