BANKA E SHQIPËRISË
NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në takimin e diskutimit të organizuar nga Banka e Shqipërisë me temë "Kërkimet ekonomike në Evropën Juglindore" 15 nëntor 2007, hotel "Tirana International"
Data e publikimit: 15.11.2007
Të nderuar zonja dhe zotërinj!
Është një kënaqësi e veçantë të ndodhem sot pranë jush për të hapur punimet e takimit "Kërkimet ekonomike në Evropën Juglindore". Së pari, më lejoni të falenderoj përfaqësuesit nga bankat qendrore homologe dhe të gjithë të pranishmit në këtë sallë për pjesëmarrjen e tyre. Le të shpresojmë që ky takim i diskutimit do të shërbejë si katalizator i një shkëmbimi më të intensifikuar përvojash në fushën e kërkimeve ekonomike në rajonin tonë-proces ky i një rëndësie të veçantë për rritjen e standardeve të kërkimit ekonomik dhe për maksimizimin e njohurive tona në këtë fushë, dhe të përfitimeve prej tyre.
Kërkimet ekonomike të sakta dhe në kohë janë pa dyshim jetike për ndërmarrjen e politikave ekonomike më të mira, në funksion të inkurajimit të një rritjeje të qëndrueshme joinflacioniste, dhe të përballjes me rreziqe të ndryshme, dhe me dinamizmin e integrimin e shpejtë të ekonomive tona.
Në këndvështrimin e një banke qendrore, kërkimet ekonomike duhet të synojnë një balancë optimale midis domethënies për politikën monetare ose stabilitetin financiar, cilësisë së tyre dhe disponueshmërisë në kohë. Krahasuar me kërkimet ekonomike nga akademikët, ato të një banke qendrore duhet të shfaqin të njëjtën cilësi, por të pozicionohen sa më shumë në ndihmesë të vendimmarrjes së politikës monetare. Në të kundërt, vlera e shtuar e tyre zvogëlohet jashtë mase. Roli i kërkimeve në funksion të vendimmarrjes së politikës monetare është edhe më i rëndësishëm nën regjimin e inflacionit të shënjestruar, i cili synohet të zbatohet plotësisht edhe nga Banka e Shqipërisë në një të ardhme të përshtatshme. Literatura ekonomike e ka përkufizuar këtë regjim, ndërmjet të tjerave, edhe si regjimin e "informacionit, analizave dhe statistikave gjithëpërfshirëse dhe shumëplanëshe".
Njësoj si shumë banka qendrore që zbatojnë regjimin e inflacionit të shënjestruar, edhe Banka e Shqipërisë i ka orientuar burimet e saj për kërkime ekonomike kryesisht drejt kuptimit të procesit të inflacionit dhe parashikimit të tij, dhe kuptimit të mekanizmit të transmetimit të politikës monetare. Një vend tepër të rëndësishëm në punën kërkimore të Bankës së Shqipërisë ka zënë edhe ndërtimi i një makromodeli për ekonominë shqiptare. Gjithashtu, nuk janë lënë jashtë fokusit edhe tema të lidhura me sektorin real, sektorin e jashtëm, sektorin financiar dhe atë fiskal, si dhe tema të lidhura me përmirësimin e statistikave ekonomike.
Pa dyshim që përmirësimi i vazhdueshëm i kërkimeve ekonomike, i etikës së tyre, cilësisë dhe domethënies së tyre për politikën monetare duhet të konsiderohet me përparësi të lartë. Banka e Shqipërisë është e ndërgjegjshme se puna kërkimore në drejtim të temave të përmendura më sipër nevojitet të konsolidohet më tej.
Të dashur miq!
Më lejoni të shpreh mendimin tim se, konsolidimi i punës kërkimore nga këndvështrimi strategjik nxjerr në pah nevojën për përmirësimin e të dhënave ekonomike, nevojën për intensifikimin e bashkëpunimit midis institucioneve të administratës publike dhe akademisë, si dhe midis vendeve të ndryshme; dhe nevojën për thithjen dhe rritjen e kapaciteteve njerëzore në këtë fushë. Në vijim, do të dëshiroja të ndalesha shkurtimisht në secilën prej këtyre tre pikave.
Kërkimet ekonomike përdorin si lëndë bazë të dhënat ekonomike. Për pasojë, disponueshmëria dhe cilësia e të dhënave ekonomike përbëjnë një faktor-kyç në zhvillimin e kërkimeve ekonomike të sakta dhe në kohë, në maksimizimin e përfitimeve prej tyre, si dhe në minimizimin vendimmarrjes së gabuar dhe kostove që ajo mbart. Fatkeqësisht, disponueshmëria dhe cilësia e këtyre të dhënave nuk mund të etiketohet si e kënaqshme. Në shtesë të problemeve të mbledhjes dhe llogaritjes së bazës statistikore, baza e të dhënave lidhet dhe ndikohet nga shpejtësia e zhvillimit të fazave të ndryshme të zhvillimit të ekonomisë shqiptare dhe ndryshimi i politikave, që nxitet nga kalimi i këtyre fazave. Banka e Shqipërisë vazhdimisht ka vënë dhe do të vazhdojë të vërë theksin, në përmirësimin e të dhënave ekonomike. Në këtë kuadër edhe takimi i sotëm i diskutimit i kushton një vëmendje të veçantë diskutimit të vlerësimit dhe përafrimit të serive kohore për disa tregues të rëndësishëm ekonomikë, si dhe rolit të tyre në zhvillimin, etikën dhe cilësinë e kërkimeve me karakter empirik.
