BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në tryezën e rrumbullakët të diskutimit mbi krijimin e Zyrës së Informacionit të Kredive, Hotel Tirana International, 28 prill 2006

Data e publikimit: 28.04.2006

 

Të nderuar pjesëmarrës,

Zonja dhe Zotërinj,

Fillimisht, dëshiroj të falenderoj FSVC-në për kontributin e tyre në organizimin e këtij takimi. Gjithashtu, falenderoj USAID-in, Ambasadën Amerikane, Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Botërore, bankat e nivelit të dytë dhe të gjithë pjesëmarrësit e tjerë për praninë në këtë tryezë të rrumbullakët.

Të gjithë jemi të vetëdijshëm për ritmet e rritjes së aktivitetit kreditues të sistemit bankar shqiptar gjatë këtyre viteve të fundit. Kështu, në vitin 2005 teprica e kredisë u rrit me 57.6 miliardë lekë (1) ose 82 për qind, nga 19.3 miliardë lekë ose 38 për qind për vitin e mëparshëm.

Zgjerimi i kreditimit të shëndoshë është sigurisht pozitiv për zhvillimin ekonomik të një vendi. Kreditimi i shëndoshë është i lidhur me mundësinë që institucionet kredituese (veçanërisht bankat) kanë për marrjen e një vendimi të drejtë gjatë dhënies së një kredie, bazuar në një analizë të mirë dhe solide të kredimarrësit (parë nga një mikroperspektivë) dhe në qëllime të mirëpërcaktuara dhe realiste lidhur me zhvillimin e biznesit.

Rritja e konkurrencës, zgjerimi i shpejtë i kreditimit nëpërmjet produkteve të reja dhe targetimit të kategorive të reja të kredimarrësve, nevoja për të mbajtur të paktën të njëjtin fitim dhe pjesë të tregut, e bëjnë të vështirë gjetjen e një balance të drejtë midis arritjes së qëllimeve dhe cilësisë së vendimmarrjes në aktivitetin kreditues. Prandaj përforcimi i kapaciteteve të administrimit të rrezikut të kredisë dhe kërkesat e kujdesshme veçanërisht në fushën e kreditimit, janë të domosdoshme në kohën e këtyre zhvillimeve të shpejta.

Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë vlerëson vëmendjen që bankat i kanë kushtuar cilësisë së portofolit të kredive. Nga ana jonë, ne gjithashtu kemi rritur përpjekjet tona për një mbikëqyrje të kujdesshme dhe të vazhdueshme në kuadrin e administrimit të rrezikut të kredisë.

Ashtu si dhe në fusha të tjera, cilësia e informacionit mbi të cilin mbështetet edhe vendimmarrja është thelbësore. Në aktivitetin kreditues, informacioni mbi historinë e kredimarrësit është kritik për të reduktuar rrezikun e aktivitetit kreditues. Vështirësia për të marrë informacion të saktë, shkaktuar nga numri në rritje i kredituesve dhe shumëllojshmëria e kategorive të tyre, është balancuar disi nga zhvillimet në fushën e teknologjisë së informacionit. Por, ekziston nevoja dhe mjetet për të krijuar një qendër, për të mbledhur dhe shpërndarë informacionin mbi kreditë për çdo kredimarrës të sistemit bankar. Një institucion i tillë do të ndihmonte në përforcimin e stabilitetit të sistemit bankar, duke reduktuar rrezikun që lidhet me zgjerimin e kreditimit. Unë mendoj se kjo është koha e përshtatshme për të krijuar këtë zyrë informacioni, duke pasur parasysh edhe ritmet e larta të rritjes së kreditimit dhe kërkesat e të dyja palëve, bankave të nivelit të dytë dhe Bankës së Shqipërisë si autoritet mbikëqyrës, për një vendimmarrje dhe ecuri kreditimi cilësore.

Për më tepër, Zyra e Informacionit të Kredive do të reduktojë koston e vlerësimit dhe kohën e shqyrtimit të procesit të dhënies së kredive; do të reduktojë probabilitetin e zgjerimit të kredive jo të mira, duke rritur kështu cilësinë e kredisë.

Deri tani, janë bërë përpjekje të konsiderueshme dhe të vazhdueshme nga Shoqata Shqiptare e Bankave për krijimin e një Zyre të Informacionit të Kredive, por për arsye të ndryshme ky proces nuk është përfunduar. Për të kapërcyer vështirësitë teknike dhe strukturore që mund të ndeshen gjatë këtij procesi, Banka e Shqipërisë ka vendosur të marrë një rol më të spikatur në këtë proces dhe do ta krijojë këtë zyrë fillimisht si një njësi nën varësinë e saj. Sipas këtij projekti, krijimi i një zyre të tillë, mbledhja e të dhënave në një regjistër të centralizuar, administrimi i informacionit dhe sigurimi i një shërbimi që i jep informacion bankave, do të jetë i detyruar dhe do të kryhet nga Banka e Shqipërisë. Por një projekt i tillë nuk përjashton projekte të tjera të ngjashme që mund të realizohen nga vetë bankat e nivelit të dytë.

Kjo qendër do t'i shërbejë bankave për një administrim më të mirë të portofolit të kredive dhe rrezikut të tij, si dhe do t'i shërbejë Bankës së Shqipërisë për kryerjen e analizave më të plota të sistemit bankar në tërësi dhe të çështjeve të lidhura me rrezikun në veçanti.

Ngritja e kësaj zyre në Bankën e Shqipërisë, plotëson edhe kërkesën aktuale të bankave për administrimin e informacionit mbi kreditë duke siguruar saktësinë, konfidencialitetin dhe besueshmërinë e tij.

Jam i bindur se bankat si përfitueset kryesore të këtij shërbimi do të bashkëpunojnë me Bankën e Shqipërisë për të realizuar me sukses këtë projekt.

Faleminderit!

(1) - Ndërsa teprica e kredisë në lekë është rritur me 17.5 miliardë lekë ose 128 për qind, ajo në valutë shënon rritje me 40.1 miliardë lekë ose 71 për qind.