BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani në takimin me komunitetin e biznesit, pushtetin lokal, qarqet akademike etj.., të Prefekturës së Gjirokastrës, 31 mars 2006

Data e publikimit: 31.03.2006

 

Të nderuar pjesëmarrës,

Është një kënaqësi e madhe të ndodhem sot mes jush, përfaqësuesve të pushtetit lokal të Qarkut të Gjirokastrës, sektorit bankar, komunitetit të biznesit dhe akademikëve të Universitetit të Gjirokastrës. Takimi i sotëm është në vazhdim të takimeve që Banka e Shqipërisë ka zhvilluar në rajone të tjera të vendit dhe në linjë me objektivin tonë për të rritur e përmirësuar komunikimin me publikun.

Një bankë qendrore e pavarur duhet të komunikojë me shoqërinë në tërësi në mënyrë të tillë që të krijojë besimin dhe prestigjin e duhur, në kuadër të transparencës, e cila lehtëson procesin e llogaridhënies. Përveç ligjeve dhe rregulloreve të cilat sigurojnë llogaridhënien ndaj organeve të zgjedhura nga populli si parlamenti, një element i rëndësishëm është komunikimi i drejtpërdrejtë me publikun, biznesin dhe qarqet akademike.

Unë besoj se komunikimi i hapur i objektivave, mënyrave dhe mjeteve për arritjen e tyre përmirëson efektivitetin e punës sonë. Duke shmangur paqartësinë e pritshmërive që shkakton përgjithësisht zbatimi i politikave "surprizë", publiku dhe bizneset kthehen nga agjentë që mundohen të minimizojnë kostot e "të papriturave", në bashkëpunëtorë që mbështesin arritjen e objektivave tanë.

Qëllimi kryesor i Bankës së Shqipërisë është arritja dhe ruajtja e stabilitetit të çmimeve. Përcaktimi i qartë i asaj çfarë ne kuptojmë me stabilitet të çmimeve përbën hapin e parë të rëndësishëm në transparencën e komunikimit tonë. Prej kohësh, Banka e Shqipërisë publikon normën e inflacionit që ajo synon me politikën e saj monetare, që aktualisht është 2 deri në 4 për qind në terma vjetorë. Ne po përpiqemi që këtë gjë ta institucionalizojmë më tej, duke shqyrtuar mundësinë e adoptimit të regjimit të inflacionit të shënjestruar (IT), i cili ka në qendër të tij pikërisht shpalljen dhe ndjekjen e një norme të mirëpërcaktuar inflacioni. Por ky regjim i ri është më shumë se thjesht shpallja e normës së inflacionit që banka, siç e përmenda, e ka bërë tashmë. Ai konsiston dhe në njohjen publike të modeleve dhe analizave ku bazohet vendimmarrja jonë si dhe në rritjen e përgjegjësisë dhe transparencës për rastet kur objektivi nuk arrihet. Kjo do t'i japë një mundësi reale publikut dhe biznesit, për të kuptuar mënyrën se si banka reagon ndaj zhvillimeve ekonomike dhe për të gjykuar më saktë politikën e ndjekur. Për këtë qëllim, po punohet në disa fronte që nga përmirësimi i bazës statistikore, përgatitja e modeleve të nevojshme për parashikimin e inflacionit dhe funksionimin e ekonomisë, e deri te baza ligjore e nevojshme që do të bëjnë të mundur zbatimin me sukses të këtij regjimi të ri bashkëkohor dhe transparent.

Filozofitë moderne të qeverisjes së bankave qendrore, i japin një rendësi shumë të madhe komunikimit. Por komunikimi i Bankës së Shqipërisë nuk kufizohet thjesht tek transparenca e politikës monetare për arritjen e stabilitetit të çmimeve. Po aq i rëndësishëm është dhe shkëmbimi i informacionit me agjentë të ndryshëm ekonomikë, për të siguruar sinjalet e nevojshme për parandalimin e krizave të mundshme ekonomike dhe financiare. Në këtë aspekt, marrëdhëniet e rregullta me sistemin bankar dhe bizneset janë të pazëvendësueshme. Këtu mund të përmendim indekset e besimit të biznesit dhe konsumatorit, indekse të cilat po përpunohen në bazë të informacionit të marrë në nivel rajonal.