Kërkimet ekonomike janë të domosdoshme për një spektër të gjerë temash dhe fushash. Për këtë arsye, asnjë institucion dhe aq më pak një bankë qendrore e vogël, nuk mund të përballojë e vetme të gjithë spektrin e nevojave për kërkime ekonomike. Përkundrazi, institucionet duhet të identifikojnë fushat dhe temat e kërkimeve ekonomike në të cilat zotërojnë përparësi krahasuese dhe më pas, të bashkëpunojnë ngushtësisht me njëri-tjetrin. Në këtë kontekst, rëndësi parësore ka bashkëpunimi midis institucioneve të administratës publike dhe akademisë, bashkëpunimi midis vendeve të ndryshme dhe krijimi i rrjeteve të kërkimeve mbi fusha të ndryshme. Kjo do të sillte jo vetëm rritjen e eficiencës në kryerjen e kërkimeve, por edhe rritjen e kritikës dhe të oponencës profesionale, dhe standarde më të larta.
Misioni i kërkimeve i përshkruar më lart, i qartë dhe i mirëpërcaktuar brenda kornizave të një banke qendrore, nuk duhet të kuptohet si një mision i izoluar. Studimet nuk mund të zhvillohen në një ambient të mbyllur. Ato kanë nevojë për debat dhe shkëmbim idesh me akademinë, me biznesin dhe me agjentët e tjerë të interesuar. Në këtë drejtim, e them me kënaqësi që Banka e Shqipërisë i ka bërë punimet e veta objekt të recencave në aktivitete që janë organizuar posaçërisht për këtë qëllim (tryezat e rrumbullakëta mbi regjimin e inflacionit të shënjestruar, seminaret e të premtes etj.). Ju ftoj të bëni të njëjtën gjë edhe gjatë këtij aktiviteti. Në funksion të debatit dhe diskutimit, kemi bërë përpjekje të vazhdueshme për të tërhequr akademinë dhe intelektualët në diskutimin e punimeve tona. Banka e Shqipërisë ka prezantuar "Serinë e seminareve të së premtes", si një infrastrukturë për nxitjen e këtij debati. Dy herë në muaj ky forum fton për të diskutuar punët e tyre kërkimore të interesuarit nga brenda Bankës së Shqipërisë dhe jashtë saj, lidhur me tema të karakterit ekonomik. Aktiviteti është po aq i hapur për studiuesit vendas e të huaj nga akademia dhe biznesi sa ç'është i hapur për punonjësit e Bankës së Shqipërisë. Në këtë pikë, duhet të theksoj se presim dhe inkurajojmë një interes më të madh nga akademikët vendas e të huaj, për këtë seri të seminareve. Ftoj akademinë dhe të gjithë kërkuesit të konsiderojnë këtë ftesë të përsëritur dhe të bëhen më aktivë në diskutimin e strategjive dhe zhvillimeve të politikave ekonomike.
Banka e Shqipërisë është plotësisht e hapur dhe fton të gjitha palët për një bashkëpunim të tillë. Takimi i sotëm i diskutimit është në vetvete një shembull konkret i interesit për bashkëpunim midis palëve dhe i synimit tonë për të nxitur këtë bashkëpunim Gjithashtu, janë realizuar leksione, seminare apo konferenca të ndryshme, në të cilat janë ftuar herë pas here, personalitete të shquara nga bota e financës dhe e akademisë. Personalisht, jam përfshirë në këtë diskutim të hapur nëpërmjet një cikli leksionesh në universitete në Shqipëri si dhe në universitete prestigjioze në Evropë.
Kërkimet ekonomike duhet të nxiten gjithashtu edhe midis ekonomistëve të rinj, të cilët përfaqësojnë të ardhmen dhe një bazë të rëndësishme kapacitetesh njerëzore. Nevojitet të krijohet një kulturë kërkimesh dhe një strukturë mbështetëse me elemente të reja, që nuk kanë vetëm dëshirën por edhe njohuritë e nevojshme për të studiuar fenomenin ekonomik. Për këtë qëllim, Banka e Shqipërisë ofron çdo vit Çmimin e Guvernatorit për Diplomën më të Mirë. Ky çmim inkurajon studentët e ekonomisë të angazhohen seriozisht me punë kërkimore, të fokusuara kryesisht drejt fushave të veprimit të një banke qendrore.
Duke mbyllur fjalën time, ju këshilloj të shfrytëzoni këto dy ditë në drejtim të përfitimit të kritikave dhe rekomandimeve të vlefshme për punët tuaja kërkimore. Gjithashtu, uroj që pjesëmarrja juaj në këtë takim diskutimi të rezultojë sa më e frytshme, në drejtim të shkëmbimit të njohurive mbi tema të ndryshme dhe veçanërisht, mbi etikën dhe teknikat ekonometrike.
Kam kënaqësinë të deklaroj këtë takim të hapur dhe t'ju ftoj të shtoni dijet tona!
Ju faleminderit!