BANKA E SHQIPËRISË
NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z.Ardian Fullani, në simpoziumin e ekonomistëve Kinë-Evropë me temë “Ekonomia Kinë-Evropë: Sfidat dhe mundësitë e së ardhmes”
12 janar 2013
Data e publikimit: 17.01.2013
I nderuar z. Kryetar,
Të nderuar Kolegë,
Zonja dhe Zotërinj,
Është kënaqësi e madhe për mua të marr pjesë në këtë simpozium. Panorama ekonomike që ka evoluar me shpejtësi përgjatë viteve të fundit paraqet sfida dhe shanse që kërkojnë shumë nga politikëbërësit. Jam i sigurt se shkëmbimi i sinqertë dhe produktiv i ideve do të mundësojë të kuptuarit qartë të problemeve me të cilat po përballemi si dhe hartimin e strategjive më të përshtatshme për kapërcimin e tyre.
Hyrje
Çështjet që shtrohen për diskutim sot përqendrohen në ecurinë dhe perspektivat e Kinës dhe të Evropës, dy rajone ekonomike që ndoshta janë në skajet e kundërta të spektrit të infektimit nga kriza globale. Ndërkohë që Kina ka mbetur kryesisht e paprekur, Evropa ka vuajtur në mënyrë domethënëse. Kriza ka nxjerrë në pah dobësi themelore strukturore dhe institucionale në Eurozonë dhe në BE.
Në fjalën time të shkurtër, do të përqendrohem në gjendjen aktuale ekonomike dhe financiare të Evropës. Do të ishte pothuajse nënvlerësim po ti përkufizonim zhvillimet e shkuara, aktuale dhe të pritshme të Evropës si afatshkurtra dhe të vështira. I ashtuquajturi "Depresioni i Madh" vuri në provë si Eurozonën edhe të gjithë ekonominë evropiane. Procesi i konvergjencës në BE doli se ishte i paplotë, si nga pikëpamja ekonomike ashtu edhe nga pikëpamja institucionale. Nisur nga këndvështrimi afatgjatë, procesi i globalizimit dhe tendencat e pafavorshme demografike kanë sfiduar qëndrueshmërinë e sistemeve ekonomike dhe sociale të BE-së.
Pavarësisht nga këto probleme, jam plotësisht i bindur se Evropa do të vazhdojë të jetë një rajon dinamik dhe i begatshëm në të ardhmen. Përfitimet e synuara në periudhë afatgjatë do të tejkalojnë më së miri kostot afatshkurtra të reformave strukturore. Një Evropë më konkurruese dhe e integruar, e mbështetur nga institucione më të forta dhe e drejtuar nga politika ekonomike dhe financiare më të qëndrueshme, do të japë përfitime për gjithë ekonominë globale. Në vijim të fjalës sime do ti trajtoj këto pika në mënyrë më të detajuar.
Evropa përmes krizës
Evropa ka qenë një prej rajoneve më të goditura nga kriza globale. Ndikimi fillestar i rrëzimit të tregut sub-prime në Shtetet e Bashkuara u ndje në të gjithë sektorin financiar evropian, me rënien e tregjeve të aksioneve dhe me humbjet e mëdha që pësuan bankat në bilancet e tyre. Rënia në çmimet e mjeteve dhe shterimi i kredisë bankare, pakësimi i aktivitetit tregtar në botë, si dhe rënia e besimit të bizneseve dhe konsumatorëve u pasqyruan menjëherë në një recesion të gjerë gjatë viteve 2008-2009, pasuar nga një periudhë pasigurie dhe rritjeje të ngadaltë. Papunësia u rrit me ritme të mëdha dhe balanca fiskale u përkeqësua me shpejtësi. Dobësimi i aktivitetit ekonomik rriti pasiguritë në sektorin financiar, duke krijuar si rezultat një bërryl negativ, i cili u bë i vështirë për tu përballuar edhe për shkak të prezencës së deleverage në sektorin privat, mosmarrjes përsipër të rrezikut, dhe shtrëngimeve në financat publike.
