BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani në konferencën e njëzet e katërt të mbikëqyrësve bankarë të Evropës Qendrore e Lindore

Data e publikimit: 12.04.2011

 

Më lejoni t’ju uroj mirëseardhjen në konferencën e njëzet e katërt të mbikëqyrësve bankarë të Evropës Qendrore e Lindore, që këtë herë zhvillohet në Tiranë. Banka e Shqipërisë vlerëson rëndësinë e këtij forumi, si një platformë ku institucionet pjesëmarrëse shkëmbejnë përvojat me njëra-tjetrën. Ky forum është një autostradë moderne, që mundëson konvergimin e shpejtë të praktikave tona të mbikëqyrjes me standardet më të mira.

Më lejoni të vazhdoj me një analizë të përmbledhur të zhvillimeve ekonomike dhe financiare në Shqipëri gjatë dy viteve të fundit, duke u ndalur në disa çështje më konkrete që kërkojnë vëmendje më të madhe nga ana e industrisë bankare dhe e autoritetit mbikëqyrës në të ardhmen.

Ekonomia shqiptare është karakterizuar nga zhvillime pozitive në periudhën e parakrizës. Rritja vjetore ekonomike ka qenë mesatarisht 6 për qind, në kushtet e një stabiliteti të admirueshëm të treguesve kryesorë makroekonomikë. Rritja është mbështetur në forcimin e qëndrueshëm të përbërësve të kërkesës së brendshme, ndërkohë që është financuar nga burimet e brendshme, kryesisht përmes rritjes së shpejtë të kredisë për sektorin privat dhe asaj për investime.

Edhe sektori bankar, i cili dominon sistemin financiar në vend, ka pësuar një transformim të ndjeshëm vitet e fundit. Kjo është arritur si rezultat i hyrjes në treg të grupeve të mirënjohura bankare evropiane, zgjerimit të infrastrukturës bankare dhe përmirësimit të shërbimeve për klientelën. Performanca financiare ka qenë e mirë, duke regjistruar nivele mesatare të kthimit mbi kapitalin dhe mbi aktivet, përkatësisht mbi 20 për qind dhe 1.5 për qind. Ndër vite, sektori bankar ka zgjedhur të kapitalizojë pjesën dërrmuese të fitimeve për të mbështetur sa më mirë me likuiditet dhe kapital veprimtarinë e tij.

Gjatë kësaj periudhe të një zgjerimi të shpejtë dhe cilësisht më të mirë të veprimtarisë bankare, Banka e Shqipërisë, e gjykoi të domosdoshëm rishikimin e filozofisë mbikëqyrëse. Ambicia kryesore ishte orientimi i saj drejt burimeve të rrezikut, e thënë ndryshe forcimi i kontrollit mbi veprimtarinë bankare. Për këtë arsye, në fund të vitit 2006 u miratua ligji i ri “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”. Ky ligj i imponoi industrisë bankare, standarde më bashkëkohore në realizimin, drejtimin dhe kontrollin e veprimtarisë bankare.

Shqetësimi kryesor ishte ritmi i lartë i kreditimit, përqendrimi i theksuar i kreditimit në valutë dhe mungesa e diversifikimit sektorial. Si rrjedhim, në fund të vitit 2006, Banka e Shqipërisë prezantoi disa ndryshime rregullative me synim frenimin e ritmit të rritjes së kredisë, nëpërmjet vendosjes së kërkesave më të larta për kapital për bankat më agresive.

Këto masa u plotësuan më tej gjatë vitit 2008, duke synuar në mënyrë më të drejtpërdrejtë rastet kur huamarrësit nuk kishin të ardhura në valutë.

