BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në Konferencën Mesdhetare Euro mbi Mikrokreditin, 5 - 6 dhjetor 2005, Romë

Data e publikimit: 14.12.2005

 

Të nderuar pjesëmarrës!

Ndihem i lumtur që marr pjesë në Konferencën Mesdhetare Euro mbi Mikrokreditin, një ngjarje e rëndësishme, e cila lidhet me shpalljen e vitit 2005 nga Kombet e Bashkuara si "Viti ndërkombëtar i mikrokreditit".

Zakonisht, autoritetet e një vendi kanë për synim arritjen e një rritjeje të qëndrueshme ekonomike në një mjedis joinflacionist. Idealisht, në një treg të lirë, kapitali do të shkojë tek ato oportunitete, të cilat përfaqësojnë investimet më efikase dhe më fitimprurëse. Por, në një vend në zhvillim, tregjet kanë disa të meta dhe probleme dhe kapitali mund të keqshpërndahet lehtësisht. Ai mund të shkojë në ato oportunitete investimesh, të cilat sigurojnë rendiment të shpejtë, të lartë por të rrezikshëm, por edhe në sipërmarrje të tjera me frytshmëri të ulët e të cilat janë pothuajse të sigurta. Gjithsesi, kjo mënyrë sjelljeje mund të jetë problematike për rritjen e ardhme ekonomike të vendit. Shumë sektorë me mundësi të mëdha rritjeje afatgjatë mund të lihen të pashfrytëzuar. Kjo nënkupton që disa fusha të ekonomisë do të lulëzojnë, ndërkohë që të tjerat do të mbeten mjaft prapa duke çuar në një zhvillim ekonomik tepër të pabalancuar. Gjithashtu, grupe të ndryshme të popullsisë, veçanërisht ato me të ardhura të ulëta, ka shumë të ngjarë që të përjashtohen nga oportunitetet financiare duke shtuar gjasat e rritjes së varfërisë së tyre. Për rrjedhojë, mund të lindin probleme sociale, si për shembull, humbja e punës, lëvizje të lira të popullsisë dhe biznese të paligjshme etj., të cilat do t'i detyrojnë shërbimet publike që të përballen me këtë situatë. Prandaj, është e rëndësishme që të gjenden rrugë për të siguruar oportunitete më të balancuara zhvillimi për të gjithë sektorët e ekonomisë dhe grupet e popullsisë.

Përgjithësisht, ekonomia shqiptare mbështetet në mikrobiznesin. Pothuajse të gjitha ndërmarrjet në Shqipëri bëjnë pjesë në kategorinë e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Sipas të dhënave të INSTAT-it, më shumë se 90 për qind e ndërmarrjeve shqiptare mund të klasifikohen si ndërmarrje të vogla dhe të mesme. Pjesa më e madhe e këtyre kompanive janë të angazhuara në tregti dhe shërbime, duke reflektuar natyrën e tyre të biznesit mikro, dhe më pak në industri. Përsa i përket punësimit, këto ndërmarrje llogarisin më shumë se 40 për qind të punësimit gjithsej në sektorin e ndërmarrjeve. Në zonën Tiranë-Durrës ka një përqendrim më të lartë të ndërmarrjeve private sesa në rajonet e tjera, ndërkohë që industria është kryesisht e përqendruar në Elbasan. Ky sektor i ri privat, veçanërisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ka nevojë për mbështetje financiare për t'u rritur. Deri tani, sektori bankar nuk ka qenë i aftë t'i përmbushë këto nevoja. Gjendja është akoma më tepër problematike sepse ndërmarrjet e vogla private nuk kanë sektorë financiarë shumë të zhvilluar. Gjithashtu, këto vende kanë vështirësi për të hyrë në tregjet financiare ndërkombëtare.

