BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në takimin me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë dhe Shoqatën e Bankave - Tiranë, 20 mars 2006

Data e publikimit: 20.03.2006

 

I nderuar zoti Kryeministër,

Të nderuar bankierë,

Besoj se qëllimi i takimit të sotëm ka të bëjë me një problem madhor, atë të rritjes së qëndrueshme afatgjatë ekonomike të vendit. Të gjithë aktorët e pranishëm në këtë sallë kanë një rol - kyç në këtë drejtim, prandaj mendoj se takime të tilla janë të dobishme, me kontribute të prekshme në aktivitetin ekonomik të vendit.

Fillimisht, dëshiroj të theksoj se gjatë vitit 2005 ekonomia shqiptare pati zhvillime pozitive në këtë drejtim.

  • Politika monetare, duke qëndruar neutrale për pjesën më të madhe të vitit ka siguruar një furnizim konstant të ekonomisë me para, në përputhje me nevojat për zhvillimin ekonomik të vendit;
  • Presionet inflacioniste mbetën nën kontroll në kushtet e një stabiliteti më të qëndrueshëm të kursit të këmbimit;
  • Në fund të vitit, kushtet monetare reflektuan zgjerimin e financimit të ekonomisë me kredi ndërkohë që rezervat valutore të Bankës së Shqipërisë u rritën më tej;
  • Sistemi bankar rriti në mënyrë të konsiderueshme mbështetjen e tij financiare për ekonominë në formën e kredisë bankare. Portofoli i kredisë u rrit me 74 për qind ose 52 miliardë lekë në vlerë absolute. Në fund të vitit, teprica e kredisë shënoi 14,6 për qind të PBB-së nga 8.4 për qind në vitin 2004. Po kështu, në programin afatmesëm të zhvillimit ekonomik të vendit, për vitin 2006 është parashikuar një rritje e mëtejshme e tepricës së kredisë në masën 50 për qind, që do thotë stimuj të mëtejshëm për aktivitetin ekonomik të vendit. Kjo ka bërë që biznesi vendas të ketë garanci më shumë për të investuar në ekonomi, duke ftuar njëkohësisht edhe investitorët e huaj për më shumë investime të huaja direkte në Shqipëri.

Me cilësinë e guvernatorit, jam i detyruar të ndaj me ju një shqetësim të natyrshëm që zakonisht lidhet me cilësinë e portofolit të kredive, veçanërisht kur përballemi me situata të rritjes kaq të shpejtë të aktivitetit kreditues. Edhe pse teprica e kredisë për ekonominë është ende e ulët, rreth 15 për qind të PBB-së, një ekspansion i ngjashëm gjatë vitit 2006 me atë të vitit të kaluar, do të rriste potencialin e ekspozimit të bankave ndaj rreziqeve që lidhen me cilësinë e portofolit të kredive.

Për këtë qëllim, nga ana e sistemit bankar duhet të merren të gjitha masat për të përmirësuar kapacitetet monitoruese, analizuese dhe kontrolluese me synim shmangien e një përkeqësimi të mundshëm të portofolit të kredive. Nga ana tjetër, ne do të forcojmë kapacitetet tona mbikëqyrëse, sidomos inspektimin në vend duke ndërtuar plane masash, të cilat do të synojnë një kontroll të kujdesshëm për çdo bankë anëtare të sistemit. Theks i veçantë do t'i vihet kontrollit të praktikave të veçanta të kredidhënies si dhe shqyrtimit të riklasifikimeve të bëra dhe ecurisë së provigjonimit për kreditë me probleme. Për më tepër, Banka e Shqipërisë në prioritetet e saj për vitin 2006 ka përfshirë dhe projektin e krijimit të regjistrit të kredive, një lehtësi kjo që do të ndihmojë procesin e kontrollit dhe verifikimit të kredikërkuesve.

Dua t'ju siguroj se për ne, qëndrueshmëria e sistemit bankar është prioritet i rëndësisë së veçantë, prandaj mbetemi të angazhuar në zbatimin me përpikmëri të rekomandimeve të lëna nga raporti i Vlerësimit të Sektorit Financiar (FSAP) të FMN-së gjatë vitit 2005.

Koncepti bankë mendoj se është i lidhur në mënyrë të pashmangshme me konceptin e besimit. Dhe për mua besimi është transparencë, transparencë dhe vetëm transparencë. Unë gjykoj se rritja e transparencës është kusht parësor që çon në shtimin e aksesit të popullatës në biznesin tuaj. Kjo rritje nënkupton shtim të depozitave, zgjerim të kreditit, konkurrencë më të madhe dhe ndërmjetësim financiar më efektiv. Mbi të gjitha, rritja e transparencës do të thotë më shumë oportunitete, kosto më të ulura nga ana e klientelës.

