BANKA E SHQIPËRISË
KONFERENCË PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani, në konferencën ndërkombëtare për 10-vjetorin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, 30 tetor 2009, Prishtinë.
Data e publikimit: 30.10.2009
I nderuar Guvernator Rexhepi,
Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Është një kënaqësi për mua që marr pjesë në këtë konferencë jubilare, të organizuar në mënyrë kaq të përsosur nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, dhe që të jem dëshmitar i progresit të mahnitshëm, që ky institucion ka arritur në një periudhë kohore kaq të shkurtër, por intensive. Energjia dhe dëshira e personelit vendas për të kontribuar në historinë e këtij institucioni është kanalizuar në mënyrën e duhur nga vizioni dhe përvoja e mjaft profesionistëve drejtues, të cilët kanë dhënë një kontribut të çmuar në drejtimin e këtij institucioni gjatë viteve të fundit. Duke patur parasysh përkushtimin e nivelit drejtues të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për të arritur dhe vepruar në përputhje me standardet më të mira të organizimit dhe eficiencës në punë, duke zbatuar një politikë të qartë dhe afatgjatë të investimit në cilësinë e personelit të saj, si dhe duke mbështetur masa që kontribuojnë në ruajtjen e një bashkëpunimi të frytshëm ndërinstitucional, jam i sigurt se kjo histori do të vijojë të jetë e suksesshme.
Dëshiroj gjithashtu, të falenderoj organizatorët për nderin që më dhanë që të flas përpara jush sot, lidhur me një çështje kaq të rëndësishme gjatë vitit të fundit, pas kësaj krize të paprecedent financiare ndërkombëtare. Duke patur parasysh faktin, se shkaqet dhe pasojat e kësaj krize janë identifikuar dhe diskutuar gjerësisht, në pjesën e parë të fjalës sime do të përqendrohem më tepër në gjetjet kryesore të diskutimit profesional që po zhvillohet në ditët e sotme, me qëllim identifikimin e një përqasjeje të re të mbikëqyrjes financiare. Jam i sigurt, se këto aspekte do të diskutohen më tej gjatë punimeve të kësaj konference. Në pjesën e dytë të fjalës sime, do të përpiqem të ofroj informacione më të hollësishme mbi atë që ne, në Bankën e Shqipërisë, po mendojmë si një përqasje të ardhshme të autoriteteve publike dhe të industrisë financiare, në lidhje me masat e nevojshme për forcimin e stabilitetit financiar.
Shumë shkurt, do të doja të përsërisja atë që tashmë është bërë e qartë për të gjithë: kriza e fundit ishte një rrjedhojë e incentivave të gabuara, të cilat mbështetën një zhvillim të çekuilibruar të aktivitetit financiar dhe një vlerësim të gabuar të rrezikut, të çmimvënies dhe të administrimit. Këto incentiva të gabuara ishin të pranishme jo vetëm në industrinë dhe tregjet financiare, por edhe në bilancet e individëve, bizneseve dhe në mbarë vendet e tjera. Duke patur parasysh natyrën, përmasat dhe ndikimin e kësaj krize, jo vetëm mbi industrinë dhe tregjet financiare, por edhe mbi ekonominë reale, autoritetet publike në mjaft vende u detyruan të adoptonin masa të shpejta, të koordinuara dhe të jashtëzakonshme, si në fushën e politikës monetare, ashtu dhe në atë fiskale. Bankat qendrore hoqën dorë nga pothuajse çdo kufizim; ato madje, adoptuan disa masa të pazakonta, me qëllim sigurimin e likuiditetit të mjaftueshëm dhe me kosto të ulët për tregjet financiare. Qeveritë e vendeve shfaqën një përkushtim të madh në drejtim të uljes së rrezikut sistemik, duke shpëtuar institucione të rëndësishme financiare, duke siguruar garanci për kredidhënien ndërbankare, duke rritur kufirin e sigurimit të depozitave të publikut etj. Këto masa, të cilat në shumicën e rasteve ishin të përkohshme, duket se kanë rezultuar të suksesshme në rikthimin e besimit të tregut dhe në orientimin e ekonomisë globale drejt rrugës së përmirësimit gradual të saj.
