BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Universitetit Evropian të Tiranës

Data e publikimit: 16.07.2018

 

I nderuar President i Universitetit,

Të nderuar pedagogë,

Të dashur studente dhe studentë,

Ndjehem i nderuar që ndodhem sot këtu, në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës, një institucion mjaft prestigjioz e i rëndësishëm ne fushën e arsimit, e që gëzon vlera të larta akademike e mësimdhënieje.

Sot është një nga ditët më të veçanta të jetës suaj. Pas një periudhe të gjatë kohe, finalizoni me sukses një fazë të rëndësishme të jetës, atë të përfundimit të studimeve. Për vite me radhë, hap pas hapi, ciklit studimor i erdhi fundi, dhe ju keni tashmë gjithë të drejtën të ndjeheni plotësisht krenarë që më në fund ja arritët kësaj dite.

Personalisht besoj se është një prej arritjeve më të mëdha për ju. Bëhet fjalë për një betejë të fituar, e cila do të jetë përcaktuesi kryesor si i formës, ashtu dhe i përmbajtjes së suksesit tuaj në karrierën që ju pret në të ardhmen.

Nga sot ju i bashkoheni armatës së madhe të profesionistëve. Ky moment përbën një pikë kulmore në jetën e çdo njeriu. Përfitoj nga rasti që t’ju bëj thirrje që ta nisni këtë rrugëtim të gjatë me kurajë, me dëshirë dhe me këmbëngulje. Kudo që ta ndërtoni karrierën tuaj, që në hapat e para të saj, por dhe më tej, përpiquni të jeni as më shumë e as më pak vetëm vetvetja.

Mos hezitoni të tregoni vlerat më të mira të karakterit dhe të moshës tuaj të re, siç janë idealizmi, krenaria dhe ndershmëria. Mos harroni të sillni në mes nesh energjinë, entuziazmin e moshës, sinqeritetin dhe origjinalitetin që ju karakterizon. Luftoni pa kompromis dhe me idealizëm për përmbushjen e objektivave, për atë që besoni dhe që ju motivon në përditshmërinë tuaj.

Mbështesni njeri-tjetrin dhe ata që kujdesen për ju. Bëhuni mesazherë të modernitetit dhe të inovacionit, por pa u shkëputur për asnjë moment nga dija. Marrëdhënia juaj me dijen, me literaturën, me të rejat shkencore nuk mbaron sot. Duhet të jeni plotësisht të vetëdijshëm se ajo do t’ju shoqërojë në çdo stacion të jetës. E tillë është dinamika e ditëve tona.

Të dashur studentë,

Jeta përtej auditorëve është më komplekse. Në përditshmëri do ju qëllojë të përballeni edhe me momente të vështira e sfida komplekse. Por vështirësitë nuk duhet t’ju dekurajojnë, përkundrazi, duhet të bëheni të fortë për të përballuar ngarkesat emocionale dhe ato psikologjike.

Gjëja më e rëndësishme është të nxirrni mësime rast pas rasti, duke i ndarë ato me miqtë dhe kolegët. Mbani vështrimin nga e ardhmja, jepini arsye të tjerëve të besojnë tek ju, emetoni pozitivitet dhe bashkojuni çdo projekti vizionar që inspiron dashuri, prosperitet, integritet dhe mirëkuptim njerëzor.

Kjo është Shqipëria e vlerave ndryshe që duhet t’i lëmë brezave që vijnë. Filloni që sot ta ndërtoni atë mbështetur në aspiratat tuaja dhe ëndrrën tonë të përbashkët Evropiane.

Banka e Shqipërisë i ka gjithmonë të hapura dyert për studentë të talentuar e njerëz të devotshëm.

Urime dhe suksese për diplomimin!