BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në takimin rajonal me përfaqësuesit e pushtetit vendor, të sektorit bankar, të komunitetit të biznesit të Qarkut të Shkodrës dhe me akademikë të Universitetit “Luigj Gurakuqi”

Data e publikimit: 20.01.2011

 

Zonja dhe zotërinj,

Banka e Shqipërisë gjykon se komunikimi me publikun përbën një hallkë të rëndësishme për transmetimin efektiv të vendimmarrjes së saj.  Për këtë arsye, ajo shfrytëzon të gjitha format e komunikimit, por kontakti i drejtpërdrejtë me njerëzit na mundëson perceptimin dhe interpretimin real të qëndrimeve dhe të pritshmërive të tyre dhe mbështet një proces më efektiv të vendimmarrjes. Për këtë arsye, ndjehem mjaft mirë që gjendem sërish në qytetin tuaj, si qendra e një rajoni me vlera të mirënjohura intelektuale, kulturore e patriotike, që jep një kontribut të rëndësishëm në prodhimin e përgjithshëm ekonomik të vendit.

Do të dëshiroja që në këtë komunikim me ju, të bëja fillimisht një analizë të përmbledhur të zhvillimeve ekonomike në vend dhe në vijim, të ndalesha në disa çështje më konkrete që ndikojnë në fortësinë e marrëdhënies mes familjeve e bizneseve, nga njëra anë, dhe sistemit financiar e sektorit bankar, nga ana tjetër. Gjatë vitit 2010, ekonomia shqiptare pritet të ketë regjistruar një rritje të kënaqshme. Në tremujorin e tretë të vitit të kaluar, rritja ekonomike vjetore vlerësohet në masën 4.9 për qind.
Ecuria e normës së rritjes ekonomike në dy vitet e fundit ka qenë e qëndrueshme, duke provuar kështu një nivel të mirë rezistence ndaj ndikimit të krizës ekonomike ndërkombëtare. Treguesit e tjerë makroekonomikë janë luhatur rreth vlerave të pranueshme dhe të pritshme. Vlen të theksohet se ky stabilitet makroekonomik pasqyron ndërthurjen e suksesshme të politikave bazë ekonomike, asaj monetare me atë fiskale, gjatë vitit të kaluar.

Më konkretisht, politika fiskale ka synuar dhe ka realizuar një proces të nevojshëm konsolidimi, pas një ekspansioni fiskal që ka shoqëruar zhvillimet ekonomike, në vitin 2009. Konsolidimi fiskal është realizuar nëpërmjet kontrollit më të mirë mbi shpenzimet publike dhe mbledhjes së të ardhurave pranë nivelit të parashikuar.

Kursi i këmbimit të monedhës kombëtare, me gjithë nënçmimin që ka pësuar në vitin 2009, e më pak, në vitin 2010, ka qenë shumë më i qëndrueshëm se monedhat e vendeve të tjera të Evropës Juglindore, të cilat zbatojnë politikën e një kursi këmbimi lirisht të luhatshëm. Nënçmimi gradual i lekut, vlerësohet se ka patur një ndikim pozitiv në pakësimin e deficitit tregtar dhe atë të llogarisë korente, nëpërmjet vendosjes së një dinamike më të favorshme për ecurinë  e eksporteve dhe të importeve të ekonomisë sonë.
Tashmë, vërtetohet plotësisht se adoptimi i regjimit fleksibël të kursit të këmbimit ka qenë një nga zgjedhjet më të spikatura të politikave ekonomike financiare të dy dekadave të fundit.

Rritja vjetore e çmimeve të konsumit ka qenë pothuaj gjatë gjithë kohës brenda kufijve të përcaktuar nga Banka e Shqipërisë, prej 2-4 për qind. Në kushtet e presioneve të moderuara inflacioniste, Banka e Shqipërisë ka ndjekur një politikë monetare lehtësuese, duke injektuar likuiditet në tregun ndërbankar dhe duke ulur normën bazë të interesit, në nivelin 5 për qind. Për vitin 2011, ecuria e treguesve makroekonomikë, pritet të jetë e ngjashme me atë të vitit 2010. Banka e Shqipërisë gjykon se harmonizimi i suksesshëm i vitit të kaluar, i politikës monetare me atë fiskale, duhet të vazhdojë më tej edhe në vitin 2011. Politika fiskale dhe ajo monetare, duhet të synojnë qëndrueshmërinë e këtyre treguesve, duke mbështetur gjithashtu, rritjen ekonomike. Ndikimi i faktorëve të kërkesës dhe të ofertës mbi kursin e këmbimit të monedhës kombëtare, pritet të jetë i ekuilibruar. Presionet inflacioniste parashikohen të jenë të moderuara gjatë këtij viti, ndonëse ecuria e çmimeve të mallrave të importuara paraqet një burim të qartë rreziku.
Banka e Shqipërisë, do të ruajë fleksibilitetin e politikës së saj monetare, për t’i paraprirë çdo zhvillimi të mundshëm në ecurinë e inflacionit.