Duke u fokusuar në tregjet dhe institucionet financiare pas krizës, një numër çështjesh, të njohura më parë por shpeshherë të neglizhuara, janë rishfaqur, duke nxitur kështu reagimin serioz dhe gjithëpërfshirës nga ana e autoriteteve. Mjaft prej këtyre çështjeve lidhen me vetë aktivitetin financiar, ndërkohë që të tjerat lidhen më së shumti me ambientin ekonomik rrethues.
Mund të thuhet tani, se autoritetet mbikëqyrëse të tregjeve dhe institucioneve financiare janë pjesërisht përgjegjëse për atë që ndodhi. Pavarësisht retorikës, ato nuk arritën të identifikonin dhe kontrollonin rrezikun në industrinë financiare në mënyrën dhe në kohën e duhur. Këtu mund të përmenden: lehtësimi i kontrollit mbi huatë e marra nga bankat me qëllim financimin e kredive në monedhë të huaj në një juridiksion të caktuar, neglizhenca e treguar ndaj entiteteve me qëllim të posaçëm, të krijuara për të shmangur kërkesat prudente të bilancit financiar etj.. Ka mjaft arsye për këto dobësi dhe sipas mendimit tim, mjaft prej tyre shkojnë përtej kapaciteteve ligjore, logjistike dhe njerëzore të autoriteteve mbikëqyrëse për të vepruar. Nga ana e tyre, autoritetet mbikëqyrëse gabuan në mbështetjen e punës mbi konceptin e gabuar se institucionet financiare individualisht të forta janë të mjaftueshme për stabilitetin e të gjithë sistemit financiar. Duke vepruar kështu, ato nuk arritën të identifikonin efektet negative dhe çrregullimet, që rezultojnë si pasojë e sjelljes së pakoordinuar në grup të institucioneve financiare, shpeshherë si pasojë e prociklikalitetit që bartet nga vetë aktiviteti financiar dhe kuadri rregullativ. Vëmendja e mbikëqyrjes përqendrohej në sektorin bankar, ndërkohë që bashkëveprimit të tij me sektorin financiar jobankar i kushtohej një vëmendje e pamjaftueshme, në një kohë kur ky i fundit ishte shumë më pak i rregulluar e ndërkohë që rritej si në përmasë, ashtu dhe në rëndësi. Gjithashtu, si pjesë e objektivit të tyre të përgjithshëm dhe të mandatuar për të fokusuar përqasjen e tyre mbikëqyrëse në burimet më të rëndësishme të rrezikut të industrisë financiare, por gjithashtu si një shenjë e vështirësisë së tyre objektive për të qenë në një hap me zhvillimet dhe risitë në tregjet financiare, autoritetet mbikëqyrëse u mbështetën gjithnjë e më shumë në disiplinën e tregut dhe në modele të paqarta, komplekse dhe të sofistikuara të rrezikut të industrisë financiare, gjë e cila gjithashtu rezultoi të kishte mjaft mangësi. Në disa raste, struktura e autoriteteve mbikëqyrëse ka rezultuar e fragmentuar ose mjaft komplekse, duke nxitur kështu arbitrazh rregullativ nga ana e vetë aktorëve të tregut. Në të tjera raste, burimet e nevojshme për kryerjen me eficiencë të rolit mbikëqyrës kanë qenë të kufizuara, duke ndikuar negativisht mbi performancën e mbikëqyrësit.
