BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani, në prezantimin e Raportit Vjetor për vitin 2008, përpara Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, 08 Prill 2009

Data e publikimit: 08.04.2009

 

- I nderuar z. Kryetar i Komisionit,

Të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë,

Është kënaqësi për mua të ndodhem përsëri këtu mes jush në këtë takim të përvitshëm. Banka e Shqipërisë e sheh këtë forum jo thjesht si një përmbushje e detyrimit të saj ligjor, por edhe si një mundësi për rritjen e transparencës dhe të përgjegjshmërisë së saj.

Në vijim të fjalës time, do të paraqes një analizë të ecurisë së ekonomisë shqiptare gjatë vitit që lamë pas si dhe një përmbledhje të punës së Bankës së Shqipërisë për përmbushjen e misionit të saj ligjor dhe të angazhimeve të tjera të saj, në funksion të forcimit të sigurisë dhe të rritjes së eficiencës së sistemit bankar shqiptar. Gjithashtu, duke përfituar nga mundësia e këtij komunikimi publik, dëshiroj të ndaj me ju pikëpamjen tonë në lidhje me sfidat me të cilat përballet ekonomia shqiptare dhe rrugët e duhura për zgjidhjen e tyre. Banka e Shqipërisë gjykon se trajtimi i këtyre sfidave duhet të vihet në krye të vëmendjes dhe të listës së përparësive të politikave ekonomike.

Duke paraprirë konkluzionet e analizave të Bankës së Shqipërisë, dëshiroj të theksoj që në fillim se aktiviteti ekonomik në vend është zhvilluar mbi baza të shëndetshme. Ekonomia shqiptare plotëson një sërë premisash për të patur një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe afatgjatë, primare ndër të cilat është stabiliteti makroekonomik i vendit. Megjithatë, në kushtet e sfidave aktuale me të cilat përballet ekonomia shqiptare, këto baza duhet të ruhen dhe të forcohen më tej, nëpërmjet hartimit të politikave të duhura ekonomike nga autoritetet përkatëse dhe nëpërmjet rishikimit të planeve të zhvillimit nga të gjithë agjentët ekonomikë.

1. Ecuria e ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2008

Më lejoni në vijim që, në mënyrë të përmbledhur, të bëj një analizë retrospektive të ecurisë së ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2008.

Konteksti global

Ekonomia botërore shënoi një përkeqësim të vazhdueshëm gjatë harkut kohor të vitit 2008. Rritja ekonomike në shkallë botërore arriti në 3.4 për qind gjatë vitit 2008, përkundrejt rritjes mesatare prej 5 për qind gjatë periudhës katërvjeçare paraardhëse.

Zhvillimi më i spikatur i vitit 2008 ishte tronditja që pësuan tregjet financiare dhe përhapja e saj në ekonominë reale. Natyra komplekse e instrumenteve financiare derivative, të përdorura në një masë të gjerë gjatë viteve të fundit, rriti pasigurinë në vlerësimin e ekspozimit të institucioneve individuale ndaj instrumenteve financiare të cilësuara si toksike. Kjo pasiguri u shndërrua në mungesë besimi dhe në ndërprerjen e funksionimit të tregut financiar, duke penguar funksionimin normal të sistemit të kreditit në ekonomi. Në këto rrethana, ekonomia reale u ndikua menjëherë nga mungesa e financimit të konsumit dhe të kredive, duke i çuar vendet e zhvilluara në recesion. Presionet e larta inflacioniste të gjashtëmujorit të parë të vitit, të kushtëzuara nga rritja e fortë ekonomike dhe të reflektuara në çmime të larta të naftës dhe të lëndëve të para, u zbutën ndjeshëm gjatë gjashtëmujorit të dytë. Tregjet monetare dhe financiare janë karakterizuar nga luhatje të mëdha. Rivlerësimi i rrezikut në tregjet financiare u shoqërua me rënie të çmimeve të letrave me vlerë. Gjithashtu, normat e interesit, kurset e këmbimit, çmimet e aksioneve dhe vëllimet e tregtimit janë luhatur dukshëm, në varësi të lajmeve të tregut dhe rrezikut të perceptuar të situatës.

Rritja ekonomike

Në këtë sfond të trazuar botëror, ekonomia shqiptare ka patur një ecuri zhvillimi krahasimisht pozitive. Në pritje të konfirmimeve nga statistikat zyrtare, Banka e Shqipërisë gjykon se ekonomia e vendit është rritur në linjë me parashikimet e fillimvitit. Kjo rritje ka reflektuar zhvillimin dinamik të disa sektorëve të ekonomisë, të mbështetur nga rritja e konsumit dhe e investimeve në ekonomi, si dhe përmirësimet e vazhdueshme strukturore dhe infrastrukturore të ekonomisë.

