BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani në forumin me sistemin bankar me temë: “Ndryshimet e fundit rregullative: shkaqet dhe pritshmëritë”.

Data e publikimit: 28.02.2014

 

Të nderuar drejtues të bankave,

Të nderuar pjesëmarrës,

Me lejoni t’ju uroj mirëseardhjen në këtë tavolinë diskutimi mes Bankës së Shqipërisë  dhe sistemit bankar. Ashtu siç mund të jeni në dijeni, tematika e radhës është për t’ju njohur më nga afër me vendimet e fundit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Jemi në ditën e fundit të muajit të dytë të vitit 2014 dhe të gjithë jemi bërë dëshmitarë të një periudhe intensive diskutimesh dhe sugjerimesh mes autoriteteve shqiptare nga njëra anë dhe përfaqësuesve të institucioneve ndërkombëtare nga ana tjetër. Aktiviteti ekonomik, gjallërimi i tij, reforma të mundshme strukturore, financimi i ekonomisë dhe shëndeti financiar i vendit kanë qenë në thelb të këtij diskursi. Banka e Shqipërisë, duke vlerësuar rolin dhe peshën e saj vendimmarrëse, ka qenë pjesë e rëndësishme e tij, duke materializuar kontributin e saj me një sërë vendimesh si të natyrës makroekonomike ashtu edhe të asaj të mbikëqyrjes bankare.

Shkurtimisht në vijim do të ndaj me ju arsyet, pritshmërinë dhe mënyrën se si do ta monitorojmë këtë vendimmarrje.

1 – Vendimmarrja në fushën e politikës monetare dhe operacionet në tregun e parasë.

Sikurse kemi bërë vazhdimisht me dije, ekonomia shqiptare është duke u përballur me dobësi ciklike. Në përgjigje të kërkesës të dobët, ekonomia shqiptare është duke u rritur nën potencial; inflacioni shfaqet i ulët; bilancet publike dhe private shfaqin vështirësi; ndërsa sistemi bankar është përballur me rritje të kredive me probleme. Kjo problematikë është diktuar me kohë nga ana e Bankës së Shqipërisë. Për rrjedhim, në vazhdimësi kemi ndërmarrë politika të përshtatshme për trajtimin e tyre.

Politika monetare e ndërmarrë nga Banka e Shqipërisë, në mënyrë të vazhdueshme, ndodhet në një cikël lehtësues. Norma bazë e interesit nga niveli 5.25% në vitin 2011 ka arritur të mërkurën e fundit në minimumin historik prej 2.75%. Duke ndjekur praktikat më të mira të bankave qendrore, ne kemi adoptuar një strategji komunikimi të orientuar nga e ardhmja. Jam i bindur se jo vetëm tregu financiar por edhe ekonomia reale, e ka marrë mesazhin tonë se politika monetare është dhe do të vazhdojë të mbetet në një kah lehtësues për tremujorët në vijim. Gjithashtu, ne kemi intensifikuar operacionet tona të injektimit të likuiditetit. Këto operacione kanë synuar dhe arritur të përmbushin të gjitha nevojat e tregut për likuiditet, duke zgjatur njëkohësisht horizontin kohor të injektimit dhe duke lehtësuar aksesin në likuiditet nëpërmjet zgjerimit të bazës të kolateralit.

Besoj dhe koha e ka treguar, se politika jonë monetare dhe operacionale ka qenë e suksesshme. Banka e Shqipërisë ka arritur të frenojë dhe të kontrollojë presionet rënëse mbi inflacion. Ne jemi të bindur se hapat e ndërmarra do të rikthejnë këtë tregues në objektivin tonë prej 3% në një periudhë afatmesme. Ne kemi arritur të ankorojmë pritjet inflacioniste të agjentëve ekonomikë, çka ka rritur efektivitetin e politikës monetare por edhe ka ndihmuar në ruajtjen e besimit në monedhën kombëtare dhe në sistemin financiar shqiptar. Injektimi i vazhdueshëm i likuiditetit, nëpërmjet operacioneve transparente dhe konsistente në kohë, ka arritur të qetësojë presionet e vërejtura në tregjet financiare. Reduktimi i normës bazë të interesit ka sjellë një reduktim të përgjithshëm të normave të interesit në sistemin financiar. Kostoja e financimit të aktivitetit bankar, kostoja e huamarrjes së qeverisë, por edhe kostoja e financimit të biznesit dhe konsumatorit ka shënuar një rënie të shpejtë.