Tashmë, ne kemi një traditë pozitive të takimeve periodike me bankat e nivelit të dytë për probleme të ndryshme që mund të dalin apo iniciativa të reja që ndërmerren në sektorin bankar. Diskutimet e fundit janë përqendruar kryesisht tek cilësia e kredive me zgjerimin e vrullshëm të aktivitetit kreditues që po karakterizon sistemin bankar. Viti 2005 u shoqërua nga një rritje e shpejtë e kreditimit të ekonomisë. Kjo rritje ka qenë burimi kryesor i përdorimit të fondeve dhe ekspansionit monetar, duke postuar për herë të parë financimin e deficitit buxhetor nga ky rol. Në fund të muajit nëntor, kredia për ekonominë arriti në gati 14 për qind të PBB-së. Vetëm gjatë periudhës korrik-nëntor kredia është rritur me 2.5 pikë përqindjeje ndaj PBB-së, ndërkohë që ritmet e rritjes vjetore të kredisë janë luhatur rreth nivelit 70 për qind. Kredia është kanalizuar në të gjithë sektorët e ekonomisë, duke treguar lidhjen e ngushtë të bizneseve me bankat. Banka e Shqipërisë vlerëson se sistemi bankar deri më sot i ka përballuar këto zhvillime të vrullshme me një shkallë të kënaqshme sigurie. Megjithatë, si autoriteti mbikëqyrës i bankave tregtare, ndjejmë detyrimin të theksojmë se rritja e vëllimit të kredive duhet të jetë në linjë me përmirësimin e kapaciteteve monitoruese të tyre, për të shmangur përkeqësimin e portofolit të kredive. Për këtë arsye, po marrim masa për të iniciuar Byronë e Informacionit të Kredive, që do të kontribuojë shumë në këtë drejtim.

Banka e Shqipërisë vlerëson se stabiliteti monetar dhe ai financiar janë të lidhur në mënyrë të pazgjidhshme. Kur janë premisat për të patur instabilitet financiar, ai ndiqet nga instabiliteti monetar.

Gjerësia e ekonomisë joformale vazhdon të mbetet një problem shqetësues për Shqipërinë. Ajo rrit ndjeshëm rrezikun e investimeve dhe kreditimit. Në këto kushte, formalizimi i ekonomisë mbetet një detyrë parësore në programin e masave të autoriteteve qeveritare, duke patur parasysh ndikimin shumë negativ që ka ajo mbi konkurrencën e ndershme dhe mbi intensitetin e evazionit fiskal. Ekonomia joformale në Shqipëri shfaqet në forma të ndryshme që gjeneron krimin dhe korrupsionin; ekonomi paralele, e cila lulëzon dhe funksionon si pasojë e mungesës së efikasitetit të ekonomisë formale.

Rritja e gamës dhe e cilësisë së shërbimeve bankare, ulja e kostove të këtyre shërbimeve, kryerja e shërbimeve utilitare nëpërmjet sistemit bankar si dhe shoqërimi i kartave të identitetit me llogari bankare dhe me një adresë postare, do të ndikojnë në formalizimin e ekonomisë. Formaliteti është baraz me një llogari bankare.

Bashkëpunimi me sistemin bankar ka qenë i rëndësishëm në përpjekjet tona për reduktimin e ekonomisë së cash-it, si pjesë e procesit të formalizimit të ekonomisë si edhe të rritjes së rolit ndërmjetësues që ai duhet të ketë në ekonomi. Futja e pagave në sistemin bankar të punonjësve publikë ka mbaruar, ndërkohë që po mendojmë dhe mënyrat për përfshirjen e sektorit privat. Zbatimi i sistemit elektronik të pagesave të mëdha dhe ai i kryqëzimit të pagesave të vogla, kanë ulur ndjeshëm kostot e transaksioneve financiare ndërmjet bankave. Në këtë kuadër, ne mendojmë gjithashtu se janë të gjitha mundësitë që bankat e nivelit të dytë të rishikojnë shpenzimet që lidhen me shërbimet bankare.

Banka e Shqipërisë në zbatim të politikës së saj për daljen graduale nga roli i ndërmjetësuesit që ajo u ofron individëve për të marrë pjesë në tregun primar të bonove të thesarit, së fundi ka vendosur të mos pranojë cash në sportelin e saj në Tiranë. Ky vendim do të shtrihet edhe në sportelet e tjera të Bankës së Shqipërisë, brenda dhjetëditorit të parë të muajit prill.

Keqkuptimet e disa qytetarëve dhe mediave, lidhur me rolin e Bankës së Shqipërisë në procesin e emetimit të bonove të thesarit, e kanë bërë të pashmangshëm adresimin e disa problemeve në lidhje me këtë proces. Do të doja të risqaroja edhe një herë që Banka e Shqipërisë vepron thjesht si agjente e Ministrisë së Financave në emetimin e bonove të thesarit.