Por, kjo krizë tregoi se rreziku buroi gjithashtu nga burime të tjera, jashtë kontrollit të drejtpërdrejtë të autoriteteve mbikëqyrëse në një juridiksion të caktuar. Për shembull, rritja e çmimit të aktiveve u nxit nga likuiditeti i bollshëm dhe nga kushtet e favorshme kredituese, të cilat shpesh ndikoheshin nga zhvillimet ndërkombëtare dhe nga flukset financiare. Huamarrja në tregjet ndërkombëtare nga institucionet financiare u ndikua gjithashtu dhe nga rritja e deficiteve fiskale dhe të atyre të llogarisë korente. Rritja e këtyre të fundit ishte rrjedhojë e politikave të gabuara, të cilat krijuan zhbalancime në sjelljen kursim-konsum të aktorëve më të rëndësishëm ekonomikë në ekonomi, përfshirë këtu edhe individët. Tashmë shtrohet pyetja nëse disa prej këtyre çështjeve mund të adresoheshin nga një rol më i fuqishëm i politikës monetare. Integrimi financiar, ndër të tjera, ka kontribuar gjithashtu në zgjerimin e shpejtë të aktivitetit financiar dhe mjaft institucione financiare janë shndërruar në institucione shumë të mëdha për një shtet të vetëm. Një gjë e tillë ka ndodhur në një kohë kur, për të njëjtën arsye, autoriteti de facto i rregullimit është zhvendosur nga mbikëqyrësit vendas drejt atyre të vendeve të origjinës. Kështu, pavarësisht tendencës së qëndrueshme të konvergimit ndërmjet legjislacionit financiar në shumë vende, ende mbeten ndryshime të theksuara të cilat, veçanërisht në një situatë krize, krijojnë tensione të mëdha midis autoriteteve publike në vende të ndryshme.
Autoritetet publike në mbarë botën po bëjnë përpjekje të mëdha për adresimin e çështjeve të lartpërmendura, me qëllim përmirësimin e standardeve dhe të superstrukturës mbikëqyrëse. Si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ashtu dhe Bashkimi Evropian, po parashikojnë krijimin e institucioneve të veçanta, roli i të cilave do të jetë identifikimi dhe kontrolli i rrezikut sistemik, përmes një përqasjeje të ndryshme mbikëqyrëse për institucionet financiare me rëndësi sistemike. Në të njëjtën kohë, pritet që këto institucione financiare ti nënshtrohen një kuadri më shtrëngues rregullativ, në drejtim të kërkesave të kapitalit dhe të likuiditetit, përbërjes dhe zgjerimit të bilancit, si dhe të marrëdhënieve në drejtim. Një tjetër fushë, e cila do ti përballë autoritetet publike në mbarë botën me një sfidë akoma dhe më të madhe, është dhe rishikimi i procedurave të likuidimit për institucione të ngjashme financiare me prezencë në vende të tjera.
Qëllimi kryesor i reformës në kuadrin rregullativ financiar do të jetë akomodimi i incentivave të reja, të cilat do të krijojnë një mjedis akoma dhe më të përshtatshëm për administrimin e rrezikut në industrinë financiare. Parimi kryesor që ndiqet këtu është: parandalimi është kura më e mirë. Në këtë drejtim, perimetri i kuadrit rregullativ mbikëqyrës do të zgjerohet më tej, me qëllim përfshirjen e institucioneve të tjera të rëndësishme jobankare dhe ka të ngjarë, edhe të kompanive bankare zotëruese. Kuadri i ri rregullativ pritet që gjithashtu, të prezantojë kërkesa më tepër automatike (dhe më pak fleksibile), duke synuar në të njëjtën kohë, më tepër thjeshtësi dhe qartësi. Zhvendosja drejt thjeshtimit dhe qartësisë do të ulë ndjeshëm mundësinë e manipulimit dhe do të përmirësojë transparencën dhe besueshmërinë e aktivitetit bankar dhe të atij financiar. Këto ndryshime do të plotësohen me ndryshime të ngjashme në fushën e mbrojtjes së konsumatorit dhe të transparencës së tregut. Kuadri rregullativ i industrisë financiare pritet që gjithashtu, të jetë më pak prociklik, duke qenë se po