BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z.Ardian Fullani, në forumin “ Kreditimi i ekonomisë dhe shëndeti afatgjatë i sistemit bankar”, 4 mars 2013

Data e publikimit: 06.03.2013

 

Të nderuar pjesëmarrës,

Duke ju uruar mirëseardhjen më lejoni të them dy fjalë në lidhje me rëndësinë e këtij takimi. Banka e Shqipërisë vlerëson se komunikimi i vazhdueshëm dhe i hapur me industrinë bankare dhe komunitetin e biznesit përbën një kusht të domosdoshëm për garantimin e një qëndrueshmërie më të madhe makroekonomike dhe financiare të vendit. Këto takime shërbejnë si platforma për të prezantuar nisma dhe vendime të natyrës strategjike, ndikimi i të cilave është i drejtpërdrejtë në aktivitetin ekonomik dhe financiar të të dy komuniteteve që përfaqësohen në këtë takim. Për këtë arsye, ky është një forum i hapur ku analiza, përfundimet dhe vendimmarrja e Bankës së Shqipërisë do të ballafaqohet me analizat dhe përfundimet e nxjerra nga dy grupimet e tjera.

Ajo çka besoj se do të arrihet  në përfundim të takimit, do të jetë një mirëkuptim  dhe një ndarje përgjegjësish për të dhënë një stimul të ri gjallërimit të aktivitetit ekonomik të vendit, nëpërmjet riaktivizimit të kanalit të kreditimit të ekonomisë. Në këtë mënyrë më lejoni të bëj publik dhe çështjen kryesore në të cilën do të ndalet forumi i sotëm: kreditimi i ekonomisë dhe stabiliteti afatgjatë i sistemit bankar. Ky takim, përveç diskutimit profesional mbi këtë çështje, do të shërbejë dhe për prezantimin e një nisme të re të Bankës së Shqipërisë, të cilën do ta quaja paketa e Bankës së Shqipërisë për gjallërimin e kredisë.

Më lejoni të ndalëm më në detaje rreth kësaj  çështjeje , duke e ndarë fjalimin tim në tre pjesë kryesore:

  1. një fotografim i shpejtë i zhvillimeve më të fundit ekonomike dhe financiare në vend;
  2. një vështrim në retrospektivë i përballjes së ekonomisë sonë me krizën globale; dhe
  3. paketa e masave që propozojmë për gjallërimin e kredisë për ekonominë.

Ekonomia shqiptare gjatë vitit 2012

Viti 2012 ishte një vit sfidues për zhvillimin ekonomik të vendit. Ekonomia shqiptare shënoi rritje pozitive dhe ekuilibrat ekonomikë e financiarë të saj vlerësohet të jenë të qëndrueshëm. Por, rritja ekonomike ka ndjekur një trajektore të qartë ngadalësuese gjatë katër viteve të fundit dhe problemet të cilat kanë kushtëzuar këtë ecuri vazhdojnë të jenë të pranishme.

Sikurse e kemi bërë të ditur në vazhdimësi, aktiviteti ekonomik në vend vuan nga mungesa e kërkesës finale për mallra e shërbime. Në veçanti, konsumatori dhe biznesi shfaqen hezitues për të konsumuar dhe investuar, si pasojë e rritjes së pasigurisë dhe kushteve më të shtrënguara të financimit. Kjo mungesë kërkese reflektohet në mos-shfrytëzim të plotë të kapaciteteve prodhuese, duke u përcjellë më tej në rritje të ulët ekonomike, në dobësi të tregut të punës, në vështirësi financiare të bizneseve dhe në përkeqësim të treguesve të cilësisë së kredisë.

Ndonëse kredia me probleme u ngjit në 22.5% të totalit të kredisë në fund të vitit 2012, sektori bankar paraqitet i qëndrueshëm. Treguesit e kapitalizimit dhe të likuiditetit të veprimtarisë qëndrojnë në nivele të mira. Rezultati financiar ishte dukshëm më i mirë se në vitin 2011.