Nuk dua të më keqkuptoni për rolin e sektorit financiar. Sektori financiar ka bërë hapa të konsiderueshëm në Shqipëri. Sot, sektori ynë financiar përfshin shumë institucione financiare bankare dhe jobankare, shoqëri të kursim-kreditit dhe unionet e tyre, kompani të sigurimit dhe të risigurimit, fonde pensionesh. Megjithatë, duhet të theksohet se zhvillimi i institucioneve të sektorit financiar është më tepër i dukshëm në sektorin bankar dhe në atë të sigurimeve. Aktualisht, sistemi bankar përfshin 16 institucione operuese, me asete totale rreth 53 për qind të PBB-së së vendit. Sistemi është i mirëkapitalizuar dhe likuid. Roli i tij i ndërmjetësimit po rritet. Aktiviteti i kredidhënies, edhe pse i vogël (rreth 23 për qind të aseteve bankare gjithsej dhe rreth 12 për qind të PBB-së), po rritet me shpejtësi. Institucionet e tjera financiare po përpiqen të rrisin dhe të modernizojnë aktivitetin e tyre. Megjithatë, shumë probleme të lidhura kryesisht me të drejtat ligjore dhe pronësore, të cilat janë jashtë sektorit financiar, po vështirësojnë zgjerimin e linjave të tyre të kreditit.

Mikrofinanca ka provuar të jetë një mënyrë më efektive për t'i zgjidhur këto probleme. Me formulat e saj origjinale, ajo bën që burimet financiare të jenë të arritshme për bizneset e vogla dhe të mesme, të cilat përbëjnë pjesën më të madhe të prodhimit të agreguar, gjatë këtyre fazave të zhvillimit. Këto burime shpesh përdoren për të financuar projekte të vogla në fusha të tilla, si bujqësi, blegtori apo shërbime si artizanat, ushqimore të vogla etj..

Institucionet e para mikrofinanciare në Shqipëri u krijuan në vitin 1994, si projekte zhvillimi të bashkëfinancuara nga Qeveria Shqiptare dhe Banka Botërore. 13 donatorë bashkëpunojnë më Qeverinë Shqiptare për të mbështetur zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla e të mesme në Shqipëri. Që nga viti 1992, Shqipëria ka përfituar mjaft fonde si donacion, por vetëm një pjesë e tyre është shpenzuar. Pjesa më e madhe e këtyre fondeve janë dhënë si kredi të buta për Qeverinë Shqiptare. Fondet ndihma përfaqësojnë rreth 30 për qind dhe vetëm 5 për qind janë kredi direkte tregtare për financimin e investimit privat. Ky lloj financimi, i quajtur "Projekte për Zhvillim", përdoret kryesisht për të financuar nevojat për kredi të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, shoqëruar kjo me asistencë teknike. Fondet e linjave të kreditit jepen nga donatorët si hua të buta dhe qeveria i vendos ato në banka për t'u përdorur si hua tregtare, pa dëmtuar praktikat bankare dhe përdorimin e kapitalit të vetë bankës. Për rrjedhojë, një pjesë e madhe e burimeve financiare të kreditimit kthehet në fonde tregtare.

Sot, institucionet mikrofinanciare operojnë si institucione të pavarura me një numër klientësh gjithnjë e në rritje. Në 5-7 vitet e fundit disa institucione të tjera janë përqendruar në mikrofinancimin. Aktualisht, ne kemi 133 shoqëri individuale të kursim-kreditit të organizuara në 2 unione, të cilat operojnë në zonat rurale. Numri i anëtarëve të tyre është rreth 18 mijë dhe stoku i kredisë së tyre rreth 12 milionë euro. Përveç kësaj, kemi 7 institucione mikrofinanciare me asete totale që arrijnë shumën e 50 milionë eurove, dhe kredi prej 43 milionë eurosh. Bankat gjithashtu, po bëhen më tepër aktive në mikrofinancim, pavarësisht nga interesi i tyre i pakët në këtë drejtim. Kjo mund të shpjegohet nga ngushtimi i konkurrencës në treg dhe nga nevoja për të eksploruar mundësi të reja investimi. Tani, një pjesë gjithnjë e më të madhe e kredive shkon për bizneset e vogla, gjë e cila shpesh i ndihmon ato në fazat fillestare. Bankat janë veçanërisht aktive në mikrofinancimin në zonat urbane. Në fakt, një nga bankat fillimisht ka filluar të operojë si një institucion mikrofinanciar. Ajo ende zë një vend të konsiderueshëm në këtë segment të tregut, veçanërisht në zonat urbane. Kredidhënia ndaj sektorit mikrofinanciar tashmë llogaritet në më shumë se 10 për qind të të gjithë portofolit të kredidhënies të sistemit bankar.