identifikohen propozime të reja dhe mjaft interesante në drejtim të adoptimit të një përqasjeje kundërciklike për kërkesat e kapitalit, provigjonimin dhe kontabilitetin. Garantimi i drejtimit të përgjegjshëm për institucionet bankare dhe financiare do të jetë një fushë tjetër zhvillimi. Aktualisht, po identifikohen kërkesa të reja rregullative dhe instrumente, të cilat do të kërkojnë një nivel përfshirjeje dhe përgjegjësie më të madhe nga ana e bordit të drejtorëve, në drejtim të administrimit të rrezikut dhe të dekurajimit të sipërmarrjeve me rrezik të pakontrolluar. Nga ana tjetër, është e nevojshme që autoritetet mbikëqyrëse të forcojnë kapacitetet e tyre të vlerësimit të rrezikut makroprudencial, duke u përqendruar më tepër mbi sjelljet sistemike të institucioneve financiare. Banka qendrore pritet të marrë më tepër përgjegjësi në këtë drejtim, veçanërisht në ato vende ku ajo deri më tani, nuk ka patur një rol të madh mbikëqyrës. Pavarësisht përqasjes që do të adoptohet në këtë drejtim, mbikëqyrësit duhet të gëzojnë autoritet më të madh ligjor, i cili do tu sigurojë ndërmarrjen e veprimeve në kohën e duhur dhe në mënyrë fleksibile. Siç e përmenda dhe më lart, procedurat për administrimin e institucioneve financiare në vështirësi dhe ato për administrimin e krizës duhet të rishikohen, me qëllim sigurimin e një bashkëpunimi më të madh dhe eficient ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, si dhe për të zgjidhur më mirë konfliktin e mundshëm midis mbikëqyrjes ex-ante dhe ndërhyrjes ex-post.
Ky proces i rëndësishëm i reformës rregullative financiare nuk është pa risk. Unë besoj se autoritetet publike do ti kushtojnë një vëmendje të veçantë kontrollit të tendencës së mbirregullimit dhe shmangies së adoptimit të verbër të ndryshimeve rregullative dhe përqasjes asimetrike/të njëanshme. Më tepër rregullim duhet të nënkuptojë rregullim më të mirë. Ndërmarrja e rreziqeve është diçka e natyrshme për industrinë bankare, duke patur parasysh rolin e saj të çmuar të ndërmjetësimit financiar. Nëse kjo ndërmarrje rreziku është e miridentifikuar dhe e administruar siç duhet, ajo ndihmon për rritjen e eficiencës dhe të kthimit të aktivitetit dy elemente të rëndësishme këto për një performancë financiare të vazhdueshme, të shëndetshme dhe të qëndrueshme. Çdo shtet duhet të ndjekë me vëmendje të veçantë diskutimin dhe ndryshimet e propozuara për reformën në rregullimin financiar, duke qenë se ky proces pa dyshim do të ndikojë edhe mbi to. Në këtë aspekt, është e rëndësishme për autoritetet publike që të ndërmarrin një proces të analizimit dhe të vlerësimit të impaktit të ndryshimeve të propozuara, të pritshme dhe të miridentifikuara, në industrinë e tyre financiare. Pa dyshim, adoptimi praktik i ndryshimeve të propozuara duhet të orientohet nga objektivi për arritjen e një konvergimi më të madh me standardet ndërkombëtare, megjithatë ai duhet të përcaktohet edhe në varësi të karakteristikave të sistemit financiar kombëtar ose rajonal dhe të objektivave të tij të zhvillimit. Për më tepër, fokusimi në vetëm rregullimin sa më të mirë të industrisë financiare, pa adresuar në të njëjtën kohë zhvillime të tjera të rëndësishme dhe ndoshta të paqëndrueshme ekonomike, përfaqëson një përqasje asimetrike që nuk do të trajtojë në mënyrën e duhur rreziqet ndaj stabilitetit financiar. Në këtë kontekst, qeveritë, bizneset dhe individët duhet të identifikojnë dhe të marrin masa për reduktimin e zhbalancimeve në bilancet e tyre, duke qenë se nga ana tjetër, kjo do të përmirësonte cilësinë e industrisë financiare dhe do të reduktonte rrezikun.