Depozitat dhe kreditë u rritën në krahasim me vitin 2011, por ritmi i rritjes së tyre ka qenë më i ngadaltë. Veçanërisht i ndjeshëm ka qenë ngadalësimi i kreditimit, i cili gjatë vitit të kaluar u rrit me 2.1%. Kontribut në rritje ka dhënë vetëm kreditimi në lekë, ndërsa kreditimi në valutë është tkurrur në krahasim me një vit më parë. Bankat kanë rritur kujdesin në procesin e kreditimit, duke ndikuar në shtrëngimin relativ të ofertës së kredisë. Një ndikim të ndjeshëm në këtë drejtim ka dhënë shtrëngimi i normave mbikëqyrëse e rregullatore në nivel evropian, të cilat u përcollën në një frenim të aktivitetit kreditues në të gjitha vendet ku veprojnë bankat evropiane. Ky fenomen, i cili në terma teknikë njihet si ulje e ndërmjetësimit financiar apo ulje e “oreksit për rrezik”, ka sjellë atë fenomen i cili sipas McKinsey-it njihet si “ballkanizim” i sistemit financiar evropian.

Ky fenomen, i hapur apo i fshehur, është mjaft i dëmshëm për perspektivat e zhvillimit të vendeve të rajonit dhe për procesin e integrimit evropian. Në këndvështrimin tonë, sistemi bankar duhet të jetë në pararojë të këtij procesi, duke ekspozuar avantazhet konkurruese të vendit pranë grupeve bankare mëma dhe duke tërhequr investitorë të huaj.

Në analizat e  Bankës së Shqipërisë   dobësia e kërkesës është identifikuar si problemi kryesor me të cilin përballet ekonomia shqiptare. Si institucion i mandatuar me ligj për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, kemi vlerësuar se rritja e dobët ekonomike mund të bëhet pengesë për përmbushjen e mandatit tonë në afat të mesëm. Për këtë arsye, kemi theksuar se politikat ekonomike të vendit duhet të kenë një kah stimulues.

Gjithashtu, vlerësojmë se politika fiskale përballet me mungesën e hapësirave për stimul fiskal dhe se ajo duhet të marrë një orientim në rritje drejt konsolidimit të qëndrueshmërisë afatgjatë të financave publike. Në këto rrethana,  kemi orientuar tërësisht politikat dhe instrumentet tona drejt nxitjes së konsumit dhe investimeve në vend. Politika monetare e Bankës së Shqipërisë ka marrë një natyrë gjithnjë e më stimuluese. Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë gjashtë ulje të njëpasnjëshme të normës bazë të interesit, duke e sjellë atë në nivelin minimal historik prej 3.75%. Njëkohësisht, kemi vijuar të furnizojmë sistemin bankar me të gjithë likuiditetin e kërkuar për të mbështetur aktivitetin e sektorit publik e privat. Paralelisht me këto masa, komunikimi ynë publik ka synuar të garantojë agjentët ekonomikë dhe tregjet financiare mbi ruajtjen e kahut lehtësues të politikës monetare edhe në të ardhmen.

Në tërësi, politika monetare gjatë kësaj periudhe ka qenë e suksesshme në ruajtjen e ekuilibrave makroekonomikë, por efekti i saj në stimulimin e ekonomisë ka qenë më i kufizuar. Tregu financiar dhe sistemi bankar nuk i kanë reflektuar plotësisht uljet e normës bazë të interesit në produktet e tyre kryesore; kredi; depozita e letra me vlerë të Qeverisë; ndërkohë që edhe biznesi e konsumatori shqiptar kanë qenë pak reagues ndaj stimujve monetarë dhe normave më të ulëta të interesit. Në opinionin tonë, kjo ecuri reflekton dy probleme themelore me të cilat po përballet ekonomia dhe politikat tona makroekonomike. Këto dy probleme janë, së pari, dobësitë strukturore të ekonomisë shqiptare dhe, së dyti, kufizimi që kanë instrumentet tradicionale të kontrollit ekonomik, politika monetare e fiskale, në nxitjen e kërkesës agregate dhe të rritjes ekonomike.

Trajtimi i diferencuar i tyre kërkon hartimin dhe zbatimin e reformave të nevojshme strukturore që mbështesin sipërmarrjen, rrisin produktivitetin, përmirësojnë konkurrencën dhe mbështesin rritjen ekonomike. Gjithashtu, ai ilustron nevojën e marrjes së masave jotradicionale  për nxitjen e kreditimit dhe mbështetjen e ekonomisë.

Me lejoni të ndalem shkurtimisht në shtjellimin e problemeve strukturore dhe të përqendrohem në vijim në nismën e Bankës së Shqipërisë për trajtimin e sfidës së dytë.