Cilësia e kredive mikrofinanciare ka qenë e kënaqshme. Në bazë të raporteve të tyre, rreziku i portofolit është mesatarisht ndërmjet 1.5-2 për qind. Kjo nuk është vetëm për shkak të shumës së vogël të tyre (zakonisht nën 1.5 mijë euro secila), por gjithashtu për shkak të shumëllojshmërisë së projekteve, duke siguruar kështu diversitetin e portofolit të kredive. Duhet theksuar gjithashtu, se një rol të rëndësishëm për këtë ecuri pozitive ka luajtur edhe përvoja e fituar nga institucionet mikrofinanciare në këtë fushë.

Korniza ligjore mbi mikrofinancën përfundoi në vitin 1996, me miratimin e një ligji të veçantë, i cili përcakton parimet mbi të cilat mund të krijohen dhe të operojnë institucione të tilla. Këto parime për institucionet e specializuara përfshinin vullnetin e lirë, bashkëpunimin reciprok, kapitalizimin e fitimit e riinvestimin në komunitet etj.. Zhvillimet e mëvonshme bënë të nevojshme që ky ligj të ndryshonte. Për këtë arsye, një ligj i ri "Mbi shoqëritë e kursim-kreditit dhe unionet e tyre" u miratua në Parlament në maj të vitit 2001. Ky ligj i ri u mbështet nga disa ndryshime. Krahas parimeve të cilat u ritheksuan, ligji ka përcaktuar personalitetin ligjor të institucioneve mikrofinanciare, aktivitetet e tyre të lejuara, të drejtat dhe detyrimet e anëtarëve të shoqërisë, strukturat administruese të shoqërive dhe funksionet e tyre, kërkesa të tjera të rëndësishme financiare mbikëqyrëse dhe raportet, rolin e unioneve dhe të Bankës së Shqipërisë si autoriteti rregullator dhe mbikëqyrës. E mandatuar me këtë rol, Banka e Shqipërisë ka miratuar disa rregullore, që kanë të bëjnë me institucionet mikrofinanciare dhe me zhvillimin e tyre. Kjo kornizë rregullatore përfshin kërkesat mbikëqyrëse për të filluar dhe operuar një shoqëri kursim-krediti, treguesit që mundësojnë raportimin dhe analizat e tyre financiare, dhe parimet mbi të cilat kryhet inspektimi në vend i institucioneve të tilla.

Rregullorja e Bankës së Shqipërisë "Mbi licencimin e shoqërive të kursim-kreditit dhe unionet e tyre", është dokumenti i parë nxjerrë nga Banka e Shqipërisë lidhur me këtë çështje, duke përfaqësuar kështu një hap të madh drejt formalizimit të këtyre institucioneve. Kjo rregullore përcakton kërkesat e dokumentacionit për aplikimin e dhënies së licencës, afatet dhe autoritetin që e jep këtë licencë. Këto kërkesa iu drejtohen shoqërive të veçanta, unionit dhe shoqërisë anëtare të unionit. Është pranuar roli i përfaqësimit të shoqërive anëtare të propozuara të unionit në procesin e licencimit, gjë e cila shërben si një instrument i rëndësishëm për të nxitur SHKK-të e pavarura që të bëhen anëtare të unionit. Numri i unioneve pa dyshim nuk është i kufizuar. Një rregullore tjetër e rëndësishme është edhe ajo mbi "Mbikëqyrjen e shoqërive të kursim-kreditit dhe unionet e tyre". Në këtë rregullore, Banka e Shqipërisë ka përcaktuar treguesit mbikëqyrës për tipologji të caktuara të rrezikut, të cilat janë karakteristike për fazën aktuale të zhvillimit të institucioneve financiare në Shqipëri. Rreziku i kundërpartisë kontrollohet përmes kërkesave për një proces të qëndrueshëm të analizës së portofolit të kredisë. Këto përfshijnë mënyrat e klasifikimit të kredive, kërkesat e tyre të provigjonimit, garancitë e tyre të mundshme individuale dhe të grupit, normat mbikëqyrëse të cilësisë së kredisë etj.. Përveç kësaj, rreziku i kundërpartisë kontrollohet në mënyrë indirekte nga kërkesat mbi mjaftueshmërinë e kapitalit të institucionit. Në rregullore përmenden gjithashtu rreziqe të tjera, për mbrojtjen nga të cilat përcaktohen kërkesa të caktuara. Përsa i përket rrezikut të likuiditetit, janë përcaktuar norma të ndryshme për mbajtjen e mjeteve të mjaftueshme likuide dhe kufizimin e kohëzgjatjes së kredisë. Ndërsa lidhur me rrezikun e përqendrimit, kërkesat e rregullores fokusohen në aktivitetin e kredidhënies dhe përcaktojnë normat për ekspozimin neto krahasuar me mjetet gjithsej të institucionit. Kjo kornizë rregullatore ka për qëllim që të orientojë në mënyrë aktive aktivitetin e institucioneve mikrofinanciare, dhe si e tillë, ajo do të rishikohet sipas nevojës së zhvillimeve. Krahas këtyre dy rregulloreve, është përgatitur edhe manuali i inspektimit të këtyre institucioneve. Ky manual bazohet në sistemin CAMELS, që ne përdorim për bankat dhe ka për qëllim vlerësimin e mjaftueshmërisë së politikave dhe procedurave të brendshme, cilësinë e administrimit dhe identifikimin, vlerësimin dhe monitorimin e rreziqeve. Gjithashtu, është përgatitur Manuali i Kontabilitetit, i cili është bazuar në standardet kombëtare të kontabilitetit, të përshtatura për aktivitetin mikrofinanciar. Ne mendojmë që korniza aktuale rregullatore, pas disa ndryshimeve të pritshme dhe miratimit të saj, është duke monitoruar si duhet aktivitetin mikrofinanciar në Shqipëri pa u kthyer njëkohësisht në një pengesë për zhvillimin e tij.