Rritja ekonomike në vend është mbështetur kryesisht në rritjen e shpejtë të kërkesës së brendshme, e cila mbetet edhe gjeneratori kryesor i rritjes ekonomike. Konsumi, investimet dhe shpenzimet qeveritare kanë shënuar rritje gjatë vitit 2008. Kërkesa e jashtme në formën e eksporteve, ka shënuar rritje të shpejtë gjatë viteve të fundit, por ajo mbetet ende në nivele të ulta për të mbështetur rritjen ekonomike të vendit. Aktiviteti ekonomik në vend është financuar kryesisht nga burime të brendshme. Në sajë të likuiditetit të tij të lartë gjatë vitit 2008, sistemi bankar shqiptar ka mundur t`i përgjigjet kërkesës për fonde të ekonomisë me rritje të ndërmjetësimit financiar. Gjatë vitit 2008, portofoli i kredisë bankare u rrit me 7.3 pikë përqindjeje të PBB-së gjatë vitit 2008.

Aktiviteti ekonomik në vend ka patur dy tablo të ndryshme gjatë vitit 2008, të kushtëzuara këto dukshëm nga zhvillimet në tregjet ndërkombëtare.

Statistikat zyrtare dëshmojnë për rritje të ndjeshme të vëllimit të aktivitetit ekonomik gjatë nëntëmujorit të parë, i shprehur ky në rritjen e shifrës së afarizmit, në rritjen e nivelit të kredisë, të të ardhurave buxhetore dhe të vëllimit të tregtisë me jashtë. Shifra e afarizmit në vëllim, e cila është një përafrues i nivelit të vlerës së shtuar në ekonomi, është rritur mesatarisht me 17 për qind gjatë nëntë muajve të parë të vitit. Normat më të larta të rritjes vjetore janë shënuar në degën e ndërtimit dhe në atë të tregtisë, ndërkohë që dega e industrisë dhe ajo e transportit e komunikacionit paraqesin një ngadalësim të ritmit të rritjes krahasuar me një vit më parë. Tremujori i fundit pasqyroi një tablo cilësisht të ndryshme të zhvillimeve ekonomike. Nën ndikimin e krizës financiare dhe ekonomike botërore, aktiviteti ekonomik në vend ka shfaqur shenja ngadalësimi ndërsa treguesit monetarë kanë patur luhatje të dukshme. Ngadalësimi i aktivitetit ekonomik të vendit gjatë tremujorit të katërt, u sinjalizua nga një sërë treguesish të tërthortë si: përkeqësimi i treguesit të tendencave ekonomike, i rezultuar nga përpunimi i opinioneve të bizneseve dhe të konsumatorëve mbi gjendjen aktuale të ekonomisë dhe pritjet e tyre për të ardhmen; rënia e remitancave dhe ngadalësimi i eksporteve gjatë gjysmës së dytë të vitit si dhe frenimi i aktivitetit kreditues gjatë tremujorit të fundit.

Inflacioni i çmimeve të konsumit

Edhe gjatë vitit 2008, Banka e Shqipërisë ka përmbushur objektivin e saj ligjor për ruajtjen stabilitetit të çmimeve në ekonomi. Inflacioni i çmimeve të konsumit është luhatur brenda nivelit të synuar nga Banka e Shqipërisë. Norma mesatare e inflacionit vjetor shënoi vlerën 3.4 për qind gjatë vitit 2008, duke qenë mjaft afër objektivit të Bankës së Shqipërisë prej 3 për qind dhe brenda intervalit tonë të tolerancës prej 2-4 për qind. Niveli i kontrolluar i inflacionit reflekton kushtet e përshtatshme monetare dhe politikën e drejtë monetare të Bankës së Shqipërisë. Kjo e fundit ka bërë të mundur balancimin e faktorëve të kërkesës dhe të ofertës si dhe ka mundësuar ankorimin e pritjeve inflacioniste rreth objektivit të Bankës së Shqipërisë.

Sjellja e inflacionit nuk ka qenë e njëtrajtshme gjatë vitit 2008. Kërkesa e lartë e brendshme dhe goditjet e ekonomisë globale në formën e çmimeve të larta të mallrave bazë, u reflektuan në presione të larta inflacioniste gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit. Inflacioni vjetor kulmoi në vlerën 4.6 për qind në muajin maj, vlerë e cila shënon edhe nivelin më të lartë të inflacionit gjatë 5 viteve të fundit. Këto presione u reflektuan qartë edhe në rritjen e inflacionit bazë dhe të inflacionit të mallrave të patregtueshëm , të cilët janë edhe tregues sintetikë të balancave inflacioniste në ekonomi. Qetësimi i goditjeve të ofertës dhe ngadalësimi i kërkesës së brendshme gjatë tremujorit të fundit u shoqëruan me uljen progresive të vlerës së inflacionit, deri në nivelin 2.2 për qind në muajin dhjetor. Kjo rënie reflektoi një balancim më të mirë të kërkesës dhe të ofertës së brendshme, si dhe vlera më të ulta të inflacionit të importuar.