Ekonomia shqiptare përballë krizës botërore.

Si të gjithë vendet në zhvillim, ekonomia shqiptare ka patur një rritje të shpejtë ekonomike në rrugën e saj të konvergjencës me ekonomitë e Bashkimit Evropian.

Në një masë të madhe kjo rritje është mbështetur nga rritja e shpejtë e konsumit në ekonomi dhe është financuar nga përdorimi i kursimeve të mëparshme apo nga burime të huaja financimi. Përfituesit kryesorë të kësaj kërkese kanë qenë sektorët e ndërtimit dhe të shërbimeve; dy sektorë, të cilët karakterizohen nga një përdorim intensiv të punës dhe sigurojnë rritje të pagave e të punësimit, por që janë pak të orientuar drejt eksporteve. Nga ana tjetër, sektorët e industrisë dhe të bujqësisë kanë patur një ecuri më të ngadaltë, duke vuajtur nga mungesa e vëmendjes së sistemit bankar, nga shkalla më e lartë e investimeve dhe e ekspertizës së kërkuar, si dhe nga koha më e gjatë e kthimit të investimit. Kjo tendencë e ka lënë Shqipërinë me një bazë të vogël të industrive të orientuara ndaj eksportit apo  të atyre që konkurrojnë me produktet e importit.

Kriza botërore shërbeu si një test i rëndësishëm për këtë model zhvillimi. Ajo evidentoi limitet e tij për t’u përballur me goditje të huaja, si dhe kufizimet që ai ka në një mjedis botëror gjithnjë e më sfidues. Në terma më të thjeshtë, kriza botërore ilustroi rëndësinë që ka ruajtja e bilanceve të shëndosha, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat. Gjithashtu, ajo ilustroi se ekonomitë më konkurruese. Ato ekonomi,  të cilat arrijnë të konkurrojnë me sukses në tregjet botërore, janë ekonomitë që kanë norma më të larta e më të qëndrueshme zhvillimi. Me kënaqësi kam konstatuar se ky mësim është përvetësuar nga ekonomia shqiptare, si në nivel konsumatori ashtu edhe në nivel prodhuesi. Më konkretisht, familjet shqiptare kanë adoptuar një sjellje më të kujdesshme konsumatore dhe një prirje më të lartë drejt kursimit.

Në një horizont afatgjatë kjo është padyshim pozitive. Së pari, ajo garanton, shëndetin e bilanceve individuale familjare dhe, së dyti, ajo mundëson një fond të mjaftueshëm kursimesh financiare për të mbështetur kredinë dhe investimet në vend.

Por, në horizontin afatshkurtër, ajo krijon mungesë kërkese dhe vështirësi në rritjen ekonomike të vendit. Nga ana tjetër, biznesi shqiptar mësoi se tregu i brendshëm ka aftësi të limituara për të gjeneruar rritje të qëndrueshme ekonomike. Për rrjedhojë, ai është duke i kushtuar një interes në rritje sektorëve të industrisë dhe të bujqësisë, si sektorë të cilët kanë një perspektivë më të mirë zhvillimi dhe treg më të madh.

 E gjithë kjo situatë që përmenda ka implikime të rëndësishme për ritmin e zhvillimit të vendit dhe për politikat makroekonomike. Së pari, ajo nënkupton që potenciali i rritjes ekonomike të vendit është më i ulët në afatin e mesëm. Me fjalë të tjera, transferimi i burimeve financiare dhe njerëzore ndërmjet sektorëve, përvetësimi i teknologjive dhe praktikave më moderne të biznesit, si dhe eksplorimi e penetrimi i tregjeve të huaja, do të kërkojë kohë dhe do të kushtëzojë ritmin e rritjes ekonomike të vendit. Për më tepër, ky zhvillim përballet me ambientin e  pafavorshëm të huaj, me koston relativisht të lartë të fondeve dhe me mungesën e kërkesës së brendshme. Rikuperimi i ritmeve të mëparshme të zhvillimit do të kërkojë kohë. Së dyti, prirja në rritje drejt kursimit dhe rritja e primeve të rrezikut kufizojnë aftësinë e politikës monetare që nëpërmjet uljeve të normës bazë të interesit,  të gjenerojë kërkesë shtesë në ekonomi.