Në njërën anë, banka vlerëson rëndësinë që ka pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e qytetarëve në këto ankande por, mendojmë se ekzistojnë mënyra më eficiente për të realizuar këtë proces. Një alternativë do të ishte shitja e bonove të thesarit përmes rrjetit të Postës Shqiptare. Ristrukturimi i postës do të kishte përfitime të mëdha jo vetëm për procesin e shitjeve të bonove të thesarit që do të vijë gjithmonë e duke u rritur, por dhe për shumë shërbime të tjera që sistemi bankar mund të mos jetë shumë fleksibël për t'i ofruar, si transfertat e emigrantëve deri në zonat më të thella të vendit.

Lehtësimi i kanaleve të dërgesave nga jashtë është një temë tjetër diskutimi me sistemin bankar. Jashtë bankave sot qarkullojnë sasi të konsiderueshme të parasë. Më shumë se gjysma e dërgesave nga emigrantët hyjnë në vend nëpërmjet kanaleve jozyrtare. Këto të ardhura përbëjnë rreth 14 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), 70 për qind të eksporteve dhe 33 për qind të importeve. Italia dhe Greqia janë destinacionet kryesore ku emigrantët shqiptarë jetojnë e për rrjedhojë, ato janë vendet kryesore prej të cilave kanë origjinën dërgesat nga jashtë. Rritja e mëtejshme e vëllimit të dërgesave dhe efektiviteti i tyre, mbështeten në lehtësimin e shërbimit të transfertave nga sistemi bankar si dhe në përmirësimin e mjedisit të biznesit.

Siç e kam theksuar në një takim të ngjashëm me këtë të sotmin në Shkodër, komunikimi ynë me bizneset është forcuar mjaft nëpërmjet anketimeve që ne realizojmë mbi ecurinë e aktivitetit ekonomik të vendit. Megjithatë, pranoj se deri më tani ky komunikim ka qenë i njëanshëm nga bizneset tek ne. Ka ardhur koha që marrëdhëniet të bëhen të plota. Për këtë arsye, kemi menduar që bizneset të jenë të parat në prezantimin dhe diskutimin e rezultateve të anketimeve tona. Kjo do të realizohet përmes takimeve periodike në bashkëpunim me dhomat e tregtisë.

Në të njëjtën kohë, këto takime do të shërbejnë si një dritare për marrjen më të drejtpërdrejtë të shqetësimeve aktuale të bizneseve, siç ishin ato të fundvitit të kaluar lidhur me problemet e energjisë. Një pjesë e konsiderueshme e bizneseve u detyruan të punojnë nën kapacitetet prodhuese. Kjo reflektoi në ulje të prodhimit dhe të investimeve. Kufizimi i aktivitetit ekonomik, për shkak të ndërprerjeve të energjisë elektrike, vlerësohet të ketë shkaktuar ritme më të ulëta rritjeje rreth gjysmë pikë përqindje, në krahasim me parashikimet për të. Për të përballuar vështirësitë e mungesës së energjisë, shumica e bizneseve iu drejtua përdorimit të burimeve alternative, të cilat vlerësohet të kenë shkaktuar kosto jo të vogël për aktivitetin e tyre. Afër 57 për qind e bizneseve të intervistuara, pohojnë se rritja e kostos është luhatur nga 10 deri në 30 për qind. Sektori i prodhimit është ai që ka ndjerë më shumë pasojat e krizës energjitike, sepse atij, mbi të gjitha, i është dashur të përballet me kosto më të larta shtesë, për shkak të përdorimit të alternativave të tjera zëvendësuese të prodhimit të energjisë elektrike. Sidoqoftë, bizneset besojnë në një rikuperim të aktivitetit ekonomik, brenda tremujorit të parë të vitit 2006.

Komunikimi i Bankës së Shqipërisë me universitetet e qarqet e ndryshme akademike, përgjithësisht është kufizuar në leksione speciale rreth politikës monetare dhe tregjeve financiare. Duke vlerësuar rëndësinë e këtij komunikimi, ne kemi menduar t'i ngremë marrëdhëniet tona me universitetet në një stad më të lartë partneriteti, përmes përfshirjes së drejtpërdrejtë të studentëve në anketimet dhe analizat që zhvillojnë degët. Ndërkohë, për të nxitur kërkimet shkencore, ne njohëm publikun, për herë të parë javën e kaluar me projektin e "Çmimit të Guvernatorit".

Unë besoj se rritja dhe përmirësimi i komunikimit me të gjitha grupet e interesit, me sistemin bankar, komunitetin e biznesit, pushtetin lokal dhe qarqet akademike, do të ndikojë pozitivisht në arritjen e objektivave tanë të përbashkët, për një ekonomi më të shëndoshë e mirëqenie më të mirë sociale.

Faleminderit.