Bilanci i pagesave dhe sektori i jashtëm i ekonomisë

Viti 2008 u karakterizua nga një rritje e ndjeshme e shkëmbimeve ekonomike e tregtare me jashtë. Kërkesa e brendshme është reflektuar në rritjen e deficitit tregtar dhe të deficitit të llogarisë korente gjatë vitit 2008. Deficiti i llogarisë korrente arriti në 14.9 për qind të PBB-së, i ndikuar kryesisht nga rritja e shpejtë e importeve dhe nga ngadalësimi i remitancave përgjatë pjesës së dytë të vitit, si pasojë e forcimit të efekteve të krizës ekonomike në ekonomitë e vendeve fqinje. Deficiti tregtar arriti vlerën e 2.4 miliardë eurove, duke qenë rreth 13.1 për qind më i lartë se në vitin 2007. Megjithatë, flukset hyrëse valutore të llogarisë kapitale kanë qenë të mjaftueshme për ta mbyllur në terma pozitivë bilancin e pagesave gjatë vitit 2008. Rezervat valutore të Bankës së Shqipërisë janë rritur me rreth 192 milionë euro ose me 0.9 pikë përqindjeje të PBB-së.

Në terma makroekonomikë, deficiti i lartë i llogarisë tregtare sinjalizon për nivele të larta konsumi dhe investimesh në ekonomi, të cilat janë financuar nga kursimet e huaja në formën e hyrjeve të kapitalit. Në një analizë më afatgjatë, deficiti i llogarisë korente të Shqipërisë është një fenomen i natyrshëm, në përputhje me nivelin e zhvillimit të vendit. Veçanërisht pozitiv është fakti që pjesa më e madhe e importeve të vendit përfaqësohet nga importet e makinerive dhe pajisjeve, si dhe importi i mallrave të ndërmjetëm në aspektin e konsumit. Megjithatë, rritja e deficitit të llogarisë korente është një zhvillim që duhet monitoruar në vazhdimësi, pasi burimet e financimit të tij nuk janë gjithnjë të qëndrueshme dhe korrektimet e duhura për përputhjen e deficitit korent me fondet e disponueshme për financimin e tij janë shpesh të vështira. Politikat makroekonomike duhet të jenë të kujdesshme për të siguruar qëndrueshmërinë afatgjatë të bilancit të pagesave, si një nga aspektet kryesore të stabilitetit makroekonomik të vendit dhe një nga kushtëzuesit kryesorë të rritjes afatgjatë të vendit.

Politika fiskale dhe treguesit fiskalë

Politika fiskale është një nga instrumentet kryesore për nxitjen dhe kontrollin e aktivitetit ekonomik. Në sajë të peshës së tij, sektori publik është një gjenerues i rëndësishëm i aktivitetit ekonomik dhe një përcaktues i kushteve financiare të ekonomisë, normave të interesit, të kursit të këmbimit dhe të likuiditetit të saj.

Politika fiskale ka patur një karakter më ekspansionist gjatë vitit 2008. Ky karakter është reflektuar në zgjerimin e deficitit buxhetor dhe të borxhit publik gjatë vitit 2008.

Deficiti buxhetor për vitin 2008, vlerësohet të ketë arritur në 5.7 për qind të PBB-së, duke u thelluar me rreth 2.2 pikë përqindjeje në terma vjetorë. Niveli i borxhit publik shënoi rritje gjatë vitit 2008, duke arritur në 55.6 për qind të PBB-së nga 52.2 për qind një vit më parë. Të ardhurat dhe shpenzimet buxhetore u rritën përkatësisht me 15.3 për qind dhe 22.6 për qind gjatë vitit 2008, duke u vlerësuar në 27.3 për qind dhe 32.9 për qind e PBB-së.

Përmirësimi i administrimit të borxhit publik në drejtim të zgjatjes së afatit të maturimit dhe të diversifikimit të burimeve të financimit është zhvillim pozitiv që ka ndihmuar rifinancimin e borxhit dhe kontrollin e impaktit të kostos së tij në treguesit e buxhetit. Megjithatë, Banka e Shqipërisë gjykon se politika fiskale nuk duhet ta shkëpusë fokusin nga ruajtja e qëndrueshmërisë afatgjatë të treguesve fiskalë dhe minimizimi i impaktit të tyre në tregjet financiare. Ulja e deficitit buxhetor gjatë vitit 2009 dhe angazhimi për reduktimin e borxhit publik në horizontin afatgjatë, duhet të jenë prioritete konstante të organeve fiskale. Paralelisht me këtë, Banka e Shqipërisë gjykon se duhen bërë më shumë përpjekje për përmirësimin e strukturës së shpenzimeve, në funksion të uljes së peshës së shpenzimeve korente dhe rritjes së investimeve kapitale.

Zhvillimet monetare

Si pasojë e ngadalësimit të vënë re gjatë tremujorit të fundit, ritmi i ekspansionit monetar shënoi nivele më të reduktuara në krahasim me vitin paraardhës. Ritmi mesatar i rritjes vjetore të M3 shënoi vlerën 12.3 për qind, përkundrejt vlerës 15.8 për qind të shënuar gjatë vitit 2007. Rritja e mjeteve monetare të ekonomisë i detyrohet kryesisht rritjes së kredisë së sistemit bankar. Shkalla e ndërmjetësimit financiar në ekonomi është rritur më tej gjatë vitit 2008. Raporti i depozitave në sistemin bankar ndaj PBB-së u rrit në 80 për qind gjatë vitit 2008, krahasuar me nivelin 78 për qind të shënuar gjatë vitit 2007. Ndërkohë që raporti i kredisë ndaj PBB-së u rrit në 37 për qind të PBB-së, duke shënuar një rritje vjetore prej 7.3 pikësh përqindjeje.

