BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani në takimin përmbyllës të vitit me Shoqatën Shqiptare të Bankave, 20 Dhjetor 2012

Data e publikimit: 21.12.2012

 

Të nderuar drejtues të bankave,

Në përfundim të këtij viti kalendarik dhe financiar, po shfrytëzoj këtë mundësi për të komunikuar me ju rreth arritjeve dhe sfidave të sektorit bankar, me besimin që ato do të shërbejnë për të orientuar veprimet tona për vitin e ardhshëm.

Ashtu siç pritej, viti 2012 ishte mjaft sfidues për veprimtarinë ekonomike dhe financiare të vendit dhe të agjentëve të ndryshëm ekonomikë. Me shumë të ngjarë, rritja ekonomike gjatë këtij viti do të mbetet pozitive, por ndjeshëm më e ulët se vitin e kaluar. Kjo ecuri e ekonomisë është diktuar prej rënies së stimulit fiskal e monetar, si edhe prej ngadalësimit të konsumit dhe të investimeve private. Ngadalësimi i këtyre të fundit, është shoqëruar sidoqoftë me një ulje të importeve. Nga ana tjetër, kërkesa e huaj ka mbështetur më mirë rritjen e eksporteve, veçanërisht të produkteve të energjisë. Kjo ka sjellë një përmirësim të bilancit tregtar gjatë vitit 2012, duke shënuar rënie të deficitit në raport me PBB-në e vendit. Ndikimi i krizës ekonomike globale, vijon të jetë i pranishëm dhe perspektiva për një kapërcim të saj në vitin 2013 mbetet një shpresë e cila nuk mbështetet nga pritjet e institucioneve financiare ndërkombëtare dhe autoritetet publike, veçanërisht për situatën ekonomike në Eurozonë.


Gjatë vitit 2012, në tërësi, sektori bankar shënoi rezultat financiar pozitiv. Të ardhurat neto nga interesat ishin të qëndrueshme, por provigjonet për rrezikun e kredisë ulën madhësinë e fitimit. Sektori bankar ruajti përgjithësisht kontrollin mbi kostot e tjera të veprimtarisë. Treguesit e likuiditetit, afatshkurtër dhe ai strukturor, u paraqitën në nivele të kënaqshme. Të gjitha bankat plotësuan kërkesat e kuadrit rregullativ për madhësinë e aktiveve likuide, si në lekë ashtu edhe në valutat kryesore.  Rritja e depozitave vijoi me ritme të mira, ndonëse në nivele më të ulëta se vitin e kaluar.

Si pasojë edhe e ngadalësimit të kreditimit, raporti kredi/depozita paraqitet në nivele shumë të përshtatshme për të mbështetur nevojat për likuiditet të sektorit. Treguesit e kapitalizimit të veprimtarisë qëndruan në nivele të mira, për shkak të rritjes së kapitalit nga disa banka dhe ngadalësimit të rritjes së aktiveve me rrezik.  Gjatë vitit, Banka e Shqipërisë zbatoi kërkesa më të larta për likuiditet dhe kapitalizim të bankave në përputhje me profilin e rrezikut të veprimtarisë së tyre.

Në tregun ndërbankar, viti 2012 shënoi rritje të vëllimit të tregtimit dhe të pjesëmarrjes. Kjo ecuri është ndikuar prej lëvizjeve strukturore të likuiditetit, kërkesave të bankave dhe operacioneve në treg të Bankës së Shqipërisë në mbështetje të tyre.

Normat e interesit në treg kanë ardhur në rënie, duke reflektuar ecurinë e normës bazë të interesit dhe veprimet e bankave për të kontrolluar kostot e veprimtarisë dhe marzhet e fitimit. Tregu i këmbimeve valutore ka qenë i stabilizuar, megjithë rritjen e vëllimit të tregtimit dhe rritjen e pjesëmarrësve në treg. Bankat janë treguar aktive dhe të kujdesshme në shërbimin e kërkesave për valutë të klientëve të tyre.

  Të nderuar drejtues të bankave,

Me lejoni tani të përqendrohem në disa çështje, që përbëjnë shqetësim për industrinë bankare dhe për Bankën e Shqipërisë, dhe që besojmë se duhen adresuar me kujdes gjatë vitit të ardhshëm.

