BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani, në konferencën për shtyp me shefin e Misionit të FMN-së për Shqipërinë, z. Gerwin Bell dhe Ministrin e Financave, z. Ridvan Bode, 7 prill 2009

Data e publikimit: 07.04.2009

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë është shprehur në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe transparente për rreziqet me të cilat mund të përballet qëndrueshmëria e stabilitetit financiar të vendit gjatë këtij viti. Në dokumentin e saj më të fundit “Deklarata e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2008”, në përmbushje dhe të detyrimit që rrjedh nga ligji “Mbi Bankën e Shqipërisë”, është bërë një renditje e qartë e këtyre rreziqeve, të cilat përfitoj nga rasti që t’i përmend edhe një herë publikisht:

  • Së pari, ngadalësimi i ritmit të rritjes ekonomike në vitin 2009, e bën të vështirë realizimin e treguesve të politikës fiskale në përputhje me parashikimet e fundit të vitit 2008. Zhvillimet në tregtinë e jashtme do të ndikojnë në rënien e grumbullimit të të ardhurave buxhetore, ndërkohë që shtrëngimi i kushteve financiare në ekonomi ndikon negativisht mundësitë e sektorit bankar për të financuar deficitin buxhetor. Për këtë arsye, në mënyrë që të realizohet objektivi për nivelin e deficitit buxhetor është i domosdoshëm rialokimi i shpenzimeve publike sipas rëndësisë, në masën e nevojshme dhe përgjatë gjithë vitit financiar. Në terma praktikë, kjo do të thotë që aty ku është e mundur, të bëhen të gjitha përpjekjet për të ruajtur burimet e të ardhurave, për të gjetur burime alternative financimi, për të shtyrë në kohë shpenzimet jo urgjente, për të ripërcaktuar shpenzimet e planifikuara për këtë vit dhe që janë ende të pakontraktuara ose të pakryera.
  • Së dyti, zhvillimet në sektorin e jashtëm të ekonomisë, kryesisht në formën e ngadalësimit të eksporteve, rënies së dërgesave të emigrantëve dhe rritjes së importeve, ndikuan mbi ekuilibrin e tregut të brendshëm valutor, duke ushtruar presion mbi kursin e këmbimit të monedhës kombëtare në fillim të këtij viti. Kursi fleksibël i këmbimit është një instrument korrektues, i cili automatikisht ndihmon në eliminimin e zhbalancimeve në sektorin e jashtëm të ekonomisë. Megjithatë, në një periudhë më afatshkurtër, lëvizjet e shpejta dhe të pakontrolluara të kursit të këmbimit, ndikojnë negativisht në psikologjinë e publikut dhe fshehin brenda tyre veprime spekulative të subjekteve të ndryshme. Në këtë mënyrë, krijohen premisa për efekte zinxhir, me pasoja negative në besimin e operatorëve ndaj monedhës vendase dhe në aftësinë e huamarrësve në valutë për të shlyer në kohë borxhin e tyre. Rënia e pritshme e ritmit të rritjes ekonomike gjatë vitit 2009, do të reflektojë rënien e kërkesës së brendshme dhe si rrjedhojë, mund të shoqërohet me rënie të pjesës së saj që drejtohet për mallra të huaj. Si rezultat, vëllimi i tregtisë në përgjithësi mund të shënojë rënie, duke realizuar një korrektim të nevojshëm të deficitit në llogarinë korente të ekonomisë së vendit si edhe duke i vendosur faktorët e kërkesë/ofertës për valutë të ekonomisë tonë, në një ekuilibër më të qëndrueshëm.
  • Së treti, është e domosdoshme të rivendosen ritme të qëndrueshme të rritjes së depozitave të publikut në sektorin bankar. Vetëm në këtë mënyrë, do të mundësohet mbulimi me produkte bankare i një klientele në rritje dhe me kosto më të leverdisshme. Unë përsëris se gjendja e sektorit bankar, për sa i takon treguesve të likuiditetit dhe kapitalizimit të veprimtarisë është e mirë dhe mbikëqyrja e tij e vazhdueshme është përparësi e Bankës së Shqipërisë. Ne besojmë që vendimi i fundit i Kuvendit të Shqipërisë, i cili miratoi rritjen e vlerës së plotë të garantimit të depozitave në 2.5 milionë lekë, do të ndikojë në kthimin më të shpejtë të depozitave të tërhequra në sistemin bankar. Niveli aktual i sigurimit të depozitave, i ngjashëm me atë të vendeve evropiane, garanton plotësisht dhe përgjithmonë kursimet e shumicës dërrmuese të familjeve shqiptare. Tashmë nuk ka arsye objektive që njerëzit të shqetësohen për sigurinë e kursimeve të tyre në banka. Çdo hezitim për të vendosur kursimet në banka, rrit në mënyrë të panevojshme vlerën e të ardhurave të munguara për shkak të mospërfitimit të interesave dhe të shërbimeve të tjera bankare. Theksoj që sektori bankar shqiptar është vendi më i mirë ku familjet tona duhet të vendosin dhe të rrisin vlerën e kursimeve të tyre.
  • Së katërti, rikthimi i depozitave në sistem është i domosdoshëm për të mundësuar edhe një ecuri financiare më të mirë nga ana e sektorit bankar, në terma të shëndetit financiar. Gjatë vitit në vazhdim, veprimtaria bankare pritet të jetë më pak fitimprurëse, si rezultat i rënies së kredisë dhe kostove në rritje për shtimin e depozitave dhe të fondeve rezervë për shkak të cilësisë së kredisë. E rëndësishme është që sektori bankar shqiptar, pas disa viteve të një fitimi të kënaqshëm e ka përdoruar atë, në pjesën dërrmuese për të fuqizuar kapitalin e sektorit bankar. Gjithashtu, nëpërmjet një akti të veçantë rregullativ, Banka e Shqipërisë i ka kërkuar sektorit bankar të mos shpërndajë fitimin e vitit 2008, në formën e dividentit. Në këtë mënyrë, kapitalizimi i veprimtarisë bankare forcohet më tej, duke ofruar një garanci më shumë për shëndetin financiar të sektorit bankar në vijim. Kohët e fundit, Banka e Shqipërisë është duke kryer testime të njëpasnjëshme, për të gjetur reagimin e sistemit bankar në qoftë se ai do të përballej me rrethana nga më pesimistet. Analizat e përftuara nga stress-test-et e shumta që janë bërë si në rang sistemi, ashtu dhe në mënyrë individuale për çdo bankë më vete, tregojnë se sistemi në tërësi dhe asnjë nga bankat me rëndësi sistemike në veçanti, nuk janë të prekur në nivelin e likuiditetit dhe të kapitalizimit. Pavarësisht zgjerimit të spektrit të rreziqeve dhe një viti më të vështirë për zgjerimin e veprimtarisë bankare, sistemi financiar dhe sektori bankar do të mbeten të qëndrueshëm.