Ecuria e depozitave është karakterizuar nga luhatje të theksuara sezonale. Niveli i depozitave ka shënuar ritme të larta rritjeje kryesisht gjatë muajve të verës dhe një ngadalësim të dukshëm gjatë tremujorit të fundit. Në anën e aktivit, portofoli i kredisë së sistemit bankar për ekonominë është rritur me rreth 35 për qind gjatë vitit 2008. Zhvillimet në strukturën valutore të kredisë gjatë vitit 2008, treguan një zhvendosje të lehtë të portofolit të kredisë drejt asaj në valutë. Kjo preferencë për kredi në valutë, është mbështetur nga interesa më të ulët të ofruar për kredinë në valutë. Ky konstatim do të ishte i saktë në prani të një kursi këmbimi të qëndrueshëm.

Ai është i gabuar në kushtet e Shqipërisë, ku kursi i këmbimit është fleksibël dhe mundësia e lëvizjeve nënçmuese të tij nuk mund dhe nuk duhet të përjashtohet. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë konstaton se klientët e bankave tregtare vazhdojnë të mos faktorizojnë sa duhet rrezikun e kursit të këmbimit kur zgjedhin të marrin një kredi në valutë.

Ritmi i rritjes së kredisë ka ardhur në rënie gjatë vitit, duke reflektuar si shtrëngimin e standardeve të kredidhënies në përgjigje të masave rregulluese të marra nga Banka e Shqipërisë, ashtu edhe shtrëngimin e kushteve të likuiditetit në sistem. Vështirësitë e bankave për gjenerimin e mjaftueshëm të likuiditeteve si dhe një politikë më e kujdesshme e tyre drejt kreditimit, u reflektuan në ngadalësimin e rritjes së kredisë për ekonominë dhe të financimit të sektorit fiskal.

Tregjet financiare

Tregjet financiare shqiptare kanë reflektuar jo vetëm ecurinë e zhvillimeve ekonomike në vend, por edhe zhvillimet e vrullshme në tregjet financiare ndërkombëtare. Në këto kushte, ato janë karakterizuar nga një luhatshmëri më e lartë e treguesve të tyre, likuiditetit, normave të interesit, vëllimit të tregtimit dhe kursit të këmbimit, por duke mbetur gjithsesi brenda parametrave normalë të operimit.

Në një vështrim të përgjithshëm normat e interesave për depozitat kanë treguar prirje rritëse, si për monedhën vendase ashtu dhe për ato në euro. Në të kundërt, interesat e kredive kanë shfaqur prirje rënëse gjatë vitit 2008, duke sjellë edhe uljen e kostos së ndërmjetësimit së sistemit bankar. Në veçanti, pozitive është evidenca e fundit për rritjen e vëmendjes drejt kreditimit në lekë dhe rritjen e konkurrencës nëpërmjet normave të interesit në këtë treg.

Në plotësim të objektivit të saj për stabilitetin e çmimeve, Banka e Shqipërisë ka shpallur dhe ndjek një regjim fleksibël të kursit të këmbimit. Ky regjim nënkupton që vlera e kursit të këmbimit përcaktohet lirisht në treg, duke reflektuar balancën e forcave të kërkesës dhe të ofertës për valutë në të. Në pjesën më të madhe të vitit, kursi i këmbimit të lekut kundrejt valutave ka qenë i qëndrueshëm, ndërkohë që ai ka filluar një nënçmim të lehtë në fund të periudhës. Ecuria pozitive e monedhës vendase gjatë vitit 2008 është mbështetur nga një sërë faktorësh si: stabiliteti makroekonomik i vendit, rezultantja pozitive e bilancit të pagesave, ankorimi i inflacionit pranë objektivit të Bankës së Shqipërisë dhe përafrimi i këtij indikatori me atë të Eurozonës, si dhe diferenca pozitive e normave të interesit.

Sistemi bankar

Viti 2008 u karakterizua nga zhvillime intensive në sistemin bankar shqiptar. Aktiviteti bankar njohu rritje të mëtejshme gjatë vitit, si në aspektin sasior të mbulimit gjeografik të vendit dhe të shkallës së ndërmjetësimit, ashtu edhe në treguesit cilësorë të gamës së shërbimeve të ofruara dhe të kostos së ndërmjetësimit. Ndërkohë, tërheqja e depozitave gjatë tremujorit të fundit testoi ndjeshëm qëndrueshmërinë e sistemit. Zhvillimet e kësaj periudhe dëshmuan se sistemi bankar shqiptar e kaloi me sukses provën e tij të parë të qëndrueshmërisë.

