BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Fakultetit Ekonomik, Universiteti i Tiranës

Data e publikimit: 07.11.2018

 

I nderuar Prof.Kule,

Të nderuar pedagogë,

Të dashur studente dhe studentë,

Është një privilegj i veçantë të jem i pranishëm në këtë ceremoni sa rinore, aq dhe kuptimplotë diplomimi. Sot, me të drejtë, ju, familjet tuaja, ashtu si dhe trupa pedagogjike e Fakultetit Ekonomik, keni gjithë arsyet për t’u ndjerë krenarë për atë çfarë keni arritur. Përfitoj nga ky rast për t’ju shprehur urimet e mia më të sinqerta, për përfundimin me sukses të studimeve universitare.

DSC 4065-2 - 498

Ky moment shënon një hap të rëndësishëm tranzicioni në jetën tuaj. Ju tashmë do të largoheni nga auditorët e universitetit drejt një realiteti tjetër, shumë të ndryshëm nga ai që keni përjetuar deri më sot. Duke filluar nga nesër, për pjesën më të madhe të jetës, ju do të përballeni me një dimension të ri të realitetit njerëzor, shumë dinamik e kompleks, i cili përveç shtrirjes në kohë ka dhe shumë stacione, të cilat do ta bëjnë atë edhe më sfiduese sa herë të arrini në njërin prej tyre.

Mbani parasysh se një karrierë e suksesshme do kohë të ndërtohet, por këshilla ime është t’i hidhni hapat e parë me energjinë dhe entuziazmin që karakterizon moshën tuaj. Çlirohuni me guxim nga çdo kompleks apo hezitim i paarsyeshëm! Emetoni energjinë tuaj pozitive kudo ku të jeni: në familje, në punë, në marrëdhëniet shoqërore dhe në raportet ditore me kolegët tuaj. Tregoni konsistencë dhe qytetari në sjelljen tuaj, duke respektuar ligjet, kodet dhe traditat! Përqafoni të renë dhe luftoni për të vënë në jetë çdo ëndërr që frymëzon dashuri, prosperitet, integritet dhe mirëkuptim njerëzor! Tregohuni luajalë dhe bashkëpunues dhe, në asnjë rast apo për asnjë arsye, mos hiqni dorë nga dija dhe edukimi!

DSC 4129-2 - 498

Në kohët e sotme, njerëzimi po përballet me ndryshime të shumta sociale, kulturore, shkencore, teknologjike, demografike dhe gjeografike. Aftësia për t’u përshtatur në vazhdimësi për t’i paraprirë këtyre zhvillimeve,  nuk është thjesht një sfidë e ditëve të sotme. Ajo demonstron nevojën për të qenë çdo moment në kontakt me dijen, me të rejat shkencore, me inovacionin, me rrymat e ndryshme teorike dhe aspektet aplikative të tyre. Ky është edhe motivi i apelit tim për të mos u shkëputur për asnjë moment nga dija dhe edukimi.

Të jeni të sigurt se kudo qofshi, në Shqipëri apo gjetkë, edukimi gjithmonë do t’jua shpërblejë mundin dhe kohën e harxhuar. Personalisht, e vlerësoj si një nga shtyllat kryesore, e cila, në rrjedhën e kohës, të ndihmon për të krijuar një figurë me reputacion, të respektuar dhe të pranuar gjerësisht nga opinioni publik.

 

Të dashur studentë,

Sot është dita të festoni për këtë arritje të rëndësishme. Sot është dita të ndjeheni krenarë. Ëndrra juaj për të përfunduar me sukses studimet e larta është bërë realitet. Rrugë dhe mundësi të shumta shtrihen në horizontin tuaj. Mos ngurroni të bëni zgjedhjen tuaj. Kudo që të mundeni, në sektorin publik, në atë privat, brenda apo jashtë vendit, ju bëj thirrje të demonstroni integritet, optimizëm dhe vendosmëri.

Këshilla ime për secilin prej jush është e thjeshtë:

Asnjëherë mos u dorëzo! Jeto me kurajë dhe vetëbesim! Koha shpërblen ata që ëndërrojnë dhe guxojnë të shohin përtej së nesërmes. Kjo është rruga e duhur për të ndërtuar një shoqëri më të mirë se kjo e sotmja, të aftë për të krijuar më shumë begati  për brezat që do të vijnë. Hiqni dorë nga ambiciet për karrierë të shpejtë dhe të pamerituar! Është një trasé që nuk ju çon kurrkund. Jeta është një udhëtim me shumë të panjohura dhe duhet t’ju garantoj se në ecurinë afatgjatë të saj, gjithmonë shkëlqejnë ata që shquhen për sa i takon përgatitjes profesionale, përkushtimit ndaj detyrës dhe respektimit të vlerave njerëzore.

Në përfundim, më lejoni ta mbyll fjalën time duke ju uruar edhe njëherë suksese dhe fat në etapat e ardhshme të jetës s!

Urime dhe suksese për diplomimin!