Të nderuar pjesëmarrës,

Në vazhdim, dëshiroj të ndalem pak më hollësisht në ecurinë e sektorit bankar dhe në disa çështje që Banka e Shqipërisë i konsideron me rëndësi për rolin që ky sektor luan në ndërmjetësimin financiar dhe marrëdhënien me publikun, me një përfitim të dyanshëm. Vitet e fundit sektori bankar, si forca mbizotëruese e sistemit financiar, ka qenë mbështetës i fuqishëm i rritjes ekonomike të vendit, nëpërmjet një roli aktiv në ndërmjetësimin financiar. Sigurisht, veprimtaria bankare ka rreziqet e saj, por kriza financiare ndërkombëtare e tre viteve të fundit, provoi se sektori bankar në vendin tonë ishte i qëndrueshëm dhe nuk pati nevojë për ndihmë publike në përballimin e situatës. Në vitin e kaluar, situata financiare e sektorit bankar vlerësohet, përgjithësisht, më e mirë se ajo e vitit paraardhës. Me gjithë rritjen e vlerës së kredive me probleme, sektori bankar ka shënuar një rezultat financiar disa herë më të lartë se ai i vitit 2009.

Situata e likuiditetit është përmirësuar dukshëm, në kushtet e rritjes së qëndrueshme të depozitave. Për këtë arsye, nevojat e sektorit bankar për likuiditet nga Banka e Shqipërisë, janë pakësuar ndjeshëm.

Sektori bankar është i mirëkapitalizuar, në sajë të kujdesit për zgjerimin e veprimtarisë dhe  rritjes së kapitalit nga ana e aksionerëve. Pavarësisht nga kjo ecuri e mirë e veprimtarisë së sektorit bankar, ka disa drejtime që kërkojnë përmirësim të shpejtë, për të cilat Banka e Shqipërisë ka përqendruar veprimtarinë e saj mbikëqyrëse.

Drejtimi i parë lidhet me nevojën për zgjerim të veprimtarisë së kreditimit dhe përmirësim të cilësisë së saj. Të dy këto elementë mund të mbështesin njëri-tjetrin, nëse veprohet në mënyrë të kujdesshme.

Zgjerimi i ritmeve të kreditimit do të mbështetet më mirë gjatë vitit 2011, në sajë të dy zhvillimeve të rëndësishme, siç janë, përmirësimi i ndjeshëm i situatës së likuiditetit dhe prirja rënëse e normave të interesit edhe për kredinë në lek. Shenjat e para të një ecurie më pozitive, u dhanë në dy muajt e fundit të vitit 2010, kur ritmi vjetor i kredidhënies u përshpejtua dukshëm.

Nga ana tjetër, cilësia e kredisë mbetet problematike, por një përmirësim gradual pritet të shënohet gjatë këtij viti.

Përfitoj edhe një herë nga ky rast, për të ripërsëritur kërkesën tonë që bankat të jenë aktive në trajtimin e kredive me probleme për mbledhjen e tyre. Për kreditë që vlerësohen pa shpresë arkëtimi, në përputhje me kërkesat e kuadrit ligjor e rregullativ, bankat duhet të veprojnë për ekzekutimin e kolateralëve.

Në këtë proces ka nevojë për përmirësime të mëtejshme ligjore, për të pakësuar rrezikun e bankave në veprimtarinë e kreditimit dhe për të siguruar ulje të kostos së tij për klientët. Ky proces është i nevojshëm për të pastruar bilancet e bankave nga investime që rëndojnë ato dhe për të çliruar burime që do të përdoreshin për kredi të reja.

Në këtë kuadër, monitorimi i cilësisë së kreditimit dhe i sjelljes apo vështirësive që ndeshin bankat në këtë proces, është në qendër të veprimtarisë mbikëqyrëse.

Drejtimi i dytë lidhet me koston e shërbimeve bankare për klientët. Për këtë çështje, Banka e Shqipërisë ka kryer analizat e nevojshme, të cilat kanë arritur në përfundimin  se kostot e disa produkteve dhe shërbimeve bankare, duke përfshirë pagesat dhe transfertat, kartat e debitit dhe të kreditit, si edhe disa forma të tjera të kreditimit, mund të jenë më të ulëta.