Ky sistem, vijon të jetë i angazhuar kryesisht në aktivitetin e grumbullimit të depozitave dhe rritjes së kredidhënies. Megjithëse me ritme më të moderuara, aktivet dhe burimet e sistemit u rritën më tej gjatë vitit 2008. Analiza e treguesve të sistemit tregon për një nivel në rritje të rrezikut dhe zvogëlim të kapacitetit të tij financiar përgjatë vitit. Performanca e sistemit bankar për vitin 2008 ka shënuar rënie, vlerësuar në këndvështrimin e ecurisë së rezultatit neto. Kjo ka reflektuar si rritjen e konkurrencës në sistem, ashtu edhe rritjen e shpejtë të shpenzimeve për provigjjone, veçanërisht në gjysmën e dytë të vitit. Gjithsesi, luhatshmëria dhe performanca jo e mirë e disa prej treguesve kryesorë, nuk ka vënë në rrezik nivelin e kapitalit rregullator të nevojshëm për mbulimin e rreziqeve të marra nga sistemi bankar. Niveli i treguesve të sipërpërmendur nuk konsiderohet të jetë kritik, por dinamika dhe intensiteti i zhvillimeve kërkojnë monitorim më të kujdesshëm edhe në vijimësi.

2. Aktiviteti i Bankës së Shqipërisë gjatë vitit 2008

Si autoriteti monetar i vendit, Banka e Shqipërisë ka si mision të saj garantimin e stabilitetit të çmimeve në ekonomi. Në përmbushje të këtij misioni, ajo harton dhe zbaton në mënyrë të pavarur politikën monetare si dhe monitoron dhe rregullon aktivitetin e tregjeve financiare në përgjithësi dhe atë të sistemit bankar në veçanti. Gjithashtu, Banka e Shqipërisë është një aktor i rëndësishëm dhe aktiv në përpjekjet e vendit për integrimin evropian. Më lejoni në vijim të bëj një pasqyrë të shkurtër të punës së Bankës së Shqipërisë përgjatë vitit 2008.

Politika dhe operacionet monetare të Bankës së Shqipërisë

Politika monetare e Bankës së Shqipërisë hartohet dhe zbatohet ekskluzivisht në funksion të përmbushjes së objektivit tonë kryesor, arritjes dhe ruajtjes së stabilitetit të çmimeve.

Presionet inflacioniste të pranishme gjatë gjashtëmujorit të parë dhe lëkundja e besimit në agjentët diktuan ndjekjen e një politike monetare të kujdesshme gjatë vitit 2008. Norma bazë e interesit është mbajtur e pandryshuar gjatë gjithë periudhës, duke synuar balancimin më të mirë të raporteve të kërkesës dhe të ofertës si dhe duke kontribuar në kontrollin e pritjeve inflacioniste në ekonomi. Së bashku me forcimin e disa masave të mbikëqyrjes bankare në drejtim të administrimit të rrezikut të kredive, kjo politikë ka ndikuar në një rritje më të balancuar të kredisë dhe ka përcjellë stimujt e duhur për konsum e kursime.

Kriza ndërkombëtare e besimit në fillim të tremujorit të katërt të vitit 208, nxiti tërheqjen e një pjese të depozitave nga bankat e nivelit të dytë në Shqipëri e për rrjedhojë, theksoi mungesën e likuiditetit në sistemin bankar. Kjo gjë u reflektua në rritjen e normave të interesit dhe ngadalësim të aktivitetit të bankave në tregun e parasë. Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë në tregjet monetare nëpërmjet injektimit të likuiditetit, për të mbuluar nevojat e sistemit bankar me likuiditet.

Dinamika e ngjarjeve të vitit 2008 kërkoi përdorimin e të gjitha instrumenteve të tregut të hapur dhe modifikimin e disave prej tyre. Banka e Shqipërisë ka injektuar likuiditet me afate maturimi javore, mujore dhe tremujore. Ajo ka rritur bazën e letrave me vlerë të cilat mund të përdoren si kolateral si dhe ka ulur tavanin e korridorit të normave të interesit të operacioneve të saj. Gjithashtu, në përgjigje të furnizimit më të mirë të tregut me likuiditet, ne kemi ndryshuar tipin e ankandit kryesor të injektimit, nga ankand me shumë fikse në ankand me çmim fiks. Gjithashtu, Banka e Shqipërisë iu ka krijuar më shumë fleksibilitet bankave në administrimin e likuiditetit afatshkurtër, nëpërmjet rritjes së sasisë së përdorimit ditor të rezervës së detyruar. Të gjitha këto veprime, i kanë shërbyer qetësimit të situatës së likuiditetit dhe minimizimit të impaktit të saj në rritjen e normave të interesit. Ato kanë penguar gjithashtu kontraktimin e bilanceve të bankave tregtare dhe janë reflektuar në zgjerimin e bilancit të Bankës së Shqipërisë.