Njëkohësisht zhvillimet në ekonominë globale janë optimiste. Eurozona dhe monedha evropiane duken më të konsoliduara, si rezultat i kontributit të Bankës Qendrore Evropiane dhe përpjekjeve për konsolidim fiskal në nivel kombëtar. Megjithatë optimizmi është i brishtë.  Bankat qendrore të ekonomive të zhvilluara janë shprehur qartë se do të vazhdojnë lehtësimin sasior monetar (quantitative easing) për sa kohë inflacioni të mbetet nën objektiv dhe papunësia në nivele të larta.

Aktualisht, zgjidhjet e deritanishme kanë ardhur në forma të pa provuara më parë. Në fakt ato  përfaqësojnë sfida të reja,  për sa i përket  zbatimit  dhe efekteve anësore të rrezikut potencial, që ato projektojnë në periudhën afatgjatë. 

Në këto rrethana, Banka e Shqipërisë, pasi e vlerëson situatën si shumë komplekse dhe pas një pune intensive, ka arritur të dizenjojë një paketë të plotë masash. Ato synojnë  ringjallërimin e kreditimit dhe përmirësimin e ekuilibrave mikro e makroekonomik të financimit  të ekonomisë,  me të cilën do t’ju njoh në vijim.

Paketa për gjallërimin e kredisë

Idemi i paktës që po prezantojmë sot e ka fillesën e saj vitin e kaluar, kur bashkërisht, me ju dhe përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë diskutuam në lidhje me modifikimet e duhura ligjore për nxitjen e ekzekutimit të kolateralit. Që nga ai takim specialistët tanë kanë punuar intensivisht për ta pasuruar atë deri në formën që po e sjellim sot para jush.

Paketa konsiston në tre kolona: kolonën ligjore, kolonën e politikës monetare dhe kolonën prudenciale. Në vijim do të ndalem në trajtimin e së cilës prej tyre.

1 – Kolona ligjore

Rritja e shpejtë e kredive me probleme këto vitet e fundit, ndërmjet të tjerash, pasqyron dhe një sërë problemesh të njohura dhe të panjohura më parë në lidhje me ekzekutimin e kolateralit. Për këtë qëllim, së bashku me industrinë bankare, kemi identifikuar dhe bërë propozimet përkatëse për një efektivitetit më të lartë ne procesin e ekzekutimit te kolateralit. Përmes konsultave me aktorë të tjerë të rëndësishëm në proces, u përgatiten ndryshimet ligjore në Kodin e Procedurës Civile dhe në Kodin Civil.

Këto ndryshime mundësojnë realizimin më të shpejtë të procesit të ekzekutimit të detyrueshëm, duke shmangur zgjatjet procedurale të shkaktuara nga debitorët e bankave.

Me konkretisht, ndryshimet e propozuara konsistojnë në:

  • mosmarrjen e masave nga ana e gjykatave për sigurimin e padisë, në rastin e kundërshtimit të veprimeve të përmbaruesit gjyqësor;
  • mosmarrjen e masës së sigurimit të padisë dhe mospezullimin e ekzekutimit të kolateralit nga ana e gjykatës, në rast se debitori kërkon pavlefshmërinë e titullit ekzekutiv, rrjedhur nga një kredi bankare;
  • uljen e vlerës me 50% të çmimit fillestar të pasurisë së paluajtshme, duke vendosur një mesatare të pranueshme për debitorin dhe bankën, si dhe duke bërë më të qartë vlerën (çmimin) e sendit me të cilin do të fillohet në ankandin e dytë.

Nga komunikimet me Ministrinë e Drejtësisë, jemi në dijeni që ndryshimet e mësipërme janë në proces finalizimi dhe pritet që kjo paketë ligjore të përcillet për miratimin e tyre në Këshillin e Ministrave, e më pas në Kuvendin e Shqipërisë. Shfrytëzoj këtë mundësi për të shprehur nevojën që këto propozime ligjore të miratohen në Kuvendin e Shqipërisë, në një kohë sa më të shpejtë. Përmirësimet e kuadrit ligjor dhe të praktikës në ekzekutimin e kolateralit, mund t’i prezantonin autoriteteve publike, hapësira të reja për nxitjen e kreditimit në vend.

2 – Kolona e politikës monetare

E përmenda më sipër se politika monetare e Bankës së Shqipërisë ka qenë në krahun lehtësues kohët e fundit, duke ndërmarrë 6 ulje të një pas njëshme të përqindjes bazë të interesit.