Një lëvizje tjetër strategjike gjatë kësaj periudhe, ishte integrimi i mbikëqyrjes bankare dhe stabilitetit financiar në procesin e vendimmarrjes së politikës monetare. Ky moment përbën një veprim, sa të guximshëm aq dhe inovativ në krijimin e ekuilibrave më optimalë midis funksionit tonë të hartimit dhe zbatimit të politikës monetare dhe asaj për ruajtjen e stabilitetit financiar të sistemit. Që nga ky moment, Raporti i Stabilitetit Financiar nuk do të ishte një libër shtesë në bibliotekën e Bankës së Shqipërisë, por një input i rëndësishëm për procesin e vendimmarrjes dhe koordinimin e politikave. Në këtë mënyrë, informacioni bëhet më i plotë, duke përfshirë dhe vlerësimin mbi ecurinë e rreziqeve të veprimtarisë bankare. Kjo do të thotë që filozofia jonë merr një natyrë më parandaluese dhe largpamëse, pasi informacionin e mbledhur e vë në shërbim të minimizimit të rreziqeve në të ardhmen.

Ne besojmë që këto veprime, ishin terapia e duhur për të zbutur ndikimin e krizës financiare dhe ekonomike ndërkombëtare, për sektorin bankar dhe ekonominë e vendit, të shfaqur në fund të vitit 2008. Tronditja e sistemit financiar botëror përcolli pasiguri tek publiku vendas dhe u reflektua në tërheqjen e një pjese të depozitave nga bankat.

Shtimi i nevojave për likuiditet si edhe tkurrja e kreditimit gjatë kësaj periudhe, ndikuan negativisht në gjendjen e burimeve financiare, të të ardhurave dhe të kapitalit të sektorit bankar.

Në këto kushte, autoritetet publike ndërmorën disa veprime për të mbështetur sektorin bankar, ku veçojmë:

  • miratimin e ligjit për rritjen e vlerës së sigurimit të depozitave të publikut;
  • vendimet e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë për të kufizuar ekspozimin e bankave ndaj grupeve të huaja bankare zotëruese dhe për të pezulluar shpërndarjen e fitimit të bankave të realizuar në vitin 2008 dhe gjatë vitit 2009;
  • zbatimin e një sërë vendimesh të tjera, të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë në lidhje me krijimin e kushteve më lehtësuese për sigurimin e likuiditetit në tregun ndërbankar;
  • si dhe përmirësimin e mëtejshëm të kuadrit rregullativ mbikëqyrës, duke synuar ruajtjen e qëndrueshmërisë së veprimtarisë bankare.

Në përgjithësi, gjatë kësaj faze Banka e Shqipërisë ka luajtur një rol thelbësor në identifikimin e problemeve afatshkurtra të sektorit bankar dhe adresimin e shpejtë të tyre. Ky proces ishte i nevojshëm për të identifikuar më pas ndërlikimet më afatgjata në ecurinë e veprimtarisë bankare dhe përshtatjen e mëtejshme të kuadrit mbikëqyrës.

Ecuria e veprimtarisë bankare në dy vitet e fundit, ka provuar që këto masa rezultuan efektive dhe sektori bankar shqiptar përballoi me sukses efektet e kësaj krize. Rënia e depozitave të publikut në sektorin bankar u ndërpre në fund të tremujorit të parë të vitit 2009, dhe rikthimi i tyre në banka vijon me ritme të qëndrueshme që nga ai moment. Situata financiare aktuale vlerësohet të jetë e stabilizuar në tërësi, krahasuar me periudhat e shkuara, me besim të qëndrueshëm të publikut dhe gjendje të kënaqshme të likuiditetit dhe kapitalizimit të veprimtarisë. Kryerja e provës së rezistencës, apo siç njihen ndryshe stress test-tet, së sektorit bankar ndaj zhvillimeve të pafavorshme të supozuara - ekonomike dhe financiare - tregon se sistemi bankar është i aftë t’i përballojë ato.

Ecuria e veprimtarisë bankare gjatë kësaj periudhe, ka reflektuar ecurinë e ekonomisë në përgjithësi. Në dy vitet e fundit, ndonëse hendeku i prodhimit është negativ, përsëri ekonomia e vendit ka vijuar rritjen pozitive në intervalin 3.5-4.5 për qind. Treguesit e tjerë makroekonomikë janë luhatur rreth vlerave të pranueshme dhe të pritshme.

Ne besojmë që ky stabilitet financiar dhe makroekonomik pasqyron angazhimin dhe koordinimin e politikave bazë ekonomike, asaj monetare me atë fiskale, përgjatë kohës. Ato do të vazhdojnë të mbështesin rritjen e qëndrueshme ekonomike në vijim, edhe në kushtet e rigjallërimit të ekonomisë botërore.