Të nderuar pjesëmarrës,
Më lejoni tani të ndalem në mënyrën se si ekonomia shqiptare dhe sistemi ynë financiar u përball me krizën ndërkombëtare, si dhe disa nga masat që Banka e Shqipërisë i gjykon të rëndësishme për të ardhmen, me qëllim forcimin e stabilitetit të sistemit financiar dhe të ekonomisë shqiptare.
Kriza globale e kohëve të fundit tregoi se në kushtet e rritjes së integrimit financiar dhe thellimit të pandalshëm të globalizimit ekonomik, ekonomitë e vogla, si ajo e Shqipërisë apo e vendeve të tjera të rajonit, nuk duhet të mbështeten vetëm në mbrojtjen natyrale që vjen nga tregjet financiare më pak të zhvilluara dhe nga niveli shumë më i ulët i borxhit prej individëve dhe bizneseve, për të kompensuar me kalimin e kohës rreziqet potenciale, të cilat mund të vijnë nga rritja ekonomike më pak e diversifikuar, mbështetja e tepërt në dërgesat e emigrantëve, kultura e pamjaftueshme për menaxhimin e rrezikut në institucionet financiare dhe në agjentët e tjerë ekonomikë veçanërisht rrezikun e kursit të këmbimit dhe të likuiditetit, si dhe hapësira shumë e kufizuar që kanë autoritet publike për të aplikuar masa financiare antikrizë të ngjashme me ato të vendeve të zhvilluara. Kështu, masat e politikës duhet ti drejtojnë këto dhe mangësitë e tjera drejt gjetjes së një zgjidhjeje të përshtatshme në periudhën afatmesme. Këto masa duhet të pasqyrojnë përparësinë për veprime parandaluese.
Në fakt, gjatë 4-5 viteve të fundit, Banka e Shqipërisë është treguar vigjilente për identifikimin e fushave të veprimtarisë bankare që kërkojnë vëmendjen e industrisë. E kemi shprehur shqetësimin tonë lidhur me rritjen e shpejtë të kredidhënies, pasi besonim se kjo do të ndikonte negativisht në cilësinë e kredisë. Një shqetësim tjetër është edhe përbërja e portofolit të kredive, i cili mbizotërohet nga kredi në euro. Pavarësisht nga fakti se ky pozicion mbështetet nga prania e lartë e detyrimeve valutore në bilancet e bankave dhe nga lidhjet e fuqishme ekonomike me vendet e Zonën së Euros, si Italia dhe Greqia, Banka e Shqipërisë ka qenë e vendosur në përqasjen e saj për zbatimin gradual të masave rregullative, të cilat dekurajojnë rritjen e shpejtë të kredidhënies, nxitin bankat për të dhënë më shumë kredi në monedhën kombëtare dhe rritin transparencën ndaj klientëve të bankave për shërbimet dhe produktet bankare. Nga ana tjetër, politika monetare i ka ankoruar me sukses pritjet për një rritje të moderuar të nivelit të çmimeve dhe ka mbështetur kërkesën për mjete financiare të shprehura në monedhën kombëtare, duke ofruar kështu një fitim pozitiv real të mjaftueshëm.
