BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani në ceremoninë e lancimit të projektit të binjakëzimit të Bankës së Shqipërisë, 23 mars 2011

Data e publikimit: 23.03.2011

 

Zonja e zotërinj, miq të nderuar,
Është kënaqësi të jem këtu me ju sot në ceremoninë e lancimit të këtij projekti të rëndësishëm.

Kjo ngjarje është emocionuese për mua e shumë kolege mes nesh, sepse sot shohim të marrë jetë një propozim, një ide e shkëlqyer e cila jam i bindur se brenda muajve në vijim do të shndërrohet në një produkt të dobishëm dhe shumë të suksesshëm.

Në fjalimin tim të parë ndaj publikut, rreth 7 vjet më parë, theksova se: “Banka e Shqipërisë sheh tek Banka Qendrore Evropiane institucionin i cili përfaqëson jo vetëm modelin e organizimit dhe të veprimit drejt të cilit ne synojmë të afrohemi me shpejtësi, por edhe mundësinë e një bashkëpunimi konkret në drejtime të veçanta të funksionimit të Bankës së Shqipërisë si edhe të objektivave strategjikë të ekonomisë së vendit”.

Nga ky këndvështrim me kënaqësi konstatoj se kjo ceremoni e thjeshtë që po mbajmë sot është një dëshmi e:

  • përmbushjes së kësaj ambicie në fillim të mandatit tim;
  • maturimit të institucionit tonë;
  • përafrimit të shpejtë me standardet e sistemit të bankave qendrore evropiane;
  • rritjes së besimit të publikut ndaj saj dhe përmirësimit të imazhit në skenën ndërkombëtare;

Kam bindjen se projekti i binjakëzimit për të cilin jemi mbledhur këtu sot do të forcojë edhe më tej bashkëpunimin dhe komunikimin jo vetëm në sferën profesionale por edhe në atë personale mes institucioneve tona, element ky në të cilin besoj shumë. Jetojmë në një shoqëri globale në të cilën zhvillimet në botën bankare e financiare ecin me hapa alarmante e për këtë arsye bankat qendrore duhet të kenë mekanizma të brendshëm, të fortë dhe të besueshëm, të koordinimit dhe komunikimit të cilët mund të përgatisin institucionet tona të përballen me këto situata.

Pikërisht në këtë kuadër, edhe projekti i binjakëzimit është një element parësor i cili do të asistojë Bankën tonë në këtë rrugëtim, por jo vetëm. Duke analizuar me kujdes objektivin e përgjithshëm të këtij projekti vërejmë se ai fokusohet tek asistenca ndaj Bankës se Shqipërisë në përmbushjen e kritereve ekonomike në kuadër të integrimit të vendit tonë në BE, duke kontribuar kështu në përmirësimin e praktikave të punës në fushat e mbikëqyrjes bankare, statistikave, sistemeve të pagesave, tregut ndërbankar, bashkërendimit të procesit të integrimit në BE dhe edukimit financiar.

Theksoj gjithashtu se ky projekt binjakëzimi synon ndër të tjera edhe përafrim të standardeve të institucionit tonë me ato të Sistemit Evropian të Bankave Qendrore (SEBQ) si dhe të sigurojë një përafrim të kuadrit ligjor dhe rregullator të Bankës sonë me acquis communautaire që prek fushën bankare dhe financiare.

Një proverb thotë: “Kur planifikon për një vit, mbill misër. Kur planifikon për një dekadë, mbill drunj. Kur planifikon për një jetë të tërë, trajno dhe arsimo njerëz.”

Kjo është një filozofi e cila edhe sot po mishërohet përmes këtij projekti binjakëzimi i cili krahas ndihmës në zhvillimin e fushave të lartpërmendura gjithashtu do të ndihmojë në rritjen e vetëdijes për nevojën e përftimit të informacionit dhe trajnimit të mëtejshëm të stafit të institucionit tonë në fushat respektive. Harmonizimi i detyrave dhe standardeve të punës sonë me ato të Bashkimit Evropian është një nga prioritetet e Marrëveshjes së Stabilizimit Asociimit, dhe gjithashtu edhe institucionit tonë si pjesë thelbësore e këtij procesi me rëndësi kombëtare.

Me këtë rast dua të shpreh mirënjohjen time për bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi pasur me Banca d'Italia dhe Banque de France gjatë fazave të përgatitjes si dhe implementimit të fazës së parë projektit të binjakëzimit. Gjithashtu shpreh falënderimet e mia për Delegacionin e Bashkimit Evropian për asistencën e vazhdueshme dhe kujdesin e treguar gjatë gjithë ecurisë së projektit të binjakëzimit, dhe shpreh bindjen time të thellë që këto janë vetëm hapat e parë të një bashkëpunimi më të ngushtë mes institucioneve tona.
Përshëndes përpjekjet tuaja dhe shpresoj që realizimi i suksesshëm i këtij projekti do të shërbejë si shembull për të gjithë ne, që të përfshihemi më tepër në iniciativa të këtij lloji.

Po e mbyll fjalën duke qenë i bindur se ky projekt e ky bashkëpunim janë gurët e themelit për një të ardhme më të mirë, e një hap i rëndësishëm drejt integrimit evropian të institucionit tonë. Le të ndërtojmë mbi shpresat tona dhe mbi të gjitha t’i pranojmë përgjegjësitë tona. Le të jetë kjo e ardhmja jonë Evropiane.