Të gjithë këta faktorë kanë krijuar një shtrat të shëndetshëm për stabilitetin ekonomik dhe financiar të vendit. Pa këtë stabilitet, nuk mund të ketë rritje të qëndrueshme dhe afatgjatë, nuk mund të ketë zhvillim të sistemit financiar, nuk mund të ketë një ekonomi tregu funksional i cili prodhon rritje, punësim dhe mirëqenie për vendin. Me këtë rast, dëshiroj të theksoj se kjo filozofi kujdesi e stabiliteti do të udhëheqë vendimmarrjen tonë edhe në të ardhmen. Biznesi, konsumatori dhe sistemi financiar do të gjejnë te Banka e Shqipërisë një institucion të vendosur për ruajtjen e ekuilibrave ekonomikë të vendit, për ruajtjen e vlerës së monedhës kombëtare, për nxitjen e tregjeve financiare dhe për mbështetjen e zhvillimit të qëndrueshëm dhe afatgjatë të vendit.

Megjithatë, përcjellja e politikës monetare në sektorin real të ekonomisë nuk ka qenë e plotë. Ne jemi të ndërgjegjshëm për shkaqet e këtij fenomeni, i cili nuk paraqitet i izoluar në Shqipëri por është një fenomen mbarë-botëror.

Pasiguria e agjentëve ekonomikë, problemet ekonomike e financiare në Eurozonë, problemet e bilanceve që karakterizojnë një pjesë të ekonomisë, janë pengesa objektive në transmetimin e stimulit monetar në ekonomi. Megjithatë, pavarësisht këtyre, ne jemi të ndërgjegjshëm që brenda këtij realiteti ekzistojnë hapësira për një përqasje më pozitive ndaj konsumit dhe investimeve, ekzistojnë hapësira për më shumë kreditim. Pasiguria dhe hezitimi janë problemet  kryesore që pengojnë ekonominë shqiptare. Qëllimi i kësaj tryeze është që, së bashku, të gjejmë rrugët për tejkalimin e kësaj situate. Në këtë kontekst, gjej me vend të përsëris fjalët e presidentit Roosevelt: e vetmja gjë nga e cila duhet të kemi frikë është vetë frika.

2 - Vendimmarrja në fushën e mbikëqyrjes bankare dhe stabiliteti financiar.

Kohët e fundit është përmendur gjerësisht problemi i kredive me probleme. Do të shfrytëzoj këtë rast për të bërë një sqarim të cilin e shoh të domosdoshëm:

Së pari më lejoni të theksoj se problemin e kemi identifikuar shumë herët dhe kemi qenë shumë skrupulozë me sistemin bankar për evidentimin e çdo qindarke kredie që nuk shlyhet në rregull. Kjo ka qene arsyeja që kredia me probleme është rritur me shpejtësi në periudhën e parë, duke u ndalur në nivelet aktuale për një kohë të gjatë. Pra në ndryshim nga vendet e rajonit kemi qenë këmbëngulës që kredia me probleme të mos fshihet, përkundrazi, të evidentohet saktë dhe siç është rregulli ynë të provigjonohet deri më një çdo lek i humbur.