Ndikimi i parë i krizës ndërkombëtare në ekonominë tonë u shfaq në bilancin e pagesave, duke pasqyruar marrëdhëniet e ekonomisë tonë me botën. Rritja e papunësisë dhe shtrëngimi i kushteve financiare në vendet fqinje të Bashkimit Evropian, u pasuan nga rënia e dërgesave të emigrantëve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në këto vende. Ndërkohë që hendeku ndërmjet kërkesës së brendshme dhe asaj të jashtme thellohej, kjo u shoqërua me një rritje të deficitit të llogarisë korente dhe shtim të presioneve mbi kursin e këmbimit. Në të njëjtën kohë, sektori bankar, që mbizotëron dukshëm sistemin financiar në Shqipëri, tkurri kontributin financues për ekonominë vendase si përgjigje ndaj rritjes së kërkesës për likuiditet, pasojë e tërheqjes së depozitave nga publiku dhe e rritjes së kërkesës huamarrëse të Qeverisë. Gërshetimi i efekteve të këtyre zhvillimeve ndikoi negativisht në sektorin real të ekonomisë, veçanërisht në biznesin. Gjatë tremujorit të parë të këtij viti, indeksi i besimit të biznesit ra nën mesataren e tij historike, duke treguar për një situatë më të vështirë financiare. Kjo e fundit u pasqyrua edhe nga realizimi i të ardhurave fiskale në nivel më të ulët se plani, si dhe nga rënia e cilësisë së portofolit të kredive që sektori bankar ka hasur gjatë gjithë kësaj periudhe.
Në periudhën afatshkurtër, autoritetet publike morën masa për të zvogëluar ndikimin e krizës financiare globale në ekonomi. Nëpërmjet rritjes së konsiderueshme të pjesës së shpenzimeve fiskale të destinuar për investime, kryesisht në infrastrukturë, qeveria i dha një stimul të rëndësishëm sektorit real të ekonomisë për të përballuar efektet e krizës globale. Gjithashtu, Banka e Shqipërisë ka qenë aktive për pajisjen e tregut ndërbankar me likuiditet, me qëllim ruajtjen e stabilitetit të sektorit bankar dhe minimizimin e rënies të rolit të saj ndërmjetësues. Ne hoqëm kufijtë sasiorë në madhësinë e injektimit të likuiditetit nëpërmjet marrëveshjeve të anasjellta të riblerjes njëjavore dhe zgjatëm afatin e maturimit të instrumenteve të injektimit në tre muaj. Pas një uljeje të normës së interesit me 0.5 pikë përqindjeje në muajin janar dhe pas zbutjes së presioneve inflacioniste në vend, politika monetare i kushtoi një rëndësi të veçantë stabilitetit financiar, duke mbajtur të pandryshuar normën bazë të interesit për të gjithë periudhën. [1]
Nëpërmjet kësaj politike, u synua që në periudhën afatshkurtër të mbështetej kërkesa për mjete financiare të shprehura në monedhën kombëtare. Njëkohësisht, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, Banka e Shqipërisë inicioi ndryshime legjislative për të rritur nivelin e sigurimit të depozitave, si një masë e domosdoshme për të rikthyer besimin e publikut për sigurinë e depozitave bankare. Nga këndvështrimi mbikëqyrës, Banka e Shqipërisë përforcoi kontrollin e përditshëm të zhvillimeve të sektorit bankar, duke u përqendruar veçanërisht në gjendjen e likuiditetit. Kjo ishte pjesë e një përqasjeje më të gjerë që përfshiu edhe ndryshimet në kuadrin rregullativ, komunikimin më të fuqishëm me sektorin bankar, rritjen e numrit të publikimeve dhe praninë më të madhe në media. Besojmë se këto politika ishin të rëndësishme për administrimin efektiv të nevojave të sektorit bankar për likuiditet. Ato ofruan një orientim të kreditimit drejt monedhës kombëtare dhe ndikuan në ruajtjen e parametrave të qëndrueshëm të kapitalizimit për bankat tona. Situata hyri në fazën e një përmirësimi cilësor, pas rifillimit të procesit të rritjes së depozitave të publikut pranë sektorit bankar. Ky proces, i cili u zhvillua në mënyrë graduale dhe të qëndrueshme në tremujorin e dytë të vitit 2009, vijon me ritme të kënaqshme.