Shumë nga tiparet e mësipërme i kanë pasur edhe ekonomitë e tjera, si Shtetet e Bashkuara dhe Japonia. Rënia e bilanceve që ata përshkruajnë mbetet e lehtë për tu kontrolluar, të paktën teorikisht, duke kombinuar stimulin ekonomik afatshkurtër, angazhimit afatgjata për stabilitet makroekonomik, reformat strukturore, dhe durimin.
Megjithatë, kanë ekzistuar disa çështje ideosinkretike, të cilat e veçojnë përvojën evropiane nga ekonomitë e tjera. Ato u shfaqën në probleme të rënda për sektorin publik në disa vende të Eurozonës, në mungesë të përhapur të besimit ndaj institucioneve dhe autoriteteve, si dhe në forcimin e forcave centrifugale, të cilat rrezikuan euron.
Cilët faktorë e përkeqësuan krizës në Eurozonë? Ndërkohë që lista e plotë do të ishte e gjatë, do të doja të theksoja tre prej tyre.
- Së pari, ndërvarësia ndërmjet klasifikimit të kredisë sovrane, primeve të rrezikut në sektorin financiar dhe ekonomisë reale u përkeqësuan për shkak të integrimit të paplotë të tregut financiar. Ndërkohë që i gjithë rajoni vuante nga daljet e kapitalit, gjatë katër viteve të fundit integrimi financiar në BE eci në kahun mbrapsht. Riatdhesimi i flukseve financiare ndërkufitare krijoi probleme të mëtejshme në ekonomitë e Eurozonës dhe në rajonin fqinj. Në fakt, deleverage ndërkufitar që rezultoi nga kjo situatë dhe pakësimi i rrezikut ( de-risking) kanë qenë ndër kanalet kryesore të përhapjes së krizës, e cila ka prekur vendet e Evropës Lindore, përfshirë edhe Shqipërinë.
- Së dyti, divergjenca në politikat ekonomike ndër-rajonale rezultoi në divergjencë të konkurrencës brenda BE-së dhe eurozonës.
Kjo divergjencë e vendosi theksin në çështjet e bilanceve të pagesave ekzistuese brenda-rajonale, duke nxjerrë në pah nevojën për reforma ekonomike dhe fiskale, të cilat duhet të ishin bërë prej kohësh.
Së treti, mungesa e një bashkimi fiskal ka çuar në mungesën e reagimit të politikave ekonomike, veçanërisht në praninë e një politike monetare që merret me kufirin më të ulët (zero) të normave të interesit. Madje, dyshimet për gjendjen fiskale afatgjatë të disa vendeve të Eurozonës, të tilla si Greqia, Irlanda, Italia, Portugalia dhe Spanja, rritën primet e rrezikut të tyre sovran dhe kostot e tyre të huamarrjes publike dhe private në nivele të papërballueshme.
Cili ka qenë reagimi i politikave të BE-së?
Politika e BE-së për administrimin e krizave kishte për synim ta mbante nën kontroll dhe të kapërcente efektet e saj; megjithatë, në një shkallë të madhe, është kushtëzuar nga disa prej kufizimeve që përmenda më parë. Politika monetare mori rolin udhëheqës në sigurimin e nxitjeve kundërciklike për ekonominë, ku BQE-ja e uli me shpejtësi normën bazë dhe injektoi sasi të madhe të likuiditetit afatshkurtër dhe afatgjatë. Së fundi, njoftimi në shtator i transaksioneve të tipit OMT[1] nga ana e BQE-së ka shënuar një pikë kthese për fitimin e besimit në tregjet financiare.
Nga ana tjetër, duke pasur parasysh mungesën e hapësirës për politika nxitëse fiskale, sektori publik ka qenë më i interesuar për kontrollin e trajektoreve të borxhit publik afatgjatë, duke zbritur, dhe jo duke shtuar, në stimulin ekonomik. Për këtë qëllim, politikat fiskale për mbikëqyrjen ekonomike kompakte dhe makroekonomike, për të cilat është rënë dakord, synojnë ti vendosin financat publike të Eurozonës në një pozicion të shëndoshë e të besueshëm në afatin e gjatë. Nga ana fiskale, BE-ja ka rishikuar arkitekturën e vetë financiare duke ngritur mekanizmat EFSF[2] dhe ESM[3], dhe duke rënë dakord për ngritjen e një mbikëqyrësi të vetëm të sistemit bankar. Së fundi, janë ndërmarrë disa masa strukturore, me qëllim rigjallërimin e konkurrencës si për BE-në në tërësi edhe për secilin vend. Ndër të tjera, këto masa përfshijnë rritjen e fleksibilitetit të tregut të punës, reformimin e sistemit të pensioneve, dhe liberalizimin e mëtejshëm në tregjet e të mirave dhe shërbimeve.