Mbikëqyrja dhe rregullimi bankar

Viti 2008 përkon me një kujdes në rritje të politikave mbikëqyrëse të Bankës së Shqipërisë. Miratimi i ligjit të ri për sistemin bankar, i dha rrugë miratimit të një pakete të gjerë masash, ku mund të veçoj: 

  • Në përputhje me ligjin e ri u miratuan kritere të reja për llogaritjen, mbikëqyrjen dhe raportimin e ekspozimeve të mëdha të bankës ndaj bankave mëmë dhe subjekteve të lidhura me të, me qëllim administrimin e rrezikut që rrjedh nga ekspozimi i përqendruar ndaj tyre;
  • Për t’i shërbyer një administrimi më efektiv, u hartua një rregullore e re për forcimin e kontrollit të brendshëm në bankat dhe degët e bankave të huaja;
  • Bazuar në problematikat e mëparshme një rëndësi e veçantë i`u kushtua dhe transparencës për produktet dhe shërbimet bankare e financiare. Ky është një drejtim tjetër ku ndërhymë gjatë vitit 2008. Kërkesat e reja standardizojnë mënyrën dhe formën e dhënies së informacionit për klientët për produktet dhe shërbimet bankare të ofruara;
  • Pjesë e paketës së re ishte dhe standardizimi i informacionit të detyrueshëm që bankat dhe degët e bankave të huaja duhet të bëjnë publik, në lidhje me veprimtarinë kryesore të bankës, organizimin dhe drejtimin e saj, në lidhje me ecurinë financiare, në lidhje me gjendjen financiare, në lidhje me administrimin e rrezikut si dhe politikat kontabël;
  • Për të diversifikuar më mirë rrezikun që rrjedh nga përqendrimi në investimet e bankave në tregjet financiare ndërkombëtare, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, bëri disa modifikime të rregullores për administrimin e rrezikut, duke vendosur kufij më prudencialë të treguesve të ekspozimeve të mëdha dhe në teknikat e llogaritjes dhe njohjes së kolateralit;
  • Banka e Shqipërisë ka ndaluar kreditimin e ekonomisë me “para ekzotike”, të cilat nënkuptojnë fonde me kosto shumë të lirë, të gatshme për të depërtuar edhe në ekonominë tonë. Më lejoni të kujtoj se në grackën e këtyre fondeve kanë rënë shumë prej ekonomive në zhvillim, të cilat sot po vuajnë seriozisht nga largimi i këtyre fondeve.

Në funksion të rritjes së transparencës, këto masa u diskutuan paraprakisht edhe me sistemin bankar nëpërmjet një forumi të hapur, të mbajtur me përfaqësues të sistemit. Zhvillimet e tregjeve financiare gjatë vitit 2008 evidentuan drejtësinë e masave të marra nga Banka e Shqipërisë. Aksionet e Bankës së Shqipërisë për absorbimin me sa më pak kosto të efekteve të krizës mbarëbotërore janë shtrirë edhe gjatë muajve të parë të vitit 2009.

Nismat ligjore dhe rregullative

Gjatë vitit 2008, me miratimin e ligjit për kontratën e riblerjes së titujve, u finalizuan përpjekjet e Bankës së Shqipërisë për të krijuar infrastrukturën e duhur ligjore për zhvillimin e tregut të marrëveshjeve të riblerjes ndërmjet bankave tregtare, duke krijuar mundësinë e përdorimit të këtyre marrëveshjeve si instrumente fleksibël për të siguruar dhe investuar likuiditete në tregun ndërbankar, në funksion edhe të rritjes së efektivitetit të transmetimit të politikës monetare.

Një përmirësim tjetër i rëndësishëm i kuadrit ligjor në fuqi gjatë vitit 2008 ka qenë dhe miratimi i disa amendamenteve në Kodin e Procedurës Civile të Republikës së Shqipërisë, të cilat priten të kenë efekte pozitive në drejtim të lehtësimit dhe shkurtimit të afateve kohore të procedurave për ekzekutimin e kolateralit të kredive të dhëna nga bankat dhe degët e bankave të huaja.

Gjithashtu, në funksion të përmirësimit të kuadrit rregullator ekzistues në fushën e mbikëqyrjes bankare, me qëllim përshtatjen e tij me kërkesat e ligjit të ri “Për bankat në Republikën e Shqipërisë” (i cili hyri në fuqi në 01.06.2007) dhe me Acquis Communautaire në këtë fushë, në përputhje me angazhimet e ndërmarra në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, gjatë vitit që shkoi Banka e Shqipërisë miratoi disa rregullore lidhur me sistemin e kontrollit të brendshëm dhe transparencën e bankave ndaj publikut, të cilat pritet të kenë impakte pozitive për sa i përket drejtimit, administrimit dhe qeverisjes së përgjegjshme të bankave.

Integrimi evropian

Në kuadër të integrimit evropian, Banka e Shqipërisë i ka kushtuar vëmendje të madhe përmbushjes së detyrimeve që rrjedhin nga MSA për Bankën e Shqipërisë, të cilat lidhen me përmbushjen e kriterit ekonomik të Kopenhagenit për anëtarësim në BE, garantimin e së drejtës së vendosjes dhe lirisë për të ofruar shërbime financiare për bankat dhe institucionet e tjera financiare komunitare, liberalizimin e lëvizjeve të kapitalit dhe pagesave rrjedhëse ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së si dhe përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë komunitar ( Acquis Communautaire) në këto fusha.

