BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në leksionin e parë të Serisë së Leksioneve publike të Bankës së Shqipërisë

Data e publikimit: 23.03.2006

 

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Është një kënaqësi e veçantë që gjendem para jush sot, me rastin e leksionit të parë të Bankës së Shqipërisë, pjesë e një serie leksionesh publike që institucioni ynë synon të realizojë gjatë këtij viti. Përfitoj nga ky rast që të falenderoj Zyrën e GTZ-së në Tiranë si dhe Prof. Michael Bolle dhe Prof. Helge Berger për ndihmën dhe mbështetjen e tyre për realizimin e kësaj serie leksionesh.

Seria e leksioneve publike është pjesë e masave që institucioni ynë po ndërmerr për promovimin dhe inkurajimin e kërkimit shkencor në fushën e zhvillimeve ekonomike, monetare dhe financiare në vendin tonë, në rajon dhe më gjerë.

Leksioni i sotëm shërben për të na kujtuar se Banka e Shqipërisë ka edhe një profil të rëndësishëm kërkimor, përveç profilit të saj operacional të lidhur me përmbushjen e detyrave ligjore që i janë ngarkuar asaj si ruajtja e stabilitetit të çmimeve, mbikëqyrja e sistemit financiar, sigurimi i funksionimit të sistemeve të pagesave apo hartimi i një pjese të rëndësishme të të dhënave statistikore në vend.

Ne jemi të angazhuar seriozisht për përmirësimin e kërkimeve ekonomike brenda Bankës së Shqipërisë duke qenë të vetëdijshëm se pavarësisht arritjeve, në këtë fushë ka ende vend për përmirësim dhe progres të mëtejshëm. Sidoqoftë, unë jam i bindur se për të qenë sa më të suksesshëm në arritjen e këtij objektivi, bashkëpunimi me aktorët e tjerë të interesuar në këtë proces mbetet i një rëndësie thelbësore.

Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë është e interesuar për një intensifikim të bashkëpunimit me fakultetet ekonomike të universiteteve si dhe me qendrat e tjera të specializuara në kërkimet ekonomike në vendin tonë. Ky bashkëpunim, sigurisht që do të mundësojë thithjen e mendimit të specializuar akademik nëpërmjet pjesëmarrjes së stafit të universiteteve në projekte të ndryshme kërkimore së bashku me stafin e institucionit tonë. Në të njëjtën kohë, dëshiroj të shpreh bindjen time se një bashkëpunim më i ngushtë do të siguronte një shfrytëzim optimal të burimeve njerëzore të të dyja palëve dhe do t'i shërbente gjithashtu edhe rivitalizimit të kërkimit shkencor në universitetet tona, gjë për të cilën jemi të gjithë të ndërgjegjshëm që ka shumë nevojë.

Një dimension tjetër të rëndësishëm të bashkëpunimit me institucionet akademike e përbën edhe krijimi i marrëdhënieve më të ngushta me studentët e dalluar të fakulteteve ekonomike në vend, duke synuar nxitjen e interesit të këtyre studentëve për ta përqendruar kualifikimin e tyre të mëtejshëm akademik në çështjet që kanë të bëjnë me bankingun qendror.

Përfitoj nga ky rast për t'ju komunikuar lançimin e projektit të "Çmimit të Guvernatorit - Governor's Award". Ky projekt konsiston në zhvillimin e një konkursi të hapur, ku të gjithë studentët e interesuar mund të konkurojnë me temat e tyre të diplomës, që fokusohen në çështje të lidhura me fushën e veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë. Temat më të mira të diplomës do të përzgjidhen nga një komision i posaçëm dhe për to do të ketë edhe shpërblime materiale.

Unë shpreh besimin tim se këto nisma të Bankës së Shqipërisë do të mirëpriten nga komuniteti akademik dhe ai studentor dhe së bashku me angazhimin serioz të stafit të Bankës së Shqipërisë, do të kontribuojnë në arritjen e objektivit madhor të përmirësimit të kërkimeve ekonomike në vendin tonë.

Ju faleminderit!