BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani në mbledhjen vjetore të EFSE– Fondi Evropian për Evropën Juglindore

Data e publikimit: 07.06.2011

 

I nderuar zoti Kryeministër,

Të nderuar Guvernatorë,

Të nderuar pjesëtarë të Bordit të EFSE,

Të nderuar zonja dhe zotërinj

Është privilegj dhe kënaqësi  e madhe që ndodhem sot në këtë panel të nderuar për të përshëndetur fillimin e mbledhjes vjetore për vitin 2011 të Fondit Evropian për Evropën Juglindore ose siç jemi mësuar ta quajmë ndryshe EFSE. Pak më shumë se katër vjet më parë, isha i ftuar në lançimin  e kësaj iniciative të mrekullueshme këtu në qytetin e Tiranës. Dy vjet më parë, në mbledhjen vjetore që u zhvillua në qytetin Novi Sad qeveria e Shqipërisë u bë aksioner i këtij Fondi. Ndërkohë që sot jemi mbledhur përsëri  në kryeqytetin shqiptar për të bërë bilancin e punës të këtij institucioni.

Përfitoj nga  rasti që të falenderoj Fondin Evropian për Evropën Juglindore, për kontributin e dhënë anekënd rajonit tonë, për mbështetjen financiare që i ka dhënë atij, për ekspertizën e ofruar, për zhvillimin e tregut financiar, pa harruar të përmend në mënyrë më specifike ndihmesën që EFSE ka dhënë në Shqipëri nëpërmjet financimit me terma konkurruese të projekteve të biznesit, në një kohë kur kredia e sektorit bankar ka regjistruar ritme të ngadalta gjallërimi.

web 3957 0

 Kriza e rëndë financiare e kohëve moderne ka shkaktuar shumë paqëndrueshmëri në ekonominë botërore. Sot, vlerësohet se po përjetojmë një situatë më të përmirësuar. Në tavolinat e debatit teorik dhe shkencor përpjekjet janë përqendruar në identifikimin e shkaqeve dhe marrjen e masave për të mos lejuar përsëritjen e ngjarjeve të tilla në të ardhmen. Një infrastrukturë e re financiare po projektohet. Ky është konteksti i këtij takimi vjetor, në qendër të të cilit do të jetë identifikimi i sfidave me të cilat ndeshet rajoni ynë në periudhën e paskrizës financiare.

Më lejoni të trajtoj shkurtimisht dy-tre mendimet e mia personale në lidhje me këtë situatë. Përpara ndikimit të krizës financiare ndërkombëtare, të gjitha vendet e rajonit qenë përfshirë në reforma të rëndësishme që synonin rritjen e qëndrueshme ekonomike. Ne këtë fazë, nëpërmjet  përmirësimeve të nevojshme ligjore dhe politikave të kujdesshme të zhvillimit, u realizua hapja e ekonomive dhe zhvillimi i tregtisë, rritja e investimeve të brendshme dhe të huaja, liberalizimi në përgjithësi i tregjeve, si dhe u  nxit zhvillimi i tregut financiar për të ofruar shërbime financiare më cilësore dhe më të përballueshme për familjet e bizneset.

Në këndvështrimin makroekonomik, politikat fiskale në rajon kane synuar të shkojnë drejt konsolidimit fiskal nëpërmjet rritjes së të ardhurave dhe orientimit më të madh të shpenzimeve publike në investime. Politikat monetare, të ndikuara prej regjimeve të ndryshme të kursit të këmbimit, kanë mbajtur përgjithësisht nën kontroll rritjen e çmimeve të konsumit dhe normat e interesit kanë ndjekur një prirje rënëse. Megjithatë, ndikimi i krizës financiare ndërkombëtare në vendet e rajonit tonë ishte i pranishëm, për shkak të disa dobësive që ishin krijuar gjatë fazës së rritjes ekonomike.

Së pari, afërsia e vendeve tona dhe përqendrimi i tregtisë me zonën e Bashkimit Evropian, si edhe lëvizjet migratore, kanë sjellë përdorimin e euros në një masë të konsiderueshme brenda ekonomive të rajonit. Rritja ekonomike është financuar në masë të rëndësishme me burime të huaja, në formën e huamarrjes në valutë nga sektori publik, sektori financiar, bizneset dhe familjet. Bankat e kanë një pjesë të konsiderueshme të detyrimeve  në valutë, e gjithashtu edhe një pjesë të mirë të portofolit të kredive. Kreditimi në valutë ka qenë mbizotërues dhe i parapëlqyeri nga palët.

Shkak për këtë ishte një kombinim faktorësh që lidheshin me një prirje pozitive të kursit të këmbimit, norma më të ulëta të interesit dhe mundësi të mira të sektorit bankar për të financuar këto kredi në tregjet e shumicës. Financimet në valutë për sektorin privat dhe familjet, janë përdorur në një masë të konsiderueshme për konsum.