Besojmë se, pas kapërcimit të efekteve afatshkurtra të krizës financiare globale dhe përmirësimit të situatës ndërkombëtare, autoritetet publike në vend duhet të nisin një proces vlerësimi të kuadrit të veprimeve ligjore dhe financiare, me qëllim rivendosjen e ekuilibrave në veprimtarinë fiskale, monetare e bankare, në mbështetje të një rritjeje të qëndrueshme ekonomike dhe ruajtjes së stabilitetit financiar. Për këtë arsye, është e rëndësishme që politika fiskale të ndërmarrë masat përkatëse korrektuese, në mënyrë që të forcojë besimin e agjentëve të tregut dhe të investitorëve, vendas dhe të huaj. Në të njëjtën kohë, politika monetare duhet të vlerësojë efektet e mundshme mbi inflacion të stimulit financiar që i është dhënë sektorit bankar dhe ekonomisë, si edhe të shqyrtojë më pas hapësirat që ekzistojnë për të mbështetur ndërmjetësimin financiar të sektorit bankar në ekonomi me një kosto më të ulët. Për ti dhënë një përgjigje më afatgjatë rritjes së qëndrueshme ekonomike, autoritetet publike duhet të këmbëngulin për të hartuar dhe zbatuar strategji për zhvillimin e ardhshëm ekonomik, të cilat në afat të mesëm do të mundësonin:
a) Vendosjen e një ekuilibri më të mirë në kontributin që japin sektorë të ndryshëm për rritjen ekonomike. Në këtë drejtim, është e rëndësishme të rritet mbështetja për sektorët e ekonomisë me potencial të fuqishëm në rritjen ekonomike, si bujqësia dhe turizmi;
b) Rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë tonë dhe formalizimin e mëtejshëm të saj. Në këtë drejtim, debatet duhet të përqendrohen në gjetjen e stimujve për të rritur prodhimin vendas dhe për të mbështetur kursimet e brendshme. Me kalimin e kohës këto do të përmirësonin bilancin e llogarisë korente dhe disponueshmërinë e mjeteve valutore;
c) Shtimin e burimeve të financimit. Në këtë drejtim, autoritetet duhet të zbatojnë politika që mbështesin zhvillimin e sektorit financiar jobankar dhe krijimin e tregjeve të kapitalit dhe të borxhit për subjekte private. Realizimi i këtyre objektivave do të kërkonte paraprakisht forcimin e standardeve të raportimit financiar, plotësimin dhe përmirësimin e kuadrit ligjor për zhvillimin e marrëdhënieve të biznesit, dhe mbrojtjen më të mirë të të drejtave të kreditorëve e të konsumatorëve, lidhur me institucionet dhe produktet financiare. Në terma më praktikë, këto masa pritet të zgjerojnë burimet e financimit për rritjen ekonomike dhe gradualisht të ulin varësinë e tij nga sektori bankar;
d) Përmirësimin dhe plotësimin e kuadrit ligjor dhe operacional për të forcuar kapacitetet e autoriteteve publike për përballimin me eficiencë të krizës. Në këtë kuadër, autoritetet publike duhet të identifikojnë masat e nevojshme për parandalimin, përballimin dhe eliminimin e pasojave të krizës financiare. Banka e Shqipërisë gjykon se secili autoritet publik, duhet të rivlerësojë kapacitetet dhe aftësitë e tij ligjore, financiare, njerëzore dhe teknologjike, për të përmbushur rolin e tij në situata të ngjashme krizash. Në të gjithë këtë proces, koordinimi ndërmjet autoriteteve publike duhet të jetë në nivelin më të lartë.