Mendoni për një moment se sasia e parasë që qarkullon dhe fle jashtë kanaleve bankare është ende shumë e madhe. Duke iu kthyer diskutimit tim në takimin e fundit të organizuar nga Banka Botërore dhe Rajoni i Pulias dëshiroj të theksoj se më shumë se gjysma e remitancave hyjnë në vend nëpërmjet kanaleve jozyrtare. Sipas statistikave të bilancit të pagesave të vitit 2005, bëhet fjalë për një potencial afër shifrës 700 - 800 milionë euro. Besoj se ky fakt nuk ka nevojë për koment. Nga vrojtimet e bëra prej nesh shkaqet janë të ndryshme. Megjithatë, motivimi i pakët për përdorimin e sistemit bankar ndërmjet të tjerash si shkak të rëndësishëm ka aplikimin e komisioneve relativisht të larta.

Nga ana tjetër, shtimi i qarkullimit monetar nëpërmjet kanaleve bankare kërkon rritjen e kujdesit për parandalimin e pastrimit të parave dhe të financimit të terrorizmit. Lufta për parandalimin e pastrimit të parave është një sfidë e vazhdueshme që lidhet me problemet madhore me të cilat po përballet ky vend siç janë: ekonomia cash, evazioni fiskal dhe informaliteti në ekonomi. Për këtë arsye, në fillim të vitit ne kryem një inspektim të pjesshëm në 7 banka. Nga kontrolli rezultoi se në përgjithësi, bankat kanë strukturat dhe politikat e duhura për luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Megjithatë, ne konstatuam dhe mangësi që kishin të bënin me trainimin e stafit dhe njohjen më të mirë të kuadrit rregullativ.

Duke marrë shkas nga çfarë thashë më sipër, besoj se e kuptoni që mesazhi që dua të përcjell tek ju sot, është jo vetëm shtimi i biznesit bankar, por edhe kontributi i prekshëm në drejtim të reduktimit të cash-it në ekonomi dhe për rrjedhim, zvogëlimi i informalitetit në ekonomi.

Kohët e fundit kemi hedhur hapa konkretë në këtë drejtim. Si rrjedhim, sistemi bankar është më i shtrirë gjeografikisht dhe më i pasur me produkte. Rritja e aktiveve, shtimi i klientelës, infrastruktura moderne e pagesave si dhe zhvillime të tjera, kanë bërë që kontributi ynë në reduktimin e cash-it në ekonomi të jetë i prekshëm. Besoj se arritjet e mësipërme të kombinuara me masa të vendosura administrative, do të kontribuojnë në mbylljen një nga një të portave të informalitetit në ekonomi. Gjithsesi, konstatoj se ka hapësira të pashfrytëzuara veçanërisht në drejtim:

  • të rritjes së oportuniteteve për më shumë pagesa elektronike; viti i fundit përmbysi raportin në favor të pagesave elektronike kur niveli i tyre arriti shifrën 320 mijë në krahasim me numrin prej 300 mijë të pagesave në sportel. Kjo është një shenjë inkurajuese që na nxit të fokusohemi më mirë në këtë drejtim;
  • të kanalizimit masiv të likuidimit të detyrimeve periodike për shërbimet utilitare nëpërmjet llogarisë bankare; më konkretisht, KESH, Albtelekom dhe Ujësjellësi duhet të lidhen me sistemin bankar për të likuiduar në mënyrë elektronike shërbimet e tyre;
  • të transferimit të detyruar të pagave të punonjësve të sektorit privat nëpërmjet sistemit bankar; eksperienca e deritanishme me sektorin publik rezultoi e suksesshme, ndërkohë që edhe disa nga operatorët e mëdhenj privatë janë duke aplikuar këtë metodë me eficiencë. Mendoj se detyrimi për të transferuar pagat në sistemin bankar do të ulë ndjeshëm dhe evazionin që ekziston në lidhje me tatimin nga të ardhurat dhe kontributet e sigurimeve shoqërore.

Unë personalisht mendoj se ka ardhur koha për të rritur popullaritetin, për të imponuar krijimin e një edukate dhe kulture bankare. Detyrimi i çdo individi për çeljen e një llogarie bankare në shtesë të një shërbimi të rëndësishëm masiv që shteti i bën popullatës, është mëse i nevojshëm. Më konkretisht, propozoj që kartat e reja të shoqërohen me një numër llogarie bankare.

Në përfundim, kuptohet se në mënyrë që të jemi të suksesshëm për periudha të gjata kohe, duhet përqendrim i madh në të gjithë problematikën që shkurtimisht ekspozova më sipër. Më shumë kredi, më shumë kujdes në mbikëqyrjen e saj, më shumë shërbime cilësore, çmime më të lira, më pak cash në ekonomi, më shumë biznes bankar, që në fund të fundit do të thotë më shumë akses nga ana e popullatës në biznesin tuaj.

Unë gjykoj se kjo është një prerogativë thelbësore që siguron zhvillimin e qëndrueshëm e afatgjatë të ekonomisë shqiptare.