Të nderuar pjesëmarrës,

Kriza me të cilën u përball sistemi financiar botëror ishte e jashtëzakonshme. Të tilla ishin dhe masat që u ndërmorën. Është e natyrshme që efektet e saj do të vazhdojnë të ndjehen në ekonominë botërore, ndërkohë që vendimmarrësit, ekspertët dhe studiuesit, do të vazhdojnë me analiza të mëtejshme mbi shkaqet dhe mësimet që mund të nxirren prej saj. Duke përfituar nga prania në këtë panel mbikëqyrësish, dëshiroj të parashtroj disa prej përfundimeve tona:

  • Politikat makroprudenciale të mbikëqyrjes përbëjnë një argument thelbësor të diskutimeve të kohëve të fundit. Pjesë e tyre është dhe roli i bankës qendrore, veçanërisht për sa i takon rolit parandalues të saj. Randall Kroszner, në dokumentin e kohëve të fundit “Sfidat për Mbikëqyrjen Makroprudenciale”, thotë: “... bankat qendrore, duhet të zhvendosen nga roli tradicional i atij të pompës së zjarrfikësit (që do të thotë se nëse diçka shkon keq, bankat qendrore ndërhyjnë dhe sigurojnë likuiditet për të shuar zjarrin ose për të ndaluar përhapjen e tij) në rolin e detektorit të tymit të zjarrit (që do të thotë të përpiqesh për të parandaluar shpërthimin e zjarrit)...”. Në mënyrë më specifike, kjo nënkupton identifikimin dhe ndërtimin e një grupi treguesish të matshëm, të cilët së bashku formojnë sistemet paralajmëruese të problemeve makroprudenciale. Pjesë e domosdoshme janë dhe testet e rezistencës, të cilat duhet të jenë më të shpeshta, reale, transparente dhe të ndahen me entet mbikëqyrëse të vendeve të tjera. Elementë po kaq të domosdoshëm janë edhe integriteti, profesionalizmi dhe pavarësia që duhet të karakterizojë aktivitetin e çdo mbikëqyrësi bankar.
  • Politikat makroprudenciale të mbikëqyrjes post-krizë, megjithë progresin e bërë kohët e fundit, kanë nevojë për rregullime të mëtejshme. Për këtë qëllim, institucionet e specializuara ndërkombëtare duhet të përqendrohen më shumë për një përkufizim dhe rakordim më të detajuar, për t’i përshtatur ato vazhdimisht me zhvillimet e tregjeve. Po kaq e rëndësishme është dhe marrja në konsideratë e specifikave të natyrës rajonale, demografike, historike dhe kulturore.
  •  Sistemi bankar duhet medoemos të përqafojë një kulturë të mbështetur në vlerat më të mira të etikës, të shërbimit dhe të integritetit. Ky duhet të jetë objektivi parësor i të gjitha strukturave drejtuese të sistemit bankar, që do të çojë në rritjen e përgjegjshmërisë në drejtimin e institucioneve bankare. Strukturat drejtuese në banka janë përgjegjëse për drejtimin e ekuilibruar të institucionit, ku synimi i fitimeve vendoset në funksion të identifikimit, analizës dhe vlerësimit profesional të rreziqeve që shoqërojnë veprimet përkatëse. Gjithashtu, institucionet bankare dhe personeli i tyre duhet që në marrëdhëniet me klientët dhe publikun në përgjithësi, të reflektojnë standardet më të larta të sigurisë, të komunikimit e transparencës, të kujdesit e të mbështetjes, në mënyrë që kjo marrëdhënie besimi të shoqërojë zhvillimin e përbashkët. Kuadri rregullativ mbikëqyrës po plotësohet për të nxitur më tej këto zhvillime.
  • Mbikëqyrësit e bankave, nga ana e tyre duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje në kontrollet dhe raportet që përgatisin, kulturës, integritetit dhe sjelljes që karakterizon punën e çdo banke.
  • Një mësim tjetër i madh që vjen nga kriza është dhe shmangia me çdo kusht e përqendrimeve të mëdha si dhe e varësisë nga fondet financiare afatshkurtra. Prioritet mbi të gjithë prioritetet mbetet adoptimi i praktikave të kujdesshme të administrimit të rrezikut.
  • Kompozimi dhe cilësia e strukturave drejtuese të bankave përbën një tjetër sfidë për industrinë bankare në të ardhmen. Kriza e fundit tregoi se në shumë raste, anëtarë bordesh përfaqësonin vetëm interesat afatshkurtra të aksionerëve, në dëm të interesave të tjera të grupit, ashtu sikurse edhe njohuritë e tyre duhet të jenë të lidhura me aktivitetet e veçanta të bankës.
  • Tregu dhe inovacioni ecin më shpejt se mbikëqyrësi. Për këtë qëllim është e nevojshme që çdo inovacion apo produkt i ri bankar para hedhjes në treg të testohet me përgjegjshmëri, duke vlerësuar me kujdes të gjitha rreziqet që i shoqërojnë ato.