Niveli i marrëveshjeve të riblerjes me maturim një javor, pas uljes së fundit të bërë në fund të muajit janar 2013, arriti vlerën më të ulët historike në nivelin 3,75%. Bëhet fjalë për një vlerë rekord, jo vetëm përsa i takon aspektit historik të saj, por edhe nëse e krahasojmë atë me të gjithë ekonomitë e tjera të rajonit, përfshirë dhe shumicën e anëtarëve të rinj të BE-së.  Në gjykimin e Bankës së Shqipërisë, kushtet monetare janë të përshtatshme për të siguruar përmbushjen e objektivit të inflacionit në një periudhë afatmesme, duke ofruar njëkohësisht edhe stimulin e nevojshëm monetar për mbështetjen e kërkesës së brendshme.

Megjithatë, nga këndvështrimi i këtij takimi rëndësi paraqet e ardhmja e politikës monetare. Siç u përmend dhe në deklaratën e fundit të Këshillit Mbikëqyrës, Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të ndjekë një politikë monetare stimuluese, për sa kohë që presionet inflacioniste do të mbeten të dobëta. Për më tepër do të doja të siguroja sistemin bankar se kuadri operacional i ofruar prej nesh do të ruaj të njëjtin karakter stimulues. Ai do të synojë të shmangë çdo formë tensioni, qoftë dhe sporadike, nga ana e bankave, në lidhje me mjaftueshmërinë e likuiditetit në treg, si përsa i takon sasisë, ashtu dhe përsa i takon çmimit dhe maturitetit.

3 – Kolona prudenciale

Ndërkohë që dy shtyllat e para kanë një ndikim më të tërthortë dhe më  të shtrirë në kohë, kolona e prudenciale do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë dhe të shpejtë në gjallërimin e kredisë. Bëhet fjalë për një sërë masash të cilat do të çlirojnë burime financiare tek bankat dhe do t’i nxisin ato t’i kanalizojnë këto burime drejt kreditimit. Në themel të këtyre masave qëndrojnë ndryshimet rregullative, që mundësojnë:

  • uljen e kërkesave për aktive likuide të bankave; dhe
  • ndryshimin e koeficienteve të rrezikut, të strukturës së investimeve për të mbështetur kredidhënien.

Ulja e kërkesës për aktive likuide të bankave, mund të realizohet pa cenuar stabilitetin e sistemit, pasi niveli i tyre është përgjithësisht më i lartë se ai i standardeve ndërkombëtare dhe i bankave në rajon. Për më tepër, në kushtet kur bankat që veprojnë në vend e kanë origjinën e tyre kryesisht nga Evropa, kjo ulje mund të bëhet në kushtet kur perceptimi i rrezikut në tregjet financiare evropiane ka rënë. Sidoqoftë, kjo ulje do të jetë e kontrolluar dhe e zbatuar sipas profilit të rrezikut për çdo bankë. Kjo do të thotë që megjithëse ulja mund të jetë e përgjithshme, niveli i kërkuar i aktiveve likuide, sipas valutave dhe në tërësi, mund të jetë i ndryshëm në banka të ndryshme.

Ndryshimi i koeficienteve të rrezikut në strukturën e investimeve do të behet në mënyrë të tillë që kapitali i bankave të mbështesë më mirë zhvendosjen e burimeve të tyre drejt kreditimit. Më konkretisht, propozohet që koeficientet e rrezikut që përdoren për llogaritjen e kapitalit të bankave, të rriten ndjeshëm për flukset e reja të investimeve që bankat kryejnë me subjektet jorezidente.

Kjo rritje e koeficienteve të rrezikut mund të kryhet edhe për një pjesë të stokut të investimeve të bankave, me subjektet jorezidente, duke marre në konsiderate:

  • kërkesat rregullative për aktive likuide;
  • mbulimin e mjaftueshëm të detyrimeve që bankat kanë ndaj subjekteve jorezidente; si edhe
  • kohën e nevojshme që kjo zhvendosje të mos shkaktojë mbingarkesë operacionale tek bankat.

Nga ana tjetër, koeficientet e rrezikut mund të ulen tek bankat për sasinë e kredisë së re që i shtohet stokut ekzistues, për një periudhë kohe të caktuar. Në këtë mënyrë, zhvendosja e synuar e fondeve drejt kreditimit në vend, mund të kryhet edhe nga ato banka që kanë një nivel më të ulët të raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit.