Së dyti, besoj se kemi adoptuar një përqasje shumë konservatore në drejtim të klasifikimit të kredive me probleme. Në rastin tonë, kur ne llogarisim vlerën e kredive me probleme nuk marrim në konsideratë vlerën e kolateralit, siç është praktika në shumë të vende të tjera. Po të ndalojmë një çast dhe ta zhveshim vlerën e kredive me probleme nga kjo shifër, atëherë përqindja e tyre do të ulej ndjeshëm. Besoj se kemi bërë mirë që kemi bërë këtë zgjedhje, pasi na ka paguar në kthim më shumë siguri për stabilitetin e sistemit bankar dhe anasjelltas për sigurinë e depozitave të shqiptarëve.

Së treti, në negociatat e fundit me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore kemi rënë dakord që si pjesë e kushtëzimeve të programit të ri, që miratohet sot nga Bordi i Drejtorëve të FMN-së, të përfshihet pastrimi nga bilanci i bankave i portofolit të kredive të humbura, të provigjonuara dhe pa shpresë arkëtimi, pa asnjë efekt financiar në sistemin bankar. Tashmë, ndryshimet janë formalizuar në projekt ligj dhe pritet që të miratohen së shpejti nga Kuvendi i Shqipërisë.

Së katërti, vetë gjallërimi i kredisë vlerësohet të jetë një nga burimet kryesore që ndikon në përmirësimin e nivelit të kredive me probleme. Në këtë drejtim, do të doja të ndalesha pak më shumë.

Pavarësisht disa zhvillimeve optimiste, në drejtim të rritjes së numrit të praktikave të kredisë që drejtohen për ekzekutim apo edhe të ristrukturimit, përsëri bankat e mëdha, me potencial të konsiderueshëm në kreditim nuk po shfrytëzojnë siç duhet masat nxitëse për rritjen e tij, përkundër bankave më të vogla që shfaqen më aktive. Mendojmë që arsyet kryesore që pengojnë një efekt më të ndjeshëm të këtyre masave janë:

Së pari, veprimet e ndërmarra për të nxitur ofertën për kredi, kanë nevojë të plotësohen me veprime të tjera që të synojnë nxitjen e kërkesës për kredi. Kjo e fundit mbetet e paqëndrueshme në kushtet e rritjes së dobët ekonomike dhe mungesës së konsumit e të investimeve. Si rezultat, perceptimi i rrezikut të kreditimit nga bankat mbetet i konsiderueshëm;

Së dyti, megjithë reflektimin më të mirë në tremujorin e fundit të vitit 2013, të uljes së normës bazë të interesit, çmimi i kredisë (përfshi dhe shpenzimet e tjera të lidhura) konsiderohet ende relativisht i lartë. Për këtë arsye, është e nevojshme që bankat të ulin çmimin e kredisë, duke kontrolluar më mirë kostot e veprimtarisë së tyre, veçanërisht kostot e financimit në valutë; 

Së treti, procesi i ristrukturimit të kredisë, duhet të konceptohet si një proces më i gjerë i ristrukturimit të thellë të veprimtarisë së bizneseve huamarrëse. Çdo kredi me probleme duhet parë si një mundësi e re. Përqasja jonë duhet të shtrihet në nivel mikro sipas motos: Derë më derë dhe rast pas rasti. Nga këndvështrimi i bankës, kjo do të thotë që ristrukturimi kredisë të mos jetë thjesht një riskedulim i pagesës së kësteve të kredisë në marrëveshje me biznesin, por të shndërrohet në një analizë të thelluar të vlerësimit për mundësinë e ekzistencës së mëtejshme të tij në treg dhe për njohjen e shpejtë të humbjes së një pjese ose të të gjithë vlerës së kredisë;

Së katërti, infrastruktura dhe praktika ligjore në drejtim të ekzekutimit të kolateralit, mbetet ende në procesin e përshtatjes me situatën e re;

Së pesti, mund të jetë e nevojshme të lejohet më shumë kohë për të parë efektin e masave të ndërmarra, si edhe të masave të tjera që duhet të adresojnë më tej problemet e mësipërme;

