BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në konferencën e përbashkët për shtyp me Ministrinë e Financave dhe Misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar

Data e publikimit: 18.12.2013

 

Të nderuar përfaqësues të medias,

Ditët e fundit janë zhvilluar negociata intensive me Misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, për drejtimin e ardhshëm të politikave ekonomike dhe financiare, që do të ndërmarrin autoritetet shqiptare në periudhën afatmesme 2014 – 2016. Me kënaqësi konstatoj se, në tërësi, këto diskutime kanë rezultuar të suksesshme dhe, në përfundim të tyre, kemi arritur një marrëveshje me FMN-në për hartimin e një pakete masash të cilat do t’i mundësojnë vendit përballimin e problemeve të menjëhershme si dhe mbështetjen e një rritjeje të qëndrueshme ekonomike. Nga këndvështrimi i bankës qendrore, gjykojmë se marrëveshja adreson shqetësimet tona kryesore, të cilat i kemi ndarë me ju në komunikimet tona të mëparshme.

Besoj se gjatë periudhës në vijim do të njiheni me detaje më të plota të marrëveshjes. Megjithatë, në këtë konferencë për shtyp, dëshiroj t’ju paraqes përmbledhtazi pikëpamjet e Bankës së Shqipërisë mbi situatën e ekonomisë dhe të sistemit financiar shqiptar, si dhe të evidentoj pikat kryesore të cilat do të orientojnë politikat tona për tre vitet e ardhshme.

Ekonomia shqiptare karakterizohet nga një rritje e ngadaltë dhe nën potencial. Kjo situatë krijon një sërë problemesh në ekonomi, të tilla si:

  • vështirësi në gjendjen financiare të bizneseve;
  • ngadalësim të rritjes së punësimit dhe të pagave;
  • përkeqësim të treguesve financiarë veçanërisht të kredisë;
  • rritje të shkallës së konservatorizmit të agjentëve financiarë; dhe,
  • shtim të presioneve mbi treguesit e deficitit dhe të borxhit.

Të gjitha problemet e renditura më sipër janë të pranishme në ekonominë shqiptare. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë ka theksuar në vazhdimësi se rritja e ulët është shqetësimi prioritar me të cilin përballet ekonomia shqiptare. Për këtë arsye, kuptimi i drejtë i problemeve të rritjes ofron edhe çelësin për ndërmarrjen e politikave të duhura të zhvillimit.

Ne mendojmë se, ashtu si dhe në vende të tjera të rajonit, problemet e rritjes ekonomike kanë një natyrë të dyfishtë, ciklike dhe strukturore, dhe se vendosja e ekonomisë shqiptare në rrugën e rritjes së qëndrueshme kërkon adresimin e tyre të njëkohshëm.

Në situatën që ndodhemi, gjykoj se marrëveshja me FMN-në ofron një zgjidhje optimale.

-- Në aspektin ciklik, kërkesa agregate shfaqet e ulët dhe nuk arrin të vërë në shfrytëzim të plotë kapacitetet prodhuese të vendit. Arsyet janë të qarta:

  • kërkesa e huaj për mallra e shërbime shqiptare shfaqet problematike, pjesërisht edhe si pasojë e problemeve që kanë partnerët tanë tregtarë;
  • sektori publik ka mundësi të kufizuara për stimul fiskal si pasojë e nivelit të lartë të borxhit publik, ndërsa
  • sektori privat shfaqet hezitues dhe përballet me kushte të shtrënguara financimi nga sistemi financiar.


--Në këtë kontekst, Banka e Shqipërisë gjykon se marrëveshja me FMN-në i shërben pozitivisht zgjidhjes së këtij ngërçi. Së pari, nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje shërben si garanci për konsistencën e politikave tona ekonomike dhe ofron garanci financiare me kosto të ulët për vendin. 