Investimet e huaja në sektorët e mallrave të tregtueshëm, që mund të kontribuojnë pozitivisht në gjendjen e bilancit tregtar, kanë qenë më të pakta në krahasim me ato në sektorët e mallrave të patregtueshëm. Ky është rasti i Shqipërisë, i Bosnje-Hercegovinës apo edhe i Serbisë, ku vlerësohet që në fund të vitit 2008, në stokun e investimeve të huaja, pesha e investimeve në sektorin e mallrave të tregtueshëm varionte nga 15 % në Shqipëri në 35% në Serbi. Për këto arsye, përpara krizës, disa nga vendet e rajonit kanë shënuar deficite të bilancit tregtar, të cilat kanë qenë të qëndrueshme madje edhe kane ardhur në rritje.

Së dyti, megjithë përpjekjet për zhvillimin e tregut financiar, sektori bankar vijoi të dominojë në sistemin financiar të vendeve të rajonit tonë. Kjo është një dukuri e vendeve me ekonomi në zhvillim, e cila dëshmon varësinë e madhe që ka zhvillimi ekonomik nga gjendja e sektorit bankar.

Sektori bankar në disa vende të rajonit zotërohet kryesisht prej grupeve bankare evropiane. Kriza financiare tregoi se krahas përparësive që sjell hyrja e grupeve të huaja bankare në një treg vendas, ajo shoqërohet edhe me elemente të përcjelljes së rrezikut që duhet të vlerësohen me kujdes dhe në kohën e duhur.

Së treti, vendet e rajonit tonë kanë nevoja të ndryshme për investime, duke veçuar ato në infrastrukturën rrugore, energjetike dhe të kujdesit shëndetësor. Gjithashtu, zhvillimet demografike, duke përfshirë migracionin si edhe vendosjen e një prirjeje ngadalësuese të rritjes së popullsisë, kanë sjellë rritjen e kostove të skemave publike të pensionit dhe të elementeve të tjerë të mbrojtjes sociale. Për këtë arsye, megjithë përpjekjet për konsolidim fiskal, deficitet buxhetore kanë qene të pranishme dhe të qëndrueshme gjatë gjithë kohës.

Gjatë viteve të ndikimit të krizës financiare, pati një angazhim të autoriteteve publike për të kapërcyer situatën. Pothuaj në të gjitha vendet e rajonit, qeveritë u angazhuan në ndjekjen e politikave fiskale stimuluese që synonin rritjen e mbështetjes për ekonominë reale si edhe për sistemin financiar.

Politika monetare ndoqi një prirje lehtësuese, duke ulur normat e interesit dhe duke plotësuar nevojat e tregut ndërbankar për likuiditete. Duke ju kthyer rastit të Shqipërisë, do të doja të theksoja se eksperienca  jonë në absorbimin e efekteve të krizës qe e suksesshme.

Shqipëria u vlerësua si  një nga vendet që: 

  • Nuk përjetoi falimentim bankash apo injektime të kapitalit nga ana e shtetit;
  • Përballoi me shumë kurajo krizën e besimit ndaj sistemit bankar dhe ku ndërmjetësimi financiar nuk u ndal për asnjë moment.
  • Ekonomia vazhdoi të rritej në terma pozitivë, pavarësisht një ritmi më të ngadaltë;
  • Pritshmëritë inflacioniste mbetën të ankoruara gjatë gjithë kohës.

Sektorit bankar në Shqipëri, gjatë kësaj periudhe, vijoi zgjerimin e veprimtarisë dhe të kreditimit të ekonomisë por me ritme më të ulëta. Vështirësitë e shtuara të sektorit real të ekonomisë dhe nënçmimi i kursit të këmbimit në vitin 2009 me rreth 12%, u shoqëruan me një rënie të cilësisë së kredisë dhe rritje të fondeve rezervë në banka për përballimin e rrezikut të kreditit.

Të nderuar pjesëmarrës,

Dukuritë e periudhës së parakrizës, si edhe ato të shfaqura në vitet 2008-2010, ofrojnë një përvojë të çmuar për aktorët ekonomikë dhe autoritetet publike në çdo vend të rajonit tonë. Pa dashur t’i përmend të gjitha do të ndalesha në disa prej tyre që unë i konsideroj të rëndësishme për të rritur qëndrueshmërinë e ekonomisë dhe të sistemit tonë financiar në të ardhmen.