Çfarë mbetet për tu bërë?
Ndonëse në mënyrë të debatueshme me vonesë, mendoj se reagimi me politika brenda BE-së ka ecur në drejtimin e duhur dhe ka qenë gjithëpërfshirës. Megjithatë, kërkohet punë e mëtejshme në të ardhmen. Do të doja të nënvizoja dy prej këtyre fushave.
- Së pari, axhenda e reformës e identifikuar nga katër presidentët (i Këshillit Evropian, i Komisionit Evropian, i Eurogrupit dhe i BQE-së) synon ta plotësojë bashkimin monetar me bashkim financiar, bashkim fiskal, bashkim ekonomik dhe me një shkallë disi më të lartë bashkimi politik. Ky është një qëllim ambicioz, po jam i bindur se do të arrihet brenda një kuadri kohor të arsyeshëm. Në këtë kontekst, kjo është më shumë një parakusht për rritje afatgjatë se sa një listë dëshirash dhe do ti tregonte botës se Evropa i është përgjigjur dilemës për rolin e saj në ekonominë globale në shekullin e 21të.
- Së dyti, mendoj se përpjekjet për të rritur integrimin e BE-së duhet të zgjerohen e të përfshijnë një bashkëpunim më të thellë me vendet kandidate dhe kandidate potenciale në Evropën Lindore dhe Juglindore. Këto ekonomi, janë shumë të lidhura me BE-në, si nga këndvështrimi ekonomik edhe nga ai financiar. Ato kanë ndërmarrë reforma strukturore për të liberalizuar ekonomitë, për të rritur konkurrueshmërinë dhe për të bashkërenduar politikat. Përpjekjet e BE-së duhet të përqendrohen për të ndihmuar dhe përshpejtuar procesin e konvergjencës në trajtat e tregjeve dhe kuadrin institucional, duke minimizuar, nga ana tjetër, kostot përkatëse afatshkurtra. Ky do të ishte përfitim i ndërsjellë si për BE-në edhe për rajonin.
Do të doja të shtoja se, për realizimin e kësaj axhende, hartuesit e politikave duhet ti kushtojnë vëmendje të veçantë dimensionit kohë. Reformat që duhet të ndërmerren, duhet të bëhen në kohë si dhe duke pasur parasysh të gjithë projektin e BE-së. Vendet individuale kanë shumë punë për të bërë, po një zgjidhje që do të zgjasë në kohë do të duhet të jetë një reformë gjithëpërfshirëse që sheh përtej kufijve specifikë dhe synon rritjen e konkurrueshmërisë dhe qëndrueshmërisë së BE-së si një e tërë.
Evropa në të ardhmen
Zonja dhe zotërinj, për ta mbyllur fjalën time, më lejoni të shpreh edhe njëherë bindjen time për të ardhmen e Evropës.
Një vështrim i shpejtë i disa të dhënave e ilustrojnë këtë pikë më së miri. BE-ja ka afërsisht 7% të popullsisë së botës, po jep rreth një të katërtën e PBB-së botërore. Ajo ka një model të pjekur social dhe ekonomik, i cili mbetet një paradigmë e arritshme e zhvillimit ekonomik pavarësisht nga sfidat afatgjata. Pozicioni i jashtëm si i BE-së edhe i Eurozonës është gjerësisht i balancuar, ku deficiti i llogarisë korrente përbën më pak se 1% të PBB-së. Raporti i borxhit publik ndaj PBB-së, prej 83%, krahasohet në mënyrë të favorshme me atë të ekonomive të tjera të avancuara dhe konkurrente, të tilla si SHBA-ja dhe Japonia, 103% dhe 230%, përkatësisht.
BE-ja është në prej zonave kyçe të inovacionit në shkallë botërore. Në termat e shpenzimeve për kërkimin dhe zhvillimin, nuk qëndron shumë pas SHBA-së, ndërsa në termat e numrit të kërkuesve dhe zbatimit të patentave ia kalon asaj.
