BANKA E SHQIPËRISË
NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në çeljen e ekspozitës me rastin e 85-vjetorit të monedhës kombëtare, Muzeu Historik Kombëtar, 31 mars 2011
Data e publikimit: 31.03.2011
Kam kënaqësinë të çel siparin e aktiviteteve që Banka e Shqipërisë ka organizuar për të festuar 85-vjetorin e emetimit të monedhës kombëtare. Kur vendosëm të hapnim ekspozitën e sotme, mua personalisht me tërhoqi një tjetër dimension: historia e zhvillimit të sistemit monetar shqiptar. Monedhat e para të gjetura në vendin tonë datojnë që në shekullin e dytë para Krishtit. Këto monedha bronzi mbajnë të gjitha, në njërën anë, figurën e mbretit sundues, mbretit të fundit ilir Gent. Pra, në Iliri, si në të gjitha vendet e tjera të Mesdheut të lashtë, ky burrë i fuqishëm vendosi një lidhje të pazgjidhshme midis parasë dhe shtetit, jo vetëm për të promovuar veprimtarinë ekonomike të vendit, por edhe për të përfituar prej saj.
Aktiviteti i sotëm synon të kapë dhe të transmetojë tek vizitori vlerat artistike, ato numizmatike dhe zhvillimin historik të monedhës tonë kombëtare. Nëpërmjet evolucionit të vlerave nominale ne jemi në gjendje të krijojmë një përfytyrim mbi:
-
ecurinë në rrjedhën e viteve të ekonomisë kombëtare;
-
fuqinë blerëse të parasë;
-
historinë e popullit tonë nëpërmjet subjekteve të paraqitura dhe tematikave të trajtuara; ndjesitë kulturore dhe sociale të vendit nëpërmjet elementëve artistikë të dizenjimit.
Sistemi monetar e financiar i një vendi, jo vetëm që shpreh sovranitetin e politikave ekonomike të shtetit, por edhe mundëson zhvillimin e ekonomik e shoqëror të vendit.
Natyrisht që në gjithë këtë histori, emetimi i parasë kombëtare, në formën e monedhave e kartëmonedhave ka një rol unik. Historikisht, paraja ka lindur si përgjigje ndaj nevojave shoqërore për zhvillim e progres ekonomik. Të tre funksionet e saj: si mjet pagese, si ruajtës i vlerës dhe si mjet kontabël, mundësojnë një sofistikim më të madh ekonomik.
Njohja e këtyre roleve u kap shpejt nga sundimtarët e lashtësisë, të cilët ishin edhe emetuesit e parë të monedhave në format e tyre klasike. Duke njohur rolin dhe fuqinë që kishte paraja, këta princër, mbretër e perandorë, i vulosnin ato me portretet e tyre, si shprehje finale e autoritetit politik dhe ekonomik.
Kjo përshkruhet shumë bukur nga Mayer Rothschild, themeluesi i familjes së famshme Rothschild, kur thotë se: ... Më lejoni të emetoj dhe të kontrolloj paranë e kombit dhe nuk më bëhet vonë se kush i harton ligjet.... Madje, edhe një botë surreale si ajo në librin e famshëm të Harri Poterit nuk mund të ekzistojë pa Bankën Gringots, të cilën shkrimtarja Rowling e përshkruan si një ndërtesë e bardhë shumëkatëshe, me kasaforta të nëndheshme, të cilat shtrihen në thellësi të panjohura të tokës.
Zhvillimi ekonomik e shoqëror ka sjellë vazhdimisht risi në lëmin e sistemeve monetare, por edhe të monedhave e kartëmonedhave. Kështu, kartëmonedhat e para lindën si kundravlefta identike të sasive të metaleve të çmuara, kryesisht të arit, me një garanci eksplicite nga shtetet e sovranët për paritetin e tyre me arin. Kjo veçori reflektohet edhe në kartëmonedhat e periudhës së parë të shtetit shqiptar. Kartëmonedhat e emetuara gjatë kësaj periudhe emërtohen si franga ari, duke nënkuptuar mbulimin e tyre me arin fizik, sipas një kursi të fiksuar e të pandryshueshëm.
Evolucioni i mëtejshëm i shoqërive njerëzore, sistemeve ekonomike e politike të tyre, solli novacione të mëdha në fushën monetare. Zhvillimi i bankave tregtare, sistemit të kreditit dhe bankave qendrore ishin momente vendimtare në zhvillimin ekonomik.