Këto masa nuk janë administrative. Vendimi për të realizuar zhvendosjen e fondeve drejt kreditimit të sektorit privat në vend, do të mbetet një vendimmarrje e vetë bankës. Si për çdo rast tjetër, banka duhet të vërë në balancë të gjithë faktorët që përcaktojnë rreziqet, kostot dhe përfitimet nga kjo zhvendosje.

Zbatimi i masave të mësipërme, kërkon një ndryshim të kuadrit rregullativ ekzistues, i cili do të rrijë në fuqi për një afat kohor të përkohshëm. Më pas, gradualisht, bankat duhet t’i kthehen zbatimit të kërkesave të kuadrit rregullativ ekzistues, për sa i takon mënyrës së llogaritjes së kërkesave për kapital. Në këtë mënyrë, në ruajmë në çdo kohë tek bankat stimulin e nevojshëm për të kredituar në mënyrë të kujdesshme.

Duke u ndalur me hollësisht tek nevoja për trajtimin e kredive me probleme, vlerësojmë se ajo përfaqëson një shqetësim për industrinë bankare dhe për Bankën  e Shqipërisë. jo aq për qëndrueshmërinë e sistemit, por më tepër për kostot që ky fenomen sjell për veprimtarinë bankare dhe për konsumatorët e shërbimin ndaj tyre.

Gjithashtu,  autoritetet publike mund të ndërmarrin masa në këtë drejtim.  Gjej rastin të mbështes edhe një herë nevojën për shlyerjen e detyrimeve të sektorit publik ndaj firmave private. Kjo do të kontribuonte pozitivisht në shlyerjen e një pjese të detyrimeve që këto firma, ose te tjera të lidhura me to, kanë ndaj sektorit bankar, e duke sjelle kështu zbutjen e nivelit të kredive me probleme.

Paralelisht, ky proces duhet trajtuar në themel, për të ndërtuar një mekanizëm transparent dhe të qëndrueshëm që trajton faktorët që ndikojnë rritjen e detyrimeve të sektorit publik ndaj subjekteve private, dhe shmang rritjen e tyre serish në të ardhmen.

Më tej, Banka e Shqipërisë do të ndryshojë kuadrin rregullativ, për të nxitur bankat që të mbështesin kërkesat për ristrukturim të kredisë nga kredimarrësit, që në momentin që kredia konsiderohet e mirë. Nëse bankat e realizojnë një gjë të tillë në mënyrë efektive, atëherë ato do të kenë një kosto më të ulët në drejtim të kërkesave për krijimin e fondeve rezervë për rrezikun e kredisë.

Ky element do të mundësojë që bankat të trajtojnë në mënyrë më të kujdesshme dhe proaktive klientët më të mirë, të cilët mund të jenë duke shfaqur problemet e tyre të para në shlyerjen e kredisë për shkak të faktorëve që janë jashtë kontrollit të tyre.

Si një element kontrolli për këtë veprim, kuadri rregullativ do të parashikojë qëndrimin e përkohshëm të kredisë së ristrukturuar në këtë kategori (apo në kategorinë standarde), dhe kalimin e saj të menjëhershëm në kategorinë e një cilësie më të ulët, nëse cilësia e kredisë bie pas ristrukturimit. Theksoj se Banka e Shqipërisë, pas një konsultimi të gjerë me bankat, ka përgatitur udhëzimet përkatëse që duhet t’i orientojnë ato në procesin e ristrukturimit të borxhit.

Gjithashtu, Banka e Shqipërisë konstaton që një pjesë e kredive me probleme, kryesisht atyre të humbura, qëndrojnë në bilancin e bankave për shkak të interpretimit të ndryshëm që industria bankare dhe autoritetet e tatim-taksave kanë për nisjen dhe përfundimin e procesit ligjor ndaj subjektit debitor kredimarrës.

Eliminimi i këtyre kredive nga bilanci i bankave në mungesë të bashkërendimit të këtij interpretimi, sjell pasoja për ngarkesën tatimore të bankave dhe rrjedhimisht pengon fshirjen e kredive të humbura nga bilanci, duke e fryrë nivelin e kredive me probleme, dhe duke angazhuar kapacitetet e bankave në mënyrë joeficiente.

