BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në çeljen e ekspozitës së Bankës së Shqipërisë, 4 tetor 2013

Data e publikimit: 04.10.2013

 

I nderuar z. Kryetar i Kuvendit,

Të nderuar pjesëmarrës, në kërkim të alternativave për paraqitjen e rrugëtimit 100-vjeçar të bankingut qendror, Banka e Shqipërisë hap sot këtë ekspozitë me tematikë “paraja dhe edukimi financiar përmes saj”. Historia e konsolidimit të shtetit dhe monedhës kanë ecur dorë më dorë ndër shekuj. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm për rëndësinë e parasë në ngjarjet e përditshme të qytetërimit tonë. Para, lekë, franga, ecu, euro, dollarë .. mjete. Mund ta quani si të doni. Paraja është e rëndësishme! E rëndësishme jo vetëm për funksionet e saj, për të paguar, për të kursyer apo për të depozituar, por edhe si një dëshmi historike dhe artistike e kombeve ndër shekuj. Për ata që besonin, dashuria për para përfaqësonte rrënjët e gjithë të këqijave. Për gjeneralët, ajo ishte arma më e fortë e luftës. Për revolucionarët, prangat e punëtorëve. Por çfarë janë paratë? Një mal me argjend apo pllaka prej qeramike dhe copa letrash? Si arritëm në kohën kur paraja është në të shumtën e rasteve e padukshme? Pak a shumë një grupim numrash në ekrane kompjuterësh? Nga erdhi paraja dhe si evoluoi ajo? Ashtu si do e shihni pas pak, kjo ekspozitë synon t’i japë përgjigje këtyre pyetjeve në një gjuhë sa më të kuptueshme për të gjithë, por së pari ajo përkujton një datë të shënuar historike.

foto1 6011 0

Data e çeljes së ekspozitës “...Banka për Shqipërinë është një i dyti fitim, pas lirisë..” është 4 tetori 2013. Si sot 100 vite të shkuara, në emër të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, Ismail Qemal bej Vlora nënshkroi koncesionin e parë për krijimin e një banke kombëtare shqiptare. Jam i lumtur dhe i emocionuar, jo vetëm si Guvernator i Bankës Qendrore por edhe si qytetar shqiptar, për çeljen e kësaj ekspozite. Ajo sjell në vëmendjen e publikut një ndër meritat e babait të Pavarësisë, të cilat e vendosin atë në piedestalin e merituar për shkak të aktivitetit dhe vizionit të tij si shtetar.

Historia na mëson se bankingu qendror nuk ka lindur në një ditë të vetme. Ai nuk është i lidhur me një ngjarje të veçantë dhe për më tepër nuk është produkt i një ndodhie rastësore. Bankingu qendror ka lindur si nevojë e shteteve për të pasur një institucion që do të krijonte dhe garantonte furnizimin e ekonomisë me para.

Ai lindi si nevojë për të mbushur arkat e boshatisura të mbretërive, për të financuar fushatat luftarake, për të zgjeruar territoret dhe rritur numrin e kolonive, si dhe për të absorbuar pasojat e krizave ekonomike dhe financiare me qëllim kthimin e ekonomisë në ekuilibër.

Përkundrejt këtij konteksti, bankingu qendror shqiptar, ka një histori të ndryshme. Ismail Qemali, ky burrë i zgjuar, ideoi krijimin e bankës qendrore duke e bazuar atë në konceptin e lirisë, asaj që i kishte munguar kahera këtij populli. Në përurimin e bankës, ai shprehet: “E themi me lavdërim se puna e bankës, për Shqipërinë është një i dyti fitim pas lirisë, dhe nga pikëpamja ekonomike dhe nga ajo politike.“

Sa herë që lexoj këtë thënie, kuptoj se sa thjesht Ismail Qemali ka arritur ta sintetizojë domosdoshmërinë për të konsoliduar pavarësinë e fituar një vit më parë me një bazë solide financiare për krijimin e një shoqërie të begatë. Ismail Qemali e konceptoi krijimin e bankës si një institucion financiar, i cili duhej t’i jepte jetë zhvillimit ekonomik dhe stabilizimit të shtetit të pavarur shqiptar.