Bankat qendrore, si institucione publike të ngarkuara me emetimin dhe qarkullimin e parasë, kanë një origjinë më të hershme. Shembujt e parë të bankave qendrore, në një kuptim të përafërt me atë të sotmin, datojnë në Anglinë apo Suedinë e shekullit të 17-të.
Këto institucione, fillimisht me një orientim të qartë tregtar, ishin të ngarkuara me emetimin e monedhave dhe shërbimin e nevojave të shtetit, me kredi apo huadhënie për qëllime të ndryshme. Banka qendrore moderne i ka origjinat e veta në shekullin e 20-të, dhe Rezerva Federale e SHBA shërbeu si një model për shumë banka qendrore të tjera.
Atribuimi i funksioneve mbikëqyrëse e rregullatore të sistemit bankar, si dhe orientimi i misionit të bankave qendrore në terma të objektivave ekonomikë, si inflacion i ulët apo rritje e qëndrueshme ekonomike, shënon edhe fillimin e bankave qendrore të ditëve të sotme. Këto të fundit, kanë ushtruar një rol primar në zhvillimet e mëtejshme të sistemeve monetare.
Konvertibiliteti me kurse fikse në metale fizike u paraqit problematik në administrimin ekonomik e monetar. Periudha e depresionit ekonomik të viteve 1929-1932 ilustroi qartë se politika monetare, e konceptuar si mundësi e autoriteteve publike për të ndikuar masën monetare në qarkullim si dhe çmimin e saj, ose normat e interesit, është një instrument i çmuar në zbutjen e luhatjeve ekonomike.
Duke filluar nga shekulli i 20-të, monedhat e kartëmonedhat e emetuara e humbën konvertibilitetin me arin sipas kurseve të fiksuara e të pandryshueshme. Paraja e emetuar, tashmë e tutje e quajtur edhe para e dekretuar, e mbështet vlerën e saj në forcën detyruese të shtetit.
Megjithatë, kjo është vetëm gjysma e pikturës. Aspekti më i rëndësishëm që përcakton vlerën e monedhës tashmë e tutje është besimi i publikut në të. Ruajtja e këtij besimi kërkon mbi të gjitha institucione të përgjegjshme dhe një qeverisje ekonomike transparente e të besueshme.
Në këtë premisë e ka zanafillën e vet edhe roli modern i bankave qendrore, si institucione të pavarura, të ngarkuara ekskluzivisht me emetimin e monedhës dhe të mandatuara ligjërisht për kontrollin e vlerës në kohë, ose me fjalë të tjera të fuqisë së saj blerëse apo, edhe më thjeshtë, të stabilitetit të çmimeve.
Zhvillimi i sistemeve monetare nuk e ka thënë ende fjalën e fundit; përkundrazi, dekadat e fundit kanë shënuar edhe periudhën më të vrullshme të tij. Lindja e parasë kontabile, në formën e depozitave të kursimit, të llogarive korrente, të çeqeve e të kambialeve bankare, i kanë shtrirë më tej kornizat klasike të përkufizimit të parasë.
Paraja elektronike në formën e kartave të debitit e të kreditit, të urdhërpagesave të iniciuara nëpërmjet internetit apo telefonisë celulare, apo lëvizjet e fondeve nëpër platformat elektronike të tregjeve financiare ndërkombëtare, përbëjnë novacione të mëdha. Administrimi i tyre shtron sfida të rëndësishme për bankierët qendrorë dhe institucionet e tjera mbikëqyrëse.
Zhvillimet e mësipërme, me një devijim të dukshëm në periudhën e komunizmit, janë reflektuar edhe në historinë e sistemit monetar në Shqipëri. Pa dashur të zgjatem, dëshiroj të përmend stadet kryesore nëpër të cilat ka kaluar sistemi jonë monetar, duke u përpjekur të kap në disa rreshta thelbin e secilit prej tyre.
Kur Shqipëria fitoi pavarësinë nga perandoria osmane në 1912, monedhat të Francës, Italisë, Greqisë, Austro-Hungarisë dhe Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene filluan të qarkullonin në vend të lirës osmane. Shqipëria nuk zotëronte një sistem kombëtar monetar.
Monedha më e përdorur në Shqipëri ishte ajo e Bashkimit Monetar Latin frangu ar i cili përbënte monedhën de facto të Shqipërisë. Duke mos zotëruar ndonjë monedhë ligjore Shqipëria kishte standardin e arit, nëpërmjet të cilit fiksoheshin vlerat e parasë argjend dhe letër.