Edhe vetë industria bankare duhet të realizojë një rivlerësim të objektivave dhe formave të zhvillimit të veprimtarisë bankare në të ardhmen, me qëllim sigurimin e fitimeve të vazhdueshme dhe të qëndrueshme. Për rrjedhojë, është e nevojshme që organet drejtuese të bankave të ndërmarrin një proces, me qëllim që: a) të rivlerësojnë përparësitë e zhvillimit; b) të vendosin një ekuilibër më të mirë në lidhje me burimet e të ardhurave dhe të kontrollojnë kostot; c) të orientojnë veprimtarinë e tyre drejt një specializimi më të madh dhe krijimit të përparësive konkurruese; d) të arrijnë një ekuilibër më të mirë përsa i përket përbërjes së mjeteve dhe detyrimeve të tyre sipas monedhës, sipas afatit të maturimit etj.; e) të ndjekin politika më aktive në drejtim të afrimit dhe mbajtjes së publikut (klientëve) pranë institucionit; f) të forcojnë strukturat e kontrollit të brendshëm dhe kapacitetet për punë kërkimore dhe për administrimin e rreziqeve.
Aktualisht, Banka e Shqipërisë po punon me synimin që, në hapësirën e nevojshme kohore dhe pas konsultimit me industrinë financiare, ta mbështesë këtë proces nëpërmjet prezantimit të ndryshimeve në kuadrin rregullativ dhe mbikëqyrës. Për këtë qëllim, synohet që në veprimtarinë bankare, të forcohen mekanizmat e brendshëm që ofrojnë stimuj për një zhvillim të ekuilibruar dhe të kontrolluar, me karakteristika të përshtatshme të likuiditetit dhe të kapitalizimit. Njëkohësisht, Banka e Shqipërisë, do të vlerësojë nevojën për një përqasje të re mbikëqyrëse ndaj bankave me rëndësi sistemike. Transparenca e veprimtarisë bankare në marrëdhëniet e saj me klientët dhe publikun në përgjithësi, do të mbetet në qendër të veprimtarisë mbikëqyrëse të Bankës së Shqipërisë. Në përgjithësi, në këtë proces, Banka e Shqipërisë do të mbajë në konsideratë ndryshimet që do të ndodhin në standardet evropiane, duke mbështetur bashkëpunimin e fuqishëm me bankat e tjera qendrore dhe me autoritetet e tjera mbikëqyrëse.
Në përfundim, më lejoni të theksoj se qëllimi final i ndryshimeve rregullative financiare që po identifikohen në nivel ndërkombëtar duhet të ofrojnë stimujt e duhur, të cilët me kalimin e kohës do të sigurojnë një veprimtari më të qëndrueshme, më të ekuilibruar dhe me më pak rrezik për institucionet dhe tregjet financiare në të ardhmen. Në nivel global dhe kombëtar, këto ndryshime duhet të plotësohen me masa të tjera ekonomike më të përgjithshme, që të mundësojnë një proces përshtatjeje, për të siguruar një pozicionim më të mirë të mjeteve dhe detyrimeve në bilancet e agjentëve të ndryshëm ekonomikë. E gjithë kjo duhet realizuar, ndërkohë që duhet të ruajmë përfitimet sociale që rrjedhin nga integrimi ekonomik dhe financiar. Kjo do të thotë që e ardhmja do të përballet me një përpjekje të vazhdueshme dhe sfiduese, për gjetjen dhe vendosjen e një ekuilibri të ri dhe më të përshtatshëm ndërmjet shkallës së rrezikut të marrë përsipër dhe fitimeve më të qëndrueshme nga agjentët ekonomikë, si dhe ndërmjet çështjeve kombëtare afatshkurtra dhe objektivave afatgjata të integrimit rajonal politik dhe ekonomik.
Edhe një herë i uroj Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, drejtuesve dhe stafit të saj suksese të mëtejshme.
Faleminderit për vëmendjen!
[1] Dy ditë më parë, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi një vendim për uljen e mëtejshme të normës bazë të interesit me 0.5 pikë përqindje, duke e çuar atë në nivelin e ri prej 5.25 për qind.