BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Fullani në takimin me drejtuesit e sektorit bankar, mbi prezantimin e marrëveshjes dypalëshe SWAP për monedhat vendase, ndërmjet Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Qendrore të Republikës Popullore të Kinës

Data e publikimit: 02.04.2014

 

Të nderuar pjesëmarrës,

Më lejoni t’ju uroj mirëseardhjen në këtë tavolinë diskutimi mes Bankës së Shqipërisë dhe sistemit bankar. Tematika e sotme do t’i kushtohet marrëveshjes dypalëshe të nënshkruar mes Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Qendrore të Republikës Popullore të Kinës, si dhe mundësive që ofrohen prej saj.

Siç jeni në dijeni më 12 shtator 2013, në Jerevan të Armenisë, së bashku me  Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kinës, z.Zhou XIAOCHUAN nënshkruam Marrëveshjen SWAP, për shkëmbimin e monedhave kombëtare reciproke  mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Popullore të Kinës.  

foto guvernatori 6536 0

Banka e Shqipërisë vlerëson se ky instrument i rëndësishëm financiar do të ndikojë pozitivisht në zgjerimin dhe në thellimin e mëtejshëm të shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve. Por ajo që ka më shumë rëndësi, kjo marrëveshje do ndikojë pozitivisht edhe në një drejtim tjetër: në zgjerimin dhe thellimin e tregut financiar në Shqipëri. Ekonomisë, agjentëve të saj, përfshirë dhe institucionet financiare ju ofrohet një mundësi më shumë, për të kontribuar bashkërisht në gjallërimin e shpejtë të aktivitetit ekonomik, të rritjes së financimit të ekonomisë dhe të shëndoshjes financiare të vendit.

Marrëveshja merr shtysën nga rritja e konsiderueshme e peshës së Republikës Popullore të Kinës në ekonominë globale dhe në sistemin financiar ndërkombëtar. Bashkëpunimi financiar mes dy bankave qendrore rikonfirmon marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy institucioneve tona, që kulmuan me vizitën historike të Guvernatorit z. Zhou XIAOCHUAN në Bankën e Shqipërisë në vitin 2011.

Në këtë bashkëpunim materializohet pesha në rritje e shkëmbimeve tregtare mes Shqipërisë dhe Kinës. Për më tepër, nëpërmjet saj i paraprihet shtimit të mundshëm të transaksioneve të natyrës financiare dhe asaj kapitale mes dy vendeve.

Pavarësisht dallimeve sasiore që ekzistojnë midis dy ekonomive të Shqipërisë dhe Kinës, ne vlerësojmë se shkëmbimet tregtare me Kinën do të rriten më tej në periudhën në vijim. Po kështu edhe lidhjet financiare potencialisht do të njohin rritje. Kina renditet në vend të tretë përsa i takon origjinës së importeve shqiptare (pas Italisë dhe Greqisë), dhe është stacion shumë i rëndësishëm i eksporteve shqiptare. Në vitin e fundit, 5% e eksporteve shqiptare iu drejtuan tregut kinez dhe 6.7% e importeve tona erdhën nga Kina.

Një lidhje e fortë tregtare siguron shtratin për një marrëdhënie të fortë financiare. Ashtu siç e ka treguar edhe historia, tregtia ka qenë gjithmonë pararendëse e shkëmbimeve financiare. Me rritjen e lidhjeve tregtare, korporatat, ndërmarrjet dhe bizneset në përgjithësie kanë të domosdoshme të mbështeten nga një rrjet i sigurt shërbimesh financiare. Nga ana tjetër,një marrëdhënie e shëndoshë financiare ndihmon bizneset në të dy vendet të identifikojnë dhe të rrisin investimet e tyre.

Duke qenë të vetëdijshëm për ekzistencën e këtyre mundësive, ne vlerësojmë se nuk mund të ketë një ekonomi të zhvilluar dhe të integruar mirë pa pasur tregje të hapura, efecientë, transparente dhe të mbikëqyrura. Ambicia jonë për të ndërtuar një infrastrukturë solide financiare për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm afatgjatë të vendit,  me qëllimin final rritjen e punësimit dhe mirëqenies,  kërkon medoemos të bëhesh pjesë e tregjeve globale, ku Republika Popullore Kinës është një aktor i rëndësishëm. Për këtë qëllim negociuam dhe nënshkruam marrëveshjen dypalëshe SWAP,  për shkëmbimin e monedhave kombëtare respektive.

