BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në konferencën e përbashkët për shtyp me Ministrinë e Financave dhe Misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, 27 shtator 2013

Data e publikimit: 27.09.2013

 

I nderuar z. Ministër i Financave,

I nderuar z. Ilahi,

Të nderuar pjesëmarrës të medias,

Dy javët e fundit kanë qenë mjaft intensive në drejtim të diskutimeve mbi gjendjen aktuale të ekonomisë shqiptare, situatën e financave publike, zhvillimet e sistemit financiar, por edhe mbi perspektivat e zhvillimit të vendit dhe drejtimin e politikave ekonomike të cilat duhet të mbështesin rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të tij. Si Guvernator i Bankës së Shqipërisë, kam konstatuar me kënaqësi konvergimin në një diagnozë të përbashkët dhe realiste të situatës aktuale, por edhe konvergimin e shumë pikëpamjeve mbi përparësitë afatmesme dhe afatgjata të zhvillimit. Më lejoni të ndaj me mediat disa opinione të bankës qendrore mbi këto çështje.

Në takimin e saj të përmuajshëm për politikën monetare, para dy ditësh, Banka e Shqipërisë mori në analizë informacionin më të fundit mbi ecurinë aktuale dhe të pritur të ekonomisë. Përfundimet e kësaj analize unë i bëra publike në konferencën për shtyp që pasoi vendimmarrjen. Megjithatë, për të vënë në kontekstin e duhur sugjerimet tona mbi të ardhmen, po riparaqes në mënyrë telegrafike konkluzionet tona kryesore.

Ekonomia shqiptare është duke vuajtur nga dobësi të natyrës ciklike, të cilat shfaqen në formën e një kërkese të dobët agregate dhe të cilat reflektohen në rritje të ulët e nën potencial të ekonomisë. Në terma më të thjeshtë, shpenzimet për konsum të familjeve shqiptare, investimet e sektorit privat, shpenzimet publike dhe kërkesa e huaj për mallra e shërbime shqiptare, nuk arrin të vërë në shfrytëzim të plotë kapacitetet prodhuese të ekonomisë. Kërkesa e ulët agregate sjell më tej një rritje të ulët të punësimit, rritje të ulët të pagave, rritje të ulët të kostove të prodhimit, dhe nivele të ulëta inflacioni.

Gjithashtu, ajo krijon vështirësi për shumë biznese dhe përkthehet në rritje të kredive me probleme në sistemin bankar.

Në këtë kontekst, pa dyshim që prioriteti i politikave makroekonomike duhet të jetë nxitja dhe stimulimi i ekonomisë. Banka e Shqipërisë gjykon se përveç instrumenteve klasike të stimulit ekonomik, politikës fiskale e asaj monetare, vëmendje i duhet kushtuar edhe zbutjes së pasigurisë në ekonomi. Po ndaloj shkurtimisht në të tre këto elemente.

Së pari në opinionin tonë, politika fiskale ka hapësira të kufizuara për t’u përdorur si nxitës ekonomik. Rritja e shpejtë e borxhit publik rrit vulnerabilitetet e gjithë ekonomisë shqiptare dhe mund ta bëjë kundër-produktiv stimulin fiskal. Ne gjykojmë se politika fiskale duhet të fokusohet në afat të mesëm e të gjatë, në kontrollin e borxhit publik. Banka e Shqipërisë mbetet e mendimit se konsolidimi i financave publike duhet të ankorohet në një rregull fiskal efektiv e transparent.

Ky rregull do të rriste fleksibilitetin afatshkurtër të financave publike dhe do të ulte koston e axhustimit fiskal.

Së dyti stabiliteti i përgjithshëm ekonomik e financiar është një parakusht i domosdoshëm për një rritje më të shpejtë ekonomike. Politika monetare ka qenë dhe do të mbetet gjithnjë e orientuar drejt respektimit të objektivit tonë të inflacionit. Në përputhje me situatën ciklike, kjo politikë e ka dhënë stimulin e saj, nëpërmjet uljes së normës bazë të interesit dhe injektimit të vazhdueshëm të likuiditetit në sistemin bankar. Gjithashtu, ne kemi riparë, në frymën e lehtësimit, edhe bazën rregullative të sistemit bankar me synim stimulimin e kredidhënies nga sistemi bankar.