Po e filloj me kreditimin, si aktiviteti me ndikimin kryesor në rezultatin financiar të bankave. Konstatojmë një rënie të ritmit të kreditimit dhe vijim të rënies së cilësisë së kredisë, veçanërisht për kredinë në valutë. Kjo ecuri ka si shkak kryesor rënien e kërkesës, por edhe një hezitim të qëndrueshëm nga bankat për të kredituar. Kjo prirje duhet të ndryshojë, duke adresuar problemet që rriten me ritmin e kredidhënies, si edhe ato që lidhen me trajtimin e kredive me probleme.

Rritja e qëndrueshme e depozitave si edhe rritja e ndjeshme e investimeve tek jorezidentët tregojnë që bankat kanë burime të mjaftueshme financiare për të kredituar me ritme më të larta. Këto burime duhet të përdoren për të kredituar kryesisht sektorin privat në vend, duke vepruar sigurisht në përputhje me kuadrin rregullativ dhe politikat tuaja për diversifikimin e investimeve. Nga ana tjetër, përpjekjet për adresimin e kredive me probleme duhet të shumëfishohen, si në drejtim të parandalimit ashtu edhe për trajtimin e tyre. Fokusi juaj duhet të jetë në procesin e kujdesshëm të ristrukturimit të kredive, veçanërisht përpara se ato të shndërrohen në kredi me probleme. Më tej, duhet vepruar me kujdes por në mënyrë konsistente për ekzekutimin e kolateralit tek kreditë pa shpresë arkëtimi. Ne i njohim tashmë problemet që ekzistojnë në këtë drejtim. Por konstatoj që, në sajë edhe të punës suaj, ndërgjegjësimi i autoriteteve publike vendimmarrëse rreth tyre është përmirësuar ndjeshëm. Pata rastin që të komunikoj rreth këtyre problemeve edhe sot, me përfaqësues të Komisionit të Ekonomisë dhe Financës në Kuvend. Kam besim se puna e nisur nga ana e Ministrisë së Drejtësisë për rishikimin dhe përmirësimin e disa akteve ligjore të rëndësishme, duke përfshirë edhe Kodin e Procedurës Civile, do të finalizohet me përfshirjen dhe miratimin në to të disa propozimeve konkrete që industria bankare dhe Banka e Shqipërisë kanë paraqitur për përmirësimin e procesit të ekzekutimit të kolateralit.

Më tej, në përfundim të proceseve ligjore, është e nevojshme të procedohet me shpejtësi për fshirjen nga bilanci të kredive të humbura, në përputhje me kërkesat e kuadrit rregullativ. Ne kërkojmë nga ju dhe aksionerët tuaj të dedikoheni në këtë proces, për të gjetur jo vetëm burimet e nevojshme njerëzore dhe financiare, por edhe format më të përshtatshme për të siguruar një trajtim të shpejtë, transparent dhe konsistent të kredive me probleme.

Duhet mbajtur parasysh që kreditimi, përmban rreziqe të cilat është e vështirë të njihen me saktësi që në momentin e dhënies së kredisë. Këto rreziqe përcaktohen jo vetëm nga cilësia e procedurave të kredidhënies së bankave, por edhe nga faktorë të jashtëm të rëndësishëm, ku përfshihet edhe ecuria e ekonomisë. Kjo pasiguri shoqëron edhe fazën aktuale në të cilën gjendet sektori ynë bankar. Për këto arsye është e nevojshme që strukturat drejtuese në banka dhe aksionerët, të angazhojnë burimet e nevojshme financiare për të përballuar kosto të mundshme shtesë në të ardhmen. Për aksionerët, kjo do të thotë që jo vetëm të pranojnë lënien në bankë të fitimeve të veprimtarisë, por edhe të shtojnë kapital të ri në rast nevoje. Kujtojmë që kjo përfaqëson edhe një prirje më të përgjithshme të industrisë bankare në nivel global, ku një sërë standardesh të reja parashikojnë përmirësimin e cilësisë së kapitalit dhe rritjen e madhësisë së tij. Bankat tona duhet të fillojnë gradualisht të përshtaten me këto standarde.  

Për ju si drejtues, mbetet parësor forcimi i sistemeve të kontrollit të veprimtarisë së bankës, veçanërisht në aktivitetet ku gjenerohen të ardhurat dhe shpenzimet kryesore të veprimtarisë. Strukturat e administrimit të rrezikut duhet të fuqizohen realisht dhe të kenë një zë më të fuqishëm në vendimmarrje. Bankat duhet të vijojnë më tej me përmirësimin e eficiencës së veprimtarisë së tyre, duke përfshirë edhe vendosjen e një kontrolli më të mirë mbi kostot e veprimtarisë. Përcaktimi i aktiviteteve që kanë përparësi për institucionin tuaj, do të mundësojë identifikimin e nevojave të reja për investime, por edhe ato veprimtari që përfaqësojnë një përdorim joeficient të burimeve të bankës, e që duhen ristrukturuar. Ky proces do të ndikojë pozitivisht në rezultatin financiar të institucionit, dhe do të lejojë zbatimin e politikave të tjera aktive në drejtime të tjera që sjellin dobi për veprimtarinë e bankës.