Në një kontekst më kombëtar, është e nevojshme dhe aktualisht tërësisht e mundshme që sektori bankar të përshpejtojë procesin e rigjallërimit të kreditimit, si një zhvillim që mbështet jo vetëm ekonominë dhe klientët, por edhe vetë bankat.

Veprimtaria e kreditimit duhet të mbështetet më mirë prej rritjes së qëndrueshme të burimeve të financimit, veçanërisht të depozitave. Në veprimtarinë e kreditimit, është e nevojshme të ketë një shpërndarje më të mirë sektoriale dhe një ekuilibër më të arsyeshëm midis projekteve të investimeve publike dhe private, midis formave të kredidhënies në lekë ose në monedhë të huaj, duke e orientuar kreditimin në mbështetje të ekonomisë vendase.

Në këtë kuadër, ekzistojnë hapësira të mjaftueshme për bankat, që të mbështesin më shumë kreditimin e sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe të ofrojnë mundësi më të mëdha financimi në lekë. Në çdo rast, procesi i analizës, vlerësimit, ndjekjes dhe evidentimit të cilësisë së kredisë, duhet të jetë i një rëndësie parësore për strukturat përkatëse në banka dhe të kryhet me seriozitetin maksimal, në përputhje me kërkesat mbikëqyrëse.
 
Në këtë proces, është i nevojshëm bashkëpunimi me klientët që ndeshin në vështirësi të përkohshme, por në rastin e kredive pa shpresë arkëtimi është e domosdoshme kryerja e veprimeve të vendosura dhe në kohë për ekzekutimin e garancive dhe formave të tjera të kolateralit, për rikuperimin maksimal të vlerave.

Këto veprime janë të rëndësishme në kushtet kur Banka e Shqipërisë vlerëson se veprimtaria e kreditimit të sektorit bankar do të vazhdojë të ndeshet me një mjedis sfidues dhe përmirësimet e synuara në cilësinë e kredisë do të kërkojnë më tepër kohë për t’u realizuar.

Në përfundim më lejoni të theksoj se, lëvizja në drejtimet e mësipërme është një proces kompleks, që kërkon angazhim dhe bashkëpunim të dyanshëm. Me kënaqësi konstatoj se bashkëpunimi mes nesh dhe sektorit bankar po njeh progres, si në fushën e mbikëqyrjes ashtu edhe në atë të zbatimit të politikës monetare.

Besoj se bashkëpunimi do të rritet edhe mes mbikëqyrësve të rajonit të Evropës Juglindore. Në emër të Bankës së Shqipërisë dëshiroj t’ju garantoj se bashkëpunimi nga ana jonë do të jetë i plotë në këtë drejtim.

Duke përfituar nga ky rast, dua të theksoj se Banka e Shqipërisë do të jetë gjithmonë në lartësinë e kërkuar nga publiku, për të plotësuar në çdo kohë, përgjegjësitë ligjore, në drejtim të ruajtjes së qëndrueshmërisë së sektorit bankar dhe realizimit të qëndrueshmërisë së nivelit të çmimeve.

Ju falënderoj për vëmendjen dhe ju uroj suksese!