Për këtë arsye, gjej rastin për të theksuar nevojën që industria bankare dhe autoritetet fiskale, të identifikojnë faktorët që çojnë në interpretime të ndryshme të këtij problemi, si edhe të formulojnë zgjidhjet e të ndërmarrin përmirësimet e nevojshme ligjore dhe nënligjore për zgjidhjen e tij në mënyrë përfundimtare. Banka e Shqipërisë është e interesuar dhe e gatshme të japë të gjithë ndihmën e nevojshme në këtë drejtim.

Roli i biznesit

Marrëdhënia mes biznesit dhe bankave, qëndron në themel të suksesit të veprimtarisë ekonomike. Gjithnjë, kjo marrëdhënie është e kushtëzuar nga zhvillimet në mjedisin ekonomik rrethues. Aktualisht, jo të gjithë sektorët e ekonomisë janë të ndikuar nga ngadalësimi saj në mënyrë të njëjtë dhe jo të gjitha bizneset përballen me të njëjtat probleme.

Sidoqoftë, në përgjithësi bizneset ndeshen sot me një rënie të vëllimit të aktivitetit dhe të të ardhurave. Disa prej tyre përballen me nevojën për të ristrukturuar veprimtarinë , jo vetëm nëpërmjet uljes së kostove dhe përmirësimit të eficiencës, por edhe në drejtim të hyrjes në tregje dhe produkte të reja.

Për të realizuar këtë proces, nuk mjafton vetëm instinkti dhe vullneti i pronareve, por kërkohet ekspertizë profesionale, projekte të mirëstudiuara dhe financime shtese ose ristrukturim i borxhit ekzistues. Mendoj se në këtë proces, partneriteti mes biznesit dhe bankës është i domosdoshëm. Në fakt, gjithnjë e më shumë bankat po zhvillojnë kapacitetet e tyre të konsultimit financiar dhe njëherazi po zhvillojnë edhe produktet e nevojshme bankare për të qenë me pranë biznesit. Gjithashtu, bankat janë aktivizuar gjithnjë e më shumë në procesin e ristrukturimit të kredisë së dhënë sektorit të biznesit.

Megjithatë, palët kanë edhe ankesa për njëri-tjetrin. Kështu, biznesi ankohet se bankat janë dorështrënguara dhe shpesh financimi nuk përputhet si duhet me ciklin e veprimtarisë së tyre.

Nga ana tjetër bankat, evidentojnë mungesën e projekteve të besueshme në kërkesat për financim që vijne nga biznesi, dhe mangësitë ne informacionin financiar që kërkohet për vendimmarrje.

Banka e Shqipërisë beson që marrëdhënia mes biznesit dhe bankave do të zhvillohej në dobi të vetë palëve nëse ato:

  • arrijnë në një kuptim më të mirë të profilit të veprimtarisë, kushteve të tregut dhe kërkesave rregullative që përcaktojnë veprimtarinë e secilit;
  • hyjnë në një marrëveshje bashkëpunimi, mbi bazën e një informacioni që është transparent, i plotë dhe profesional;
  • veprojnë në mënyrë proaktive për të identifikuar situatat kur kjo marrëveshje duhet rishikuar, për të përmirësuar mundësitë për shlyerjen e detyrimeve ndaj njëri-tjetrit.

Masat që propozon sot Banka e Shqipërisë, e mbështesin nevojën për një marrëdhënie më të ngushtë midis bankave dhe biznesit, në situatën ekonomike që kalon vendi. Ato zgjerojnë hapësirën e bankave për një fleksibilitet më të madh në procesin e ristrukturimit të kredisë. Megjithatë, theksoj se bankat nuk do të financojnë bizneset që janë të dështuara apo që veprojnë në mënyrë jotransparente e me informacion të cunguar. Kjo marrëdhënie më e ngushte, nënkupton gjithashtu nevojën paraprake që bankat të shfrytëzojnë në mënyrë më efektive për analizën e tyre, të gjithë informacionin që ekziston ndaj kredimarrësve ekzistues dhe të rinj, prej burimeve të tilla si  Regjistri i Kredive.

Bankat duhet të ndërtojnë marrëdhënie të qëndrueshme afatgjata me biznesin për të rritur konsulencën dhe financimin, veçanërisht përsa i takon biznesit të vogël dhe atij të mesëm. 
 