Shqipëria ishte kështu një ndër vendet e pakta evropiane ku si mjet pagese dhe thesari ishte një monedhë e qëndrueshme. Detyra kryesore e shtruar përpara autoriteteve shqiptare ishte kodifikimi i sistemit monetar, duke shpallur frangun ar si njësia monetare kombëtare. Kjo sillte nevojën e ngritjes së një banke emetimi, e cila do të ishte në gjendje të fiksonte normën ligjore të këmbimit për kartëmonedhat e emetuara, duke zhdukur gradualisht nga qarkullimi paranë letër të huaj.
Në vitin 1922, profesor Albert Calmes anëtar i komisionit të hetimit në çështjet shqiptare në Lidhjen e Kombeve vërente se: ... megjithëse shqiptarët jetojnë shumë thjeshtë dhe, në shumë raste, në kushtet e varfërisë së madhe, ata janë në gjendje të kursejnë, pavarësisht produktit të vogël të prodhuar nga metodat e tij të punës, pasi janë shumë kursimtarë. Kapitali i kursyer grumbullohet në ar. Si rezultat, Shqipëria posedon një sasi të madhe metalesh të çmuara, të vlerësuara deri në 100 milionë franga ari. Por ky kapital, i cili, nëse vihet në përdorim do ta vejë jetën ekonomike në Shqipëri në rrugën e progresit, është i fshehur.
Kredia dhe organizatat e kredisë nuk ekzistojnë. Normat e interesit të kredisë prej 30% janë shumë të zakonshme. Arsyeja për këtë është mungesa e besimit. Besimi i shqiptarit në stabilitetin e qeverisë nuk është aq i fortë sa ta nxisë atë që të investojë paratë e tij në sipërmarrje financiare. Për të nxjerrë kapitalin nga vendet ku fshihet në mënyrë joproduktive, duhet krijuar besim....
Mjeti më i mirë për këtë qëllim ishte krijimi i një banke kombëtare, një institucion për të cilin Shqipëria kishte shumë nevojë në atë periudhë. Krijimi i saj nevojitej urgjentisht, pasi vetëm ajo mund të zgjonte në Shqipëri kushtet e jetës ekonomike moderne. Misioni i saj kryesor ishte të nxiste besimin, kredinë dhe shpirtin e sipërmarrjes tek shqiptarët.
Banka Kombëtare Shqiptare u krijua më 1925, me kapital të përbashkët shqiptaro-italian. Kjo bankë fitonte të drejtën ekskluzive të emetimit të parasë në prerje metalike (ar, argjend dhe bronz) dhe në kartëmonedhë dhe caktimit të kursit të saj ligjor. Sasia e kartëmonedhave që banka vinte në qarkullim kishte mbulim në ar ose argjend.
Banka i dha Shqipërisë monedhën e parë kombëtare frangun ar duke u rikthyer në paritetin monetar ar-kartëmonedhë. Arritja më e madhe e Bankës ishte krijimi i një sistemi monetar të shëndoshë, i cili përballoi me sukses edhe vështirësitë e sistemit monetar botëror gjatë krizës ekonomike botërore të viteve 30. Monedha shqiptare i qëndroi besnike, deri në prill 1939, paritetit të kartëmonedhës me monedhën ar.
Duke qenë të bazuara në lingota ari, kartëmonedhat shqiptare pranoheshin në të parë në të gjitha sportelet e bankave kryesore të botës. Kështu, frangu shqiptar ishte një ndër valutat më të forta në Evropë në periudhën midis dy luftërave botërore.
Periudha midis viteve 1926-1939, përkon me krijimin e një sistemi të mirëfilltë bankar, sipas sistemit të ekonomisë së tregut dhe traditave bankare të periudhës. Në filozofinë e sistemit dhe të kohës, e cila paraqitet thelbësisht e njëjtë edhe me atë që ndjekim aktualisht, paraja luan rolet e rëndësishme të mjetit të këmbimit, të ruajtësit të vlerës dhe të njësisë kontabël.