Së pari, rajoni ka nevojë për një balancë më të mirë të faktorëve që mbështesin rritjen e qëndrueshme ekonomike. Mendoj qe autoritetet publike duhet të vendosin si përparësi rritjen e investimeve dhe zbatimin e politikave stimuluese për zhvillimin e sektorëve konkurrues. Në këtë mënyrë, kapacitetet eksportuese të vendit do të rriteshin, duke krijuar kushte më të mira për përmirësimin e qëndrueshëm të bilancit të jashtëm të ekonomisë sonë.

Së dyti, lidhur ngushtësisht me çështjen e parë do të evidentoja domosdoshmërinë për ndërmarrjen dhe thellimin e mëtejshëm të reformave strukturore. Ky objektiv strategjik mbetet një përparësi konstante për secilën prej ekonomive tona.

Fokusi i tyre duhet të jetë sa më i gjerë, duke nënkuptuar përshtatjen e mëtejshme të legjislacionit, përmirësimin e infrastrukturës, privatizimin e plotë të aseteve publike, përmirësimin e klimës së biznesit, thellimin dhe zgjerimin e tregut financiar, reformën e plotë në pensione si dhe një sërë aksionesh të tjera, të cilat për arsye objektive nuk mund t’i përmend të gjitha. Mendoj se objektivi ynë madhor mbetet hyrja e investimeve të huaja direkte. Pa to rajoni do të vazhdojë të mbetet i vogël, i fragmentuar, me potencial të ulët zhvillimi social dhe ekonomik, me eksporte sporadike, me tregje  prematurë dhe me kosto të larta ose e thënë ndryshe me një produktivitet të ulët. Për mua personalisht çdo investim i huaj do të thotë konvergim i shpejtë me Evropën .

Së treti, tregu financiar ka nevoje të zhvillohet për të krijuar alternativa të tjera për kursimin, për financimin dhe për administrimin e rrezikut për subjektet ekonomike, si edhe për të përmirësuar kushtet e këtyre veprimtarive. Është e nevojshme që krahas sektorit bankar, të zhvillohet më shpejtë pjesa e sistemit financiar jobankar për të mundësuar një përfshirje dhe akses më të madh në shërbimet financiare, të subjekteve që nuk mund të përfitojnë sa duhet prej shërbimeve bankare.

Gjithashtu, gjykoj se është e rëndësishme t’iu kushtohet vëmendje më e madhe zhvillimit të tregjeve të kapitalit, veçanërisht ato të emetimit dhe të tregtimit të letrave me vlerë të kapitalit dhe të borxhit, nga subjektet private.

Së katërti, kuadri rregullativ dhe praktikat mbikëqyrëse duhet të plotësohen me disa elementë të rëndësishëm që lidhen me kuadrin e masave prudenciale dhe me ato të administrimit të situatave të jashtëzakonshme financiare. Kuadri i masave prudenciale, duhet të trajtojë me kujdes kërkesat për kapital dhe për likuiditet të bankave, veçanërisht në rastin e valutës. Njëherazi është e nevojshme të vlerësohet rreziku sistemik në sistemin financiar dhe në sektorin bankar, nëpërmjet ndërtimit të indekseve të posaçme si edhe zbatimit të praktikave më të mira të stress-testit. Për sa i përket plotësimit të kuadrit të administrimit të situatave të jashtëzakonshme financiare, merr rëndësi procesi i rishikimeve dhe përmirësimeve të nevojshme ligjore dhe rregullative, i bashkëpunimit mes autoriteteve publike dhe i identifikimit në kohë të problemeve të ndryshme veçanërisht në institucionet me rëndësi sistemike. Banka e Shqipërisë, prej disa kohësh ka hyrë në këtë proces rishikimi dhe përmirësimi të kuadrit rregullativ, mbi bazën e disa objektivave të paracaktuar.  

Duke përfunduar, dëshiroj të theksoj se vendet e rajonit tonë, kanë kapërcyer me sukses një periudhë të vështirë si rezultat i ndikimit të krizës financiare ndërkombëtare. Megjithatë sfidat që gjenden përpara nesh janë të shumta. 

Ato na imponojnë për një angazhim të vazhdueshëm të gjithë faktorëve të jetës ekonomike dhe politike të vendit. Nevoja për bashkërendim të veprimeve si në nivel lokal ashtu dhe në nivel rajonal, është një përparësi absolute. 

Mendoj se ekzistojnë të gjithë prerogativat që ky bashkëpunim të jetë efektiv, i sinqertë dhe me përfitime reciproke për secilin prej vendeve të rajonit. Për këtë qëllim, mendoj se një rol të rëndësishëm, do të vazhdojë të luajë edhe Fondi Evropian për Evropën Juglindore, të cilin përfitoj edhe njëherë nga rasti ta përgëzoj për punën e bërë dhe për angazhimet e marra për të ardhmen.

Ju faleminderit!