Të gjithë e dimë që bankingu është një veprimtari e mbështetur tek besimi. Për këtë arsye, shërbimet e bankës ndaj klientëve duhet të jenë të klasit të parë, në të gjithë rrjetin e bankës. Kjo do të thotë që klientët duhet të shërbehen me korrektesë, në kohën e duhur dhe me transparencë. Shërbimet e bankave duhet të ofrohen në përputhje me kulturën financiare të klientëve të tyre, duke evidentuar në çdo rast përfitimet dhe rreziqet që klientët mund të kenë nga produktet bankare që mund të përdorin.

Banka e Shqipërisë, në kuadër të rolit të saj si mbikëqyrëse dhe rregulluese e veprimtarisë bankare, do të vijojë të monitorojë dhe të adresojë me kujdes sfidat me të cilat ndeshet kjo veprimtari. Kuadri ynë rregullativ dhe veprimtaria jonë operacionale e mbikëqyrëse do të përshtatet sipas nevojës për të dhënë të gjithë mbështetjen e nevojshme që veprimtaria bankare të kryhet e sigurt, me përfitim të shumëfishtë për vetë industrinë, për klientët dhe për ekonominë në përgjithësi. Në bazë të veprimtarisë sonë do të jetë komunikimi profesional dhe i vazhdueshëm me ju, për të identifikuar së bashku zgjidhjet më të mira që adresojnë nevojat tuaja dhe ato të grupeve të tjera të interesit.


Të nderuar drejtues të bankave,

Në mbyllje, dëshiroj të sjell në vëmendjen tuaj një nga mësimet e mëdha të dala nga kriza, që kaloi sistemi financiar botëror, dhe që mendoj se është aktuale edhe në kushtet e Shqipërisë: përqendrimi në horizonte kohore afatshkurtra është i dëmshëm si për institucionet individuale financiare që angazhohen në to, ashtu edhe për gjithë sistemin financiar dhe ekonominë e një vendi. Në këtë kontekst, ju ftoj të gjithëve të bëheni më largpamës në analizat e vendimmarrjet tuaja për të ardhmen e ekonomisë shqiptare dhe të industrisë së saj bankare.

Në vizionin tim, por edhe në konkluzionet e të gjitha analizave që fokusohen në këtë çështje, Shqipëria ka potenciale të mëdha, në një masë të madhe të pashfrytëzuara, për të mbështetur një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe konverguese me ekonomitë e partnerëve tanë të Eurozonës. Pavarësisht vështirësive afatshkurtra, të origjinuara në një masë të madhe jashtë saj, themelet e zhvillimit ekonomik të vendit mbeten të shëndosha. Stabiliteti makroekonomik, burimet natyrore, struktura dhe kostoja e fuqisë punëtore, e bëjnë investimin afatgjatë në ekonominë shqiptare një investim me kthim të sigurt.

Ju ftoj të gjithëve të bëheni pjesë e këtij vizioni; të angazhoheni më shumë në mbështetjen e ekonomisë shqiptare me kredi dhe shërbime financiare; si dhe të eksploroni fusha dhe drejtime të reja të zhvillimit ekonomik të vendit. Jam i bindur se ky është jo vetëm shërbimi më i mirë që mund t’i bëni vendit, por edhe strategjia më e mirë për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm dhe fitimprurës të industrisë bankare në Shqipëri.

Të gjithë së bashku, nuk duhet të lejojmë që problemet afatshkurtra të shndërrohen në dobësi dhe në raste të humbura në afat të gjatë.

Tek Banka e Shqipërisë ju do të gjeni gjithnjë një institucion tërësisht  të vendosur në respektimin e objektivit të saj të stabilitetit të çmimeve dhe të stabilitetit financiar, një rregullator të drejtë dhe largpamës në fushën e mbikëqyrjes bankare, një administrues eficient të likuiditetit dhe të tregjeve financiare, si dhe një institucion thellësisht profesional dhe të dobishëm në analizat e saj makroekonomike.

Së fundi, dëshiroj të bëj një urim të sinqertë për mbarësi në jetën tuaj profesionale dhe personale, gjatë vitit të ri 2013!

Faleminderit.