Përfundime

Në përfundim, dëshiroj të theksoj se situata ekonomike dhe financiare që po kalon ekonomia e vendit, kërkon të ruhet ritmi i ndërmjetësimit financiar dhe të trajtohet me përparësi çështja e kredive me probleme. Bashkëveprimi i deritanishëm me autoritetet e tjera publike ka qenë i mirë dhe ne presim zhvillime konkrete në drejtim të fillimit të procesit të shlyerjes së detyrimeve të sektorit publik ndaj firmave private, si edhe miratim të ndryshimeve të propozuara në legjislacion për përmirësimin e procesit të ekzekutimit të kolateralit. Banka e Shqipërisë propozoi sot disa masa të tjera, të cilat synojnë të stimulojnë bankat në procesin e kreditimit. Këto masa, të cilat do të reflektohen së afërmi në kuadrin rregullativ, kanë një natyrë kunderciklike dhe janë përgjithësisht të përkohshme.

Ky element, si dhe mekanizmat e nevojshëm kontrollues që i shoqërojnë këto masa, do të nxisin bankat të ruajnë detyrimin për të kredituar në mënyre të kujdesshme dhe të shëndetshme. Duke qenë se aktualisht veprimtaria e kreditimit ka rreziqe të shtuara, strukturat drejtuese të bankave dhe aksionaret duhet të sigurojnë që këto rreziqe afatshkurtra dhe afatmesme, mbulohen me sasinë e nevojshme të kapitalit. Efekti i këtyre masave do të përmirësohej nëse biznesi do t’i kuptonte dhe shfrytëzonte ato në mënyrën e duhur. Për këtë qëllim, marrëdhënia mes biznesit dhe bankave duhet të ndërtohet vetëm mbi bazën e bashkëpunimit transparent dhe profesional. Kjo duhet të evidentohet mirë në media dhe në publik.

Banka e Shqipërisë do të vlerësojë efektin e këtyre masave dhe do të monitorojë zbatueshmërine e tyre në vazhdimësi. Në vijim të këtij procesi, në jemi të gatshëm t’i përshtatim ato me zhvillimet ekonomike dhe financiare ose t’i mbështesim me masa të tjera. Në themel të çdo veprimi të Bankës së Shqipërisë në këtë drejtim, do të qëndrojë stabiliteti i sistemit financiar.

Së fundi, dëshiroj t’u kujtoj të gjithë përfaqësuesve të sektorit privat prodhues e financiar, se nën efektet dhe ndikimin e krizës autoritetet publike, ligjvënëse, fiskale dhe monetare, kanë bërë ndryshime të rëndësishme në filozofi, objektiva dhe në vendimmarrje, larg konsideratave tradicionale. Këto ndryshime të përkohshme, kanë si qëllim kryesor absorbimin e efekteve të krizës, stabilizimin e ekonomisë, konsumit dhe investimeve private.

Paketa që prezantova sot është një shembull i mirë për të ilustruar këtë ndryshim. Është e nevojshme që edhe sektori privat të bëjë një përshtatje dhe korrektim të tille të përkohshëm.

Duke përsëritur thirrjen e zj. Lagarde, Drejtore e Fondit Monetar Ndërkombëtar, në kushtet aktuale, objektivi i sektorit privat nuk duhet të jetë vetëm fitimi, por edhe krijimi i vendeve të punës, krijimi i vlerës së shtuar, krijimi i ideve të reja dhe përmes tyre stabilizimi i ekonomisë. Rritja e punësimit dhe e të ardhurave nga puna do të thotë më shumë konsum e investime, më shumë kërkesë konsumatore për mallra shërbime e mjete financimi. Ekonomia ka nevojë për një sektor privat dhe financiar të përgjegjshëm përkundrejt ekonomisë reale, për një sektor privat që mbështet punëmarrësit dhe konsumatorin, për një sektor financiar që krijon vlera dhe jo që i shkatërron ato.

Në mbyllje të fjalës sime, dëshiroj të ndaj me ju një mesazh të rëndësishëm: kriza erdhi si një krizë globale dhe zgjidhja e plotë e saj do të jetë si e tillë. Megjithatë, çdo vend duhet të bëjë detyrat e shtëpisë dhe të ndërmarrë reformat e duhura strukturore për kalimin e saj.

-Njerëzit e pranojnë ndryshimin vetëm në nevojë dhe e kuptojnë nevojën vetëm gjatë një krize-  tha  Zhan Mone, ideatori i Bashkimit Evropian.

Ju faleminderit dhe suksese në punën tuaj!