Duke pranuar rolin e mikrofinancës si një instrument të rëndësishëm për sigurimin e oportuniteteve të zhvillimit për bizneset e vogla, të cilat ndryshe nuk do të kishin mundësi përfitimi nga burimet financiare, duhet të theksojmë që mikrofinanca do të jetë e shëndetshme nëse ajo sigurohet nga institucione të shëndetshme. Nëse këto institucione do të dështojnë për shkak të qëndrimit të butë ndaj rregullave dhe procedurave të tyre të brendshme, dhe/ose sepse autoriteti mbikëqyrës ka mbyllur njërin sy për shkak të rolit të tyre social, atëherë sigurisht që nuk do të ketë shumë përfitime prej tyre. Kjo gjithashtu, do t'i bënte institucionet e tjera të ngurronin për t'u angazhuar në mikrofinancim.

Marrëdhënia ndërmjet institucioneve mikrofinanciare dhe sektorit bankar në aspektin e bashkëveprimit në financimin e ekonomisë, është një çështje tepër delikate. Bashkëekzistenca e tyre është pa dyshim "paqësore", në fazën e hershme të zhvillimit të të paktën një prej këtyre grupeve të institucioneve, por ndërsa ekonomia rritet dhe konkurrenca shtohet, ato kanë tendencën që të drejtohen më shumë përballë njëra-tjetrës. Në këtë fazë, është e rëndësishme që t'i kushtohet një vëmendje e veçantë përcaktimit të "rregullave të qartë të lojës" për aktivitetin e tyre dhe sigurimit të politikave të duhura, të cilat lejojnë reforma strukturore në këto institucione dhe në ndikimin e tyre në treg.

Në përfundim, do të doja të theksoja se mikrofinanca është një mjet shumë i rëndësishëm për të arritur një rritje të balancuar ekonomike, duke u siguruar mbështetje financiare bizneseve të vogla dhe të mesme, jetësore për rritjen ekonomike afatmesme dhe afatgjatë. Krahasuar me disa vende të tjera në rajon, mikrofinancat në Shqipëri kanë shfaqur norma më të larta rritjeje me cilësi të mirë. Megjithatë, ka hapësira të mjaftueshme për t'i zhvilluar ato më tej. Mbajtja e një mjedisi të qëndrueshëm makroekonomik, dhe përmirësimi i nivelit për një ligj dhe rregulla më të mirë, të drejta pronësore dhe konkurrencë e lirë, janë të gjithë faktorë shumë të rëndësishëm, të cilët do të përmirësojnë financimin e biznesit në Shqipëri. Si autoritet mbikëqyrës, ne do të punojmë shumë në drejtim të rritjes së qëndrueshme të mikrofinancave. Projekti i zyrës së kreditit, që banka jonë do të ndërmarrë së shpejti, pritet gjithashtu që të rrisë kreditimin përmes përmirësimit të problemeve të informacionit.

Ju faleminderit për vëmendjen tuaj.