BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani në konferencën për shtyp të organizuar në kuadër të nënshkrimit të marrëveshjes së re me FMN, 30 janar 2006

Data e publikimit: 30.01.2006

 

Banka e Shqipërisë, vlerëson se arritja e Marrëveshjes së re 3-vjeçare me Fondin Monetar Ndërkombëtar përbën një moment të rëndësishëm në zhvillimin e mëtejshëm ekonomik dhe financiar të vendit. Mbështetja e re që FMN po i jep Shqipërisë është në të njëjtën kohë një obligim për institucionet përgjegjëse që janë të angazhuara në përmbushjen me sukses të detyrimeve që rrjedhin prej saj, institucione ku bën pjesë dhe Banka e Shqipërisë. Në këtë kontekst, në emër të institucionit që unë drejtoj, dëshiroj të theksoj se Banka e Shqipërisë do të përmbushë detyrimet e saj me seriozitet dhe angazhim maksimal. Ky angazhim i yni buron edhe nga bindja e plotë se axhenda e reformave strukturore të propozuara dhe trajektorja e parashikuar e politikave makroekonomike, përbëjnë përgjigjen e duhur për sfidat që ka ekonomia shqiptare.

Rëndësia e marrëveshjes është e madhe pasi ajo:

Së pari, konturon qartë drejtimet kryesore se ku do të përqendrohet puna e institucioneve tona në tre vitet e ardhshme, duke krijuar një shtrat të sigurt në rrugën e vështirë të konsolidimit të mëtejshëm makroekonomik të vendit, të rritjes ekonomike dhe të reduktimit të varfërisë.

Së dyti, vendos objektiva të qartë për reformat e nevojshme strukturore që duhen ndërmarrë në periudhën afatshkurtër dhe atë afatmesme, duke identifikuar institucionet përgjegjëse dhe afatet konkrete për materializimin e tyre.

Së treti, krijon premisat për më shumë disiplinë financiare dhe koordinim më të mirë në të gjitha nivelet vendimmarrëse, duke u kthyer në këtë mënyrë në një faktor garancie për investitorët vendas dhe ata të huaj, përfshirë dhe organet e rëndësishme ndërkombëtare.

Për këtë qëllim, kemi marrë masat e duhura për të mishëruar në strategjinë e politikës monetare dhe programin monetar të Bankës së Shqipërisë, të gjitha kushtëzimet dhe treguesit bazë për të cilat paraprakisht kemi rënë dakord me Misionin e FMN-së, të kryesuar nga zoti Szekely.

Duke mbyllur këtë prononcim të shkurtër do të shtoja edhe një herë se miratimi i kësaj marrëveshjeje ka dhe një rëndësi tjetër të veçantë, pasi në përfundim të saj në qoftë se çdo gjë shkon sipas parashikimit, mundësohet lëvizja e ekonomisë shqiptare "me këmbët e veta".

Për këtë qëllim, është e rëndësishme që të fillojmë të mendojmë që tani për ardhmërinë e politikave bazë ekonomike të vendit pas skadimit të kësaj marrëveshjeje. Duke përfituar nga rasti, dëshiroj të theksoj se ne po punojmë në këtë drejtim dhe në bashkëpunim dhe me asistencën e FMN-së dhe të bankave të tjera qendrore, kemi intensifikuar përpjekjet për ndërtimin e strategjive të duhura monetare, të cilat do të mundësojnë kontrollin e presioneve inflacioniste dhe do të orientojnë zhvillimin e qëndrueshëm të vendit drejt integrimit evropian.

(http://www.imf.org/external/country/ALB/index.htm)