BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në edicionin e parë të javës italiane në Shqipëri, 5 maj 2014

Data e publikimit: 05.05.2014

 

I nderuar Zoti President i Senatit,

I nderuar Zoti Kryeministër,

Të nderuar Zotërinj Ministra dhe Ambasadorë,

Është një kënaqësi e veçantë të përshëndes këtë aktivitet të rëndësishëm bashkëpunimi dhe bashkërendimi me partnerin tonë kryesor ekonomik, Republikën e Italisë. Vite më parë, misioni “Arcobaleno” dhe ai “Pelikan”, i siguruan Shqipërisë bukë dhe rend, ndërkohë që në ditët e sotme Shqipëria është në prag të marrjes së statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE. Në këtë rrugëtim të gjatë mes arritjesh dhe sfidash, mbështetja e Italisë nuk na ka munguar asnjëherë dhe për këtë ne shprehim falënderimin tonë më të sinqertë. Shqipëria dhe Italia janë vende partnere natyrale.

foto shefi 6583 0

Përveç, dhe përtej vendndodhjes gjeografike, të gjitha dimensionet e zhvillimit ekonomik e social të dy vendeve, si shkalla e zhvillimit të teknologjisë, kapitalit financiar dhe i atij human, karakteristikat demografike dhe të tregut të punës, shkalla e shfrytëzimit dhe e përpunimit të burimeve natyrore, si dhe planet e zhvillimit strategjik, i bëjnë këto dy ekonomi partnere të natyrshme.

Ky partneritet dhe bashkëpunim i ngushtë mes dy vendeve tona i ka rrënjët që në lashtësi. Pavarësisht nga përfitimi reciprok nga marrëdhëniet vullnetare të shkëmbimit ekonomik e financiar, flukset e teknologjisë dhe të kapitalit kanë rrjedhur kryesisht në një drejtim, nga Italia drejt Shqipërisë. Hyrjet e teknologjisë dhe kapitalit financiar kanë çuar në nxitjen e mëtejshme të marrëdhënieve tregtare, shfrytëzimin e burimeve natyrore, dhe nxitjen e aktivitetit të industrisë e të përpunimit, e rrjedhimisht në zhvillimin ekonomik të vendit. Për efekt të faktorëve dhe fazës të zhvillimit ekonomik, pritet që ky bashkëpunim të vazhdojë dhe Italia të mbetet një nga partnerët kryesorë për ekonominë shqiptare, pavarësisht nga zhvillimet dinamike në kompozimin e partnerëve tregtarë.

Në pamje të parë, investimet direkte italiane në Shqipëri janë dyfishuar nga niveli i parakrizës globale. Megjithatë, pesha e Italisë në totalin e investimeve të huaja direkte është luhatur rreth një mesatareje prej vetëm 14% gjatë 2007-2012, duke treguar se integrimi financiar dhe i kapitalit nuk është i njëjtë me integrimin tregtar mes popujve tanë.

Në terma të tregtisë, vihet re zgjerim i aktivitetit mes dy vendeve nga 35% në vitin 2007 në 37.5% në dy vitet e fundit, duke forcuar pozitën e Italisë si partnerja jonë më e madhe tregtare.

Kërkesa e ekonomisë italiane vazhdon të luajë një faktor të rëndësishëm në zhvillimin e eksporteve dhe industrisë në Shqipëri, por ajo mbetet e kufizuar në disa degë. Është fakt se prezenca e ekonomisë italiane nuk është homogjene në të gjithë sektorët e ekonomisë. Pesha e lartë e tregtisë dhe investimeve në sektorët si veshjet tekstile, metale dhe ndërtim, makineri e pajisje, nuk reflektohet në një peshë të krahasueshme me investimet në sektorin e energjisë, të turizmit, agrobiznesit, të teknologjisë së informacionit, apo në sektorin financiar. Interesat tregtare, penetrimi i kapitalit e teknologjive të reja në sektorët jetikë e shumë fitimprurës të ekonomisë shqiptare kanë nevojë për një prezencë e një mbështetje më të madhe dhe më të drejtpërdrejtë nga sektori financiar italian.