Kjo dëshmohet qartë në shtypin e kohës. Në fjalimin e inaugurimit të tij si President i Bankës Kombëtare zoti Mosconi ka thënë se: Dëshira jonë asht me sjellë këtu kushtimin e të hollave në të njëjtin nivel tItalisë fqinje e mbi këtë rrugë janë realizue hapa fort të mdhaja, kështu që jemi tue ja mbrrijt qëllimit qëkurse gjatë perjudhës së shkurtër tekzistencës sonë, taksi zyrtar i skontos, që formon masën themelore, ka zbritur prej 12 në 6 për qind ( Pjesë nga fjalimi i Presidentit të Bankës Kombëtare të Shqipërisë z.Mosconi, mbajtur me rastin e inaugurimit të godinës së Bankës, botuar në gazetën Drita dt.1 nëntor viti 1938).
Me përfundimin e luftës, Shqipëria u fut në orbitën e vendeve me ekonomi të centralizuar dhe Banka Kombëtare Shqiptare u transformua në Bankën e Shtetit Shqiptar.
Përpjekjet e para për disiplinimin e qarkullimit monetar ndikuan disi në stabilizimin e vlerës së monedhës shqiptare, emri i së cilës tanimë u kthye në lek.
Fillimisht e konceptuar si një bankë qendrore me organizim kapitalist, Banka shpejt u shndërrua në një institucion të rëndomtë të administratës shtetërore, e zhveshur nga çdo prerogativë e nevojshme për një bankë qendrore, duke e humbur të gjithë autonominë e saj. Banka humbi të drejtën tradicionale të ushtrimit të politikës monetare, duke u shndërruar në këtë mënyrë në një arkë të shtetit. Sistemi monetar e financiar komunist, i adoptuar në praktikë gjatë periudhës 1945-1991, ia njihte parasë të treja rolet e saj, por nuk e pranonte tërësisht rolin dhe rëndësinë e sistemit të kreditit. Për më tepër, analiza e monedhave dhe e kartëmonedhave të kohës tregon për një frymë artistike të orientuar dukshëm drejt realizimit socialist.
Vetëm pas vitit 1992, u bë i mundur transformimi i bankës së shtetit shqiptar në një bankë qendrore moderne, me mision themelor ruajtjen e fuqisë blerëse të lekut.
Në realizimin e këtij misioni, busulla jonë mbetet e orientuar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, nëpërmjet një progresi të pandalshëm drejt konvergjencës ekonomike dhe ligjore me Bashkimin Evropian. Në këtë drejtim, në fokusin themelor të veprimtarisë sonë do të vazhdojë të jetë forcimi i pavarësisë funksionale, institucionale, personale dhe financiare të Bankës së Shqipërisë dhe, veçanërisht, garantimi i stabilitetit të çmimeve, si objektiv parësor i politikës monetare.
Paraja dhe sovraniteti janë të destinuara të qëndrojnë të ndërthurura. Sikurse monedhat ilire përdornin imazhin e sovranit si një mjet për të nxitur besimin e popullit, mënyra më e mirë që Banka e Shqipërisë të përmbushë misionin e saj ndaj publikut është njohja dhe besimi në monedhën vendase. Një monedhë e fortë dhe e shëndetshme do të jetë një shoqërues i pandarë i rrugëtimit tonë deri në portat e Brukselit dhe Frankfurtit.
Më lejoni ta mbyll këtë fjalë hyrëse me një parashikim personal.
Monedha dhe kartëmonedha, si simbole klasike të mjetit të pagesës, por edhe si një objekte të cilët përfaqësojnë në mënyrë të stilizuar vlerat historike e artistike të kohës, do të vijojnë të mbeten pjesë e realitetit ekonomik edhe për brezat që vijnë. Populli i ka kënduar me vargje parasë. Në Autobiografinë e popullit tim në vargje Kadare shkruan: Duke mbajtur frenë e kalit/duke i dhënë sisë djalit/derdhure florinjtë e ballit. Duke mbajtur frene e mushkës/duke i dhëne sisë çupës, derdhure florinjtë e gushës. Muzeu i monedhës të cilin po e iniciojmë sot, jo vetëm që do të ruajë në kohë këtë kujtesë historike, por do të vazhdojë të pasurohet edhe në të ardhmen. Është fillimi i muzeut kombëtar të vlerave monetare dhe numizmatike, që Banka e Shqipërisë do ti ofrojë së shpejti publikut në selinë e saj të rikonstruktuar, duke prezantuar vlerat të shtuara historike të kombit tonë.
Në përfundim, më lejoni të falënderoj koleksionistët shqiptarë dhe të huaj dhe Muzeun Historik Kombëtar për bashkëpunimin e treguar në organizimin e kësaj ekspozite.