Gjatë vitit 2008, Banka e Shqipërisë ka mbajtur kontakte të rregullta me Ministrinë e Integrimit Evropian dhe ka përcjellë pranë saj raportet mujore të progresit, të cilat pasqyrojnë progresin e arritur në drejtim të realizimit të masave ligjore dhe aktiviteteve zbatuese, në përputhje me afatet e parashikuara në Planin Kombëtar për Zbatimin e MSA-së si dhe një përshkrim të shkallës së përputhshmërisë me acquis-in të akteve juridike të miratuara nga ana e Bankës së Shqipërisë.

Në kuadër të Planit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së 2007-2012, Banka e Shqipërisë vijoi punën për nismat ligjore dhe veprimtaritë zbatuese që duhet të ndërmerren nga ana e saj. Kështu, në përputhje me ligjin “Për bankat në Republikën e Shqipërisë” i cili hyri në fuqi në muajin qershor të vitit 2007, është rishikuar kuadri rregullator i mbikëqyrjes bankare, sidomos në fushën e drejtimit, transparencës dhe kontrollit të brendshëm të bankave.

Transparenca e Bankës së Shqipërisë dhe komunikimi me publikun

Një rëndësi të veçantë në veprimtarinë e përditshme të Bankës së Shqipërisë ka zënë edhe komunikimi dhe marrëdhëniet me publikun, pasi ajo beson se një komunikim i hapur dhe transparent me publikun ndihmon në rritjen e besueshmërisë dhe të efektivitetit të vendimmarrjes së saj. Banka e Shqipërisë ka zhvilluar një sërë aktivitetesh dhe takimesh me aktorët e sistemit bankar dhe financiar, përfaqësues të ndryshëm të medias dhe akademikë, leksione në klasat e shkollave të mesme dhe auditorët e universiteteve, takime rajonale që kanë mbledhur në një tryezë të përbashkët diskutimi përfaqësuesit e sistemit bankar, të pushtetit vendor, biznesit dhe publikut.

Banka e Shqipërisë ka punuar në dy drejtime kryesore: në përsosjen e transparencës dhe komunikimit me publikun të vendimmarrjes së saj dhe së dyti; në drejtim të rritjes së transparencës të sistemit bankar. Gjatë vitit 2008 Banka e Shqipërisë është përpjekur të rrisë transparencën në lidhje me vendimmarrjen dhe efektet e saj në ekonomi duke shtuar jo vetëm kontaktet fizike dhe rritur numrin e publikimeve, por gjithashtu duke investuar në edukimin e publikut për të rritur kulturën ekonomike në përgjithësi dhe atë financiare në veçanti. Kjo ka synuar të sigurojë përputhshmërinë e vendimmarrjes racionale në nivel mikro me vendimmarrjen e Bankës së Shqipërisë.

Vetëm gjatë vitit 2008: 

  •  janë publikuar mbi 4500 faqe në gjuhën shqipe dhe mbi 2100 faqe në gjuhën angleze ;
  •  janë shpërndarë rreth 80.000 broshura edukative;
  • janë zhvilluar seminare të trajnimit për rreth 100 mësues të lëndës së ekonomisë.
  • janë zhvilluar takime me rreth 2000 nxënës të shkollave e mesme;
  • është zhvilluar konkursi “Vlera e Vërtetë e Parasë” në Tiranë e Vlorë;
  • janë organizuar 44 konferenca, seminare, workshop-e, forume dhe tryeza pune;
  • janë organizuar 5 seminare trainuese me gazetarët e fushës së ekonomisë të medias së shkruar dhe vizive.

Gjithashtu është rritur “Transparenca e Vendimmarrjes” përmes dhënies së sinjaleve mbi tendencat e ardhshme të vendimeve të politikës monetare, duke krijuar një model komunikimi standard që lejon publikun të perceptojë kahun e vendimeve të ardhme të politikës monetare.

“Transparenca e Zhvillimeve Ekonomike” është rritur përmes publikimit të tendencave të pritshmërive inflacioniste të gjeneruara nga parashikimet dhe analizat e bazuara në modelet empirike të Bankës së Shqipërisë si dhe zgjatja e periudhës parashikuese nga 12 në 24 muajt e ardhshëm. Gjithashtu, është shumë e rëndësishme të përmendet se në kuadrin e transparencës së sistemit bankar janë përgatitur një sërë masash rregullative që kanë synuar rritjen e transparencës ndaj klientit dhe si rrjedhojë, mbrojtjen e konsumatorit.

Rezultati financiar

Banka e Shqipërisë ka zhvilluar aktivitetin e saj ekonomik dhe financiar në përputhje me ligjet në fuqi. Bilancet e saj janë monitoruar në vazhdimësi dhe janë audituar nga KPMG, e cila ka certifikuar vërtetësinë e tyre në përputhje me politikat kontabile të përshtatura nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë.