     Si e tillë, ajo forcon besimin e investitorëve të brendshëm e të huaj në ekonominë shqiptare dhe ka efekte pozitive në investime dhe në konsum. Së dyti, marrëveshja i hap rrugë një korrektimi më të butë fiskal se ai të cilin mund të ishim të detyruar të bënim në mungesë të saj. Me fjalë të tjera, asistenca financiare e parashikuar shmang një tkurrje më të fortë fiskale të cilën mund të na e impononin tregjet financiare. Së treti, mbështetja financiare e FMN-së dhe e Bankës Botërore krijon më shumë hapësirë likuiditeti për zhvillimin e sektorit privat pasi parashikon reduktim të huamarrjes në tregun e brendshëm.

--Në aspektin strukturor, ekonomia shqiptare duhet të adoptojë një model të ri rritjeje, për të krijuar një profil më konkurrues, më të zhdërvjellët dhe më imun ndaj luhatjes së konjukturave globale. Ky objektiv kërkon rialokimin e burimeve financiare, sipërmarrëse dhe njerëzore në ekonomi, nga industritë e orientuara drejt tregut të brendshëm në ato industri të cilat kanë një këndvështrim rajonal e global. Gjithashtu, ky objektiv do të kërkojë vazhdimin e reformës strukturore nëpërmjet përmirësimeve të kuadrit ligjor e rregullativ, nëpërmjet investimeve në infrastrukturë dhe nëpërmjet rritjes së kualifikimit të fuqisë punëtore. Të gjitha këto aksione kërkojnë kohë, burime financiare dhe ekspertizë teknike. Marrëveshja me FMN-në besoj se i adreson ato në mënyrë të strukturuar dhe të kënaqshme.

Në gjykimin tonë, këto politika i hapin rrugë një rritjeje ekonomike progresive gjatë viteve të ardhshme. Ato do të kërkojnë natyrisht vëmendje, qartësi dhe fleksibilitet të vazhdueshëm për të përputhur dinamikat e realitetit ekonomik e financiar, me objektivat dhe politikat tona.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm i politikave ekonomike dhe financiare do të jetë mbajtja dhe forcimi i mëtejshëm i stabilitetit makroekonomik të vendit.

Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të mbetet e fokusuar në respektimin e objektivit të saj të stabilitetit të çmimeve. Në dy mbledhjet e fundit të Këshillit Mbikëqyrës ne kemi ndërmarrë dy ulje të njëpasnjëshme të normës bazë të interesit, duke e zbritur atë në 3%. Këto lëvizje janë kryer ekskluzivisht në funksion të respektimit të objektivit tonë prej 3% të inflacionit. Ato synojnë të lehtësojnë kreditimin e ekonomisë dhe të nxisin konsumin e investimet në vend, duke i shërbyer kthimit të normës aktualisht të ulët të inflacionit në objektiv. Ne kemi qenë dhe do të mbetemi gjithnjë të vëmendshëm ndaj këtij treguesi, të gatshëm të ndërmarrim masat përkatëse për garantimin e stabilitetit të çmimeve në ekonomi.

Së fundi, sistemi bankar ka qenë dhe vazhdon të mbetet i shëndetshëm dhe fitimprurës. Programi i vlerësimit të sistemit financiar, FSAP, vlerëson se sistemi bankar shqiptar është i shëndetshëm, i aftë të përballojë goditje, i mbikëqyrur dhe i rregulluar sipas parimeve të shëndosha. Banka e Shqipërisë është e angazhuar që, edhe në kuadrin e rekomandimeve të FSAP-it, të përmirësojë më tej infrastrukturën mbikëqyrëse dhe rregullatore, për t’i siguruar ekonomisë një sistem bankar të shëndetshëm. Po ashtu, Banka e Shqipërisë do të synojë që, në kuadrin e nismave shumëpalëshe si ajo e Vjena 2 apo të bashkëpunimit dypalësh me institucione homologe, të rrisë vëmendjen e institucioneve financiare, publike apo private, ndaj investimit në ekonominë shqiptare.

Këto nisma e projekte, por edhe angazhime të tjera që janë pjesë e punës normale të bankës qendrore, do t’i shërbejnë përmirësimit të kushteve të kreditimit dhe rritjes ekonomike të vendit.

Ju falënderoj për vëmendjen!