Nuk është e rastësishme që në fjalimin e tij, të mbajtur disa ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes mbi krijimin e Bankës Kombëtare të Shqipërisë, Ismail Qemali u shpreh: “Shqipëria, që atë ditë kur pati fatin e bardhë të bëhet një shtet në mes të shteteve të Ballkanit e të Evropës, ka të drejtë të ketë një edhe më tepër banka për të siguruar kreditin e botshëm si popull edhe kreditin e veçantë për secilin shqiptar, si njeri.“

Fjalët e tij vizionare qëndrojnë po aq të vlefshme edhe sot. Jam krenar që sot, njëqind vjet më pas, falë përpjekjeve të shumta kemi një bankë qendrore moderne që gëzon besimin e publikut dhe të aftë për të përmbushur misionin e saj kryesor: stabilitetin e çmimeve dhe atë financiar të vendit. Përgjatë njëzet viteve të fundit shumë gra dhe burra, nëna dhe baballarë, dhe tashmë të rinj dhe të reja apo nipër dhe mbesa të profesionistëve të parë, kanë kontribuar dhe kontribuojnë me gjithë shpirt për t’i dhënë jetë një institucioni modern e të suksesshëm siç është Banka e Shqipërisë. Ajo që mendoj se karakterizon punën e tyre mund të përmblidhet në tre fjalë të thjeshta: përkushtim, profesionalizëm dhe integritet.

Gjej rastin që t’i falënderoj të gjithë punonjësit e Bankës së Shqipërisë për punën e kryer deri më tash, duke shprehur besimin se përkushtimi i tyre do të jetë i pakursyer edhe në të ardhmen.

Kriza ekonomike dhe financiare, rishtazi na dëshmoi se roli i bankave qendrore është themeltar për stabilitetin dhe mirëqenien e një vendi. Besoj se Banka e Shqipërisë e ka përmbushur këtë mision me profesionalizëm duke bërë të mundur një ambient të qëndrueshëm veçanërisht përsa i takon stabilitetit të sistemit bankar. Kjo nuk ka qenë e rastësishme. Nuk dua të përsëris veten, por e gjykoj të domosdoshme të ritheksoj se Banka e Shqipërisë ka qenë vigjiliente në monitorimin skrupuloz të shëndetit financiar të sistemit si para edhe pas shpërthimit të krizës.

Me profesionalizëm, dedikim dhe largpamësi kemi arritur të konsolidojmë pavarësinë e institucionit, në sajë të një komunikimi të vazhduar me gjithë aktorët e tregut duke ruajtur raportin “pavarësi – llogaridhënie”. Transparenca është baza e vendimmarrjes në fushën e politikës monetare ashtu edhe në atë të stabilitetit financiar. Në sintezë të të gjitha qëndrimeve tona gjatë periudhës së vështirë që na ka imponuar kriza globale ka qenë përpjekja jonë për të injektuar optimizëm racional në lidhje me sjelljen e agjentëve ekonomikë.

Besoj se është e domosdoshme që në të ardhmen kjo frymë të përqafohet dhe të përcillet në ekonomi nga të gjithë politikëbërësit, agjentët ekonomikë, tregu financiar, përfshirë dhe individët e thjeshtë. Në thelbin e kësaj filozofie qëndrojnë reformat strukturore të gjithanshme, për të fituar kohë drejt ritmeve të qëndrueshme të zhvillimit afatgjatë të vendit.

Të nderuar pjesëmarrës,

Bankingut qendror shqiptar i duhet një datë lindjeje. Kjo datë i jep atij mundësi: të nderojë përpjekjet e baballarëve të kombit për krijimin e bankës qendrore dhe konsolidimin e Shtetit Shqiptar; të kujtojë përpjekjet e të gjithë atyre që përmes punës kanë kontribuar në zhvillimin dhe lartësimin e këtij institucioni; si dhe të vështrojë sfidat e së ardhmes dhe të gjejë rrugët për përballimin e tyre. Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të mbetet një aktor i përgjegjshëm dhe i besueshëm, në përmbushje të misionit të saj ligjor dhe në mbështetje të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit.

Ky 100-vjetor i parë i bankingut tonë qendror vjen sot si një urim i mirë për të gjithë ne.