Gjatë vitit 2008, aktivet e bilancit të Bankës së Shqipërisë janë rritur me 60.1 miliardë lekë ose rreth 23 për qind. Kjo rritje ka ardhur kryesisht si pasojë e rritjes së rezervës valutore të Bankës së Shqipërisë dhe të operacioneve të saj për injektim likuiditeti në lekë. Gjatë vitit 2008, Banka e Shqipërisë ka patur një fitim neto prej rreth 9.3 miliardë lekësh.

3. Sfidat e të sotmes dhe të së ardhmes

Ashtu siç e theksova në shumë momente të fjalës time, ekonomia shqiptare po vihet gjithnjë e më shumë nën ndikimin e krizës botërore. Pasiguria që përcolli tronditja e sistemit financiar botëror u reflektua në tërheqjen e një pjese të depozitave nga sistemi, duke sjellë probleme likuiditeti në të dhe tendenca për rritjen e normave të interesit. Kjo situatë ka ndikuar në mënyrë të natyrshme në uljen e mundësisë dhe gatishmërisë së sistemit për të kredituar ekonominë.

Nga ana tjetër, zhvillimet e ekonomisë globale sugjerojnë se ekonomia shqiptare duhet të përballohet me një reduktim të nivelit të remitancave dhe të hyrjeve kapitale gjatë vitit 2009. Këto zhvillime përbëjnë një reduktim të mëtejshëm të mundësive të financimit të aktivitetit ekonomik si dhe dëmtojnë balancat e kërkesës dhe ofertës për valutë. Ato janë shoqëruar me lindjen e presioneve nënçmuese ndaj kursit të këmbimit, ashtu si dhe në ekonomitë e shumë vendeve të tjera të Evropës Lindore. Në vetvete, ky nënçmim përbën një sjellje korrektuese, në kushtet e regjimit fleksibël të kursit të këmbimit që aplikohet në Shqipëri.

Në optikën e Bankës së Shqipërisë, problemi kryesor me të cilin do të përballet ekonomia shqiptare gjatë vitit në vijim është mungesa e likuiditetit dhe, i lidhur me të, shtrëngimi i kushteve të financimit të aktivitetit. Ashtu siç e kemi theksuar edhe në dalje tona të tjera publike, ky kufizim duhet të njihet dhe të faktorizohet në planet e biznesit të të gjithë agjentëve ekonomikë. Ekonomia shqiptare do të përfitojë më pak kredi gjatë vitit 2009. Kjo mungesë likuiditeti kufizon edhe hapësirat që ka politika fiskale dhe monetare për reagim. Në këto rrethana, ajo që kërkohet është një eficiencë më e madhe e përdorimit të fondeve të sistemit bankar, nëpërmjet renditjes prioritare të shpenzimeve në funksion të impaktit që kanë mbi rritjen ekonomike.

Për më tepër, Banka e Shqipërisë gjykon se sjellja e deficitit të llogarisë korente duhet të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme. Barazimi i këtij deficiti me hyrjet e reduktuara të llogarisë kapitale, duhet të jetë një prioritet tjetër i zhvillimit të politikave ekonomike. Sikurse e theksova dhe më parë, ky moment kushtëzon ndjeshëm ekuilibrat makroekonomikë dhe financiarë të vendit. Për këtë arsye, ai do të jetë në vëmendjen e vazhdueshme të politikës monetare të Bankës së Shqipërisë.

I nderuar z. Kryetar i Komisionit,

Të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë,

Problemet aktuale me të cilat përballet ekonomia shqiptare nuk kanë origjinuar në Shqipëri; për këtë arsye, zgjidhja e tyre do të varet në një masë të madhe nga përmirësimi i aktivitetit ekonomik në nivel botëror.

Stabiliteti makroekonomik i vendit ka amortizuar ndikimin e krizës ekonomike e financiare globale në aktivitetin ekonomik në vend. Ky stabilitet i shprehur në: inflacion të ulët të çmimeve të konsumit; qëndrueshmëri të bilancit të pagesave dhe të borxhit publik; bilance të shëndosha të agjentëve ekonomikë; luhatje të ulta të tregut financiar; dhe besim të publikut në institucionet financiare, është një kapital i madh i ekonomisë shqiptare. Ai është përftuar me punë dhe sakrifica gjatë viteve të shkuara, prandaj Banka e Shqipërisë gjykon se vëmendja jonë nuk duhet të shkëputet nga ruajtja dhe konsolidimi i mëtejshëm i tij edhe në këto momente sfide për të gjithë ne. Dinamizmi i sektorit privat të ekonomisë shqiptare kërkon kushte afatgjata të favorshme ekonomike dhe financiare, si dhe struktura transparente tregjesh konkurrenciale, për të çliruar në mënyrë të plotë potencialin e tij.

Vetëm vendet të cilat kanë ditur të ngrihen dhe t`i përgjigjen këtyre goditjeve, kanë mundur të rriten e të begatojnë në një periudhë afatgjatë. Përvetësimi i këtij mësimi kërkon një renditje të qartë të prioriteteve të zhvillimit, ndarjen e interesit afatgjatë të zhvillimit të vendit nga synimet afatshkurtra si dhe vullnetin politik për realizimin e tyre.