Evropa dhe BE-ja ofrojnë një mjedis të pjekur ligjor, ku ka mbrojtje të duhur për investitorët dhe pronësinë intelektuale. Politikat makroekonomike mbeten të orientuara ndaj stabilitetit dhe sistemi i saj financiar është i pjekur dhe i shëndoshë. Pesë nga dhjetë vendet që renditen më lart në indeksin e fundit të konkurrueshmërisë globale janë vende anëtare të BE-së.
Më tej, do të doja të theksoja se, ndërkohë që në mënyrë të kuptueshme, përveç Eurozonës, ka vende të tjera në Evropën Lindore dhe Juglindore që ofrojnë një tablo cilësisht ndryshe. Deri në vitin 2008, ato përfshinin disa prej ekonomive në zhvillim me rritjen më të shpejtë. Këto janë ekonomi me rritje të shpejtë, me prirje demografike më të mira, dhe që ofrojnë potencial rritjeje të pashfrytëzuar, në lidhje me forcën e punës të kualifikuar, mjedisin miqësor ndaj biznesit dhe institucioneve të qëndrueshme. Procesi i integrimit evropian ka qenë ankorë kryesore dhe forcë madhore shtytëse për rritje dhe konvergjencë. Prandaj, do ti inkurajoja fort vendet e rajonit të EJL-së të përkushtojnë përpjekje të qenësishme për integrim më të plotë rajonal në infrastrukturë, tregje, dhe kuadrin arsimor e atë ligjor. Një integrim më i thellë rajonal rrit konkurrueshmërinë e rajonit në këndvështrimin evropian dhe atë global.
Kohët e fundit, janë bërë përpjekjet drejt një integrimi më të afërt rajonal, duke e bërë rajonin më tërheqës ndaj investitorëve të huaj potencialë. Me një integrim më të thellë rajonal, një ankorim më të mirë në procesin e konvergimit me BE-në dhe me më shumë financime, Evropa Lindore dhe Juglindore ka shumë për tu ofruar si Evropës edhe ekonomisë botërore.
Periferia e Eurozonës apo anëtarët e rinj të ardhshëm ofrojnë shumë mundësi tërheqëse investimi për projekte zhvillimi në infrastrukturë, tregti, shfrytëzimin e burimeve natyrore, energji dhe kapacitete prodhuese. Më e rëndësishmja, zhvillimi i këtyre sektorëve strategjikë është hartuar brenda kuadrit të planeve të zhvillimit evropian dhe ekonomisë më të gjerë evropiane në të ardhmen. Prandaj, investimi në rajon do të thotë investim në të ardhmen e vetë ekonomisë evropiane.
Të nderuar pjesëmarrës,
Një ekonomi evropiane e integruar dhe një monedhë e vetme e besueshme japin një ankorë më të mirë për të ardhmen e konvergjencës tonë ekonomike, financiare dhe institucionale, dhe rrjedhimisht, përfitime shtesë për vetë ekonominë evropiane. Ekonomia evropiane është një partner i rëndësishëm në shkallë botërore dhe zë një pjesë të qenësishme në kërkesën, financimin dhe përparimin teknologjik në shkallë globale. Forca e ekonomisë evropiane përbën interes të ndërsjellë për Evropën dhe partnerët e saj, përfshirë Kinën.
Duke marrë parasysh historinë të shkuarën dhe gjendjen aktuale të çështjeve ekonomike, sociale, politike dhe intelektuale, mbetem plotësisht i bindur në aftësinë e Evropës për tu bërë ballë sfidave të tanishme dhe të ardhshme dhe për tu rishfaqur si vendi i mundësive dhe i begatisë.
Evropa do të jetë një partner i rëndësishëm për Kinën dhe ekonominë globale. Para se ta mbyll fjalën do të doja të sillja në vëmendjen tuaj një fjalë të urtë kineze Dikush që arrin të ngrihet para se të agojë për 360 ditë të vitit, me siguri ka për ta bërë familjen e tij të pasur.
Faleminderit për vëmendjen!
[1] Outright Monetary Transactions
[2] European Financial Stability Facility
[3] European Stability Mechanism