Përfitoj nga rasti të theksoj se sistemi bankar mbetet fitimprurës, likuid dhe i mirëkapitalizuar. Ruajtja e qëndrueshmërisë së këtij sistemi do të ketë gjithë vëmendjen tonë në vazhdim.

Së treti prioritet i rëndësishëm është reduktimi i pasigurive dhe primeve të rrezikut në ekonomi. Sikurse e kam thënë dhe më parë, në një masë të madhe këto pasiguri vijnë nga tregu i huaj, por një pjesë e tyre origjinojnë edhe në ekonominë shqiptare. Pa pretenduar të bëj një listë, po përmend disa prej tyre:

- Reduktimi i informalitetit duhet të jetë një objektiv primar. Përveçse një rrjedhjeje për financat publike, ai ka kosto të fshehura në drejtim të zbehjes së konkurrencës, ka ineficienca në drejtim të mungesës së transparencës së bilanceve, dhe sjell rritje artificiale të kostove të financimit të biznesit.

- Forcimi i infrastrukturës mbrojtëse të sistemit financiar është një tjetër aspekt që meriton vëmendje. Banka e Shqipërisë nënshkroi dhe tashmë ka bërë efektive një marrëveshje bashkëpunimi me Bankën e Kinës, pjesë e të cilës është edhe mundësia për të përfituar likuiditet në raste nevoje. Hap i rëndësishëm në këtë drejtim është dhe marrëveshja e mes Agjencisë së Sigurimit të Depozitave dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për të rritur garantimin e depozitave. Ne jemi të mendimit se ka hapësira për marrëveshje të tjera me institucione financiare ndërkombëtare, të specializuara në dhënien e asistencës dhe fondeve. Ndërtimi i një mbrojtjeje kolektive publike, lehtëson sistemin financiar dhe biznesin nga ndërtimi i mbrojtjeve individuale. Përtej kësaj, ai mund të shndërrohet në një burim fondesh të nevojshme për ekonominë shqiptare.

- Përmirësimi i mëtejshëm i klimës së biznesit dhe respektimi i zbatimit të kontratave. Klima e biznesit është një çështje mjaft komplekse, por unë dua të ndalem këtu në dy momente. I pari ka të bëjë me pagimin, si një çështje prioriteti, të detyrimeve të prapambetura të buxhetit.

Ndonëse me kosto financiare, ky është një hap i domosdoshëm për lehtësimin e zinxhirit të borxheve në ekonomi dhe sinjalizon vullnetin politik të garantimit të respektimit të kontratave.

- i dyti, të cilin dua të nënvizoj, ka të bëjë me përmirësimin e kuadrit nënligjor, që rregullojnë ekzekutimin e kolateralit dhe heqjen e borxhit të keq nga bilanci i bankave. Zgjidhja përfundimtare e këtij problemi do t’i sinjalizonte sistemit bankar se Shqipëria është një vend ku mund të kreditosh në mënyrë të sigurt.

Të gjithë këta hapa do t’i shërbenin nxitjes së aktivitetit ekonomik dhe kthimit të ekonomisë në ekuilibër.

Megjithatë, ekonomia shqiptare vuan edhe nga dobësi strukturore, të cilat kufizojnë ritmin e rritjes. Nuk dëshiroj të ndalem shumë në këtë aspekt, por gjej me vend të përsëris mesazhin tim se reforma strukturore duhet të përshpejtohet.

Ajo duhet të ankorohet në procesin e konvergimit në Bashkimin Evropian dhe të synojë adoptimin e rregullave e modeleve më të përparuara të tij. Nëpërmjet investimeve publike dhe incentivave ekonomike, ajo duhet të synojë një strukturë ekonomike më efektive, më konkurruese dhe të aftë të prodhojë një rritje më të shpejtë e më të qëndrueshme.