Lidhur me këtë çështje, ne jemi përqendruar në dy aspekte:

Së pari, në rritjen e transparencës së sektorit bankar në marrëdhënien me klientët, për këto shërbime. Për këtë çështje, kemi vendosur tashmë në zbatim kërkesat për ndërtimin e metodologjive të caktuara për përcaktimin e kostos efektive të kredisë dhe përcaktimin e saktë të  detyrimeve kontraktuale në marrëdhënien me klientët. Bankave ju kërkohet të ofrojnë të gjithë informacionin dhe shpjegimet e nevojshme për klientët e interesuar. Gjithashtu, në të njëjtën logjikë, nga bankat do të kërkojmë ndërtimin e metodologjive për përcaktimin e kostos së shërbimeve bankare, që lidhen kryesisht me pagesat dhe transfertat e ndryshme.


Në këtë mënyrë, për klientët do të jetë më e thjeshtë të bëjnë krahasimin mes kushteve që ofrojnë institucione të ndryshme bankare e, kështu, të bëjnë zgjedhjen e tyre mbështetur në alternativën më të favorshme. 

Në mënyrë që kjo të funksionojë sa më mirë, nevojitet që edhe vetë klientët të ushtrojnë kujdesin e duhur për njohjen sa më të saktë të kushteve të vendosura nga bankat për produktet dhe shërbimet që ato ofrojnë. Aty ku është e nevojshme, në këtë proces, mund të kërkohet edhe asistencë e jashtme më e specializuar.

Së dyti, Banka e Shqipërisë synon të ofrojë një stimul konkret në këtë proces për bankat tregtare, duke ulur më tej kostot me të cilat ato përballen për përdorimin e sistemeve të pagesave, AIPS dhe AECH, gjatë transaksioneve në lek, për llogari të tyre apo të klientëve të tyre.

Ne besojmë që nëpërmjet një politike më konkurruese në vendosjen e çmimit të këtyre produkteve nga ana e sektorit bankar, jo vetëm mund të përfitojnë më shumë klientët, por mund të realizohet një rritje e numrit të tyre dhe të gjenerohet një rritje e të ardhurave për vetë sektorin bankar.   

Drejtimi i tretë, në të cilin jemi përqendruar, lidhet me forcimin e kërkesave për rritjen e përgjegjshmërisë në drejtimin e institucioneve bankare, duke kërkuar në mënyrë të përsëritur që profesionalizmi, dedikimi dhe përgjegjshmëria të shndërrohen në një kulturë pune për të gjithë personelin e institucioneve bankare.

Për këtë çështje, në mënyrë të vazhdueshme po rishikojmë proceset nëpërmjet të cilave bankat realizojnë vendimmarrjen, sigurojnë kontrollin e veprimtarive të caktuara e të raportimit të tyre brenda institucionit, si dhe ndërveprojnë me publikun.

Sistemet e kontrollit të brendshëm janë ato që përcaktojnë, në masën më të madhe, aftësinë e institucionit për të operuar në mënyrë të sigurt. Ato janë të domosdoshme për të shmangur çdo lloj hapësire që mund të shfrytëzohet për veprime abuzive në dëm të institucionit.

Për këtë arsye, në komunikimet e rregullta me bankat, Banka e Shqipërisë ka kërkuar që ato të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme; në para, njerëz dhe teknologji; për të garantuar sigurinë e çdo veprimi bankar.
 
Në përfundim, dua të theksoj se Banka e Shqipërisë do të jetë gjithmonë në lartësinë e kërkuar nga publiku, për të plotësuar, në çdo kohë, përgjegjësitë ligjore, në drejtim të realizimit të qëndrueshmërisë së nivelit të çmimeve dhe të sektorit bankar. Në këtë proces, nevojitet që autoritetet shtetërore dhe veçanërisht sistemi i drejtësisë, të ofrojnë bashkëpunimin e nevojshëm duke e vlerësuar çështjen e sistemit bankar si çështje me prioritet të lartë, nga ku varet zhvillimi i qëndrueshëm i ekonomisë së vendit, në të ardhmen. Për këtë qëllim, Banka e Shqipërisë i bën apel të gjithë faktorëve të lidhur që të përshpejtojnë reformat strukturore, të lidhura me titullin e pronësisë dhe ekzekutimin e kolateralit, si dhe të ndërmarrin një sërë rregullimesh të tjera të natyrës administrativo-burokratike që ndikojnë në rritjen e kostove të sistemit bankar.  

Duke ju ftuar në një diskutim të hapur rreth këtyre çështjeve, ju falënderoj për vëmendjen!