Me pak fjalë, instrumenti financiar SWAP, nënkupton një mundësi shkëmbimi të monedhës sonë kombëtare me monedhën kombëtare kineze, RENMINBI, në një shumë, që është ekuivalent i vlerës 250 milionë euro, me mundësi rritjeje në të ardhmen. Dua t’ju informoj se sistemi bankar shqiptar mund të ketë akses në fondet renminbi me qëllimin e vetëm për të nxitur më tej marrëdhëniet tregtare dhe financiare midis dy vendeve.

Kjo marrëveshje është një element i rëndësishëm i infrastrukturës financiare që Banka e Shqipërisë po përpiqet të ndërtojë për të thithur sa më shumë investime të huaja direkte kineze në Shqipëri. Pjesëmarrësit e tregut të të dy vendeve, veçanërisht investitorët kinezë duhet të ndjehen më të sigurte në plotësimin adekuat të nevojave të tyre me likuiditet.

Kontributi juaj të nderuar drejtues të sistemit bankar, është i domosdoshëm. Ju këshilloj që të merrni masat e menjëhershme për ndërtimin e një platforme solide që do të sigurojë rritjen e volumit të tregtimit dhe atij financiar midis jush dhe kundërpartive kineze, e për rrjedhim mes Shqipërisë dhe Kinës në analizë të fundit. Nga ana jonë ne do të marrim të gjithë masat e nevojshme për lehtësimin e lëvizjes së fondeve në të dy drejtimet.  Gjithashtu, Banka e Shqipërisë nuk do t’i transmetojë sistemit bankar asnjë kosto të shtuar nga ndërmjetësimi që ajo do të kryejë.

Të nderuar drejtues të sistemit bankar,

Banka e Shqipërisë, përveç ndjekjes së kujdesshme të objektivave primare, në mënyrë proaktive jep një stimul të ri për gjallërimin e aktivitetit ekonomik, tregtar dhe financiar të vendit. Nëpërmjet këtij veprimi, Banka e Shqipërisë  i bashkohet një grupi bankash qendrore në rritje dhe duke u bërë një ndër bankat e para qendrore evropiane që nënshkruajnë marrëveshjen.

Ka disa elemente të marrëveshjes për të cilët do të doja të tërhiqja vëmendjen tuaj.

Së pari, nëpërmjet lehtësimit të kushteve të kreditimit, marrëveshja stimulon thellimin e marrëdhënieve tregtare ndërmjet të dy vendeve. Ajo i mundëson sistemit bankar vendas akses në monedhën renminbi.

Kjo përkthehet në mundësi për të kredituar në këtë monedhë kompanitë shqiptare eksportuese dhe importuese, të cilat zhvillojnë tregti me partnerë kinezë duke i dhënë një hov të mëtejshëm mbështetjes së eksporteve.

Së dyti, marrëveshja nxit hyrjen e investimeve të huaja kineze në Shqipëri. Mekanizmi i SWAP-it krijon stimujt dhe bazat e nevojshme që investitorët kinez të zgjerojnë aktivitetin investues me efekte pozitive direkte në aktivitetin ekonomik shqiptar.

Së treti, marrëveshja SWAP në valutë të huaj përmirëson ndjeshëm administrimin e rrezikut financiar të një vendi, pasi banka qendrore nëpërmjet këtij mekanizmi e ka më të lehtë aksesin në fondet valutore në rast goditjesh të tregut.

Ajo çka është me thelbësore, ekzistenca e një marrëveshje të tillë nënkupton një angazhim të fortë të bankës qendrore për të siguruar stabilitetin financiar të sistemit, pasi në raste goditjesh ajo mund të mbështetet nga banka të tjera qendrore. Vetë ky si informacion paraprak në vetvete përçon sinjale qetësuese në tregjet financiare.

Përsa u shpreha më sipër, kuptohet qartë se përpjekjet e të gjithëve ne për një zbatim të suksesshëm të kësaj marrëveshje janë në interesin e të gjithë palëve: të ekonomisë në tërësi, të vetë sistemit bankar dhe të Bankës së Shqipërisë.

Të nderuar drejtues të sistemit bankar,
Banka e Shqipërisë e sheh zbatimin e suksesshëm të marrëveshjes si një proces i cili kërkon angazhimin tonë të vazhdueshëm, por i cili siguron përfitime të prekshme për të gjithë. Thellimi dhe zgjerimi i tregut financiar me anë të kësaj marrëveshje do të lehtësojë së fundmi edhe përqasjen e qeverisë në një treg të ri borxhi dhe financimi, që do të ofronte një bazë të re blerësish duke diversifikuar burimet financimit të qeverisë.

Më lejoni më tej t’ju ftoj, në vijim të prezantimit, të ndajmë së bashku opinionet mbi rrugët e duhura për zbatimin e saj, në një diskutim të hapur dhe të frytshëm.

Ju faleminderit.