Tregtia dhe ndërveprimi bilateral do të vazhdojnë të përcaktohen nga diferencat në produktivitet, dhe nga shkalla e shfrytëzimit të burimeve natyrore. Këto diferenca duhet të ngushtohen e madje të shkojnë drejt eliminimit të plotë,veçanërisht në disa sektorë të rëndësishëm si bujqësia e turizmi, shërbimet financiare dhe shfrytëzimi i burimeve natyrore. Kjo do t'i hapte rrugën zhvillimit të mëtejshëm të tregtisë e investimeve,duke çuar eventualisht në një marrëdhënie tregtare të nxitur jo nga diferencat, por nga ngjashmëritë në shkallën e zhvillimit.

Pengesat kanë të njëjtën natyrë e karakteristika që i kam përmendur shpesh në diskutimet mbi modelin e rritjes ekonomike. Ato kanë qenë dhe mbeten ndër arsyet kryesore të mungesës së vëmendjes së sistemit bankar dhe tregut të kapitalit për zgjerimin e investimeve të huaja apo për integrimin e mëtejshëm tregtar e financiar me partnerët tanë. Politikat e autoriteteve shqiptare të ndërmarra kohët e fundit të mbështetura dhe nga marrëveshja me FMN-në dhe BB-në i kushtojnë një vëmendje të veçantë këtyre sektorëve dhe këtyre reformave. Kjo përqasje rrit ndjeshëm potencialin e bashkëpunimit. Zhvillimi i bujqësisë, agrobiznesit dhe përpunimi i produkteve mesdhetare, zhvillimi i turizmit dhe kombinimi i tyre i suksesshëm në sektorin e agro-turizmit e bën Italinë një lider global në zhvillimin e këtyre sektorëve.

E njëjta gjë mund të thuhet dhe për sektorin financiar, atë energjetik dhe teknologjik. Këto janë fusha ku duhet të ketë më shumë bashkëpunim e marrëdhënie më të shpeshta tregtare e financiare midis vendeve tona.

Së fundi, dëshiroj të fokusohem në dimensionin rajonal. Shqipëria i ofron akses biznesit italian jo vetëm në hapësirën ekonomike shqiptare, por në të gjithë rajonin Ballkanit Perëndimor. Në këtë këndvështrim, dua t’ju kujtoj se investimi në Shqipëri është një prerogativë për shfrytëzimin e avantazheve që mbart rajoni i Evropës Juglindore.

Rrjedhimisht adaptimi i një filozofie rajonale zhvillimi në infrastrukturë, në tregun e punës, në zhvillimin e kapitalit njerëzor, në përparimin e teknologjisë, në shfrytëzimin e ekonomive të shkallës, e mbi të gjitha koordinimi i reformave strukturore e politikave zhvillimore në rajon, paraqet një oportunitet për Shqipërinë dhe për Italinë.

Optimizimi i marrëdhënieve tregtare me ato financiare, çuarja përpara e reformave strukturore,vendosja e prioriteteve strategjike, formalizmi dhe nxjerrja në treg e sektorëve të rëndësishëm strategjikë(që bazohen në pronësinë dhe shfrytëzimin e tokës e burimeve të tjera të rëndësishme natyrore të ekonomisë shqiptare), shfrytëzimi i mundësive dhe i potencialit që ofron bashkëpunimi rajonal, do të nxisin një rritje të shpejtë dhe të mëtejshme të mundësive për të zgjeruar biznesin dhe investimet, me përfitim direkt për të dy vendet tona.

Të nderuar pjesëmarrës,

Në periudhën post krizë, të dy vendet tona janë përfshirë në një proces reformash të thella strukturore me qëllim rivitalizmin e ekonomisë dhe krijimin e bazamenteve të shëndosha për rritje të qëndrueshme. Duke e vlerësuar këtë si një moment historik, mendoj se një koordinim më i mirë i politikave ekonomike dhe financiare do të ishte me interes reciprok, veçanërisht për një konvergim sa më të shpejtë të Shqipërisë.

Më lejoni t’ju garantoj se Banka e Shqipërisë mbetet thellësisht e angazhuar për të siguruar një ambient makroekonomik dhe financiar të qëndrueshëm, për të garantuar një ambient me inflacion të ulët dhe të sigurt financiarisht. Sistemi bankar shqiptar, është i gatshëm të mbështesë iniciativat për zhvillimin e vendit.

Në përfundim, një falënderim i veçantë shkon për Banca d’Italia, për asistencën e dhënë prej saj në rikonstruksionin e dy prej godinave simbol të qytetit të Tiranës, godinës së Bankës së Shqipërisë dhe ish-Hotel Dajtit.

Ju faleminderit!