Pavarësisht problematikës ekzistuese të mësipërme, Banka e Sshqipërisë beson se rrethanat që bankat të jenë këtë vit shumë më aktive në trajtimin e kredive me probleme, janë sidoqoftë më të mira. Pritjet për rritjen ekonomike janë më të mira, kryesisht si rezultat i përmirësimit të kërkesës së huaj dhe kushteve të lehtësuara monetare. Më tej, këtë vit do të fillojë pagesa e detyrimeve të prapambetura të sektorit publik ndaj subjekteve private, me një vlerë të konsiderueshme. Ne presim që bankat të ndihmojnë që ky proces të ecë në mënyre sa më efektive dhe që të orientojnë vlerën e arkëtuar në kreditimin e mëtejshëm të ekonomisë.

Nga ky proces, pritet të lehtësohet procesi i ristrukturimit të bizneseve dhe kërkesa e tyre për financim të vijë në rritje. Gjithashtu, politika fiskale do të orientohet gradualisht drejt një procesi të qëndrueshëm konsolidimi, i cili do t’i krijojë më tepër hapësirë financimit të sektorit privat. Sektori bankar, mund të shërbejë si katalizator për ta bërë të qëndrueshëm ndikimin në ekonomi të këtyre politikave, dhe njëherazi të përfitojë maksimalisht prej tyre në formën e zgjerimit të veprimtarisë, përmirësimit të cilësisë së aseteve dhe rritjes së qëndrueshmërisë së të ardhurave.

Siç e dini, në nëntor të vitit të kaluar, sistemi financiar iu nënshtrua edhe vlerësimit të FMN-së dhe BB-së. Edhe industria bankare u angazhua në këtë proces dhe shfrytëzoj rastin t’ ju falënderoj për këtë gjë! Sot pritet që Bordi i FMN-së të miratojë raportin e vlerësimit. Përgjithësisht, sistemi financiar dhe infrastruktura e tij mbikëqyrëse vlerësohen pozitivisht per përballimin me sukses të ndikimit të krizës financiare ndërkombëtare.

Ndërkohe, analizohen dhe vlerësohen rreziqet me të cilat ai përballet, duke identifikuar një sërë veprimesh që duhet të ndërmerren për trajtimin e tyre. Për bankat, fokusi është në forcimin e kapaciteteve të tyre njerëzore e teknike për vlerësimin e rreziqeve të veprimtarisë dhe ndërmarrjen e veprimeve konkrete për zbutjen e këtyre rreziqeve. Në fokus është nevoja për përmirësimin e cilësisë së aseteve dhe ruajtjen e vazhdueshme të treguesve të shëndetit financiar. Banka e Shqipërisë do të mbështesë këtë proces përmes bashkëpunimit me industrinë bankare dhe përmirësimit të kuadrit rregullativ mbikëqyrës. Për autoritetet mbikëqyrëse të sistemit financiar, rekomandimet lidhen me forcimin e kuadrit parandalues dhe administrues të rreziqeve dhe në këtë drejtim, rekomandohet përmirësimi i infrastrukturës ligjore, operacionale dhe të bashkëpunimit ndërinstitucional.

Në fund të fjalës time dëshiroj të përsëris edhe një herë mesazhin tone: perspektiva e zhvillimit të vendit mbetet pozitive.

Stabiliteti ekonomik dhe financiar, pozita gjeografike dhe pasuritë natyrore, si dhe integrimi në Bashkimin Evropian, na shtyjnë ta shohim me optimizëm zhvillimin e ardhshëm të vendit.

Ju ftoj të gjithëve të bëheni pjesë e këtij  vizioni dhe së bashku, të punojmë për ta shndërruar atë në realitet.

Ju siguroj që Banka e Shqipërisë, si autoritet mbikëqyrës, do të  ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që varen prej saj, për të mbështetur industrinë në përballimin me sukses të këtyre sfidave, si edhe për të siguruar që sektori do të mbetet i mirëkapitalizuar dhe likuid.

Ju faleminderit!